Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 7
Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë në vitet 1944-1948
Statusi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare
Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë dhe njohja e qeverisë që sapo kish dalë nga lufta, ishin dy faktorë të rëndësishëm që përcaktuan politikën e jashtme të shtetit shqiptar në vitet 1944-1948. Vetë pozita ndërkombëtare e Shqipërisë përcaktohej nga dy çështje themelore: problemi i kufijve të Shqipërisë dhe politika e fuqive të mëdha dhe e dy fqinjëve ballkanikë ndaj saj. Kufijtë politikë të Shqipërisë u përcaktuan për herë të parë prej komisioneve ndërkombëtare të krijuara nga Konferenca e Londrës (1913), por kufijtë e saj ende nuk ishin përcaktuar në terren. Deri më 1925, çështja e kufijve mbeti objekt konflikti midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë e Greqisë, që nuk pranonin vendimet ndërkombëtare. Por kjo situatë mbante nën tension dhe marrëdhëniet e dy shteteve ballkanike me fuqitë e mëdha. Kjo gjendje vazhdoi deri në prag të Luftës së II Botërore.
Jugosllavia ishte shteti i parë që e njohu qeverinë shqiptare dhe mbështeste me forcë pavarësinë e Shqipërisë. Ky veprim ishte rrjedhojë e bashkëpunimit të dy partive komuniste gjatë luftës. Marrëveshjet politike dhe ekonomike midis Shqipërisë e Jugosllavisë në korrik dhe nëntor 1946, hodhën bazat për bashkimin mes dy vendeve. Ato parashikonin një bashkim politik dhe një koordinim të planeve ekonomike mes dy shteteve, si dhe standardizimin e sistemeve monetare, krijimin e një sistemi të përbashkët të çmimeve dhe bashkimin doganor. Plani i Jugosllavisë synonte krijimin e një Federatë Ballkanike, ku të bënte pjesë edhe Shqipëria si një Republikë më vete. Por plani binte ndesh me interesat e fuqive të mëdha, të cilat nuk donin asnjë shtet që të dominonte në Ballkan. Kjo acaroi marrëdhëniet e Jugosllavisë me BS (1948) dhe Shqipëria duke përfituar nga konflikti mes tyre u shkëput nga tutela e fortë jugosllave, për t’u lidhur ngushtë dhe direkt me BS.
Për SHBA dhe Britaninë e Madhe, Shqipëria megjithëse vendi më i vogël në Ballkan, kishte rëndësi për arsye të pozitës së saj strategjike në hyrje të Adriatikut. Anglo-amerikanët ishin në favor të pavarësisë së Shqipërisë, prandaj ata ishin dhe kundër bashkimit të Shqipërisë në një Federatë me Jugosllavinë. Greqia duke dashur të merrte Epirin e Veriut pretendonte se Shqipëria kishte qenë një satelit i fuqive të Aksit dhe për këtë arsye ajo duhej vënë nën pushtetin ushtarak të aleatëve. Greqia mbante të hapura problemet dhe acaronte marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BRSS. Në kushte të ndërlikuara ndërkombëtare qeveria shqiptare u përpoq të rivendoste marrëdhëniet diplomatike me fuqitë e mëdha. Njohja ndërkombëtare ishte konceptuar nga qeveria e Tiranës si një mjet jo vetëm për të afirmuar pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për të konsoliduar pozitat e saj ndërkombëtare. Nga ana e tyre qeveria britanike dhe ajo amerikane, njoftuan se përpara se të njihnin qeverinë shqiptare duhej të informoheshin mbi situatën e brendshme në vend. Për këto arsye ato dërguan në Tiranë misionet e tyre. Qeveria amerikane mori iniciativën diplomatike për njohjen e qeverisë shqiptare, e cila u realizua më 10 nëntor të vitit 1945. Britania dhe SHBA deklaruan njohjen e qeverisë shqiptare, por me dy kushte: qeveria Hoxha duhej të angazhohej për të siguruar zgjedhje të lira dhe njohja e saj nuk paragjykonte pozitën e qeverive anglo-amerikane për çështje territoriale dhe ndërkombëtare të lidhura me Shqipërinë. Por SHBA vuri edhe një kusht tjetër: njohjen e marrëveshjeve të lidhura mes dy vendeve përpara 7 prillit të vitit 1939. Ndërsa BS realizoi njohjen e qeverisë shqiptare pa kushte. Një politikë që në thelb ishte konceptuar e bashkërenduar mes tre aleatëve rezultoi kontradiktore dhe e paqartë. BRSS ishte i vetmi nga të tri fuqitë e mëdha që vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Britania e njohu qeverinë shqiptare pasi i konsideroi kushtet e vëna të përmbushura dhe mё pas ajo kërkoi dhe pëlqimin për emërimin e ministrit të saj në Tiranë. Nga ana tjetër SHBA, nuk vendosën marrëdhënie diplomatike me qeverinë shqiptare, por kishin tashmë një mision me karakter civil në Tiranë, i drejtuar nga një diplomat profesionist, J. Jacobs. Problemi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë mbeti pezull, deri sa kjo çështje u mbyll nё shtator 1946, me njё refuzim të palës amerikane për njohje. Kjo përputhej me kushtet e acaruara të marrëdhënieve ndërkombëtare mes fuqive të mëdha dhe tensionit nё marrëdhëniet greko-shqiptare.
