Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 3: Qëndresa e shqiptarëve kundër osmanëve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 3

Qëndresa e shqiptarëve kundër osmanëve dhe diplomacia e shtetit të Skënderbeut

Beteja e Torviollit dhe fitoret e para
Beteja e Torviollit është beteja e parë për forcat e bashkuara shqiptare dhe komandantin e tyre, të formuar pas Besëlidhjes së Lezhës, kundër ushtrisë osmane. Kjo betejë u zhvillua në 29 qershor 1944 në Torvioll (afër Bulqizës). Duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin për ndërtimin e një aksioni luftarak, armiku u mashtrua dhe u befasua nga plani që zhvilluan forcat e Skënderbeut. Jehona e kësaj fitoreje u përhap me shpejtësi dhe rriti besimin e shqiptarëve në forcat e tyre dhe autoritetin e Skënderbeut si kryetar i Besëlidhjes së Lezhës e komandant i ushtrisë. Fitorja e Torviollit u pasua edhe me një varg fitoresh të arritura në beteja të tjera të zhvilluara në territorin shqiptar gjatë viteve 1445-1447 si në luginën e Mokrës dhe Oranik të Dibrës. Ndërsa në vitet 1447-1448, shqiptarëve iu desh të ballafaqohej me aleatin e tij kufitar Venedikun. Në nëntor 1447, ushtria shqiptare e Lidhjes së Lezhës e komanduar nga Skënderbeu, sulmoi në disa pika garnizonet venedikase, duke i vënë ato në pozitë të vështirë. Për shkak të angazhimit në frontin osman, Venediku u detyrua që më 4 tetor 1448 të nënshkruante një Traktat paqeje me Skënderbeun dhe Lidhjen e Lezhës. Në bazë të tij Deja i mbetej Venedikut i cili do t’i paguante Skënderbeut një shumë vjetore tëhollash, si dhe do t’u krijonte lehtësira doganore atij dhe disa anëtarë të Lidhjes.

Lufta për mbrojtjen e Krujës
Në verën e vitit 1448, nën nxitjen edhe të kërkesës së Venedikut, Sulltan Murati II u nis në drejtim të viseve të lira shqiptare dhe me një ushtri të madhe rrethoi Sfetigradin. Megjithë heroizmin e treguar nga mbrojtësit shqiptarë të kështjellës, osmanët mundën ta pushtonin atë së bashku me qytetin e Ohrit. Një nga objektivat kryesorë të shtetit osman në Shqipëri ka qenë Kruja, si kështjella më e fuqishme dhe kryeqendra e shtetit të ri shqiptar. Për këtë qëllim në verën e vitit 1450 drejt Krujës u nis një nga ushtritë më të mëdha osmane e komanduar nga Sulltan Murati II. Në fund të korrikut ushtria osmane u gjend në afërsi të qytetit dhe e rrethoi atë. Ky rrethim do të zgjaste disa muaj. Skënderbeu mori masa duke mobilizuar popullsinë për luftë dhe organizoi një ushtri të fuqishme në mbrojtje. Përpjekjet osmane për të thyer qëndresën e qytetit dështuan. Murati II u detyrua më në fund të largohej nga Shqipëria duke marrë me vete dhe peshën e rëndë të humbjes. Po atë vit ai vdiq. Gjatë viteve ‘50-60’ sulltani dërgoi ekspedita të shumta për të mposhtur shqiptarët, por nuk pati sukses. Sulltan Mehmeti II Fatihu erdhi vetë dy herë dhe rrethoi Krujën, më 1466 dhe 1467 duke sjellë forca të mëdha ushtarake, të pajisura nga mjetet më të fuqishme të kohës për pushtimin e kështjellave. Pavarësisht se ushtria e tij dogji, shkretoi dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe njerëzore në vend, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria pa fitore. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, qëndresa e gjatë kundërsomane e shqiptarëve do të jetë drejt rënies duke i hapur kështu rrugë pushtimit të plotë të viseve shqiptare.

 

Marrëdhëniet diplomatike të shtetit shqiptar të Skënderbeut
Gjatë viteve të luftës, u dendësuan si asnjëherë tjetër, lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare, e kulturore të Shqipërisë me vendet e Europës. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në Europë si pjesë e luftës së tyre shpirtërore, për mbrojtjen dhe ruajtjen e Krishterimit kundër Islamizmit dhe heroi shqiptar cilësohej si “Luftëtar i Krishtit” (Atleta Christi). Skënderbeu lidhi aleanca të shumta, me shtetet italiane si: Venedikun, Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit të cilat ishin më të interesuarat për Shqipërinë. Por krahas tyre lidhi marrëdhënie edhe me Janosh Huniadin e Hungarisë, Burgonjën, Raguzën, Bosnjën etj. Marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut e princave të tjerë arbëror me Alfonsin I të Napolit u përcaktuan në një traktat që u nënshkrua në qytetin Gaeta të Italisë më 26 mars 1451. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe një aleancë për të luftuar me forca të përbashkëta kundër osmanëve.

Rëndësia e epokës së Skënderbeut
Lufta 25 vjeçare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve për pasojat e rënda që sillte pushtimi osman dhe ishte një luftë, e cila zhvillohej nga populli shqiptar kundër shtypjes dhe shfrytëzimit. Përputhja e interesave të princave arbëror me aspiratat për liri të masave e bënë këtë organizim më të fortë. Epoka e Skënderbeut shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Nën drejtimin e tij populli shqiptar mbrojti lirinë e vendit. Lufta e gjatë kundër pushtuesit osman e bëri të njohur popullin shqiptar, në të gjithë Europën për heroizmin e treguar. Për herë të parë shqiptarët krijuan një shtet të përqendruar nën drejtimin e Skënderbeut, i cili i tregoi botës se ata dinin të qeverisnin vendin, por dhe t’i bënin ballë Perandorisë më të madhe të kohës. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi për shumë popuj të tjerë në Ballkan dhe Europë. Lufta heroike e popullit shqiptar kundër Perandorisë Osmane mundësoi pengimin për një çerek shekulli të ushtrisë osmane në Europën Perëndimore duke i dhënë kështu një ndihmesë të madhe për mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Beteja e Torviollit; Mokrë; Oranik; Murati II; Sfetigrad; Mehmeti II Fatihu; Alfonsi I; Gaeta; traktat paqeje; epokë e Skënderbeut.

PËRGJIGJUNI
1. Cila është rëndësia e Betejës së Torviollit dhe e betejave të tjera të para për ushtrinë shqiptare të udhëhequr ngaSkënderbeu?
2. Në ç’mënyrë sulltanët si sulltan Murati II dhe sulltan Mehmeti II Fatihu u mundën para mureve të Krujës?
3. Në ç’mënyrë Skendërbeu shfaqet edhe si diplomat?
4. Në ç’mënyrë epoka e Skënderbeut vjen dhe na ndihmon në ditët e sotme?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë betejat kryesore të shqiptarëve me osmanët në vitet 60 të shek. XV.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Lufta e gjatë kundër pushtuesit osman e bëri të njohur popullin shqiptar, në të gjithë Europën.

KËRKONI INFORMACION
Mblidhni të dhëna dhe jepni përfundime për Gjergj Kastrioti Skënderbeu kalorësi i lirisë, diplomati dhe burrë shteti i shquar. Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.