Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 1 Mësimi 4 Organizimi ekonomik dhe shoqeror i ilirëve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 tema 1 Mësimi 4

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: koloni greke, qendra protourbane, familja patriarkale, tuma, urna.

PËRGJIGJUNI
1. Cili është roli që luajtën kolonitë greke në shkëmbimin kulturor ndërmjet dy qytetërimeve?
2. Cilat janë tiparet që evidentojnë qytetërimin ilir?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë shtrirjen e kolonive greke në territorin ilir. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Themelimi i kolonive greke ishte një proces paqësor me karakter ekonomik. Cili është mësimi që merrni nga ky
pohim? Formuloni përfundimet tuaja.
4. Bylis e Apolloni janë dy qytete antike në trojet ilire. Gjeni, cilat janë të përbashkëtat dhe veçoritë midis tyre?
Formuloni përfundimet tuaja në një raport me 500 karaktere.

Organizimi ekonomik dhe shoqëror i ilirëve

Themelimi i qyteteve ilire (shek.V-IV p.e.s.)
Në shek. V p.e.s. ilirët kishin arritur një fazë të tillë zhvillimi sa që ishin të aftë të themelonin qytete të tyre, sipas modelit të qyteteve më të hershme greke dhe sidomos të kolonive si Epidamni dhe Apollonia, që në këtë kohë ishin zhvilluar dukshëm. Ndër qytete e para ilire të themeluara në fund të shek. V p.e. s. përmendim Nikaja (Klos, Mallakastër) dhe Amantia. Shek. IV-III p.e.s. përbëjnë dhe periudhën e lulëzimit të qytetërimit ilir. Qytete të madhësive të ndryshme themelohen gjatë kësaj periudhe në pjesën më të madhe të territorit të banuar nga ilirët. Ndër qytetet e mëdha (me sipërfaqe mbi 20-30 ha) mund të përmendim Bylisi, Amantia, Skodra, Lissos, qyteti ilir në Gurzezë( Cakran). Qytete me madhësi mesatare për kohën (me sipërfaqe 10-20 ha) ishin Nikaja (Klosi në Mallakastër), Dimali (Krotinë, Berat), Antipatrea (Berati), qytetet ilire në Zgërdhesh (Albanaopolis ), Meteoni, Ulcini dhe Rizoni (Mali i Zi) etj. Qytete më të vogla (me sipërfaqe deri në 5ha) ishin qytetet ilire në Margëlliç (Patos), në Belsh, Olympia (Mavrovë) në Irmaj (Gramsh) etj.

Tiparet kryesore të qytetit ilir, ashtu si dhe qytetet greke bashkëkohore, ishin: muri rrethues mbrojtës, qendra e qytetit-agoraja ku ishin ndërtuar objektet publike si teatri, stadiumi, shëtitore, tempuj etj. dhe lagjet e banuara. Muri rrethues i Bylisit është i gjatë 2250 m me gjerësi 3,5 m dhe lartësi maksimale 9m. Disa qytete ilire luanin rolin e kryeqytetit për një bashkësi të caktuar. I tillë ishte qyteti i Bylisit, i cili luante rolin e kryeqytetit të bashkësisë byline në të cilën bënin pjesë edhe qytete të tjera si Nikaja, qytetet ilire në Margëlliç dhe Gurzezë si dhe qendra më të vogla qytetare si Gradishta e Belishovës, qyteza e Cfirit dhe ajo e Rabijes. Bashkësia byline dëshmon një sistem të zhvilluar të organizimit territorial me njësitë më të vogla fshatrat, qendrat e vogla qytetare por edhe me funksion mbrojtës (Rabija, Cfiri, Gradishta e Belishoës) qytetet (Nikaja, qytetet ilire në Margëlliç dhe Gurëzezë) dhe kryeqytetin Bylisin. Kjo shpjegon edhe faktin pse teatri i Bylisit kishte kapacitet prej 7500 vendesh kur vet qyteti nuk kishte më shumë se 5 mijë banorë, sigurisht kemi të bëjmë me teatrin e një bashkësie. Sistemi i qeverisjes ishte i ngjashëm me qytetet greke ku kishte një këshill-bulea dhe një qeveritar-prytani që zgjidhej çdo vit. Vendimet më të rëndësishme i merrte mbledhja e popullit-damosia. Disa prej qyteteve ilire si Bylisi, Amantia, Lissos, Skodra, Damastioni etj. prenë dhe monedhat e tyre dëshmi kjo e fuqisë ekonomike dhe politike të tyre.

