Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 8
Republika Shqiptare (1925-1928)
Republika Shqiptare
Më 24 dhjetor 1924 Ahmet Zogu hyri në Tiranë me ushtrinë e tij. Kthimin e tij e shpalli si “triumfin e Legalitetit”. Në fuqi erdhi përsëri kabineti i Iljaz Vrionit, i cili ishte përmbysur me dhunë nga Lëvizja e Qershorit 1924. Ahmet Zogu që mbante postin e komandantit të forcave të armatosura vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në vend dhe mori masa të ashpra ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Më 6 janar 1925, A. Zogu formoi qeverinë e re të kryesuar prej tij. Më 21 janar 1925, Asambleja Kushtetuese shpalli si formë regjimi republikën dhe zgjodhi Ahmet Zogun president të saj me një mandat 7 vjeçar. Shpallja e Republikës shqiptare ishte një ngjarje me rëndësi dhe u prit mirë nga populli. Në mars 1925 u miratua Statuti Themeltar i Republikës së Shqipërisë. Sipas statutit, Republika Shqiptare ishte Republikë Parlamentare Presidenciale. Presidenti ishte edhe drejtues i qeverisë. Pushtetin legjislativ e ushtronte parlamenti i përbërë prej dy dhomash; Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Parlamenti, kishte pushtet të kufizuar pasi presidenti kishte fuqi të mëdha. Ai gëzonte të drejtën të emëronte e të pushonte ministrat e shtetit, funksionarët e lartë, oficerët etj., kur ata nuk zbatonin kushtetutën. Ai lidhte traktate dhe marrëveshje me shtete të huaja, të cilat duhet të ratifikoheshin nga të dyja dhomat. Presidenti i Republikës kishte të drejtën e vetos, nëpërmjet kësaj të drejte hidhte poshtë ligjet e miratuara në parlament, e shpërndante atë etj. Ai ishte komandant i forcave të armatosura, njëkohësisht ushtronte pushtetin ekzekutiv si kryeministër i vendit. Ahmet Zogu në vitin 1925 zotëronte shumicën e pushtetit, të cilin e kontrollonte plotësisht.
Sfidat e Zogut si president
Më 1 shkurt 1925, Zogu formoi qeverinë e re. Ai ndërmori një sërë masash për riorganizimin dhe krijimin e një administrate të rregullt shtetërore. Ligjin i ri administrativ ashtu si më parë e ndau vendin në 10 prefektura, nënprefektura dhe komuna. U rikrijua Ministria e Luftës, Ministria e Arsimit etj. Pas miratimit të statutit themeltar Asambleja Kushtetuese u shpërnda dhe presidenti shpalli dekretin për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat u zhvilluan në maj 1925. Zogu i kushtoi vëmendje riorganizimit të xhandarmërisë me instruktorë anglezë dhe ushtrisë me ndihmën e italianëve. Ai bëri përpjekje për të ofruar kundërshtarët politikë. Në tetor 1925 shpalli amnistinë e përgjithshme për të gjitha dënimet. Nëpërmjet këtyre masave Zogu ngriti një pushtet autoritar. Krahas politikës Zogu i kushtoi rëndësi edhe ekonomisë. U gjallërua veprimtaria tregtare dhe industriale e kapitalit vendas. Bujqësia vazhdonte të ishte në të njëjtat nivele. U krijua një bankë kombëtare shqiptare dhe u siguruan mjete financiare për zhvillimin ekonomik të vendit. Iu dha përparësi investimeve dhe koncesioneve të huaja dhe u nënshkruan marrëveshje tregtare me shumë vende. Në mars 1925 u nënshkrua me Italinë marrëveshjet për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe për marrjen e një huaje 50 milion frangash ari, nga Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA). Banka, filloi të jepte kredi dhe emetoi monedhën kombëtare që eliminoi shpejt qarkullimin e monedhave të huaja. Huaja e marrë nga SVEA do të shlyhej brenda 40 viteve dhe në shlyerjen e saj do të përdoreshin të ardhurat nga doganat shqiptare. Kjo hua ishte e domosdoshme për gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin financat shqiptare dhe do të përdorej për punime publike, punime bujqësore etj. Megjithatë huaja nuk u përdor siç ishte parashikuar, drejtimi i saj ndryshoi për nevojat strategjike-ushtarake italiane.
