Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 2: Kundërshtimi i regjimit komunist

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 2

Kundërshtimi i regjimit komunist në Shqipëri

Rrethanat politike të veprimit të forcave opozitare
Pas luftës, qeveria e Frontit, prapa të cilit qëndronte PKSH, drejtonte vendin me anë të ushtrisë dhe forcave të armatosura të ministrisë së brendshme dhe sigurimit të shtetit. Ato bënin përndjekje të individëve dhe familjeve që vinin nga shtresat e pasuar të shoqërisë, që i konsideronin si klasa shfrytëzuese dhe i klasifikonin si bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe armiq të popullit. Ushtria ishte e gatshme të shtypte me forcë qëndresën e armatosur antikomuniste. Anëtarët e qeverisë, të cilët nuk ishin komunistë, mbikëqyreshin rreptësisht. Vazhdimi i tyre në detyrë tolerohej për ta bërë qeverinë të dukej sa më përfaqësuese dhe demokratike. Rivalët politikë eliminoheshin në mënyrë sistematike. Qeverisja e vendit praktikisht po bëhej totalitare në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe kjo nuk dallonte nga regjimi i vendosur në BS nga Lenini dhe Stalini. Emisarët jugosllavë që ishin dërguan që nga viti 1941 në Shqipëri pranë PKSH, punonin intensivisht në këtë drejtim. Liria e mendimit kufizohej shumë, edhe pse për lirinë e ideve flitej në shtyp dhe në fjalimet e drejtueseve komunistë. Kjo duket qartë, në se lexoni kujtimet e Enver Hoxhës të shkruar shumë vite më vonë. Fjalën e deputetit Riza Dani lidhur dhe idetë e tij të ndryshme për Kushtetutën, Hoxha në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, e komenton në këtë mënyrë: “…Riza Dani u ngrit dhe bëri një insinuatë provokuese kundër thelbit të projekt Kushtetutës…. Ai sulmoi projektin e Kushtetutës, sepse sipas tij ajo ishte me “frymë ideologjike dhe jo me frymë kombëtare”(!) …Unë jam për një demokraci të lirë dhe do të dëshiroja që edhe Statuti të inspirohej nga ky parim…”

Tiparet e qëndresës së forcave antikomuniste
Opozita në kohën e luftës, dhe pas saj, përfaqësohej nga nacionalistë dhe intelektualë që në një masë të madhe kishin studiuar jashtë vendit. Të gjithë këta elementë i bashkoi lufta kundër nazi-fashizmit dhe pas luftës, mospajtimi me idetë komuniste. Në Konferencën e Pezës në vitin 1942 ata u bashkuan me Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, megjithëse ai drejtohej nga PKSH, dhe parimet e tij për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të pavarur. Në situata të jashtëzakonshme, siç ishte pushtimi i vendit, kërkohej bashkëpunimi politik me këdo që mbronte interesat kombëtare. Mbi këto parime u thirr takimi në Mukje (1943), por PKSH nuk pranoi të ndante pushtetin si gjatë dhe pas luftës me forca të tjera politike.

Lufta politike pas çlirimit të vendit u zhvendos në fushën e ndërtimit të institucioneve të reja shtetërore. Kundërshtarët e komunistëve, nacionalistët e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, që kishin mbetur në Shqipëri, vazhduan rezistencën me forma të ndryshme kundër forcimit të pushtetit nga ana e PKSH. Përfaqësuesit e klasës së lartë dhe të mesme, pronarë dyqanesh, tokash, fabrikash, tregtarë dhe intelektualë të ndryshëm, ishin kundërshtarë të Frontit. Të gjithë këta ishin kundër reformave politike dhe ekonomike të ndërmarra nga komunistët, të cilat synonin krijimin e një sistemi qeverisës nën drejtimin e një partie politike, eliminimin e pronës private dhe sipërmarrjes së lirë. Regjimi komunist u kundërshtua nga elementë intelektualë, që kërkonin një sistem qeverisje më përfaqësues dhe demokratik. Organizatat dhe grupet opozitare që u krijuan në Shqipëri ishin: Organizata Nacional Demokrate dhe ajo Bashkimi Shqiptar; Grupi i Deputetëve, ku bënin pjesë, Riza Dani, Shefqet Beja, Seleaudin Toto e etj.; Grupi i Bashkimit Demokratik ku bënte pjesë Musine Kokalari, Qenan Dibra, Sami Qeribashi etj. Brenda vetë F.N.Ç, kishte elementë opozitarë që kundërshtonin politikat komuniste dhe orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë në aleancë me Jugosllavinë dhe BS.

