Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 5 Mësimi 4: Pasojat e Luftës II Botërore për Shqipërinë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 5 Mësimi 4

Pasojat e Luftës II Botërore për Shqipërinë

Roli dhe qëndrimi i misioneve të huaja që vepruan në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore
Rritja e qëndresës antifashiste në Shqipëri fitoi admirimin e aleatëve. Aleatët filluan të dërgonin në Shqipëri përfaqësues të tyre për të parë nga afër situatën dhe përcaktuar nevojat. Interesi i tyre është shprehur rreth fundit të vitit 1942, nga sekretari amerikan i shtetit, Kordell Hall dhe ai anglez Antoni Eden, të cilët vlerësonin dhe shprehnin admirim për luftën e përbashkët të njësiteve guerile shqiptare kundër armikut. Ata shprehnin dëshirën që përmes kësaj lufte ta shikonin Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Nëfillim mbështetja e tyre ishte në formën e ndihmave materiale si, veshmbathje dhe ushqime, të cilat shkonin për të gjitha forcat e rezistencës antifashiste dhe më pas edhe furnizime me municione dhe armatime nga misioni i Britanisë së Madhe. Përçarja e forcave politike shqiptare gjatë vitit 1943 çoi edhe në rritjen e ndërhyrjes angleze për pajtim kombëtar dhe koordinim të përbashkët të luftës së tyre kundër fashizmit. Madje ishte presioni anglez ai që detyroi zhvillimin e takimit në Tapizë në 26 korrik 1943, takim që i parapriu Konferencës së Mukjes. Misioni i parë britanik në Shqipëri erdhi në prill të vitit 1943 i kryesuar nga majori Nil Meklin, i cili u pasua edhe nga ai i gjeneralit Edmond Dejvis. Ai kritikoi luftën civile në Shqipëri dhe këshillonte misionin britanik të mos ndërhynin në këtë problem të brendshëm të shqiptarëve. Në pranverë-verë 1944 erdhi në Shqipëri misioni ushtarak amerikan dhe ai sovjetik të kryesuar nga kapiteni me origjinë shqiptare Tomas Stefan dhe Ivanov. Misioni sovjetik nuk pati ndonjë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin e luftës. Këto misione u panë me dyshim nga Enver Hoxha, i cili i trembej bashkëpunimit me aleatët britanikë për të ardhmen e pushtetit të tij.

Roli i qëndresës së armatosur të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të rënët në luftë
Lufta e Ushtrisë Nacionalçlirimtare nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm të saj, të mbështetur nga populli shqiptar përbën një faqe të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Në historinë e Luftës Antifashiste betejat kundër forcave të armikut në Pojskë, Burrel, Qafë-Buall, Qafë-Shtamë, Zerqan, Kardhiq, Mashkullorë, Vithkuq, Libohovë, Konispol, Reç etj., tregojnë për qëndresë heroike të popullit tonë. Partia Komuniste po përpiqej të zyrtarizonte gradualisht pushtetin e saj. Pas fitores së Ushtrisë shqiptare ndaj operacionit të madh gjerman të dimrit 1943 dhe 1944 u rrit edhe më shumë mbështetja dhe besimi i popullit ndaj drejtimit të partisë komuniste dhe frikën e forcave nacionaliste për të ardhmen e pushtetit politik në Shqipëri. Gjatë këtyre operacioneve armiku angazhoi 90.000 forca me qëllim asgjësimin e plotë të Ushtrisë Çlirimtare. Shtabi i Përgjithshëm kaloi në kundërmësymje duke i shkaktuar armikut humbje. Divzioni I sulmues sipas urdhrit të komandantit të Ushtrisë, Enver Hoxha kaloi në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut për të luftuar si kundër pushtuesit edhe forcave balliste dhe zogiste. Kjo tregonte se po kalohej hapur drejt luftës civile. Përballja e armatosur mes vetë forcave politike në vend rezultoi me viktima nga të dyja palët. Njëra pas tjetrës u çliruan zona të tëra në Shqipërinë e Jugut dhe pas dy javësh luftimesh të ashpra më 17 Nëntor u çlirua Tirana. Luftimet vazhduan në veri të vendit që solli edhe çlirimin e qytetit të fundit, Shkodrës, më 29 Nëntor 1944. Vendi ynë me rreth një milion banorë angazhoi luftë rreth 70 mijë vetë nga të cilët afër 6000 ishin femra të organizuar në 24 brigada, 8 divizione, 3 Korparmata. Si rrjedhim i kësaj rezistence brenda dhe jashtë vendit ranë dëshmorë të luftës mijëra vetë.

Pasojat e Luftës II Botërore në Shqipëri
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar përbën një ngjarje të rëndësishme në historinë e tij. Ajo përbën një pjesë të rëndësishme të luftës antifashiste botërore. Lufta e tij u njoh si pjesë përbërëse e luftës së aleatëve. Lufta natyrisht u shoqërua edhe me dëme të mëdha njerëzore dhe materiale duke u radhitur një ndër vendet me pasoja më të mëdha në numrin e të rënëve në krahasim me numrin e popullsisë. Lufta solli ndryshime në jetën shoqërore të vendit. Pushteti i klasës së çifligarëve dhe pronarëve të mëdhenj që ishin bërë pengesë për zhvillimin e vendit u dobësua. Pjesëmarrja e femrës në forma të ndryshme në luftë ndryshoi mentalitetin për rolin dhe rëndësinë e saj në jetën shoqërore dhe nxiti emancipimin e mëtejshëm të saj. Lufta afirmoi edhe aftësinë e një populli të vogël për të përballuar agresionet e huaja për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë. Por nga ana tjetër ajo forcoi pozitat e PK dhe vendosjen e pushtetit të saj mbas lufte.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: luftë civile, dëme lufte, aleatë, mision ushtarak

PËRGJIGJUNI
1. Cili ishte roli dhe qëndrimi i misioneve të huaja që vepruan në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore?
2. Cila ishte marrëdhënia e tyre me forcat politike brenda vendit?
3. Cili ishte roli i qëndresës së armatosur të shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore?
4. Pse është e rëndësishme qëndresa antifashiste e popullit shqiptar?
5. Cilat janë rrjedhojat e Luftës II Botërore për Shqipërinë?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimet. a. Misionet u panë me dyshim nga Enver Hoxha, i cili i trembej bashkëpunimit me aleatët britanikë për të ardhmen e pushtetit të tij.
b. Partia Komuniste po përpiqej të zyrtarizonte gradualisht pushtetin e saj.
c. Divizioni I sulmues sipas urdhrit të komandantit të Ushtrisë, Enver Hoxha kaloi në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut për të luftuar si kundër pushtuesit edhe forcave balliste dhe zogiste. Kjo tregonte se po kalohej hapur drejt luftës civile. Përballja e armatosur mes vetë forcave politike në vend rezultoi me viktima nga të dyja palët. Formuloni përfundimet tuaja dhe i diskutoni në klasë.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna statistikore për pasojat e Luftës II Botërore në Shqipëri. Formuloni qëndrimin tuaj dhe diskutojeni në klasë.