Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 2 Mësimi 4: Ekonomia dhe shoqëria në qytetin dhe fshatin mesjetar arbëror

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mësimi 4

Ekonomia dhe shoqëria në qytetin dhe fshatin mesjetar arbëror

Fshati mesjetar arbëror
Pamja ekonomike dhe shoqërore e trojeve arbërore gjatë mesjetës paraqitet e ndryshme në varësi të një sërë kushtesh dhe rrethanash. Në radhë të parë janë kushtet natyrore, rrjeti rrugor, pozita gjeografike dhe administrimi i territorit faktorët kryesorë që kushtëzojnë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror gjatë mesjetës. Ekonomia bujqësore përbënte bazën e ekonomisë feudale. Territori i banuar nga arbrit është i larmishëm, me rajone fushore dhe kodrinore si, ultësira perëndimore e quajtur në këtë periudhë si fusha ilirike (sipas historianes bizantine të shek. XI-XII Ana Komnena) që më pas u quajt Myzeqe nga emri i familjes fisnike Muzaka. Rajone të tjera fushore janë ato pranë Shkodrës, fusha e Korçës. Më në veri ndodhen rrafshina si ajo e Rrafshit të Dukagjinit, fusha në Kosovë, në Çamëri (Vegenetia), luginat e lumenjve etj. Një tjetër pamje paraqesin zonat malore të pranishme në pjesën më të madhe të territorit. Rrjeti rrugor përgjithësisht favorizonte komunikimin dhe pak zona ishin të izoluara. Kombinimi i kushteve të relievit me bregdetin, lumenjtë dhe liqenet si dhe klima e favorshme krijonin mundësi për larmi  prodhimesh, bujqësore, blegtorale, fruti dhe vitikultura, peshkimi etj. Zonat fushore të arbërve dalloheshin për prodhimin e drithërave (gruri, elbi, meli), kripës, mëndafshit, kuajve etj., ndërsa zonat kodrinore dalloheshin për prodhimin e frutave dhe blegtorisë përfshi dhe tregtinë e lëkurave aq të kërkuara nga tregu i kohës. Mjafton të përmendim faktin se një nga republikat më të fuqishme tregtare të brigjeve të Adriatikut ajo e Raguzës (Dubrovniku) i siguronte drithërat nga prodhimi i fushës së Myzeqesë. Ka dëshmi të shumta të kohës sipas të cilave në trojet arbërore sistemi feudal kishte arritur një shkallë të lartë zhvillimi.

Një dëshmi kuptimplote e zhvillimit të ekonomisë bujqësore në zonat e ulta është fakti se qytetarët venedikas kishin blerë prona në këto zona dhe i kishin shndërruar ato në ferma bujqësore të zhvilluara për kohën. Rëndësi për zhvillimin e ekonomisë bujqësore kishin dhe marrëdhëniet e pronësisë. Në fshatin arbëror të mesjetës rol të rëndësishëm luanin familja dhe fisi si baza të marrëdhënieve në fshat, të cilat përcaktuan dhe marrëdhëniet me pronën private dhe të bashkësisë. Duke qenë nën administrimin e perandorisë bizantine edhe marrëdhëniet e pronësisë në fshat ishin përcaktuar me ligj (Ligji Bujqësor). Sipas këtij ligji shumica e fshatarëve ishin pronarë të arave, kopshteve, vreshtave, bagëtive, mullinjve, punishteve të ndryshme etj., prona këto të trashëgueshme. Një kategori tjetër përbënin pronat e bashkësisë fshatare ku përfshiheshin kullotat, pyjet, ujërat, tokat djerrë etj. Sigurisht kishte edhe një kategori banorësh të fshatit që nuk zotëronin prona ose i kishin humbur ato për arsye të ndryshme dhe si burim jetese kishin punën e krahut tek fshatarët e tjerë më të pasur ose merrnin toka me qera dhe paguanin si detyrim 1/10 e prodhimit (mistiotët). Pavarësisht se ishin pronarë fshatarët kishin detyrime ekonomike ndaj  perandorisë në formën e taksave dhe detyrimeve të tjera. Qëllimi kryesor i Perandorisë Bizantine ishte mbledhja e të ardhurave nga territoret nën administrimin e saj.

Për këtë qëllim ishte ngritur një administratë fiskale dhe ishin hartuar ligjet përkatëse. Prania e pronës private në fshat krijonte kushte për diferencim pasuror. Kështu individë dhe familje të caktuara u pasuruan duke u shndërruar në pronarë të mëdhenj, që përbëjnë dhe feudalët e ardhshëm, të cilët u pasuruan si në saj të blerjes së pronave nga pronarë më të vegjël ashtu dhe nga dhënia në administrim e më pas në trashëgimi të pronave nga ana e pushtetit perandorak bizantin. Një pronarë tjetër i madh pronash ishte kleri ortodoks dhe kristian. Kishat fillimisht dhe manastiret duke filluar nga shek. X u bënë pronarë të fuqishëm tokash. Në shek. IX-XI një sistem i ri i pronësisë mbi tokën u aplikua nga perandoria bizantine. Organizimi administrativo-ushtarak mbi bazën e themave bazohej në dhënien e tokës fshatarëve me detyrimin pjesëmarrje në ushtri në rast lufte duke krijuar kështu shtresën e stratiotëve, bujq-ushtarë. Bashkësia fshatare kishte dhe funksionin ndihmës për familjet më të varfra duke shlyer detyrimet e tyre në rast pamundësie dhe ruajtjen e pronës brenda familjes, nëpërmjet ligjit të parablerjes në rastet e shitjes së saj. Bashkësia fshatare gjithashtu administronte pronat e përbashkëta. Pjesa dërmuese e popullsisë arbërore ashtu si kudo në Europën mesjetare banonte në fshat.