Lufta më e fortë e opozitës shqiptare ishin zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 për të formuar Asamblenë Kushtetuese, e cila do të vendoste dhe formën e qeverisjes në Shqipëri. Për zgjedhjet u deklarua se do të kishte votime të lira e të fshehta. Forcat opozitare i kontestuan zgjedhjet, sepse sipas tyre nuk ishte ruajtur parimi i votës së fshehtë. Por zëri opozitës nuk u dëgjua dhe Enver Hoxha legjitimoi pushtetin me këto zgjedhje. Lufta opozitare në vitin 1946 u përqendrua në Asamble. Disa deputetë të Asamblesë Kushtetuese më 1946 dolën në mbrojtje të interesave kombëtare dhe parimeve të demokracisë, të shprehura në Deklaratën për të Drejtat e Qytetarëve, miratuar në mbledhjen e dytë të KANÇ në Berat. Në mbrojtje të interesave kombëtare është fjala e deputetit Riza Dani, i cili e quajti projektkushtetutën të përshkruar nga fryma ideologjike e PKSH dhe jo nga ajo kombëtare, dhe ajo e Gjergj Kokoshit, i cili u përpoq të pengonte orientimin e vendit për t’u bërë pjesë e Federatës Jugosllave. Grupi i përbërë nga 17 deputetë mori iniciativën të pengonte miratimin e saj. Përpjekjet e tyre ishin organizuar në bashkëpunim me misionet e huaja anglo-amerikane dhe franceze, që ishin vendosur në Shqipëri. Kundërshtarët opozitarë, të cilët guxuan të jepnin mendim ndryshe, më pas u akuzuan si tradhtarë dhe armiq të atdheut, u burgosën dhe u pushkatuan. Përndjekjet dhe dhuna ndaj opozitës antikomuniste PKSH mori masa të shpejta dhe të forta për të shkatërruar të gjithë pushtetin politik të kundërshtarëve të saj ideologjikë: kapitalistë, tregtarë dhe pronarë të mëdhenj. Në qendër të luftës politike të saj u vunë nacionalistë dhe intelektualë dhe të gjithë ata që ishin për një Shqipëri të orientuar nga aleanca me vendet perëndimore. Këta elementë cilësoheshin nga regjimi komunist si kërcënim për interesat e kombit, gjë që i dha mundësi regjimit komunist të justifikonin më pas eliminimin e tyre. Në vitet e para pas lufte, këto grupe shoqërore u goditën fort dhe u asgjësuan. Si pasojë më vonë nuk pati më vend për një elitë drejtuese që t’i kundërvihet regjimit komunist. Format dhe metodat që përdori regjimi komunist për të mos lejuar forcat kundërshtare të vepronin, ishin të shumëllojshme, duke filluar nga hartimi i ligjeve, udhëzimeve, krijimi i organeve gjyqësore, ushtrimi i dhunës, terrorit, etj. Kështu më 6 dhjetor 1944, u miratua një ligj për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës. Nuk kishte një udhëzim të saktë, se kush mund të konsiderohej kriminel lufte. Kjo strategji shërbente edhe për të ushtruar terror mbi popullsinë. Arrestimet filluan që në dhjetor të 1944. Nëpërmjet institucioneve policore shtetërore, si Sigurimi i Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata Ushtarake u asgjësua në mënyrë të ashpër dhe disa herë pa gjyq elita drejtuese politike dhe ekonomike e vendit. Periudha më e intensive e arrestimeve, burgimeve dhe ekzekutimeve, ishin vitet 1945-1951. Përveç institucionit të policisë sekrete ose Sigurimit të Shtetit, në dhjetor 1944, u ngriti në Tiranë Gjykata Speciale për gjykimin e kriminelëve të luftës që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të armikut. Gjykata speciale u krijua për luftuar elementët që përbënin rrezikshmëri të lartë për pushtetin e PKSH. Ajo kryesohej nga Ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe. Gjyqi i parë ishte gjyqi ndaj ish-funksionarëve të lartë shtetërorë në dhjetor 1944; në mars të vitit 1945, u hap gjyqi special kundër kriminelëve të luftës; në nëntor 1946 u bë gjyqi i sabotatorëve të Kënetës së Maliqit; në shtator 1947 u zhvillua gjyqi i deputetëve; më 27 shkurt 1951 u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë të pafajshëm me pretekstin për vendosjen e bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë (midis tyre Sabiha Kasimati). Në sallën e gjyqit, krahas popullit, futeshin edhe njerëz të përgatitur nga policia sekrete, të cilët hidhnin parulla në sallë si kriminelë, varini në litar, rroftë pushteti popullor etj. Kushtetuta e vitit 1946, në zërin për të drejtat e njeriut, parashikonte për të akuzuarit të drejtën për t’u mbrojtur në gjyq. Në realitet këto parime nuk u morën parasysh dhe përparësi morën metodat represive të regjimit. Më pas gjyqet u bënë më të shpeshta dhe dënimet me vdekje kryheshin me shpejtësi.

