Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 6: Çështja Shqiptare në Konferencën e Paqes

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 6

Çështja Shqiptare në Konferencën e Paqes dhe Kongresi i Lushnjës

Shqipëria në Konferencën e Paqes Paris 1919
Pas përfundimit të Luftës I Botërore, që tronditi themelet e Europës, më 18 janar 1919 në Paris u hap Konferenca e Paqes. Shtetet e mëdha fituese të luftës e organizuan atë për të përfunduar traktatet e paqes me vendet e mundura. Problemi shqiptar u diskutua gjatë në konferencë. Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ishin shprehur kundër pavarësisë së Shqipërisë duke pasur si bazë Traktatin të Fshehtë të Londrës, që e copëtonte atë. Konflikti ishte i pashmangshëm, kur kërkesat vinin nga Italia, e cila kërkonte Vlorën si dhe protektoratin mbi “shtetin” e cunguar në Shqipërinë e Mesme. Në krahasim me vitet e mëparshme tani në skenën politike doli një shtet i ri me emrin Mbretëria Serbo-Krotao-Sllovene (SKS), që në vitin 1929 u quajt Jugosllavi. Qeveria e saj do të shprehej për një Shqipëri të pavarur, por në rast se kjo e fundit copëtohej, ajo do të kërkonte pjesën që i “takonte”. Ndërsa Greqia kërkonte të aneksonte Korçën dhe Gjirokastrën. Në Konferencën e Paqes shqiptarët u përfaqësuan nga disa delegacione: i qeverisë së Durrësit, i kolonisë shqiptare të Stambollit, i asaj të Bukureshtit, si dhe përfaqësuesit shqiptarë të federatës Vatra të SHBA. Në Konferencë u hartuan shumë projekte në dëm të Shqipërisë. Delegacioni shqiptar do t’i paraqiste pretendimet e veta në disa memorandume. I pari, në bazë të parimit të vetëvendosjes, kërkonte t’i ktheheshin Shqipërisë tokat shqiptare me të cilat Konferenca e Londrës e 1913 dhe Kongresi i Berlinit i 1878 kishte shpërblyer monarkitë fqinje. I dyti hidhte poshtë pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut, dhe kërkonte të pranohej pavarësia e Shqipërisë, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës. Pas dhjetë muajsh bisedime më 9 dhjetor 1919 Fuqitë e Mëdha i paraqitën Italisë një memorandum ku i njihnin asaj sovranitetin mbi Vlorën dhe mbi një territor rreth saj si dhe protektoratin mbi shtetin shqiptar. Ky memorandum që copëtonte Shqipërinë dhe e bënte koloni të Italisë, e çoi në këmbë vendin. Patriotët shqiptarë që e kishin humbur besimin tek qeveria e Durrësit dhe për të shpëtuar atdheun nga rreziku i dyfishtë morën masa për ta shpëtuar vendin e tyre. Ata i bënë thirrje popullit shqiptar të zgjidhnin delegatët për një kongres të ri, i cili do të vendoste mbi masat që duheshin marrë për shpëtimin e atdheut.

