Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 11
Shqiptarët në Jugosllavi gjatë viteve 1945-1990
Kosova nën administratën ushtarake
Në nëntor të vitit 1944 trupat gjermane u larguan nga Ballkani, për rrjedhojë edhe nga Kosova. Ata lanë pas një histori të shtuar “konfliktuale” midis shqiptarëve, të Kosovës e viseve të tjera shqiptare, nga njëra anë, dhe serbëve, nga ana tjetër. Gjatë luftës, si Italia dhe Gjermania bënë bashkimin territorial të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, duke realizuar kështu për pak kohë ëndrrën shumëshekullore të tyre për të qenë të bashkuar me trungun mëmë-Shqipërinë. Nën italianët dhe gjermanët u hapën mbi 100 shkolla shqipe të arsimit fillor, që nën regjimin serb ishin të ndaluara. Nga ana tjetër pushtuesit shpërngulën rreth 70 000 kolonë serbë nga Kosova. Shqiptarët, të cilët kundërshtonin pushtimin italianë dhe gjermanë u vunë në pozitë të vështirë prej kësaj situate. Nga ana tjetër, PK të të dy vendeve, PKJ dhe PKSH, propagandonin internacionalizmin proletar. Nacionalistët shqiptar në Kosovë e vise të tjera shqiptare, kundërshtar të komunizmit, kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ata nuk e lejuan ushtrinë jugosllave të hynte në Kosovë, megjithëse Tito kishte deklaruar se pas lufte do të lejonte shqiptarët të vetëvendosnin për ardhmërinë e tyre. Problemet e reja që u krijuan gjatë luftës si dhe ato të vjetra i bindën të dy palët se nuk mund të vendosnin paqësisht për statusin e shqiptarëve. Nga ana tjetër PKJ dhe PKSH, të cilat e vazhduan bashkëpunimin edhe pas luftës, kishin rënë dakord që trupa të ushtrisë shqiptare të hynin në Kosovë e në viset e tjera shqiptare për të luftuar armikun dhe reaksionin. Nga Shqipëria marshuan Divizioni V dhe Divizioni VI, i Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH). Trupat shqiptare kapën udhëheqësin antikomunist shqiptar, Gani Kryeziun dhe ja dorëzuan ushtrisë jugosllave. Gani Kryeziu ishte një figurë politike dhe ushtarake shqiptare, aktiviteti i të cilit u zhvillua në Shqipërinë Verilindore dhe në Kosovë. Veprimi që bëri UNÇSH i irritoi shqiptarët e Kosovës. Pas hyrjes së divizioneve të ushtrisë shqiptare, ushtria jugosllave e drejtuar nga Tito, hyri lehtë në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare. Me hyrjen e ushtrisë jugosllave, u shënua rikthimi i Kosovës në Serbi dhe i viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoni. Këtë e vërtetoi gjenocidi i mëpasëm ndaj shqiptarëve etinkë, procesi i kthimit të kolonëve serbë në Kosovë. Ushtria jugosllave kreu krime në Llap, Drenicë, Karadak, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Preshevë, Tivar etj., ku dhe qëndresa e shqiptarëve ishte e madhe. Më 8 shkurt 1945, Komandanti i Ushtrisë Jugosllave Josif Broz Tito, vendosi në Kosovë, Administratën Ushtarake, e cila zgjati deri në Korrik 1945. Administrata Ushtarake rekrutoi djem shqiptarë për t’i dërguar në luftime larg Kosovës (44.500 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan) në ndjekje të gjermanëve që po largoheshin. Në mars-prill të vitit 1945 rekrutët u nisën në drejtime të ndryshme në ndjekje gjoja të gjermanëve. Por e vërteta doli në shesh me masakrën e Tivarit dhe Drenicës, ku numri i të masakruarve shqiptar arriti në mijëra. Komanda jugosllave ishte në zbatim të planeve shfarosëse të shqiptarëve. Masakra e Tivarit u krye nga njësitë partizane jugosllave të divizionit të 46-të serb dhe brigadës së 10-të malazeze. Në Shqipëri, regjimi stalinist i Enver Hoxhës i kaloi ngjarjet në heshtje rigoroze, për të shmangur çdo dyshim. Ndërsa masakrat vazhdonin, Kosova përfundimisht u bë pjesë e Serbisë dhe e Federatës Jugosllave në prill 1945, ndërsa më 28 prill 1945 Tito njohu qeverinë komuniste shqiptare dhe vendosi marrëdhëniet diplomatike me të.
