Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu:
Lexoni në libër Historia 11 Tema 1 Mësimin 1
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Parahistori, Xarë, Kryegjatë, Dajt, Gajtan.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë kulturat parahistorike në trojet historike shqiptare?
2. Si u zhvilluan ato?
3. Cilat janë veçoritë e organizimit shoqëror në parahistori?
4. Cilat janë shkaqet dhe pasojat e ndryshimit të shoqërisë në parahistori?
5. Si u bë kalimi nga epoka e gurit në atë të metaleve?
6. Cila është rëndësia e ndryshimeve që solli lindja e bujqësisë dhe zbulimi i metaleve në jetën e njeriut?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në Hartën arkeologjike të Shqipërisë, fq. 7, qendrat e banuara parahistorike.
Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin. Meqenëse, kemi të bëjmë me banorë ende të paidentifikuar si popuj të caktuar, banorët që jetonin në jug-perëndim të gadishullit ballkanik janë njohur më vonë, nga burime të shkruara greke, me emrin e përbashkët pellazgë. Formuloni përfundimet tuaja.
KËRKONI INFORMACION
A ka gjurmë të parahistorisë në vendbanimin tuaj?
Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.
Kulturat parahistorike në territoret historike shqiptare Periudha nga shfaqja e njeriut afro 2 milionë vite më parë deri në shpikjen e shkrimit afro 5500/5000 vite më parë njihet si periudha prehistorike (parahistoria, shih tabelën në faqen 5).
Gjatë periudhës së Paleolitit (guri i vjetër, afro 2 milionë deri në 20 mijë vjet p.e.s.) njeriu mësoi të përgatisë vegla, mjete prej guri dhe kocke për gjuetinë e kafshëve të egra. Burimet kryesore të sigurimit të ushqimit në këtë periudhë ishin gjuetia dhe mbledhja e fryteve të bimëve. Nga gjuetia njerëzit e kësaj periudhe siguronin mishin, përdorimi i të cilit ndihmoi në zhvillimin e trurit. Prej saj ato siguronin njëkohësisht lëkura për veshje dhe ndërtimin e tendave për banim, kocka, brirë dhe dhëmbë për përgatitjen e veglave. Gjuetia ishte aktivitet që kryhej nga meshkujt, ndërsa femrat merreshin kryesisht me mbledhjen e fryteve të bimëve dhe aktivitete të tjera familjare. Njerëzit e periudhës së Paleolitit ishin nomadë dhe zhvendoseshin vazhdimisht në kërkim të ushqimit. Ata jetonin në grupe të vogla dhe përdornin për strehim sidomos shpella dhe kasolle të thjeshta gjatë qëndrimit në një vend të caktuar. Krahas përgatitjes së veglave arritja më e madhe e njeriut të kësaj periudhe ishte zbulimi i zjarrit, në fund të periudhës, që i dha mundësi për gatimin e ushqimit dhe ndriçimin e shpellave ku banonin.
Afro 100 mijë vjet p.e.s. njerëzit filluan të varrosnin të vdekurit. Trojet shqiptare, për kushtet natyrore dhe klimatike të përshtatshme, ofronin mundësi të mira për banim që në periudhat më të hershme. Gjurmët më të vjetra të pranisë njerëzore në këto troje të zbuluara deri më sot datojnë rreth 30 mijë vjet p.e.s. që njihet edhe si periudha e paleolitit të vonë. Vendbanime të kësaj periudhe janë zbuluar në fshatin Xarë (Sarandë), në një shpellë në Konispol, pranë fshatit Kryegjatë (Fier), në Dajt (Tiranë) dhe në fshatin Gajtan (Shkodër) – ku gjetjet kryesore përbëhen nga vegla pune dhe armë gjahu të përgatitura nga gur stralli dhe kocke. Gjatë periudhës së Mezolitit (guri i mesëm, nga 20 mijë deri 9.5/8 mijë vjet p.e.s.) njeriu përsosi mënyrën e përgatitjes së veglave prej guri dhe kocke, dhe filloi të bënte një jetë më të qëndrueshme. Dëshmitë për këtë periudhë vijnë nga vendbanime të zbuluara në Vlush (Skrapar), në një shpellë në Goranxi (Gjirokastër), si dhe në Kryegjatë (Fier) – dëshmi e vazhdimit të jetës në këtë vendbanim që nga epoka e paleolitit të vonë. Edhe në këto vendbanime gjetjet kryesore janë vegla pune dhe armë prej stralli. Gjetja e majave të shigjetave dëshmon se banorët e kësaj kohe përdornin harkun me shigjeta, një armë gjuetie mjaft e rëndësishme për sigurimin e ushqimit.