Qëndresa antikomuniste me armë
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri u kundërshtua edhe me armë. Këtë e dëshmojnë kryengritja e Malësisë së Madhe, e Kelmendit, e Postribës në Shqipërinë e Veriut, si dhe ajo e Zhapokikës (Tepelenë), në Shqipërinë e Jugut. Kundër vendosjes së regjimit komunist në veri vepronin çetat e Kelmendit, Malësisë së Madhe, Kastratit, Dukagjinit, Nikaj – Merturit, Shllakut, Postribës, Mirditës, Lumës, Tropojës së Vjetër (Gash) etj. Qëndresa me armë u forcua sidomos në fillim të vitit 1945, kur pushteti komunist filloi të marrë masat dhe reformat e para me karakter politik, ekonomik e social. Në Malësinë e Madhe, banorët e krahinës me në krye Prek Calin organizuan të parën qëndresë antikomuniste ndaj regjimit. Pushteti komunist dërgoi kundër tyre forcat e ndjekjes të kryesuara nga Mehmet Shehu. Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndëshkuese, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Koordinimi i veprimeve me forcat e komunistëve malazezë mundësoi shtypjen e kryengritjes në 1 janar 1945 në Kelmend dhe Tamarë. Shumë pjesëtarë të kryengritjes si Prek Cali, Dedë Smajli, Fran Bajraktari, u burgosën ose u pushkatuan dhe familjet e tyre u internuan. Forcat e kryesuara nga Mehmet Shehu vranë popullsi civile, dogjën shtëpi dhe rrëmbyen pasuri të banorëve të krahinës.

Kryengritja antikomuniste e Postribës, në veri-lindje të Shkodrës, filloi më 9 shtator 1946 me mbështetjen e grupit të deputetëve opozitarë. Ajo filloi si përgjigje ndaj terrorit të ushtruar nga forcat qeveritare të ndjekjes në Malësinë e Madhe. Kryengritja e udhëhequr nga Osman Haxhia e Jup Kazazi u ideua për t’u shtrirë në gjithë vendin. Qendra e kryengritësve ishte Postriba, e ashtuquajtura zona e Mbishkodrës; ajo u mbështet edhe nga forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iballë të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë. Kryengritësit u mblodhën në kuvend në korrik 1946 dhe përcaktuan aksionet për çlirimin e të burgosurve politikë nga burgjet në Shkodër. Kryengritja filloi, por luftimet nuk zgjatën shumë dhe ajo u shtyp shpejt. Për organizimin e saj kishin dijeni organet e Sigurimit të shtetit që morën masa të menjëhershme për shtypjen e saj. Kryengritja dështoi, por ajo mbeti dëshmi e rezistencës së armatosur kundër regjimit komunist.

E njëjta gjë ndodhi edhe në jug të vendit, sidomos në Tepelenë, por . Qendra e kryengritjes antikomuniste ishte fshati Zhapokikë. Reformat e regjimit komunist, menjëherë pas çlirimit, sidomos reforma agrare, bëri të pakënaqur pronarët e tokave, por jo vetëm. U goditën familjet e pasura, intelektualë e klerikë të njohur, ithtarë të Ballit Kombëtar, më pas edhe mjaft nga ata që kishin marrë pjesë në lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare, por që ishin zhgënjyer nga reformat antipopullore. Regjimi pushkatoi me gjyq e pa gjyq intelektualë, klerikë bektashi e ortodoksë si dhe partizanë të zhgënjyer. Në përgjigje të këtyre krimeve, filloi qëndresa antikomuniste. Drejtuesit e qëndresës ishin Xhemal Brahim Asllani ( ish partizan) dhe Bajram Kamberi (ish ushtarak i kohës së Zogut). Të dy drejtuesit siguruan armatime dhe krijuan çetën që e quajtën Baba Shefqet (klerik bektashi i pushkatuar, më 14 janar 1948). Kreun e çetës e mori Bajram Kamberi. Në tetor 1948, çeta u ndesh me forcat qeveritare në fshatin Kamçisht e më pas në Gllavë. Nga të dy palët mbetën të vrarë dhe çeta shpartallohet. Xhemal Brahimi u arratis, të tjerët u kapën më pas. Barjam Kamberi u dënua me pushkatim, të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Familjarët dhe të afërmit u përndoqën mizorisht. Kryengritja edhe pse jo me përmasat e atyre të veriut, pasojat i kishte njëlloj si ato.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Riza Dani, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Gjergj Kokoshi, Jup Kazazi, gjyqet e popullit, Gjykatë Speciale.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë tiparet e qëndresës së forcave demokratike dhe antikomuniste ndaj regjimit komunist në Shqipëri?
2. Cilat janë metodat e dhunës së ushtruar nga organet shtetërore ndaj opozitës demokratike dhe antikomuniste?
3. Cili është shkaku kryesor për të cilat shpërthyen kryengritjet antikomuniste të viteve 1945-1949?
4. Pse në përbërjen e tyre kishte edhe partizanë?
5. Si përfunduan ato? Pse?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre? Formuloni qëndrimet tuaja dhe i diskutoni në klasë.
2. Formuloni refleksionet tuaja. a. …në emër të popullit jeni i…. Argumentoni me shembuj e diskutoni në klasë.
3. Qëndrimi juaj. Pse lejuan shqiptarët vendosjen e regjimit stalinist në Shqipëri?
4. Lexoni dokumentin. Formuloni qendrimin tuaj.

KËRKONI INFORMACION
1. Pyesni qytetarë që kanë jetuar në komunizëm:
a. Si i keni përjetuar dënimet e Gjykatës Speciale në Tiranë kundër armiqve të popullit?
b. Cilët kanë qenë forcat opozitare dhe antikomuniste në vendbanimin tuaj? Formuloni përfundime me të dhënat e grumbulluara dhe i diskutoni në klasë.
2. Formuloni përfundimet tuaja. “Musine Kokalari, jeta dhe vepra” në 500 fjalë.
3. Pse u torturua nga Sigurimi i Shtetit Marie Tuci?