Shqipëria e ndrydhur në marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit
Konflikti që nisi më 1946-47 mes 3 fuqive të mëdha, BRSS dhe SHBA e Britanisë ndikoi thellë edhe mbi Shqipërinë që sa po ishte çliruar nga pushtimi fashist dhe nazist. Në fillim të Luftës së Ftohtë, qeveritarët shqiptarë u përpoqën të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike me 3 fuqitë e mëdha. BRSS ishte i vetmi nga 3 fuqitë e mëdha që vendosi marrëdhënie me Shqipërinë. Qeveria shqiptare hezitoi të pranonte kushtin e amerikanëve dhe marrëdhëniet midis tyre hynë në një rrugë pa krye. Britania e Madhe dhe SHBA për shkaqe të ndryshme nuk vendosën marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Në janar 1946 SHBA dhe Britania kundërshtuan pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara (OKB), duke forcuar kështu dyshimet e palës shqiptare për politikat anglo-amerikane në dëm të interesave të Shqipërisë. Qeveria shqiptare duke paragjykuar qëllimet anglo-amerikane kufizoi lëvizjet e personelit të misionit britanik dhe të përfaqësuesve të SHBA në Tiranë, duke i akuzuar se kishin nxitur kundër saj opozitën antikomuniste. Një shkak tjetër për mos vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me dy fuqitë perëndimore u bë dhe incidenti në Kanalin e Korfuzit më 22 tetor 1946, ku dy anijet angleze duke lundruar përgjatë Kanalit takuan në mina nënujore dhe 44 anëtarë të ekuipazhit u vranë. Britania u ankua në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vitin 1949 dënoi qeverinë shqiptare. Në këto kushte Shqipëria nuk arriti të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë. Shtetet e Bashkuara e tërhoqën përfundimisht misionin e tyre nga Tirana në nëntor 1946. Veprimtaria e UNRRA-s (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje), në Shqipëri u pa me dyshim nga qeveria komuniste. Edhe pse mori ndihmë financiare nga UNRRA në vlerën prej 26.300.000 $, ajo e dëboi atë nga vendi në vitin 1946. Qeveria komuniste në korrik 1947 nuk e pranoi ndihmën ekonomike që parashikonte SHBA, nëpërmjet Planit Marshall, për rimëkëmbjen e Europës së pas Luftës II Botërore.
Më 29 korrik 1946 në Paris u thirr Konferenca Ndërkombëtare e Paqes dhe zgjati deri në tetor 1946. Ajo u mblodh për të rregulluar marrëdhëniet midis fuqive fituese të Luftës II Botërore nga njëra anë dhe fuqive aleate të Gjermanisë, që u mundën në luftë. Shqipëria nuk u ftua në Konferencë, për shkak të mosmarrëveshjeve me dy nga fituesit e mëdhenj të Luftës II Botërore, SHBA dhe Britaninë e Madhe. Por me mbështetjen e BS qeveria shqiptare dërgoi në Paris një delegacion, të kryesuar nga Enver Hoxha për të shprehur pikëpamjet e saj në lidhje me pozitën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar. Në kushtet e thellimit të mosmarrëveshjeve Lindje- Perëndim gjatë vitit 1946-47, Shqipëria u trajtua në funksion të interesave më të gjëra dhe raportit të forcave mes fuqive të mëdha. Qeveria shqiptare fillimisht dëshironte një politikë bashkëpunimi. Vetoja anglo-amerikane në Këshillin e Sigurimit kundër kandidaturës së Shqipërisë në OKB dhe pjesëmarrjes së saj në Konferencën e Paqes, pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe mosmarrëveshjet me Italinë, ringjallën kujtimet e një të kaluare të hidhur për fatet e vendit. Pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë do të rrezikoheshin në se ajo nuk do kishte gjetur mbështetjen e BS dhe të Jugosllavisë. Kjo krijoi kushte të favorshme për sovjetizimin e Shqipërisë dhe lidhjen e saj me bllokun lindor sovjetik. Kjo aleancë me Lindjen sllave dhe komuniste, konsiderohej nga elita intelektuale e kohës si një martesë aspak e natyrshme. Suksesi i sovjetikëve dhe i aleatëve të tyre jugosllavë në Shqipëri dhe largimi i anglo-amerikanëve nga Tirana ishte një nga dëshmitë e para në konfliktin që sa po kish nisur mes Lindjes dhe Perëndimit.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Federatë Ballkanike, UNRRA, Kanali i Korfuzit, OKB, Këshilli i Sigurimit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Plani Marshall, Konferenca Ndërkombëtare e Paqes, vetoja anglo-amerikane, sovjetizimi i Shqipërisë.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin çështjet që përcaktonin pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë?
2. Me cilët vende Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike pas luftës? Pse?
3. Në ç’mënyrë ndikoi konflikti BS-Jugosllavi për Shqipërinë?
4. Cili ishte qëndrimi i Greqisë ndaj Shqipërisë menjëherë pas Lufte? Pse?
5. Pse Shqipëria nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe Britaninë?
6. Pse qeveria komuniste nuk e pranoi Planin Marshall për ndërtim dhe zhvillim?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni qëndrimin tuaj.
2. Formuloni përfundimet tuaja.
a. Pse regjimi komunist nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe Britaninë, edhe pse gjatë luftës i kishte aleatë?
b. Kjo aleancë me Lindjen sllave dhe komuniste, konsiderohej nga elita intelektuale e kohës si një martesë aspak e natyrshme. Pse?
KËRKONI INFORMACION
Formuloni qëndrimin tuaj. Intervistoni qytetarë që kanë jetuar në komunizëm nga vendbanimi juaj. Pyetini ata, cilat ishin pritshmëritë e tyre në lidhje fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha?