Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 7 Mësimi 3
Proceset e integrimit euroatlantik i Shqipërisë (1990-2013)
Aspekte të globalizimit në jetën e përditshme në Shqipëri
Globalizimi përfaqëson një proces të transformimit të gjithçkaje individuale, lokale, vendore, rajonale, në dukuri globale. Globalizmi si dukuri fillimisht ekzistonte në formën e shkëmbimeve të thjeshta tregtare. Sot ai përbën një dukuri komplekse, ku përfshihet gjithë shoqëria njerëzore me problematikat e saj në gjithë globin. Edhe Shqipëria, pavarësisht sipërfaqes së saj të vogël, ajo është pjesë e dukurive globale në aspektet e jetës kulturore, artistike, sociale, politike, shoqërore. Përmasat e zhvillimit teknologjik, digjitalizimi, lëvizja e lirë e njerëzve në çdo skaj të botës janë disa nga shkaqet e globalizimit. Globalizmi shoqërohet me pasoja pozitive dhe negative. P.sh., si rezultat i bashkëpunimit të institucioneve shqiptare për proceset integruese rajonale dhe euroatlantike me ato ndërkombëtare, shqiptarët sot janë anëtarë të NATO-s, lëvizin lirshëm nga njeri vend në tjetrin. Për rrjedhojë, kemi ndërthurje të kulturave, shkëmbime të përvojave në fusha të ndryshme të jetës, si në politikë, ekonomi, shoqëri, kulturë. Ka ndryshuar jo vetëm mënyra e jetës së përditshme e të ushqyerit, të veshjes, komunikimit etj., por edhe mendësitë për përmirësimin e cilësisë së jetës. Globalizimi si në çdo ved tjetër, edhe në Shqipëri është i shoqëruar edhe me pasoja negative. Probleme të përditshme të shkaktuara nga globalizmi hasen në shumë fusha si: ekonomi, mjedis, politikë. Një shoqëri e mbyllur, si dhe ka qenë shoqëria shqiptare për 5 dekada, e kishte të vështirë të përballonte sfidat e zhvillimit global. Zhvillimet kërkojnë njerëz të aftë në teknologji, njerëz të hapur ndaj pranimit të kulturave të të tjerëve. Papunësia, tranzicioni i gjatë, emigracioni, trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, droga, krimi i organizuar këto janë disa prej sfidave kryesore që përballi dhe po përball ende shoqëria shqiptare. Kërkesat e zhvillimi ekonomik, nga njëra anë, dhe paaftësia e qeverisjeve, nga ana tjetër, kanë bërë që mjedisi natyror të degradojë. Shfaqjet e tij janë: prishja dhe shkretimi i tokave të punueshme, zvogëlimi i burimeve ujore, ndotja globale, shkatërrimi i pyjeve etj.
Sfidat e shtetit shqiptar në rrugën e integrimit euro-atlantik
Shqipëria, vendi i cili përmbysi i fundit diktaturën më të egër të komunizmit, me vendosjen e sistemit demokratik, ndryshoi edhe historinë e marrëdhënieve të saj me Europën dhe vendet e tjera. Për më tepër ajo ndryshoi marrëdhëniet me “armikun më të madh të regjimit komunist”, siç ishte shteti i Vatikanit. Më 25 prill 1993, Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali II me bamirësen me famë botërore, bijën e kombit shqiptar, Nënë Terezën, ose si dhe e ka emrin e saj të vërtetë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Shqipëria hyri në rrugën e përpjekjeve për integrim euroatlantik duke u bërë pjesë e organizmave ndërkombëtare e sidomos atyre europiane. Integrimi i saj, në ndryshim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u bazua në vlerat që bart kombi shqiptar në respekt të vlerave të popujve të tjerë dhe të tolerancës fetare. Në qershor 1991, ajo vendos marrëdhënie diplomatike me Komunitetin Ekonomik Europian dhe më 1992 ajo nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me të. Më 29 prill 1997, BE-ja përcakton kushtet politike dhe ekonomike për t’u plotësuar nga vendet e Europës Jug-Lindore, si bazë për një politikë konkrete, transparente në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale në fushën e tregtisë, asistencës financiare dhe bashkëpunimit ekonomik e politik. 10 qershor 1999 u nënshkrua Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Nëpërmjet saj synohej arritja e stabilitetit politik, ekonomik dhe social në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Janar 2003, u hapën bisedimet për MSA, mes Shqipërisë dhe BE-së. Më 18 shkurt 2006, Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. MSA-ja hodhi bazat e partneritetit e bashkëpunimit gjithëpërfshirës, midis vendit tonë dhe BE-së. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, perspektiva europiane e Shqipërisë ishte e pakthyeshme. Në këtë mënyrë, MSA-ja ndryshoi statusin e vendit tonë, si në kuadrin e ngushtë rajonal, ashtu edhe në atë më të gjerë, europian e ndërkombëtar.
