Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 4: Shqipëria gjatë Luftës I Botërore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 4

Shqipëria gjatë Luftës I Botërore

Shqipëria në Luftën e Parë Botërore
Rivaliteti dhe kontradiktat ekzistuese midis dy blloqeve kundërshtare çuan në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Dy blloqet kundërshtare ishin: Gjermania dhe Austro-Hungaria nga njëra anë; Anglia, Franca dhe Rusia nga ana tjetër. Italia dhe Greqia shpallën asnjanësinë dhe për pak kohë qëndruan jashtë saj. Në luftë u përfshinë Fuqitë e Mëdha, vendet ballkanike dhe shumë shtete të tjera. Shqipëria mbeti jashtë konfliktit dhe qeveria e Vidit në ditët e fundit shpalli asnjanësinë. Princ Vidi u largua dhe Shqipëria mbeti pa pushtet qendror. Shpejt vendi u kthye në fushë beteje dhe u nda në zona pushtimi ndërmjet blloqeve kundërshtare. Greqia, e pa angazhuar në luftë, në vjeshtë 1914 pushtoi Korçën e Gjirokastrën. Italia zbarkoi me një mision sanitar në Vlorë dhe në dhjetor 1914 e pushtoi atë. Në vitin 1915 pushtoi gradualisht gjithë Shqipërinë e Jugut duke arritur në kufijtë e vitit 1913 dhe përzuri trupat greke. Në qershor të vitit 1915, trupat serbe dhe malazeze, në kundërshtim me udhëzimet e fuqive aleate të Antantës, pushtuan Shqipërinë veriore dhe të mesme deri në lumin Shkumbin. Malazezët pushtuan Shkodrën pa marrë parasysh statusin ndërkombëtar që gëzonte qyteti nga viti 1913. Të vënë mes dy fronteve, austro-hungareze dhe bullgare, forcat serbe dhe malazeze u detyruan të tërhiqen. Në janar të vitit 1916 në Shqipëri hynë ushtritë austro-hungareze duke u shtrirë në Shqipërinë e Mesme, si dhe forcat bullgare në krahinën e Librazhdit dhe të Pogradecit. Reparte të ushtrisë franceze marshuan nga Greqia dhe në tetor 1916, pushtuan Korçën duke zënë vendin e pushtuesit grek, dhe u shtrinë edhe në Gorë e Opar. Vija e frontit në mes ushtrive ndërluftuese shtrihej afërsisht në vijën Vlorë-Berat-Pogradec. Kjo vijë mbeti deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore.

Traktati i fshehtë i Londrës
Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore pati pasoja të rënda për shtetin e pavarur shqiptar, të pakonsoliduar ende politikisht. Fuqitë e Mëdha që e kishin vënë Shqipërinë nën garancinë dhe kontrollin e tyre, tani kishin hyrë në luftë me njëra–tjetrën. Të dy grupet e fuqive ndërluftuese shpejtuan ta përdorin Shqipërinë edhe si objekt të planeve të tyre luftarake e politike. Në kurriz të popullit shqiptar u bënë pazarllëqe të shumta dhe marrëveshje të fshehta. Këtë gjendje të re ndërkombëtare e shfrytëzuan shtetet fqinje që lakmonin tokat e Shqipërisë. Pas shumë bisedimesh, Italia vendosi të bashkohej me fuqitë e Antantës me të cilat nënshkroi në Londër, më 26 prill 1915 një traktat të fshehtë. Traktati kishte 16 pika, ku disa prej tyre kishin të bënin drejtpërsëdrejti me Shqipërinë. Sipas traktatit, Italia do të aneksonte Vlorën, ishullin e Sazanit, krahinën e Vlorës duke përfshirë Tepelenën dhe Himarën në Jug. Lumi Vjosë, do të ishte kufi në veri. Po kështu do të krijohej një shtet i gjymtuar në Shqipërinë e Mesme, që do të varej nga Italia. Krahinat veriore do të ndaheshin midis Serbisë dhe Malit të Zi dhe ato jugore do ti jepeshin Greqisë. Me këtë traktat fuqitë nënshkruese merrnin nëpër këmbë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

