Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 5: Pashallëku i Shkodrës 1757 1831

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 5

Pashallëku i Shkodrës (1757-1831)

Fillimet e pashallëqeve shqiptare
Procesi i shthurjes së sistemit të timarit preku pronësinë mbi tokën dhe zotëruesit e saj, spahinjtë. Kjo bëri që shumë spahinj t’i shmangen detyrimit për të marrë pjesë në luftërat e Perandorisë. Për pasojë, shumë timare mbetën pa sundues. Gjatë kësaj kohe filloi shpërndarja e pakontrolluar e timareve. Kjo bëri që një zotërues të përvetësonte nga dy e më shumë timare. Po ashtu, në shek. XVII-XVIII, filloi shitblerja e tokës nga fshatarët. Në këto rrethana të reja u mundësua krijimi i pronave të mëdha të tokave apo çifligjeve dhe të një shtrese të re të pasur që quheshin çifligarë. Gjatë këtij procesi disa familje shqiptare arritën të bëhen pronarë të mëdhenj tokash u fuqizuan ekonomikisht dhe politikisht duke përfituar nga sistemi i iltizamit (taksës shtetërore). Në sajë të këtij sistemi, zgjeruan pronat e tyre bujqësore dhe fituan privilegje duke shtënë në dorë kontrollin e viseve ku jetonin. Kështu, në gjysmën e dytë të shek. XVIII dalin në skenë familje të fuqishme vendase të quajtur oxhaqe. Synimet e drejtuesve të oxhaqeve ishin të forcoheshin ekonomikisht dhe politikisht, të kishin influencë duke u vendosur në krye të sanxhaqeve dhe të fitonin titullin pasha. Kështu sanxhaku ku ata drejtonin u quajt pashallëk. Në trevat shqiptare u formuan disa pashallëqe, si ai i Shkodrës, i Pejës, i Beratit, i Janinës etj. Por dy prej tyre arritën të fuqizoheshin dhe të zgjeroheshin më shumë: Pashallëku i Shkodrës, dhe Pashallëku i Janinës duke marrë tipare shteti.

Pashallëku i Shkodrës
Sanxhaku i Shkodrës një nga njësitë më të mëdha administrative në Ballkan përbëhej nga 6 kaza si Shkodra, Ulqini, Tivari, Podgorica, Plava dhe Mali i Zi. Gjatë shek. XVIII familje të fuqishme rivale, aspironin të merrnin pushtetin në këtë sanxhak. Arenë kryesore e kësaj lufte u bë Shkodra. Oxhaqet e Begollajve nga Peja dhe i Çaushollajve nga Shkodra për rreth 30 vjet rresht u konfliktuan për fitimin dhe zotërimin e postit të sanxhakbeut të Shkodrës. Në këtë konflikt ndërhynë edhe feudalët e krahinave fqinje si dhe malësorët. Konfliktin mes dy familjeve e shfrytëzoi më së miri Mehmet Bej Bushatlliu. Ai arriti të fitojë përkrahjen e esnafeve të qytetit dhe të malësorëve dhe me ndihmën e tyre i dëboi të dy pretendentët dhe u bë vetë sundimtar (1757). Ai arriti të shpallej nga sulltani si mytesarif i Shkodrës dhe iu dha titulli “pasha”. Mehmet Pasha themeloi një formacion politik që ka hyrë në histori me emrin Pashallëku i Shkodrës. Me të ardhur në pushtet Mehmet Pasha (Plaku) stabilizoi gjendjen ekonomike dhe politike të qytetit të Shkodrës. Ai zbatoi politikën e tolerancës fetare në këtë qytet, luftoi kundër piraterisë në Ulqin, spastroi çetat grabitëse që ishin pengesë për tregtinë dhe zgjidhi një sërë mosmarrëveshjesh me Venedikun. Mehmet Pasha e ushtroi detyrën për 18 vjet, gjatë kësaj kohe e zgjeroi pashallëkun duke pushtuar krahinën e Zadrimës, qytetet e Lezhës, të Krujës etj. Duke shfrytëzuar luftën ruso-osmane (1768-1774), arriti të shtrijë autoritetin e tij edhe jashtë sanxhakut të Shkodrës. Kështu ai dhe dy djemtë e tij, Mustafa Pasha dhe Mahmut Pasha u emëruan mytesarifë të sanxhaqeve të Shkodrës, të Dukagjinit, të Elbasanit dhe të Ohrit. Pra e gjithë Shqipëria e Veriut hyri nën pushtetin e Bushatllinjve. Ky forcim i tyre nuk u pa me sy të mirë nga Porta e Lartë. Në vitin 1775, Mehmet Pasha vdes i helmuar nga bashkëpunëtorë të sulltanit. Menjëherë pas vdekjes së tij sulltani cakton mytesarif një qeveritar të huaj Mehmet Pashë Kystendilin. Qytetarët shkodranë dhe malësorët nuk e pranuan qeveritarin turk, e dëbuan dhe caktuan në vend të tij Mustafa Pashë Bushatlliun. Pas vdekjes së tij (1778) vjen në pushtet Mahmut Pashë Bushatlliun, i njohur më shumë si Karamahmut Pasha. Ai u bë sundimtari më shquar i kësaj dinastie, i cilësuar me epitetin kara (i zi) që e shoqëroi gjithë jetën. Karamahmut Pasha kishte një personalitet të guximshëm dhe ambicie në qeverisje. Për një periudhë gati 20 vjeçare e zgjeroi dhe e forcoi më tej Pashallëkun e Shkodrës. Ai arriti deri në Lushnjë, në Elbasan dhe në Korçë duke nënshtruar rivalët e tij dhe e detyroi Malin e Zi t’i paguante haraç. Bashkoi Kosovën dhe Dibrën me Pashallëkun e Shkodrës dhe filloi ta quante veten sundimtar i Shkodrës dhe i Shqipërisë. Ky zgjerim i hovshëm shkaktoi shqetësim te sulltani që e shpalli fermanli (e dënoi me vdekje) dhe nisi kundër tij disa ekspedita ushtarake. Konflikti midis ushtrisë osmane dhe trupave të Pashallëkut të Shkodrës përfundoi me fitoren e Bushatllinjëve. Kjo fitore rriti edhe më tepër autoritetin e pashait shkodran. Porta e Lartë me qëllim që ta kishte përkrahës i ofroi falje dhe titullin e vezirit. Gjatë sundimit të tij u rrit prodhimi i zejtarisë dhe tregtisë së pashallëkut. Anijet e tij udhëtonin deri në brigjet e Afrikës. Lulëzimi i ekonomisë në viset që drejtonte, rritja financiare i ofruan ngritjen e një ushtrie të fuqishme. Në administratë, por dhe në ushtri morën pjesë, krahas banorëve myslimanë edhe ata katolikë. Në sajë të kësaj politike, ai pati mundësi të përballonte jo vetëm ndërhyrjet e fqinjëve por edhe presionet ushtarake të Stambollit. Në vitin 1786 organizoi një Kuvend në Podgoricë ku merrnin pjesë përfaqësues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, nga Bosnja dhe Hercegovina. Qëllimi i këtij kuvendi ishte krijimi i një aleance me emrin Konfederata Ilirike për bashkimin në luftë kundër Perandorisë Osmane. Ai hyri në kontakt me Austrinë, Rusinë dhe Francën. Duke shfrytëzuarmomentin e luftës ruso-osmane në vitin 1787, Karamahmut Pasha vendosi të nis kryengritjen kundër qeverisë osmane. Por reagimi i shpejtë i Portës së Lartë e bëri atë të tërhiqej dhe të mbyllej në kalanë e Rozafës në Shkodër. Me bashkërendimin e forcave të veta Karamahmuti arriti t’i shkaktojë dëme të rënda ushtrisë osmane. Kjo fitore pati jehonë të madhe edhe në vendet europiane. Ai përballoi me sukses edhe një sulm osman në vitin 1793 kur sulltani e kishte shpallur të shkarkuar. Por në vitin 1796 në betejën me Malin e Zi mbeti vetë i vrarë. Gjatë kohës që Karamahmut Pasha sundoi Pashallëku i Shkodrës arriti kulmin e fuqisë dhe lulëzimit të tij.

