Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 9
Tipare të represionit komunist gjatë viteve 1945-1990
Diktatura e proletariatit
Diktatura e Proletariatit dhe Lufta e Klasave janë dy parimet bazë të ideologjisë marksiste-leniniste që synonin ruajtjen dhe forcimin e shtetit socialist. Pushteti hoxhian u mbështet fort dhe në mënyrë shabllone në to. Shteti stalinist shqiptar propagandonte se sa më shumë të forcohej shteti socialist aq më e madhe ishte premisa për zgjerimin e bazës sociale të diktaturës së proletariatit, prandaj ishte i rëndësishëm forcimi i pandërprerë i saj. Në mendimin social-politik marksist, diktatura e proletariatit i referohet një shteti në të cilin proletariati ose klasa punëtore ka kontroll të pushtetit politik. Në Shqipëri edhe në këtë këndvështrim të themeluesve të marksizmit, pushteti politik nuk i ofrohej aspak realitetit. Pushteti ishte përqendruar në duart e një pakice (quhej nomenklaturë), jo të klasës punëtore. Ajo krijoi një hapësirë të paprekshme, në qendër të Tiranës, BLLOK-un, ku klasa punëtore apo fshatare, apo edhe të tjerë, nuk ishin të lejuar ta shihnin. Vasalët e tyre partiakë dhe shtetërorë ishin më të zellshëm se eprorët e tyre kudo që ishin nëpër Shqipëri, për të mbajtur të frikësuara masat, pikërisht klasën punëtore dhe për t’i shtypur kokën armiqve të diktaturës. E. Hoxha për të fshehur, pikërisht, këtë realitet, paraqitej prej propagandës komuniste se ai dhe vetëm ai ishte dielli që po i ngrohte punëtorët dhe fshatarët, se pushteti buronte nga populli dhe i takonte popullit. Ai paraqitej në arë te gratë; në malësi e kudo, gju më gju me popullin. E populli nga frika i këndonte: rrofsh sa moshë e kësaj toke, apo i shkruante,… nëna që të lindi, lum ç’tundi në djep, tundi botën tërë, shqiponjën me fletë… Në takimet gju më gju me popullin, apo në fjalimet e zjarrta, gjatë Revolucionit Kulturor, nuk linte rast pa thënë se diktatura e proletariatit lindi si rezultat i revolucionit të suksesshëm socialist dhe rrënimit të plotë të makinës shtetërore borgjeze, apo se… diktatura e proletariatit është një tip cilësisht i ri i shtetit, se diktatura e proletariatit është sundimi i klasës punëtore. Të gjitha organizatat e masave, si ajo e rinisë, e gruas, e frontit demokratik, e bashkimeve profesionale etj., nuk ishin gjë tjetër veçse mjete në shërbim të Diktaturës së Proletariatit. Rrezet e diktatorit i kalonin kufijtë e Shqipërisë. Ai kujdesej për proletariatin botëror, në luftë kundër revizionizmit jugosllav, sovjetik, kinez, në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, për rrjedhojë të diktaturës së proletariatit. Prandaj, atij i duhej që i gjithë populli të ishte ushtar.
Lufta e klasave
Shteti totalitar komunist i diktaturës së proletariatit vuri në themel të ekzistencës së tij luftën e klasave, e cila dëmtoi rëndë aspiratat kombëtare të popullit shqiptar për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Në ideologjinë marksiste, lufta e klasave është konflikti i interesave midis punëtorëve dhe klasës sunduese në një shoqëri kapitaliste, e konsideruar si e pashmangshme dhe e dhunshme. Zbatimi në praktikë i luftës së klasave në Shqipëri i ka rrënjët gjatë luftës për çlirim e kryesuar nga PKSH. Ishte PKSH që e ndau popullin në partizanë e ballistë, qëkur shkeli parimet e Konferencës së Pezës, mbi bazën e të cilave populli u bashkua në frontin antifashist nacionalçlirimtar. Ndarja u thellua, u sanksionua dhe risanksionua në dokumente themeltare të funksionimit të shtetit, para dhe pas luftës çlirimtare. Kushtetuta e vitit 1946, neni 1, shprehej se Shqipëria është Republikë Popullore, ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit. Në realitet kjo donte të thoshte se borgjezët, tregtarët, kulakët etj., ishin armiq të klasës punëtore e fshatare (Termi popull ishte klasa punëtore dhe fshatare). Edhe pse kaluan 30 vjet nga kushtetuta e vitit 1946, në kushtetutën e 1976, nenin 4, u risanksionua se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë zhvillon pandërprerë Revolucionin duke iu përmbajtur Luftës së Klasave dhe ka për qëllim të sigurojë fitoren përfundimtare të rrugës socialiste mbi rrugën kapitaliste. Ndërsa në vendet e tjera të bllokut sovjetik tendenca ishte liberalizimi i politikave në aspekte të ndryshme të jetës, në Shqipëri, po ndodhte e kundërta. E. Hoxha ishte i shqetësuar për trashëgiminë e regjimit pas vdekjes së tij. Meraku i tij i vetëm ishte ruajtja me çdo kusht i pushteteve që zotëronte. Në Kushtetutën e 1976 u ligjëruan politikat e tij unike si roli udhëheqës i PPSH në jetën e vendit, ndalohej qeveria të lidhte marrëveshje me vendet kapitaliste apo të merrte kredi; nuk u lejua prona private, e cila u konsiderua burimi i gjithë të këqijave, si dhe u konfirmua edhe një herë se shteti i Diktaturës së Proletariatit është shtet ateist dhe se lufta e klasave vazhdon. Në ndarjen partizanë dhe ballistë, fillonin të Drejtat e Njeriut, në Shqipërinë-burg stalinist. Në se bëje pjesë në grupin partizan, kishe të drejtë të merrje frymë, në të kundërt, po të bëje pjesë në grupin ballist, duhej të mendoheshin njerëzit për të lindur edhe fëmijë, sepse edhe ata do të përndiqeshin. Zbatimi i parimit të Luftës së Klasave e bëri regjimin hoxhian të ishte regjimi më shtypës, që njohu blloku sovjetik. Shqipëria burg stalinist u dëshmua nga qindra të pushkatuar e të varur, apo mijëra të burgosur e të internuar në Shqipëri. Të burgosurit e të internuarit për shkak të Luftës së Klasave, përpos që ishin në burg, punonin në kampet e punës. Veprat e ndërtuara në socializëm kanë brenda vuajtjet, djersën, gjakun e tyre në këmbim të asgjëje. Përmes regjimit të terrorit ai u përpoq të dërrmonte çdo përpjekje apo edhe synim opozitar për të kundërshtuar regjimin. Aq i madh ishte ky terror, sa Shqipëria arriti në një pikë ku e gjithë shoqëria e gjeti veten në shërbim të tij apo me gojën të mbyllur fort. Intelektualët që kishin studiuar në shkollat e vendeve perëndimore dhe që iu bashkuan Luftës Antifashiste pa dallim krahine, ideje, besimi, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, u vranë, u shtypën me të gjitha mjetet, ashtu edhe pasardhësit e tyre. Disa prej tyre që nuk mundën t’i bënin ballë kësaj shtypjeje, u kthyen në avokatë të regjimit.