Shqipëria në rrugën e integrimit në institucionet euroatlantike
Në rrugën e integrimit në NATO, hapat e parë u hodhën me Paktin “Adriatik 3” ku bënin pjesë Kroacia, Maqedoni dhe Shqipëria. Ky pakt synonte organizimin e tre shteteve për arritjen e standardeve. Arritja e disa standardeve si rrjedhim i reformave të bëra nga qeveria Berisha, kundër kontrabandës, emigracionit klandestin, evazionit fiskal dhe mbështetja e madhe e BE dhe SHBA, bëri që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në prill 2008. Më 4 prill 2009 vendi ynë bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO. Më pas nënshkruhet Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe më 1 prill 2009 hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Më 28 prill 2009, qeveria shqiptare dorëzon Aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Më 8 nëntor 2010, Këshilli miraton vendimin për liberalizimin e vizave afat shkurtër për qytetarët shqiptarë. Më 12 tetor 2011, KE publikon Raportin e Progresit të 2011-ës, për Shqipërinë, i cili nuk propozoi as dhënien e statusit të vendit kandidat dhe as hapjen e negociatave për anëtarësim. Kjo për shkak të mos plotësimit të disa standardeve të kërkuara nga BE në MSA. 10 tetor 2012, KE publikon Raportin e Progresit të 2012 për Shqipërinë, i cili propozon dhënien e statusit të vendit kandidat të kushtëzuar. Sipas vlerësimit përfundimtar dhe zyrtar të Komisionit Europian, Shqipëria ka plotësuar katër prioritete që lidhen me funksionimin e parlamentit, miratimin e ligjeve me 3/5, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, dëgjimin dhe votimin në parlament për institucione kyçe, si dhe ndryshimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet. Në raportprogres vlerësohet se vendi është në rrugën e plotësimit të dy prioriteteve të tjera kyçe që lidhen me administratën publike dhe përmirësimin e trajtimit të të paraburgosurve. Më 12 dhjetor 2012 , Këshilli Europian përshëndeti përparimin e përgjithshëm të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e 12 kritereve kyçe të përcaktuara në opinionin e Komisionit në 2010 në krahasim me dy vite më parë. Marrja e statusit si vend kandidat dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE kushtëzohet nga këta faktorë: progresi i qëndrueshëm në drejtim të zbatimit të reformës zgjedhore, duke e krahasuar me zgjedhjet paraardhëse; vijimi i dialogut politik, i cili shpesh është vënë në dyshim, veçanërisht gjatë zgjedhjeve; paanshmëria në zgjedhjen e presidentit; reformat në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; mungesa e shembujve konkrete të dënimit të zyrtarëve të nivelit të lartë. Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat do të varet edhe nga mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve të ardhshme, të 2017-ës, të cilat do të jenë si një test për funksionimin normal të institucioneve. Roli stabilizues i Shqipërisë në rajon duhet të mbështesë futjen e Shqipërisë në rrjedhat europiane. Pavarësisht bashkëpunimit ndërpartiak në nivel parlamentar, miratimit të disa reformave dhe ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, për Komisionin Europian dhe për vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ka akoma për të bërë në drejtim të përmirësimit të klimës konstruktive politike, me qëllim krijimin e një historiku arritjesh në implementimin e reformave kyçe në drejtësi dhe funksionimin e pavarur të gjyqësorit, si dhe në përmbushjen e prioriteteve.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: integrimi euroatlantik, NATO, BE, marrëveshje stabilizim-asocimi.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë aspektet e globalizimit në jetën e përditshme në Shqipëri?
2. Cilat janë ngjarjet më të rëndësishme që përbëjnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit euroatlantik?
3. Cilat janë standardet që Shqipëria nuk i ka plotësuar akoma për anëtarësim në BE?
4. A mund të hiqni vija paralele me ndonjë vend tjetër të Ballkanit lidhur me këtë? Pse?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Punoni me burimin: Përgjithësisht integrimi është kuptuar njëanshmërisht, pra si proces vetëm përfitues për Shqipërinë, pa obligime e detyrime. Cili është mesazhi që merrni në përfundim? A mendoni se keni kontribuar mjaftueshëm ju si qytetar dhe në ç’formë është kontributi?
2. Supozoni se jeni një përfaqësues i lartë i parlamentit europian. Shkruani një apel drejtuar politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë (deri në 500 karaktere)
3. Vëreni hartën e formuloni përfundime.
4. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
KËRKONI INFORMACION
Formuloni përfundime. Përdorni shtypin e ditës për të veçuar pasoja pozitive dhe negative të globalizmit në jetën e përditshme në Shqipëri. Diskutoni përfundimet tuaja në klasë.