Lëvizja Kombëtare gjatë luftës I Botërore. Kongresi i Durrësit
Pushtimi i vendit nga ushtritë e huaja dhe përmbajtja e Traktatit të Fshehtë të Londrës, shkaktuan shqetësime të reja për patriotët dhe për mbarë popullin shqiptar. U krijuan çeta të armatosura dhe filloi qëndresa e armatosur sidomos kundër monarkive fqinje. Komitetet kombëtare përpunuan një program politik, i cili parashikonte dy detyra kryesore; e para, sigurimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të saj, caktuar në Konferencën e Londrës; së dyti, rishikimin e kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913, duke përfshirë brenda tyre të gjitha krahinat me popullsi shqiptare që kishin mbetur jashtë. Në disa krahina të pushtuara u shfrytëzua çdo mundësi për të hapur shkolla shqipe, për të ngritur flamurin kombëtar etj. Këto përpjekje dhe kërkesa të shqiptarëve u realizuan më 10 dhjetor 1916 ku autoritet ushtarake pranuan kërkesat e shqiptarëve për të larguar administratën e vendosur nga pushtuesit grekë dhe nënshkruan marrëveshjen për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës. Sipas kësaj marrëveshjeje, krahina e Korçës do të administrohej nga shqiptarë nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Gjuha zyrtare do të ishte shqipja, do të lejohej shkolla shqipe dhe flamuri shqiptar, por këtij do t’i ngjitej një shirit trengjyrësh francez. Në administratën shqiptare të Korçës një rol të rëndësishëm luajti Themistokli Gërmenji, i cili do të pushkatohet disa muaj më vonë në Selanik. Mbarimi i luftës dhe gjendja e rrezikut të copëtimit të vendit, i shtyu grupimet politike të lëvizjes kombëtare të bashkoheshin në një kërkesë të ngutshme për formimin e një qeverie shqiptare. Kjo lëvizje gjeti mbështetje në të gjithë vendin ku u organizuan manifestime të rëndësishme, sidomos në Vlorë që trajtohej si koloni italiane. Për këtë arsye u thirr një kongres kombëtar që i filloi punimet në Durrës më 25 dhjetor 1918. Kongresi mbështeti parimin e vetëvendosjes dhe vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913 për Shqipërinë. Krijoi një qeveri të përkohshme me në krye Turhan Pashë Përmetin dhe miratoi një program politik me karakter të përgjithshëm. U shpreh për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Shpalli të pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e vendit si dhe caktoi delegatët që do të shkonin në Konferencën e Paqes në Paris. Kongresi i Durrësit dhe vendimet e tij patën rëndësi të veçantë për kohën dhe ishin me karakter kombëtar.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: zona pushtimi, Traktati i Fshehtë i Londrës, Krahina Autonome e Korçës, Themistokli Gërmenji, parim i vetëvendosjes.

PËRGJIGJUNI
1. Pse Shqipëria mbeti jashtë Konfliktit të Luftës I Botërore?
2. Cilat janë ushtritë pushtuese të territoreve shqiptare gjatë kësaj lufte?
3. Cila ishte përmbajtja e Traktatit të Fshehtë të Londrës?
4. Cilat ishin detyrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare shqiptare në këtë periudhë?
5. Cilat janë vendimet e Kongresit të Durrësit dhe pse pati rëndësi ai ?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Vëreni hartat. Formuloni përfundime për ç’ka ato paraqesin.
3. Formuloni qëndrimin tuaj. Pse qëndroi asnjanëse Shqipëria gjatë Luftës I Botërore?

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për jetën dhe veprën e Themistokli Gërmenjit. Formuloni gjykimet tuaja për Themistokliun si figurë historike.