 

Qyteti mesjetar arbëror
Qytetet arbërore pësuan ndryshime në krahasim me qytetet e antikitetit të vonë. Nga këto të fundit vijojnë ekzistencën pak prej tyre të tilla si Durrësi, Shkodra, Lezha, Shkupi ndërkohë që qytete të tilla si Apolonia, Bylisi, Butrinti, Onhezmi, Ulpiana etj., u braktisën. Në kushtet e reja të krijuara lindën dhe u zhvilluan qendra të reja qytetare si Berati, Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Kruja, Kanina etj., Qyteti më i rëndësishëm dhe më i zhvilluar arbëror i kësaj kohe ishte Durrësi ndërkohë që porte të rëndësishme përveç Durrësit u bënë Vlora në jug dhe Ulqini në veri. Qytetet në përgjithësi ishin të mbrojtur nga mure të fuqishëm (Durrësi) ose kishin një kështjellë për mbrojtjen në rast rreziku (Shkodra, Berati, Kanina, Ulqini, Kruja etj.). Disa qytete u zhvilluan si qendra të administratës bizantine, rasti i Beratit si qendër e despotatit, ai i Durrësit si qendër e themës, ndërsa të tjera si qytete tregtare si Vlora, Ulqini, Shirgji (Bunë), Shufadaja (Mat), Bregu (Shkumbin), Pirgu (Seman), Spinarica (Vjosë)) dhe zejtare si Prizreni. Në disa raste qytetet kishin në administrim edhe territore rurale përqark tyre ku përfshiheshin fshatra, vreshta, ullishta, toka etj. të quajtura arhondi. Banorët e qyteteve ndaheshin në fisnikë (nobiles) e popullorë (popolares). Fisnikët përfshinin sipërmarrësit e mëdhenj, pronarët e anijeve, tregtarët, nëpunësit e lartë komunalë, si dhe pronarët e mëdhenj të tokave që jetonin në qytet. Banorët e qyteteve kishin një sërë detyrimesh ndaj kryezotit ose komunës. Si dëshmi të njohjes së sovranitetit mbi tokën, ata u paguanin atyre një shumë të caktuar që quhej ndryshe akrostiku. Detyrime të tjera paguheshin për masat e peshat, për tregun, për thirrjen e bagëtisë, për peshkimin, për mirëmbajtjen e mureve të qytetit. Në raste të veçanta, qytetarët detyroheshin të kryenin edhe shërbim roje në muret e qytetit ose të merrnin pjesë në punime mbrojtëse. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore e të organizimit politik, në Shqipërinë mesjetare u zhvilluan dy tipe qytetesh: ato të tipit italo-dalmatin dhe ato të tipit bizantin. Vazhdimësia në një pjesë të qyteteve dhe tradita e jetës qytetare bënin të mundur organizimin e sistemit të vetëqeverisjes së tyre. Bartës të kësaj vetëqeverisje ishin një grup familjesh, që shquheshin nga kultura, pasuria dhe lidhjet me pushtetin qendror. Të tilla qenë në Durrës gjatë shek. X-XIII familjet Krisili e Kabasilla (Kabashi), pinjollë të të cilave shfaqen herë pas here si të parë të vendit dhe si mbajtës titujsh e dinjitetesh të larta bizantine, përfshirë ato të arkondit e të patricit. Fuqia ekonomike e këtyre familjeve mbështetej në ndërtesat, dyqanet, depot e në anijet që ato zotëronin në qytet, e sidomos në sipërfaqet e mëdha të tokave që kishin sa në rrethet e Durrësit, aq edhe në Lezhë, Mat, Myzeqe e deri në Dibrën e në Kolonjën e largët. Në Vlorë e në krahinën e saj, prej shek. XI e deri vonë në shek. XVII, familja Frëngu është vazhdimisht protagoniste në qeverisjen dhe në ngjarjet që lidhen me atë zonë. Qytetet dhe fshatrat arbërore shërbyen si mbrojtës dhe transmetues të kulturës, traditave dhe folklorit popullor nga ndikimet e pushtuesve të ndryshëm. Një rol të veçantë në këtë drejtim ka luajtur kleri ortodoks dhe kristian. Qytetet dhe fshatrat arbërore ishin në të njëjtin nivel zhvillimi me fshatrat dhe qytetet e tjera të Perandorisë Bizantine.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Fusha ilirike, Myzeqe, familja, fisi, kleri ortodoks, kleri kristian, thema, stratiotë, Durrësi, Ulqini, nobiles, popolares, kryezot, akrostiku, arkondi, patrici, Krisili, Kabasilla

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë tiparet e fshatit mesjetar arbëror?
2. Cili ishte roli i familjes dhe fisit në fshatin arbëror të mesjetës në zhvillimin e marrëdhënieve në fshat dhe në drejtim të pronës?
3. Cila ishte marrëdhënia e fshatarëve përkundrejt pronës. Ku bazohej kjo?
4. Në ç’mënyrë Perandoria Bizantine mblidhte të ardhurat nga puna në fshatin arbëror?
5. Cilat janë tiparet e qyteti mesjetar arbëror?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë qytetet mesjetare arbërore Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet. Qytete të tilla si Apollonia, Bylisi, Butrinti, Onhezmi, Ulpiana etj., u braktisën. Si është e mundur kur ata kishin njohur edhe në kulmin e zhvillimit të tyre?

 

Argumentoni dhe formuloni përfundimet tuaja.