Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 2 Mësimi 6: Arti, kultura, besimi, letërsia dhe arsimi në Arbërinë mesjetare

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mësimi 6

Arti, kultura, besimi, letërsia dhe arsimi në Arbërinë mesjetare

Arti, kultura, letërsia dhe arsimi në Arbërinë mesjetare
Gjatë periudhës mesjetare ndodhën ndryshime të rëndësishme në Arbëri edhe në fushën e artit, kulturës, letërsisë, arsimimit dhe besimit fetar. Kalimi i trojeve arbërore nga sundimi romak në atë bizantin si dhe dyndjet sllave patën ndikimin e tyre edhe në fushën e artit, kulturës dhe besimit fetar. Gjatë kësaj kohe ndodhi dhe kalimi nga ilirët tek arbrit i dëshmuar si proces vazhdimësie por në kushtet e reja të krijuara.
Arsimimi. Gjatë periudhës mesjetare shumica e popullsisë arbërore si në shumicën e popujve të Ballkanit kishte mundësi të pakta për arsimim. Realisht mungonin shkollat klasike dhe rolin e tyre e luanin shkollat fetare, të cilat funksiononin pranë kishave katedrale dhe manastireve ndërkohë që në fshatra nuk mund të bëhej fjalë për prani të shkollave. Shkollat fetare ishin organizuar në dy cikle, cikli i ulët ku zhvilloheshin lëndë të tilla si didaktika, gramatika dhe retorika dhe cikli i lartë më lëndë të tilla si aritmetika, gjeometria, astronomia dhe muzika. Në trojet arbërore shkolla të tilla funksiononin në Durrës, Berat, Ohër, Tivar, Shkodër, Drisht, Gllavinicë, Mesopotam etj. Përsa i përket gjuhës mësimi zhvillohej në gjuhën greke në institucionet fetare të besimit ortodoks dhe latinisht në institucionet fetare të besimit katolik. Sigurisht vetëm një pjesë e kufizuar e fëmijëve kishin mundësi të frekuentonin këto shkolla. Në fshatra situata ishte edhe më e vështirë pasi në shumicën e tyre i vetmi person i arsimuar ishte prifti i fshatit qoftë ky ortodoks apo katolik. Mësimi jepej nga priftërinjtë ose murgj, të cilët jo rrallë merreshin edhe me art, shkencë dhe letërsi. Një numër i kufizuar njerëzish arsimoheshin në Bizant, Venedik, Raguzë, Napoli dhe Romë. Mungesa e shkollave fetare dhe laike në gjuhën shqipe ndikoi negativisht në lindjen dhe përhapjen e shkrimit shqip.

Arti. Shprehja kryesore e artit gjatë periudhës së Mesjetës ishte arti religjioz. Kishat dhe manastiret ishin jo vetëm vatra të arsimit, por edhe të artit. Arti kryesor në këto institucione fetare kishte të bënte me arkitekturën e tyre ku përdoreshin kolona, kapitele, arkada etj. Një nga shprehjet më të dukshme të artit në institucionet fetare sidomos në bazilikat ishte zbukurimi i dyshemeve të tyre me mozaik shumëngjyrësh ku dominonin skenat religjioze, por nuk mungonin skena nga jeta e përditshme dhe motivet zbukuruese gjeometrike, bimore dhe nga bota e kafshëve. Dëshmi të rëndësishme nga këto monumente janë zbuluar në qytetin antik të Bylisit, ku në 5 bazilika të tij ndodhen rreth 1000 m2 dysheme të shtruara më mozaikë shumëngjyrësh. Bazilika të tjera të pasura si me elemente arkitektonike ashtu dhe me mozaikë janë ato në Arapaj (Durrës), Lin (Pogradec), Butrint, Amantia, Paleokastër, Tushemisht etj. Përveç zbukurimit arkitekturor dhe dyshemeve me mozaikë në ndërtimet fetare sidomos gjatë periudhës bizantine shtohen pikturimet e mureve (afresket) dhe pikturimi në dru (ikonat). Nga pikëpamja arkitektonike kishat ortodokse kishin ndikim bizantin ndërsa ato katolike ndikim roman. Perandorët bizantinë futën në ikonografinë kishtare paraqitjen e figurës së tyre dhe të familjarëve duke identifikuar veten si përfaqësues të Zotit në tokë. Arkitektura e ndërtimeve civile ishte më e kufizuar. Banesat në fshat ishin zakonisht të vogla dhe të thjeshta ndërsa banesat e fisnikëve dhe shtresës së pasur në qytete ishin më të mëdha dhe më komode. Materiali kryesor i ndërtimit të banesave ishte guri dhe druri shpesh të kombinuara midis tyre. Si pasojë e situatës së trazuar ndërtimet me karakter mbrojtës njohën përhapje dhe zhvillim sidomos gjatë shek. V-VI kur perandori bizantin, me origjinë ilire Anastasi, ndërtoi një mur mbrojtës të fuqishëm në qytetin e tij të lindjes Durrës dhe perandori tjetër, po me origjinë ilire Justiniani ndërmori një fushatë të rindërtimit të fortifikimeve të vjetra të dëmtuara dhe ndërtimin e atyre të reja. Ndërtimet me karakter mbrojtës ishin kryesisht kështjella si ato në Berat, Shkodër, Lezhë, Shurdhah, Krujë, Rodon, Petrelë, Kaninë etj.