Ilirët gjatë shek.V-II p.e.s. zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i tyre
Krijimi i qyteteve në pjesën më të madhe të territorit të banuar nga ilirët duke filluar nga shek.V p.e.s dhe përhapja e madhe e tyre gjatë shek. IV-III p.e.s. janë dëshmi e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të tyre. Qytetet ishin dëshmi e përparimit dhe fuqizimit ekonomik të bashkësive të ndryshme ilire (bylinët, amantët etj.). Po të kemi në konsideratë së ilirët kishin fqinjë qytetërime të zhvilluara si ai grek dhe romak bëhet edhe më kuptimplotë fakti se ilirët krijuan qytetërimin e tyre pavarësisht ndikimeve të pranueshme nga fqinjët e tyre. Ekonomia ilire njohu nivele të larta zhvillimi. Perfeksionimi i veglave të punës dhe kultivimi i llojeve të ndryshme të bimëve, zarzavateve dhe frutave dëshmonin një bujqësi të zhvilluar sidomos në zonat më pjellore (Iliria e Jugut). Në zonat kodrinore dhe malore përparësi kishte blegtoria, pemëtaria dhe pyjet. Peshkimi dhe gjuetia ishin më të pranishme në zonat bregdetare, lumenjtë dhe liqenet. Prodhimi i verës dhe vajit të ullirit njohën rritje të dukshme. Lindja e qyteteve i dha hov zhvillimit të zejtarisë. Prodhimi i enëve prej balte bëhej tashmë në pothuajse çdo qytet ndërkohë që prodhimi i tullave dhe tjegullave si nevojë për ndërtime të shumta u bë një industri më vete. Dëshmi për këtë janë pronarët ilirë të punishteve të tyre të cilët vulosin prodhimet me emrin e tyre. Në qytete të ndryshme u zhvilluan edhe zejtari për përpunimin e metalit për prodhimin e veglave dhe mjeteve të punës, armëve, stolive, orendive shtëpiake etj. Industria e përpunimit të gurit merr hov nga kërkesat e shumta për ndërtime publike dhe private. I gjithë ky zhvillim ekonomik u shoqërua me rritjen e tregtisë si brenda territorit ilir ashtu dhe me fqinjët kryesisht me qytetet greke dhe duke filluar nga shek. IV.p.e.s. edhe me qytete të Italisë kryesisht të Jugut. Objektet e shumta arkeologjike të gjetura gjatë gërmimeve në qendra të ndryshme, por sidomos në nekropole (varreza) na japin një tablo të qartë të këtyre marrëdhënieve. Qarkullimi në rritje i monedhave nga qytete të ndryshme greke, por sidomos i atyre të Apolonisë dhe Epidamnit dhe prerja e monedhave nga disa qytete ilire ishin shprehja më e qartë e nivelit të lartë të tregtisë dhe këmbimit brenda dhe jashtë territorit. Zhvillimi ekonomik solli edhe ndryshime pozitive në shoqërinë ilire. Pavarësisht se shumica e ilirëve vazhdonin të banonin në fshatra lindja e qyteteve krijoi një panoramë të re. Tashmë dalin në skenë shtresa të reja shoqërore si tregtarët, zejtarët, pronarët e punishteve dhe të anijeve, nëpunësit e administratës së qyteteve etj. Banesat me sipërfaqe 600-700 m2 të zbuluara në Bylis dhe Antigone si dhe inventari i pasur i një pjese të varreve dëshmojnë se shtresa të caktuara të shoqërisë ilire kishin të njëjtin standard jetese me qytetarë të pasur grekë dhe romakë. Edhe banorët e fshatrave bëjnë një jetë më të zhvilluar pasi tashmë tregtojnë prodhimet e tyre në qytete dhe marrin pjesë në aktivitete artistike e sportive në qendrat qytetare pranë tyre. Një pjesë e ilirëve kishin mundësi të arsimoheshin në gjimnazet jo vetëm në Apoloni dhe Epidamn dhe në qytete më të largëta të Greqisë dhe Italisë, por edhe në qytetet ilire si Bylis, Amantia etj.

Organizimi shtetëror në territoret ilire. Konfederatat dhe mbretëritë
Organizimi shtetëror i ilirëve ka kaluar në disa faza me trajektore perfeksionimi. Nevoja për bashkim të disa fiseve lindi për t’ju bërë ballë sulmeve për grabitje dhe nënshtrim nga fise të tjera dhe anasjelltas. Ndërmarrja e sulmeve të tilla dhe mbrojtja nga kundërshtari kërkonin mobilizim forcash që nuk mund t’a përballonte një fis i vetëm. Të tilla sulme dëshmohen gjatë shek. VIII-V p.e.s. si ai i enkelejve në territorin grek deri në Delf dhe ai i liburnëve deri në Korkyrë ku themeluan edhe një koloni të tyren. Bashkimi i disa fiseve solli lindjen e federatave të para fisnore dhe si formë më e lartë organizimi në krijimin e konfederatave në periudhën midis shek. VIII-V p.e.s. Nga të dhënat historike dëshmohet Federata e Taulantëve e udhëhequr nga Galauri, e cila sulmoi Maqedoninë fqinje. Federata krijuan edhe fiset Thesprote, Kaone, Parauejt, Orestët, Lynkestët, Paionët, Dardanët etj. Federatat fisnore drejtoheshin nga një prijës në rolin e mbretit-basileus i cili ishte një prijës ushtarak që rridhte nga aristokracia por në disa raste edhe trashëgimtar i tij. Federatat nuk ishin shtete apo mbretëri të mirëfillta për nga organizimi dhe funksioni. Ato kishin rol të rëndësishëm vetëm gjatë situatave luftarake sulmuese ose mbrojtëse. Në kohë paqe roli i tyre ishte më i dobët. Kjo sillte edhe paqëndrueshmërinë e tyre dhe dominimin herë të një federate herë të një tjetre. Disa federate fisnore ilire gjatë shek. Vp.e.s. ishin shndërruar në faktorë të rëndësishëm politik. E tillë ishte ajo e Taulantëve që ndërhyri në luftën civile të vitit 436 p.e.s. në Epidamn dhe ajo e Lynkestëve e udhëhequr nga Arrabeu në luftërat kundër maqedonasve. Edhe federatat e Kaonëve, Thesprotëve dhe Mollosëve marrin pjesë në ngjarjet luftarake të vitit 423 p.e.s. në Greqi duke u bërë aleatë me Lakedemonët kundër Athinës. Këto ngjarje dëshmojnë se tashmë federate të ndryshme ilire nuk synojnë vetëm grabitje të fqinjëve por edhe nënshtrim të tyre gjë që tregon se po shkohet drejt një organizimi të ri dhe më të lartë shtetëror ai i mbretërive dhe shteteve ilire.