Politika e jashtme gjatë kohës së Republikës
Zogu, i kushtoi rëndësi edhe politikës së jashtme. Ai i ishte drejtuar për ndihmë edhe Lidhjes së Kombeve, por nuk pati sukses. Prandaj u mundua të lidhej me një shtet të fuqishëm siç ishte Anglia, por ajo qëndroi e tërhequr për shkak të interesave italiane në Ballkan. Qeveria shqiptare atëherë bëri përpjekje për ndërtimin e marrëdhënieve të rregullta me shtetet fqinje, Greqinë, Mbretërinë Serbo Kroato Sllovene dhe Turqinë. Qeveria shqiptare në 1925 rikonfirmonte zyrtarisht, se e njihte minoritetin grek në Shqipëri. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ajo do të respektonte të drejtat e tij mbi bazën e reciprocitetit. Mirëpo në fund të vitit 1925 marrëdhëniet shqiptaro-greke u acaruan për shkak se qeveria greke filloi shkëmbimin e popullsisë së Çamërisë (duke i cilësuar ata si turq) me popullsinë ortodokse greke që ndodhej në Turqi. Kjo ngjarje nxiti protesta të ashpra nga ana e saj në Lidhjen e Kombeve. Në vitin 1925 hyri në fuqi Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe u vendosën lidhjet diplomatike. Në vitin 1926 u nënshkrua Traktati i Tregtisë dhe i Lundrimit me qeverinë e Beogradit, si dhe u bënë përpjekje për një traktat miqësie etj. Qeveria e Beogradit u mundua të nxiste lëvizjet separatiste në vend dhe nëpërmjet tyre ta shtynte Zogun të ishte më afër politikës pro jugosllave. Rritja në numër dhe fuqizimi i kundërshtarëve të tij, e shtynë Zogun drejt afrimit në politikën e jashtme, Italinë. Brenda një kohe të shkurtër do të nënshkruheshin jo vetëm marrëveshje në fushën ekonomike, por edhe pakte politiko-ushtarake. Me Italinë u nënshkruan dy pakte: i pari më 27 nëntor 1926, ishte pakti italo-shqiptar i Miqësisë dhe Sigurimit, që u quajt Pakti I i Tiranës me afat 5 vjeçar. Nëpërmjet tij Italia fitonte të drejtën të ndërhynte në Shqipëri, në rast se cenohej statukuoja politike, juridike dhe tokësore” e saj, pra e vinte atë nën mbrojtjen e Italisë. I dyti u lidh më 11 nëntor 1927 i e quajtur Aleancë Mbrojtëse e Pandryshueshme, që njihet si Pakti II i Tiranës me një afat 20 vjeçar. Ai përcaktonte ndërhyrjen e Italisë në Shqipëri, me anën e trupave ushtarake, në rast lufte dhe agresioni të jashtëm. Marrëveshjet ekonomike dhe paktet që u lidhën me Italinë kishin si synim zhvillimin e vendit dhe sigurimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të saj. Ato nxitën dhe krijuan një farë varësie nga ndihma italiane.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: republikë, emetim monedhe, ratifikim.
PËRGJIGJUNI
1. Pse Zogu vendosi të shpallë si formë regjimi republikën?
2. Përshkruani ndërtimin e Republikës, sipas statutit themeltar të saj.
3. Cilat ishin sfidat e Zogut si President?
4. Cilat ishin reformat e ndërmarra në fushën e ekonomisë?
5. Cilat ishin arsyet që e shtynë Zogun të afrohej me Italinë?
6. Kur u nënshkruan paktet me Italinë nga qeveria e Zogut?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Ndërtoni hartën skemë të koncepteve për Paktin II të Tiranës.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni përfundimet tuaja.
KËRKONI INFORMACION
Formuloni opinionin tuaj. Kërkoni informacion dhe jepni përfundime për:
Traktati i Lozanës i vitit 1925 dhe shkëmbimi i popullsisë çame nga Greqia me atë greke ortodokse në Turqi. Ç’pasoja patën për shqiptarët?