 

Krijimtaria gojore dhe letërsia e shkruar
Është një nga format më jetëgjata të transmetimit të krijimtarisë popullore e shprehur nëpërmjet baladave, eposit, gojëdhënave, fjalëve të urta popullore, përrallave, bejteve etj. Rëndësia e krijimtarisë gojore në kushtet e mungesës së letërsisë së shkruar shqipe deri në shek. XV bëhet akoma më e vyer. Janë të njohura eposi i kreshnikëve Muji dhe Halili dhe balada e Konstantinit dhe Doruntinës, që i bëjnë jehonë rezistencës së arbërve ndaj ekspansionit sllav. Letërsia e shkruar gjatë Mesjetës kishte kryesisht karakter fetar e dëshmuar sidomos nëpërmjet librave (kodikët) dhe kronikave kishtare. Me gjithë karakterin fetar në disa raste kronikat japin informacion edhe për ngjarje jo fetare si në rastin e peshkopit Mihail, nga Devolli i cili në një prej kronikave të tij përshkruan luftime midis bizantinëve dhe bullgarëve ndërsa një peshkop tjetër Teofilait i Ohrit në kronikën e tij jep informacion për banorët e kësaj peshkopate. Edhe kodikët, të cilët fillojnë të shkruhen nga shek. VI deri në shek. XIII krahas aspektit religjioz (ungjijve) japin informacione për jetën e përditshme si dhënia e së drejtës, trashëgimia e pasurisë si rezultat i martesës ose ndarjes etj. Disa prej kodikëve të shkruar në trojet arbërore për vlerat e veçanta që përfaqësojnë janë shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore botërore (kodikët e Beratit). Gjuha e shkruar e përdorur në trojet arbërore ishte greqishtja dhe latinishtja në varësi të përkatësisë fetare apo zonës së influencës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për administratën qeverisëse dhe atë të principatave arbërore. Kështu kisha ortodokse dhe administrata bizantine përdornin gjuhën greke ashtu si disa principata në jug si ajo e Muzakajve, e Artës etj. ndërsa kishat katolike, manastiret dhe administrata anzhuine si dhe principatat arbërore në veri si ajo e Balshajve përdornin si gjuhë të shkruar latinishten. Bëhet fjalë gjithnjë për gjuhën zyrtare dhe atë në ritet fetare pasi banorë në komunikimin midis tyre përdornin gjuhën arbërore.

Mjeshtërit popullor
Të gjitha realizimet në monumentet e trashëgimisë kulturore të periudhës bizantine janë vepra të mjeshtërve arbërorë të cilët shquhen për nivelin e lartë si në ndërtim ashtu dhe në arkitekturë, afreske, ikonografi, skulpturë, skenat me mozaikë dhe deri tek veshjet e kohës. Niveli i lartë i realizimit të këtyre veprave arkitekturore dhe artistike dëshmojnë praninë e shkollave arbërore në fushat përkatëse. Njëri prej këtyre mjeshtërve ka lënë dëshminë e tij në realizimin e epitafit të peshkopatës së Gllavinicës (Ballshit), një vepër e rrallë për kohën. Në epitaf shkruhet: 
Lexim:
’’U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm, Kalistit të Gllavinicës dhe Beratit, në muajin mars 22 viti 6881 (1373).Ti që zotëron jetën, ah! (si) je trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërinjve të shumë lartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arë qëndisësit’’.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Shkollat fetare, arti religjioz, afresket, ikonat, Muji, Halili, kodikë, ungjijve

PËRGJIGJUNI
1. Cilët ishin faktorët që ndikuan zhvillimin e artit, kulturës dhe besimit fetar tek arbrit?
2. Si u bë procesi kalimit nga ilirët tek arbrit?
3. Cilat janë tiparet e arsimit në Arbëri?
4. Pse nuk lindi dhe u përhap shkrimi shqip në trojet arbërore?
5. Cili është roli i krijimtarisë gojore në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të gjuhës shqipe?
6. Cili është karakteri i letërsisë së shkruar tek arbrit? Pse?
7. Ku u shquan mjeshtrit arbëror?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimet. Gjuha e shkruar e përdorur në trojet arbërore ishte greqishtja dhe latinishtja në varësi të përkatësisë fetare apo zonës së influencës. Argumentoni dhe formuloni përfundimet tuaja.

KËRKONI INFORMACION
1. Cili është zhvillimi i artit, kulturës, besimit, letërsisë dhe arsimit në vendbanimin tuaj mesjetar?
2. Vlerat mesjetare arbërore të mbrojtura nga UNESKO. Gjetjet tuaja diskutojnë në klasë.