Rënia e Pashallëkut të Shkodrës
Pasardhësi i Karamahmut Pashës ishte Ibrahim Bushatlliu, ndryshe nga i vëllai ndoqi politikën e pajtimit me sulltanin. Gjatë sundimit të tij duke humbur territoret e mëparshme Pashallëku shkoi drejt rënies. Sundimtar i fundit i këtij pashallëku ka qenë Mustafa Pashë Bushatlliu (1811-1831). Ai fillimisht veproi si përkrahës i sulltanit. Ky mori pjesë edhe në shtypjen e rezistencës të Pashallëkut të Janinës dhe në luftën kundër Revolucionit Grek. Më vonë i joshur nga premtimet ruse se do të njihej sundimtar i pavarur në Shqipëri bëri përpjekje për t’u larguar nga ndikimi i Portës së Lartë. Për këtë qëllim Porta e Lartë kërkoi ta ndëshkonte dhe nisi drejt Shkodrës ushtrinë e saj me në krye Mehmet Reshit Pashën. Në viti 1831 u doli përpara ushtrive osmane në Maqedoni ku u thye shumë keq. Kjo e detyroi Mustafa Pashën të kthehej e të mbyllej në klanet e Rozafës. Pas disa muajve rrethim u detyrua të dorëzohej. Me dorëzimin e tij mori fund edhe Pashallëku i Shkodrës.

FJALË KYÇE
Shkruani një fjali ku të shpjegoni rëndësinë e: familje të mëdha, Pashallëku i Shkodrës, Karamahmut Pasha, Porta e Lartë, Konfederata Ilirike.

PËRGJIGJUNI
1. Si u formua Pashallëku i Shkodrës?
2. Cilat janë drejtimet kryesore të politikës së Karamahmut Pashës?
3. Cilat ishin sfidat që përballoi Karamahmut Pasha?
4. Pse lulëzoi aq shumë pashallëku i Shkodrës nën drejtimin e Karamahmut Pashës?
5. Cilat ishin arsyet e rënies së Pashallëkut të Shkodrës?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Tregoni në hartë shtrirjen e pashallëkut të Shkodrës.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3.Lexoni pohimet dhe formuloni përfundimet tuaja. a. Mehmet Pasha (Plaku) stabilizoi gjendjen ekonomike
dhe politike të qytetit të Shkodrës. Ai zbatoi politikën e tolerancës fetare në këtë qytet. b. Gjatë kohës që Karamahmut Pasha sundoi Pashallëku i Shkodrës arriti kumin e fuqisë dhe lulëzimit të tij.

KËRKONI INFORMACION
Mblidhni të dhëna dhe jepni përfundime për: Karamahmut Pashë Bushatlliun e shpjegoni, pse ishte ai i suksesshëm.