Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 6: Pashallëku i Janinës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 6

Pashallëku i Janinës

Krijimi i Pashallëkut të Janinës
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kur Pashallëku i Shkodrës po fuqizohej, në Shqipërinë e Jugut ishin formuar dy pashallëqe: Pashallëku i Delvinës dhe Pashallëku i Beratit. Nga konflikti që u zhvillua ndërmjet sundimtarëve të këtyre pashallëqeve fitoi Ali Pashë Tepelena. Lindi në Beçisht të Tepelenës në një familje ushtarakësh. Në moshën 9 vjeçare detyrohet të largohet nga vendlindja kur i jati u vra nga familjet rivale. Për gati 20 vjet ai bëri jetën e kaçakut. Sulmoi e plaçkiti karvane në Shqipëri dhe në Greqi. Përpjekjet e tij për të rifituar përsëri pronat e familjes e shtynë të ndërhynte në grindjet feudale duke mbajtur anën e Portës së Lartë. Në vitin 1785 atij i’u dha titulli pasha dhe u emërua mytesarif i Delvinës. Pas pak kohe Aliu u transferua në sanxhakun e Tërhallës (Tesali) për të vendosur atje qetësinë e tronditur. Në vitin 1787 u shpërblye nga sulltani me postin e dervenpashës së krahinave të Toskërisë dhe Tesalisë. Një qytet, për të cilin pati shumë rivalitet ndërmjet familjeve feudale shqiptare ishte Janina, ku pjesa më e madhe e popullsisë ishte shqiptare. Janina, në këtë kohë po përjetonte fazën e lulëzimit të saj ekonomik. Në sajë të zgjuarsisë, dredhive dhe goditjeve me dorë të hekurt të feudalëve rivalë, Ali Pashë Tepelena arriti të marrë drejtimin e sanxhakut të Janinës. Si shpërblim për shërbimet ndaj sulltanit, Porta e Lartë, në vitin 1788 i dha postin e mytesarifit të sanxhakut të Janinës. Kështu u formua Pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës. Fama e tij u rrit më shumë për shkak të kontributit që iu dha osmanëve në luftë kundër francezëve në Butrint dhe Prevezë, duke u bërë kështu i njohur në Europë. Në 1798 i jepet titulli i vezirit dhe në 1802 emërohet Vali i Rumelisë. Shumë shpejt ai u bë i njohur si një drejtues i fuqishëm dhe i vendosur për të zgjeruar pashallëkun e tij. Synimet e Ali Pashës ishin të bëhej një sundimtar i pavarur nga shteti Osman. Prandaj kujdes të veçantë i kushtoi ndërtimit dhe meremetimit të kalave si dhe fuqizimit dhe disiplinimit të ushtrisë. Pas këtyre masave përgatitore pashai i Janinës filloi zgjerimin e territoreve të tij. Shumë shpejt arriti të nënshtrojë Konicën, Përmetin, Këlcyrën, Libohovën dhe Tepelenën, Artën, Vlorën, Beratin etj. Ndër betejat e tij më të ashpra ishin ato për nënshtrimin e popullsisë së krahinës së vetëqeverisur të Sulit. Pashallëku i Janinës u zgjerua duke u shtrirë nga Durrësi në veri e deri në gjirin e Korinthit, në jug. Në këtë formacion shtetëror bënin pjesë jo vetëm territore shqiptare, por edhe greke të Tesalisë. Ali Pasha ishte sundimtar absolut i Pashallëkut të tij. Si organ ndihmës kishte krijuar një Divan (këshill) prej shtatë vetash. Krahas ushtrisë dhe një flote të vogël ushtarake ai krijoi një polici të fortë, me një rrjet informatorësh që vepronin jo vetëm brenda pashallëkut, por edhe jashtë tij. Ali Pasha ishte sundimtar i një pashallëku, që kishte një pozicion strategjik të rëndësishëm. Si rrjedhim ai ishte një nga personat kyç i marrëdhënieve ndërmjet Stambollit dhe fuqive europiane. Ali Pasha lidhi marrëdhënie diplomatike me fuqitë e kohës si Anglinë, Francën dhe Rusinë të cilët dërguan pranë tij përfaqësuesit diplomatikë.