Veçoritë e organizimit shoqëror në parahistori
Periudha e Neolitit (guri i ri, nga 8 mijë deri 5/4.5 mijë vjet p.e.s.) përfaqëson fazën më të avancuar për njeriun. Tashmë njerëzit jetojnë, për një periudhë më të gjatë, në vende të pasura me ushqim. Afro 8 mijë vjet p.e.s. njerëzit mësuan të kultivojnë disa bimë, si dhe të rrisin kafshë, si: dele, dhi dhe derra. Kjo shënon lindjen e bujqësisë dhe blegtorisë gjë që e detyroi dhe i dha mundësinë njeriut të qëndronte më gjatë në një vend të caktuar. Vazhdimi i jetës në trojet shqiptare nga epoka e paleolitit të vonë gjatë epokës së mezolitit dhe në vijim në epokën e neolitit kishin bërë që brez pas brezi njerëzit të përmirësonin njohuritë dhe aftësitë e tyre për një jetesë më të mirë dhe më të sigurt. Dëshmitë e këtyre përmirësimeve janë të shumta. Kështu tashmë veglat e punës dhe armët janë më të përsosura dhe më të shumta në lloje. Krahas veglave të mëparshme shpiken të reja, si:
çekanë, sqeparë, sëpata, mokra, thika, shpuese, rrëmihëse etj. që e lehtësonin punën dhe lejonin kryerjen e proceseve të ndryshme të punës. Armët vazhdojnë të jenë të ngjashme me ato të mëparshmet, por me cilësi më të mirë. Krahas veglave të punës dhe armëve banorët e neolitit shpikën poçerinë. Një nga arritjet e rëndësishme të banorëve të Neolitit ishte përgatitja e enëve prej balte të pjekur që përmirësoi ndjeshëm mënyrën e jetesës sidomos për përgatitjen e ushqimit dhe asimilimin më të mirë të tij. Përveç ushqimit njerëzit e kësaj kohe kishin dëshirë për zbukurim, siç dëshmohet nga gjetja e stolive të tilla, si: unaza, gjerdanë me guaska etj. Përmirësimi i kushteve të jetesës në epokën e neolitit bëri të mundur krijimin e vendbanimeve, në ato vende që kishin kushte më të përshtatshme jo vetëm për mbrojtje, por edhe për ushqim. Kjo bëri që tanimë vendbanimet të ngrihen edhe në fusha si në rastin e vendbanimeve në Cakran, Mollaj (Fier) apo në kodra si në Aranitas dhe Lalar (Fier). Vendbanime të neolitit janë zbuluar në një territor mjaft të gjerë që shkon, në veri në Kolsh (Kukës), Reshtan (Prizren), ndërsa në jug-lindje në Maliq dhe Dunavec (Korçë). Në këto dy vendbanime janë zbuluar ndërtime të llojit palafit.
Zbulimi i banesave të banorëve të epokës së neolitit në Cakran, Maliq dhe Dunavec dëshmojnë për një jetesë më të organizuar të tyre, ndërkohë që një pjesë e tyre vazhdojnë të përdorin ende shpellat si vendbanim, aty ku ishte më e përshtatshme. Tashmë krahas gjuetisë njerëzit merren edhe me bujqësi. Nga mbledhja e frutave, farave dhe bimëve të ndryshme kaluan në kultivimin e drithërave të para si gruri dhe zarzavateve, si: fasule, qiqra etj. Këto janë të dëshmuara nga zbulimet arkeologjike. Ata u morën edhe me blegtori. Meqenëse meshkujt vazhdonin të merreshin kryesisht me gjueti dhe peshkim, gratë merreshin me bujqësi dhe blegtori, të cilat ushtroheshin pranë vendbanimit dhe tani luanin një rol të rëndësishëm në sigurimin e ushqimit. Ky rol i gruas në sigurimin e ushqimit në epokën e neolitit bëri që ajo të luante rol vendimmarrës në jetën e përditshme që ka marrë emrin matriarkat.
Gjatë epokës së neolitit banorët në trojet shqiptare, ashtu si dhe në rajone të tjera të Adriatikut dhe Egjeut, kishin hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit që më pas do të ndikojë në krijimin e popullsisë ilire. Zbulimi i vendbanimeve të periudhës së neolitit me banesat, veglat, armët dhe stolitë janë dëshmi të një niveli jetese të mirëorganizuar të banorëve të kësaj kohe. Zhvillimi i degëve të tilla të ekonomisë, si: poçaria dhe përsosja e veglave, armëve dhe stolive krijuan kushte për lindjen e fenomenit të këmbimit të mallrave, siç dëshmohet nga gjetjet në një sërë vendbanimesh të enëve dhe mallrave nga rajone të ndryshme të Ballkanit. Meqenëse kemi të bëjmë me banorë ende të paidentifikuar si popuj të caktuar, banorët që jetonin në jug-perëndim të gadishullit ballkanik janë njohur më vonë, nga burime të shkruara greke, me emrin e përbashkët pellazgë. Gjatë periudhës së njohur si Eneolit (4.5 mijë deri në 2.5 mijë vjet p.e.s.) u zbulua metali i parë, bakri, prej të cilit filluan të përgatiten vegla pune dhe armë, por që nuk ishin shumë të forta për vetë natyrën e metalit gjë që bëri të vazhdonte përdorimi i veglave dhe armëve prej guri dhe kocke deri në shpikjen e bronzit. Shpikja e bronzit rreth 2500 vjet p.e.s. ishte një revolucion i vërtetë nga pikëpamja e nivelit të jetesës dhe shkëputja përfundimtare nga epoka e gurit. Me shpikjen e metaleve, proces që kryhej nga meshkujt, ndryshon dhe raporti i tyre me gratë duke shënuar dhe fillimin e patriarkatit (sundimi i burrit).