Shqiptarët nën regjimin serb dhe të Federatës Jugosllave
Gjendja e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera u përkeqësua edhe me prishjen e marrëdhënieve midis dy vendeve komuniste, Jugosllavisë e Shqipërisë në 1948. Filloi terrori në të dy vendet kundër mbështetësve të njeri-tjetrit. Deri në vitin 1968, u rrit edhe më shumë gjenocidi mbi shqiptarët, nuk iu njohën të drejtat elementare, si mësimi i shqipes, u rrit intensiteti i ardhjes së kolonëve serb në territoret e shqiptarëve etj. Jeta e tyre u vu nën kontrollin e Sigurimit të shtetit jugosllav (UDB). U detyruan të deklaroheshin turq, në regjistrimin e popullsisë, në vitin 1953, që më pas t’i shpërngulnin në Turqi. Në 1953 u shpërngulën rreth 13 000 shqiptarë në Turqi, sipas marrëveshjeve midis dy shteteve. Qeveria serbe në vitet 1955-1956, kur Ministër i Brendshëm ishte Aleksandër Rankoviç, për të terrorizuar shqiptarët dhe për të mos i lënë ata të bënin një jetë të qetë, ndërmori një aksion për mbledhjen e armëve. Në këtë aksion u torturuan mijëra shqiptarë dhe u vranë mbi 100. Por Jugosllavia nuk kishte konflikte vetëm me shqiptarët. Duke qenë një shtet multietnik ajo filloi të zbatojë disa politika liberale, të cilat nuk cenonin natyrën e shtetit. Shqiptarët i përdorën këto hapësira për të realizuar problemet e tyre kombëtare dhe jetësore.
Qëndresa e shqiptarëve përkundër dhunës ushtarake
Përkundër faktorëve të sipërpërmendur shqiptarët filluan qëndresën aktive, gjithëpërfshirëse dhe me armë në dorë. Ata dolën maleve dhe sulmonin forcat ushtarake serbe të përqendruara në qytete (në vitet 1945-1948). Shqiptarët formuan edhe organizata politike si Komiteti Nacional Demokratik i Shqipërisë (KNDSH), i cili ishte formuar që gjatë luftës. Ai kishte marrë përsipër të çlironte trojet etnike shqiptare gjatë luftës dhe të realizonte projektin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Organizatë tjetër ishte Besa Kombëtare, e cila kishte degët e saj në qytete të Kosovës njëlloj si edhe KNDSH. Grupime të tjera politike që shprehnin qëndresën e shqiptarëve të Kosovës ishin Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e drejtuar nga Adem Demaçi. Grupimet politike pak a shumë kishin në program dhe kërkonin autonomi të zgjeruar të Kosovës, si hap të parë, shpalljen e Kosovës Republikë dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë. Edhe pse grupimet e ndryshme politike në Kosovë bashkëpunuan dhe krijuan grupe të armatosura, përballë makinës qeveritare serbe ato u shtypën. Veprimet e tyre nuk u ndihmuan nga aleatë të jashtëm. Shqiptarët në kërkesat e tyre për autonomi, i përdorën politikat liberalizuese të federatës për të mbajtur popujt në Jugosllavi bashkë. Më 27 nëntor 1968, ata dolën në sheshe në Prizren, Pejë, Prishtinë, Gjilan etj. Studentët ishin forca kryesore e protestave. Ata thirrën dhe shkruan Kosova- Republikë. Të njëjta demonstrata u organizuan në Tetovë, Ulqin në 1969. Policia ju kundërpërgjigj me mjete, si shkopinj gome, lotsjellës etj. Historia e qëndresës së shqiptarëve vazhdoi. Në 1981 dolën përsëri në protesta paqësore, me kërkesën Kosova – Republikë. Protesta më e fuqishme ishte në Prishtinë.