Konflikti i Pashallëkut të Janinës me Portën e Lartë
Ali Pasha tentonte të fitonte autonominë e pashallëkut të tij gjë që binte në kundërshtim me Portën e Lartë. Prandaj në vitin 1812 e shkarkoi Ali Pashën nga funksioni që i kishte njohur dhe e urdhëroi të largohej nga Janina. Në fillim Ali Pasha iu bind sulltanit, por shpejt u rikthye në Janinë. Marrëdhëniet me Stambollin erdhën duke u acaruar për shkak të politikës së tij të mos nënshtrimit. Më 1813 Aliu nuk iu bind urdhrit të sulltanit për të luftuar kundër kryengritjes serbe. Pas Kongresit të Vjenës më 1815, Lidhja e Shenjtë që u formua mori përsipër të mos përkrahte asnjë lëvizje revolucionare dhe të mos lejonte asnjë ndryshim në hartën politike të Europës. Ky fakt e shtyu sulltan Mahmuti II, t’i vihej punës për të eliminuar pashallëqet që ekzistonin në Shqipëri dhe Ballkan. Në kushtet e reja Ali Pashës i duhej ose të pranonte autoritetin e sulltanit ose t’i shkëpuste lidhjet me to. Ali Pasha duke menduar se lëvizjen çlirimtare greke dhe organizatën “Shoqëria e miqve” do t’i kishte aleatë në luftën kundër sulltanit u la hapësirë të madhe veprimi në pashallëkun e vet me qëllim që kjo lëvizje të shpërthente sa më parë. Përpjekjet e tij për të siguruar përkrahës në arenën ndërkombëtare dështuan. As Rusia, e as Anglia e Austria nuk pranuan ta ndihmonin. Edhe udhëheqësit e lëvizjes çlirimtare greke që e nxitnin Aliun për qëndresë nuk e ndihmuan. Ndërkohë edhe feudalët kundërshtarë vendas filluan të lëviznin për ta përmbysur atë. Në këto rrethana në 1820 ai kurdisi një atentat në Stamboll kundër kreut të grupit kundërshtar, Ismail Pashë beut. Me këtë rast sulltani e shpalli të shkarkuar nga funksionet qeveritare dhe kjo shkaktoi prerjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Në vitin1820, Ali Pasha u bëri thirrje krerëve shqiptarë dhe grekë për mobilizimin e përgjithshëm në luftë kundër sulltanit. Ai premtoi se: do të thyenin ushtrinë osmane; do të formonin një shtet kushtetues, ku do të përfshihej Shqipëria e Tesalia, kurse Greqia qendrore dhe Moreja do të bashkoheshin në një shtet autonom nën mbrojtjen e Ali Pashës.

Rënia e Pashallëkut të Janinës
Në fillim të vitit 1820 sulltan Mahmuti II pasi e shkarkoi nga detyra Ali Pashën, e ftoi të shkonte në Stamboll për të dhënë llogari për veprimet e kryera. Por Ali Pasha nuk pranoi dhe u shpall fermanli nga sulltani. Pas një muaji nën komandën e Ismail Pashës, Porta e Lartë dërgoi trupat ushtarake që të shtypnin me forcën e armëve Pashallëkun e Janinës. Në qershor 1820 filluan luftimet e para me forcat e sulltanit, ushtritë e Aliut i braktisën kështjellat, kurse komandantë e tyre së bashku me komandantin e përgjithshëm Omer Vrionin u dorëzuan. Pozita e tij u vështirësua më tepër kur edhe të dy djemtë e tij u dorëzuan tek forcat osmane. Me gjithë disfatën që pësoi Aliu nuk u dorëzua. Në gusht të vitit 1820 forcat osmane hynë në Janinë. Aliu, me një pjesë të forcave besnike u vendos në dy kështjellat pranë qytetit. Rrethimi i Ali Pashës vazhdoi për një kohë të gjatë. Vetëm më 25 janar të vitit 1822, pas 17 muajsh rrethimi, Aliu bashkë me të shoqen Vasiliqinë pranuan të dorëzoheshin me shpresën se do të faleshin. Por kur forcat osmane shkuan për ta arrestuar, Ali Pasha nuk u dorëzua dhe gjatë luftimit u vra. Koka e tij u dërgua si trofe në Stamboll. Në vitin 1822 me disfatën e Ali Pashës pushoi së ekzistuari pashallëku i Janinës.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Ali Pashë Tepelena, Janinë, Vali i Rumelisë, Divan, Lidhja e Shenjtë, Ismail Pasha.

PËRGJIGJUNI
1. Si u formua Pashallëku i Janinës?
2. Cilat janë politikat kryesore që Ali Pashë Tepelena ndoqi në krijimin, zgjerimin dhe forcimin e pashallëkut të Janinës?
3. Çfarë ishin të përbashkëtat dhe të veçantat e dy pashallëqeve shqiptare?
4. Cilat ishin institucionet e pashallëkut të Janinës?
5. Pse ra Pashallëku i Janinës?
6. Cilat janë refleksionet tuaja për këtë pashallëk?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën e Zona e pashallëqeve, viseve të debrenjëve dhe e krahinave të bajrakëve, shek. XVIII, fq.55 e gjeni shtrirjen e kufijve të Pashallëkut të Janinës (kërkoni informacion shtesë).
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet dhe formuloni përfundimet tuaja. a. Ali Pasha lidhi marrëdhënie diplomatike me fuqitë e kohës si Anglinë, Francën dhe Rusinë, të cilët dërguan pranë tij përfaqësuesit e tyre diplomatikë. b. Marrëdhëniet me Stambollin erdhën duke u acaruar për shkak të politikës së tij të mos nënshtrimit. Pse? c. Në vitin 1822 me disfatën e Ali Pashës pushoi së ekzistuari Pashallëku i Janinës.Pse?

KËRKONI INFORMACION
Mblidhni të dhëna dhe jepni përfundime për personalitetin e Ali Pashë Tepelenës, si një nga figurat e rëndësishme të historisë shqiptare. Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.