Format dhe metodat e ushtrimit të shtypjes nga shteti i Diktaturës së Proletariatit
Enver Hoxha dominoi, fizikisht, jetën shqiptare nga viti 1941, kohë kur ishte në krye të PKSH deri në 11 prill 1985, kur vdiq. Gjatë kësaj rruge ai përdori metodat më të egra të ushtrimit të shtypjes, si askush në bllokun sovjetik. Ai manipuloi energjitë zhvilluese të shqiptarëve me anë të propagandës komuniste, në luftë kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe i quante regjimi, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, shtypi me dorë të hekurt, me ndihmën e shtetit të diktaturës së proletariatit, çdo përpjekje kundër pushteteve të tij. Ai ishte një nga udhëheqësit e fundit stalinist në Europën Lindore që vazhdoi të përdorte teknika staliniste për kontrollin e popullsisë, edhe pse shumica e vendeve të tjera të Europës Lindore ishin zhvendosur nga terrori dhe shtypja e plotë drejt metodave më liberale burokratike-autoritare. Mjeti kryesor i shtypjes, në kushtet e izolimit të vendit dhe kërkesës së tij për të qenë mbret i përjetshëm, ishte Sigurimi i Shtetit (policia sekrete), i cili ishte krijuar më 20 korrik 1943, nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në radhët e tij u vendosën njerëzit më të besuar të regjimit komunist. Pas çlirimit, Sigurimi i Shtetit u bë pjesë e strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, me ministër Koçi Xoxen. Ai shërbeu si një mjet në duart e shtetit të ndihmonte partinë dhe udhëheqësin të konsolidonin pushtetin pas 1944, duke zhvilluar fushata kërcënimi dhe terrorizimi kundër çdonjerit që i kundërshtonte. Policia dhe Arma e Sigurimit të Shtetit u konsiderua si një mjet elitar që forconte fuqinë e partisë. Krahasuar me sipërfaqen dhe numrin e popullsisë së vendit, policia dhe arma e Sigurimit të Shtetit ishte e fryrë. Këtu futeshin edhe informatorët me pagesë, që gjendeshin në shkolla, fabrika, kooperativa, zyra, kudo. Nuk kishte aspekt të jetës shoqërore të mos ishte nën kontrollin e regjimit komunist. Në mënyrë periodike partia-shtet bënte spastrime të kundërshtarëve. Çdo njeri ndiqej. Komitetet e Partisë mbanin lidhje të ngushta me Sigurimin dhe ishin të detyruar të raportonin organet qendrore të Partisë (shihni dokumentin). Në çdo mosarritje, dështim shihej armiku i popullit e përkthehej në grup armiqësor. Grupet armiqësore më të përmendura ishin: grupi i deputetëve, i inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, grupi i Koçi Xoxes, i Tuk Jakovës, i Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, i Beqir Ballukut etj. Kundërshtarët ose u pushkatuan ose u varën në litar ose u dënuan me burgime të gjata. Familiarët e tyre u çuan në kampe përqëndrimi, apo u larguan nga vendbanimi në vendbanime të tjera dhe ju merrej pasuria. Ata akuzoheshin për tradhti, fshehje të armikut, përmbysje të pushtetit popullor, spiunazh, agjitacion dhe propagandë. Sigurimi përdorte metoda dhe mjete shtrënguese ndaj familiarëve të kundërshtarëve për t’i vënë kundër njeri-tjetrit, dhe për të marrë informacion në zbulimin e armikut brenda familjes. Gjykatat siguroheshin, që vendimet të ishin sipas udhëzimeve të partisë dhe jo nga shkalla e “fajësisë” së të akuzuarve. Një shpikje shqiptare e regjimit ishte Kontrolli punëtor e fshatar, që pavarësisht profesionalizmit të tyre, mund të kontrollonin mësuesit, drejtuesit, nënpunësit etj.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Diktaturë e Proletariatit, Bllok, Luftë e Klasave, Sigurimi i Shtetit, të drejtat e njeriut, Kontrolli punëtor e fshatar.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë tiparet kryesore ideologjike të regjimit komunist?
2. Cili është thelbi i Diktaturës së Proletariatit?
3. Cili është thelbi i Luftës së Klasave?
4. Cilat janë pasojat e zbatimit të Luftës së Klasave dhe e shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist në Shqipëri?
5. Në ç’ mënyrë regjimi komunist jetoi gjatë në Shqipëri?
6. Cilat janë format dhe metodat e ushtrimit të represionit nga shteti i Diktaturës së Proletariatit?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën e formuloni përfundime.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Formuloni refleksionet tuaja. Në ç’mënyrë u zbatua në Shqipëri, Diktatura e Proletariatit dhe Lufta e Klasave? Argumentoni me shembuj e diskutoni në klasë.
KËRKONI INFORMACION
Pyesni qytetarë që kanë jetuar në komunizëm:
1. Si e keni përjetuar Luftën e Klasave në vendbanimin tuaj?
2. Çfarë ka qenë për ju Diktatura e Proletariatit? Formuloni përfundime me të dhënat e grumbulluara dhe i diskutoni në klasë.