Kongresi i Lushnjës
Kompromisi i 13 janarit 1920 midis Italisë, Francës dhe Anglisë për copëtimin e Shqipërisë e rriti edhe më shumë zemërimin e popullsisë, e cila u shpreh – “të huajt jashtë vendit tonë”. E gjithë Shqipëria u ngrit në këmbë. Popullit shqiptar i duhej të përballonte rreziqet që i kanoseshin dhe duhej medoemos çlirimi i atdheut ngatrupat e huaja pushtuese. Për këtë arsye u vendos të mblidhej një kongres. Më 21 janar 1920, nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit, u çel kongresi i Lushnjës, në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria dhe i zhvilloi punimet deri më 31 janar 1920. Në mbrojtje të Kongresit u krijua një forcë e armatosur me vullnetarë nga krahina të ndryshme të vendit, që drejtohej nga Ahmet Zogu, delegat i krahinës së Matit. Kongresi mori vendime të rëndësishme për fatet e Shqipërisë. Fillimisht Kongresi hodhi poshtë në mënyrë të vendosur planet e Konferencës së Paqes në Paris për copëtimin e vendit duke i quajtur të papranueshme dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë kundër çdo mandati ose protektorati të çdo fuqie të huaj. Në protestën dërguar Konferencës së Paqes, shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të përballuar çdo sakrificë në mbrojtje të vendit. Kongresi rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe veprimtarinë e saj e cilësoi antikombëtare. Zgjodhi një qeveri të re kombëtare të kryesuar nga Sulejman Delvina. Vendim tjetër i rëndësishëm i Kongresit ishte hartimi dhe aprovimi i një kushtetute të përkohshme “Statuti i Lushnjës” që hodhi bazat e ligjore të shtetit shqiptar. Diskutime pati edhe për formën e regjimit dhe u vendos të ruhej parimi i formës monarkike të qeverisjes kolektive. Kongresi zgjodhi një Këshill të lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kryetarin e shtetit derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga ana e një Asambleje Kushtetuese. Po kështu për të ushtruar pushtetin legjislativ u zgjodh një Këshill Kombëtar që u quajt Senat i përbërë prej 37 anëtarësh. Këshilli i Lartë do të ushtronte pushtetin ekzekutiv. Këshilli i Lartë kishte kompetenca të kufizuara, së pari në shpalljen e ligjeve dhe së dyti, në formimin e qeverisë. Vendimet e Kongresit të Lushnjës ishin më rëndësi të madhe për fatet e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj.

Qeveria e Sulejman Delvinës
Në vendimet e Kongresit të Lushnjës vendimi më i rëndësishëm ishte zgjedhja e kabinetit qeveritar që kryente funksionet ekzekutive. Qeveria e re kryesohej nga Sulejman Delvina. Qeveria në fillim caktoi delegacionin qeveritar për në Konferencën e Paqes. Por detyra e saj më e rëndësishme ishte ndërtimi i shtetit dhe forcimi i identitetit kombëtar,në planin e brendshëm. Në të njëjtën kohë i duhej të vepronte për t’i siguruar shtetit të pavarur shqiptar tërësinë tokësore dhe rinjohjen e tij në arenën ndërkombëtare. Më 11 shkurt 1920, qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë. Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë. Menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, të gjitha krahinat e Shqipërisë, u lidhën me qeverinë e Sulejman Delvinës dhe vepruan sipas urdhrave të saj. Në fushën e diplomacisë kjo qeveri pati dy arritje. E para ishte bashkimi i Korçës dhe rrethina me shtetin shqiptar nëpërmjet nënshkrimit të protokollit të Kapshticës më 28 maj 1920. E dyta, pas Luftës së Vlorës dhe fitores nga shqiptarët nënshkroi protokollin e Tiranës më 2 gusht 1920. Italia detyrohej të respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Këto fitore e rritën vlerën e saj.

FJALË KYÇE
Shpjegoni fjalët kyç: protektorat, mandate, protokoll, vetëvendosje.

PËRGJIGJUNI
1. Pse u mblodh Konferenca e Paqes në Paris?
2. Cilat ishin propozimet e delegacioneve shqiptare në Konferencë për çështjen shqiptare?
3. Çfarë përfaqëson për shqiptarët Memorandumi i 9 dhjetorit 1919?
4. Përcaktoni vendimet kryesore të Kongresit të Lushnjës?
5. Kur u shpall Tirana kryeqytet dhe pse?
6. Tregoni arritjet e qeverisë së Sulejman Delvinës?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Formuloni përfundime. Kongresi i Lushnjës e shpalli Tiranën kryeqytet të Shqipërisë, më 11 shkurt 1920. Pse u zgjodh Tirana kryeqytet dhe jo ndonjë qytet tjetër?

KËRKONI INFORMACION
Mblidhni të dhëna dhe jepni përfundime për personalitetin e Sulejman Delvinës.