Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 8
Iliria nën Perandorinë Romake
Ndarja administrative e trojeve ilire
Pas luftërave kundër ilirëve romakët shtrinë sundimin e tyre të plotë në Iliri gjatë gjysmë së dytë të shek. I p.e.s. Ky sundim nuk ishte i njëjtë në të gjithë territorin. Në vitin 146 p.e.s. romakët krijuan, fillimisht, provincën e Maqedonisë, ku bënin pjesë edhe territoret ilire në jug të lumit Mat duke përfshirë edhe Epirin. Ky organizim ndryshoi gjatë kohës së sundimit të Cezarit. Kështu krijohet provinca Illyricum që shtrihej, në veri, deri pranë lumit Danub dhe në jug deri në lumin Mat. Ndërkohë krijohet një provincë e re e quajtur Moesia ku bënin pjesë territore të Ilirisë Qendrore përfshirë Dardaninë, që më parë ishte pjesë e provincës së Maqedonisë. Pas kryengritjeve ilire antiromake të viteve 6-9 provinca e Illyricum u nda në dy pjesë, në veri Provinca e Panonisë ndërsa në jug ajo e Dalmatisë. Në të njëjtën kohë krijohet provinca e Epirit ku u përfshinë krahas Epirit, Etolisë dhe Akarnanisë edhe territoret ilire në jug të lumit Aoos (Vjosa).
Qeverisja
Provincat qeveriseshin nga governatori i cili kishte pushtet të plot civil dhe ushtarak. Ata kujdeseshin për të gjithë aktivitetin ekonomik, shoqëror dhe ushtarak të provincës. Kuptohet që qëllimi kryesor ishte mbledhja e taksave, shtypja e rebelimeve, rekrutimi i trupave ushtarake të gjitha këto në zbatim të ligjeve të vendosura nga Roma. Territoret ilire ishin organizuar në civitates që përfaqësonin një territor të caktuar me një qendër qytetare në rolin e kryeqendrës. Civitates qeverisej nga prefekti i zgjedhur nga komandantë në repartet ushtarake romake më të afërta, por njëkohësisht kishin edhe një farë autonomie. Ndërkohë disa qytete që kishin mbajtur qëndrim proromak ose asnjanës gjatë luftërave të Romës kundër shtetit ilir i’u dha statusi i kolonisë romake (Buthrotum, Bylisi, Dyrrachium, Skodra, Ulpiana, Skupi, Narona, Salona, Jader, Epidaurum etj.) ku u vendosën edhe banorë romakë. Në qytete-koloni sistemi qeverisjes ishte i njëjtë me atë të qyteteve italike. Në kolonitë romake qeverisja realizohej, nëpërmjet këshillit të qytetit-dekurion, që merrte vendimet kryesore dhe dy nëpunësve më të lartë dumvirët të zgjedhur prej këtij këshilli për një vit.
Perandorë romakë me origjinë ilire: Maksimin Daza(235-238); Trajanus Decius (249-251); Aurelius Klaudi (268-270); Aureliani (270-275); Probi (276-282); Diokleciani (284-305); Maksimiani (286-310); Galeri (292-311); Konstandini i Madh (306-337); Valentiniani (364-375).
Romakët ndërtuan në provincat një sistem qeverisje të avancuar për kohën të ngjashëm me atë të Italisë. Ishte ky sistem që bëri të mundur qeverisjen e perandorisë romake për gati 5 shekuj. Një status të veçantë kishte Apolonia, e cila ruajti autonominë në sajë të perandorit August si shenjë mirënjohje për qëndrimin e tij në Apoloni dhe mbështetjen që apoloniatët i ofruan pas vrasjes së ungjit të tij Cezarit. Gjatë luftërave civile romake midis Cezarit dhe Pompeut dhe midis Oktavian Augustit kundër vrasësve të Cezarit në mesin e shek. I p.e.s. një pjesë e ngjarjeve u zhvilluan në Iliri. Gjatë sundimit romak një pjesë e qyteteve e humbën rëndësinë e tyre (Amantia, Dimali, Gurzeza, Skodra etj.) ndërsa të tjera sidomos kolonitë morën rëndësi. Dëshmi e situatës së vështirë në territoret ilire është fjalimi i Ciceronit kundër governatorit të provincës së Maqedonisë Pizonit (vjehrri i Cezarit) ku midis të tjerave deklaronte: Dyrrahu dhe Apolonia të shkatërruara, Parthinët dhe Bylinët të mashtruar, Epiri krejtësisht i shkretuar, të gjitha këto tregojnë se t’i ishe atje vetëm për të vjedhur, plaçkitur, për t’i keqtrajtuar dhe për t’i konsideruar ata si armiq.
Qëndresa ilire ndaj sundimit romak
Pavarësisht vendosjes me dhunë të sundimit romak ilirët nuk u pajtuan me të. Rezistenca ilire ishte nga njëra anë dëshmi e dëshirës për liri dhe nga ana tjetër si reaksion ndaj shtypjes dhe abuzimeve të administratës romake. Një seri kryengritjesh antiromake ndodhën gjatë mesit të shek. I p.e.s. Kështu në vitin 50 p. e. s ishin pirustët, parthinët dhe dalmatët që rebelohen kundër sundimit romak. Kulmi i qëndresës ilire ishte kryengritja e viteve 6-9 të, e cila përfshiu vise të gjera ilire nga lumi Sava në veri, deri tek lumi Mat në jug. Kryengritësit të udhëhequr nga dy Bato (njeri desidiat dhe tjetri panon) numëronin 200 mijë këmbësorë dhe 9 mijë kalorës duke rrezikuar ndjeshëm pushtetin romak. Kryengritësit për tre vjet i rezistuan sulmeve të perandorisë më të madhe të kohës. Megjithëse u shtyp kryengritja e viteve 6-9 dëshmoi se ilirët nuk pajtoheshin me sundimin e huaj dhe se kur ishte fjala për liri ishin gati të sakrifikonin.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: provincë, governatori, civitates, prefekti, statusi i kolonisë romake, qytete-koloni, dumvirë, perandorit August, Bato, Cezar, Pompe.
PËRGJIGJUNI
1. Cili ishte sistemi i qeverisjes së ilirëve nën sundimin romak?
2. Në ç’ mënyrë ju përgjigjën ilirët sundimit romak? Argumentoni me shembuj.
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë ndarjen administrative të trojeve ilire nën sundimin romak. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin. Pavarësisht vendosjes me dhunë të sundimit romak ilirët nuk u pajtuan me të. Formuloni përfundimet tuaja.