Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mesimi 2
Arbëria mes Bizantit dhe Perëndimit, zhvillimet politike (shek. XI-XIV)
Territoret arbërore nën Perandorinë Bizantine
Me ndarjen në dy pjesë Perëndimi dhe Lindja të Perandorisë Romake në vitin 395 viset e banuara nga ilirët kaluan nën administrimin e Perandorisë Romake të Lindjes me qendër në Bizant (Kostandinopojë). Kjo ndarje ndodhi në kohën e dyndjeve sllave që sollën ndryshime në përbërjen etnike dhe ndarjen territoriale të gadishullit ballkanik. Duke qenë se popullsia kryesore e Ballkanit përbehej nga ilirët ata patën edhe pasojat më të mëdha të këtyre dyndjeve.
Dyndjet sllave që shoqëroheshin përveç grabitjeve dhe shkatërrimit edhe me vendosjen e tyre në territore te caktuara solli si pasojë rrudhjen e hapësirës së banuar nga ilirët në Ballkan. Rrudhja më e madhe ndodhi në pjesën veriore dhe qendrore të gadishullit ku u vendosën popuj të ndryshëm sllavë ndër krysorët, kroatët, serbët, dhe bullgarët. Pavarësisht përfundimit të dyndjeve masive sllave në shek. VIII, vendosja e sllavëve në territore të banuara nga arbrit vazhdoi edhe më vonë, tashmë, nëpërmjet pushtimit të tyre. I tillë është rasti i Kosovës. Në territorin e banuar nga dardanët (Kosova), i cili u pushtua nga serbët në shek. XII u vendosën në pjesë të ndryshme të tij banorë serbë që ishin në minoritet në krahasim me popullsinë vendase, gjë që nuk mund të krijonte kushte për asimilim të popullsisë vendase. E njëjta gjë ndodhi edhe me viset e Maqedonisë së sotme. Gjatë periudhës gati 10 shekullore të administrimit bizantin territoret arbërore u bënë shpesh arenë luftërash, nga njëra anë, midis mbretërive sllave bullgare dhe serbe kundër Perandorisë Bizantine dhe nga ana tjetër midis anzhuinëve (Mbretëria e Napolit) dhe bizantinëve. Të gjitha këto konflikte që karakterizuan Ballkanin në shek. IX-XIV i bën kufijtë të ndryshueshëm dhe nuk krijuan mundësi për stabilitet politik, ushtarak dhe territorial të arbërve. Po të shtojmë këtu edhe konfliktet e brendshme midis vetë principatave arbërore tabloja bëhet edhe më e ndërlikuar. Megjithë këto rrethana të reja territori më kompakt i banuar nga ilirët dhe pasardhësit e tyre arbrit përfshinte në veri Dioklean (MaIi i Zi, ku u vendosën banorë sllavë) dhe në jug deri në gjirin e Prevezës.
