Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 12: Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 12

Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë

Lufta I Ballkanike dhe shqiptarët
Përfundimi i kryengritjes së vitit 1912 dhe bisedimet e shqiptarëve me komisionin qeveritar osman shkaktuan shqetësime të mëdha tek qeveritë Ballkanike. Kjo çoi në intensitetin e lëvizjeve diplomatike, në lidhjen e aleancave të fshehta nga shtetet ballkanike, njëkohësisht edhe në përshpejtimin e përgatitjeve për të sulmuar Perandorinë Osmane. Më 8 tetor 1912 Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Dhjetë ditë më pas i shpallën asaj luftë Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Nisi kështu Lufta I Ballkanike. Më 14 tetor 1912 atdhetarët organizuan në Shkup, qendër e vilajetit të Kosovës një mbledhje të ngutshme ku njoftoheshin Fuqitë e Mëdha se populli shqiptar po rrokte armët për ti dal zot vetes. Mbledhja e Shkupit caktoi një delegacion që të merrej vesh me viset e tjera shqiptare për organizimin e një kuvendi kombëtar, i cili do të shqyrtonte gjendjen dhe do të vendoste për fatin e atdheut. Lufta I Ballkanike u shndërrua në një luftë grabitqare kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë. Këtë e tregojnë veprimet luftarake. Brenda një kohe të shkurtër ushtritë aleate e thyen ushtrinë osmane në të gjitha frontet dhe nisën marshimin drejt viseve shqiptare. Forcat serbe pushtuan Kosovën dhe iu drejtuan Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme. Ndërsa forcat malazeze pushtuan krahinat veriore dhe rrethuan Shkodrën. Grekët rrethuan Janinën, pushtuan Sazanin, Himarën dhe disa fshatra përreth. Fitoret e shpejta të ushtrive të Aleancës Ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha, në fund të tetorit 1912, të deklaronin pamundësinë e ruajtjes së statusquosë në Ballkan. Zhvillimi i shpejtë i Luftës Ballkanike i shtyu atdhetarët shqiptarë që ndodheshin jashtë vendit, me nismën e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqi të ndërmerrnin veprime të rëndësishme organizative dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Për më tepër këtë ide e përkrahu edhe qeveria austro-hungareze. Në kushtet e reja politike dhe kur sundimi i Perandorisë Osmane në Ballkan po shembej, zgjidhja më e drejtë e çështjes shqiptare nuk ishte më autonomia, por pavarësia e plotë. Me këtë ide kthehej në atdhe grupi i patriotëve shqiptar i kryesuar nga Ismail Qemali.

Kuvendi i Vlorës
Më 21 nëntor Ismail Qemali arriti në Durrës dhe së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme më 25 nëntor mbërritën në Vlorë. Duke parë përparimin e shpejtë të forcave serbe drejt Shqipërisë së Mesme, patriotët e Tiranës, Durrësit, Kavajës Peqinit dhe të Lushnjës ngritën flamurin kombëtar duke I vënë pushtuesit para faktit të kryer. Në këto kushte pa arritur ende delegatët e disa krahinave, më 28 nëntor 1912 u çel Kuvendit Kombëtari Vlorës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali. Kuvendi Kombëtar vendosi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të gjithë delegatët nënshkruan aktin historik të kësaj ngjarjeje madhore të kombit shqiptar. Para popullit të mbledhur jashtë godinës së Kuvendit u ngrit flamuri kombëtar. Njëkohësisht Kuvendi miratoi themelimin e institucioneve qeverisëse të shtetit të ri shqiptar: qeverinë e përkohshme dhe pleqësinë. Qeveria ishte organi më i lartë i administratës shqiptare. Kryetar u zgjodh Ismail Qemali. Kuvendi zgjodhi edhe Pleqësinë që kishte karakter këshillimor me kryetar Vehbi Dibrën. Qeveria shpalli qëndrimin e saj neutral në Luftën e parë Ballkanike dhe kërkoi largimin e trupave pushtuese. Këto ishin aktet e para me karakter kushtetues, që qëndruan në themel të shtetit të ri shqiptar.

 

Rëndësia e Shpalljes së Pavarësisë
Shpallja e Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Me këtë akt, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë dhe i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Ballkanit. Shpallja e pavarësisë ishte një fitore e madhe jo vetëm në luftën kundër sundimit osman, por edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje Ballkanike, kundër synimeve dhe planeve copëtuese të tyre në kurriz të shqiptarëve. Shpallja e pavarësisë dhe ngritja e flamurit ishte një fitore e kombit shqiptar, nga Kosova në Veri deri në Çamëri në Jug si dhe për të gjithë diasporën shqiptare kudo në botë.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Lufta I Ballkanike, Kuvendi i Vlorës, Ismail Qemali, Pleqësia, Vehbi Dibra, qeverinë e përkohshme dhe pleqësinë, diasporë.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat shtete ishin pjesë e aleancës Ballkanike?
2. Çfarë karakteri pati Lufta I Ballkanike?
3. Çfarë qëndrimi mbajtën shqiptarët ndaj luftës Ballkanike?
4. Në ç’kushte u mblodh Kuvendi i Vlorës për shpalljen e pavarësisë?
5. Cilat janë vendimet e Kuvendit të Vlorës?
6. Cila është rëndësia e aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Cili është refleksioni juaj për Kuvendin e Vlorës? Diskutoni në klasë qëndrimet tuaja

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për:
1. Jetën dhe veprën e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të qeverisë kombëtare shqiptare. Formuloni përfundimet
tuaja për mësimet që do të nxirrni për jetën dhe veprën e tij. Diskutoni në klasë gjetjet tuaja.
2. Përfaqësuesit e vendbanimit tuaj në kuvendin e Vlorës ose në shpalljen e pavarësisë së qytetit tuaj.