Arbërit gjatë shek. XI-XIV
Duke qenë në një pozicion gjeografik strategjik si urë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit por edhe territore të pasura nga pikëpamja ekonomike, trojet arbërore synoheshin si nga Perandoria Bizantine ashtu dhe mbretëritë fqinje sllave apo mbretëria e Napolit, gjatë shekujve XI-XIII. Që në vitin 1081 mbreti norman Robert Guiskard zbarkoi në Durrës në Vlorë dhe në Butrint për luftë kundër perandorisë bizantine. Ndërsa në vitin 1096 ushtritë e Kryqëzatës I kaluan nëpër trojet arbërore në synimin e tyre për çlirimin e viseve të shenjta. Pas 11 vjetësh normanët të udhëhequr nga Boemundi zbarkuan përsëri në Vlorë për luftë kundër bizantinëve, si rrjedhojë trojet arbërore u bënë arenë luftimesh midis normanëve dhe bizantinëve. Në vitin 1185 përsëri normanët nën udhëheqjen e Guljelmi I zbarkojnë në Durrës duke pushtuar një pjesë të trojeve arbërore. Pas pushtimit në vitin 1204 të Kostandinopojës, nga kryqëzata e IV, pushteti bizantin në trojet arbërore u dobësua dukshëm. Në këto kushte Republika e Venedikut vendosi nën zotërimin e saj Durrësin dhe territore përqark tij ndërkohë që në jug u krijua Despotati i Epirit nën sundimin e Mihal I Engjëlli duke shënuar kështu krijimin e principatave të para në trojet arbërore. Pas një periudhe dobësimi të pushtetit bizantin që u shoqërua me krijimin e principatave të para, Perandoria Bizantine u forcua në mesin e shek. XIII duke futur nën kontrollin e saj edhe trojet arbërore. Si rrjedhojë principata e Arbrit dhe Despotatit i Epirit ranë nën pushtetin bizantin. Ndërkohë kundërshtari i vjetër Bizantit Mbretëria Normane e Sicilisë tanimë me mbret gjerman synon zgjerimin në brigjet arbërore. Në vitin 1257 ushtria normane e kryesuar nga mbreti Manfred Hohehstaufen vuri nën kontroll krahas bregdetit shqiptar nga Durrësi në Vlorë dhe vise të brendshme përfshi Beratin. Pas vdekjes së Mnafredit në krye të mbretërisë së Sicilisë erdhi një dinasti franceze e kryesuar nga Karl Anzhu, i cili e shpalli veten mbret i Sicilisë dhe Arbërisë. Sundimi anzhuinëve në trojet arbërore u kundërshtua nga fisnikët shqiptarë, të cilët panë t’u cenoheshin privilegjet e tyre. Një kombinim i kundërshtimit të fisnikëve shqiptarë me ndërhyrjen e ushtrisë bizantine të perandorit Mihali VIII Paleolog solli disfatën e ushtrisë normane në betejën e vitit 1281 pranë Beratit. Pas disfatës të anzhuinëve pushteti bizantin u rivendos nga lumi Mat deri në Epir. Ndërkohë në trojet veriore arbërore Mbretëria Serbe zgjeroi sundimin e saj drejt Kosovës dhe Malit të Zi (Zetës). Sundimi serb synonte nëpërmjet dhunës dobësimin dhe asimilimin e popullsive arbërore të këtyre trojeve. Për këtë qëllim serbët sidomos gjatë sundimit të Stefan Dushanit (1331-1355) shtuan dhunën duke ndjekur politikën e shpronësimit dhe detyrimin për kthimin me forcë të shqiptarëve nga feja katolike në fenë ortodokse serbe. Kjo politikë serbe u kundërshtua nga shqiptarët, të cilët u lidhën në aleanca me papën e Romës, mbretërinë e Napolit dhe mbretëritë ballkanike të kroatëve, hungarezëve dhe boshnjakëve të cilët po ashtu ndjenin rrezikun serb. Si rrjedhojë e kësaj rezistence pushtimi serb nuk pati jetë të gjatë.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Kryqëzata, Republika e Venedikut, Despotat, asimilim, Mihal I Engjëlli, Karl Anzhu, Mbretëria Serbe, Stefan Dushani
PËRGJIGJUNI
1. Në ç’mënyrë u rrudh hapësira ilire në Ballkan me dyndjen e sllavëve?
2. Si ishte gjendja e arbërve në perandorinë Bizantine?
3. Cili është refleksioni juaj kur lexoni Arbrit gjatë shek. XI-XIV?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën Perandoria Bizantine, ku gjenden dhe territoret arbërore. Cili është refleksioni juaj?
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet. a.Të gjitha këto konflikte që karakterizuan Ballkanin në shek. IX-XIV i bën kufijtë të ndryshueshëm dhe nuk krijuan mundësi për stabilitet politik, ushtarak dhe territorial të arbërve. b. Kjo politikë serbe u kundërshtua nga shqiptarët, të cilët u lidhën në aleanca me papën e Romës, mbretërinë e Napolit dhe mbretëritë ballkanike të kroatëve, hungarezëve dhe boshnjakëve të cilët po ashtu ndjenin rrezikun serb. Formuloni përfundimet tuaja.