Kosova dhe viset e tjera shqiptare, statusi juridik, politik, ekonomik dhe shoqëror i tyre
Në Kushtetutën e vitit 1946, të Republikës Federative Demokratike Jugosllave (RFDJ), Kosovës iu dha statusi rajon autonom i Kosovës dhe Metohisë në Serbi, brenda Federatës Jugosllave. Viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Malit të Zi dhe Maqedonisë. Rrënjët e kësaj ndarjeje gjenden në mbledhjen e Dytë të KANÇ të Jugosllavisë, mbajtur në Jajcë, nëntor të vitit 1943, ku viset shqiptare në Jugosllavi u përdorën si mjet për të rregulluar hapësirën tokësore të Republikave të Federatës, veçanërisht të Serbisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi. U shkel vullneti i shqiptarëve në Jugosllavi, i shprehur në mbledhjen themelvënëse të Konferencës I të KANÇ për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, mbajtur në Bujan më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Konferenca konfirmoi të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje të popujve që përbënin Jugosllavinë dhe që ishte përcaktuar në dokumentet themelore të PKJ. Kështu, edhe pse PKJ kishte deklaruar se ndarja administrative e Jugosllavisë do të bëhej mbi baza etnike, ku secili komb do të kishte Republikën e vet, Kosovës iu mohua kjo gjë. Në kushtetutën e Federatës Jugosllave të vitit 1963, statusi i Kosvës ndryshoi në Krahina autonome e Kosovës dhe Metohisë. Jugosllavia nuk mund të vazhdonte ekzistencën e saj, si shtet multietink, nëse nuk do të përdorte politikën tërhiq e mos e këput. Në Kushtetutën Federative të Jugosllavisë, të viti 1974, u lejua hartimi i kushtetutave të veçanta nga krahina të ndryshme. Këtë gjë bëri edhe Krahina autonome e Kosovës dhe Metohisë. Kuvendi i Kosovës, më 27 shkurt 1974, miratoi Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSA). Ndërkohë edhe shqiptarëve të Maqedonisë iu njoh e drejta e kombësisë, në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Kushtetuta ishte e rëndësishme pasi u jepte të drejtën shqiptarëve të evoluonin në kërkesat e tyre programore. Në vitin 1985, kur në pushtet vjen Sllobodan Milosheviçi, si president i Serbisë, Kosovës iu kufizua autonomia me dhunë. Ai e detyroi Kuvendin e Kosovës të miratonte, më 23 mars 1989, ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë miratoi amendamente kushtetuese që sanksioni krijimin e Serbisë unike. Kryesia e Jugosllavisë, në 1990, miratoi amendamentin që i hiqte Kosovës statusin kushtetues federativ. Sipas këtij akti, Kosova nuk kishte të drejtë të kishte përfaqësues për marrjen e vendimeve, për Federatën, kështu ajo ngeli totalisht nën juridiksionin serb. Forcat demokratike në Kosovë, në këto kushte, lëvizën dhe kërkuan me anë të një Deklarate nga ana e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, që Kosova të shpallej subjekt i pavarur dhe i barabartë në Jugosllavi. Por, në diskutimet e Kushtetutës, që u bënë nga republikat e tjera, Kosova nuk u pa si subjekt i tillë. Në 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës hartoi Deklaratën Kushtetuese dhe në 7 shtator e shpallën atë Kushtetutë e Republikës së Kosovës, ku shprehej barazia e popullit shqiptar të Kosovës me popujt e tjerë jugosllavë në ndërtimin e ardhshëm të Jugosllavisë.
Në fushën ekonomike shteti jugosllav realizoi politika ekonomike njëlloj si në vendet e tjera të bllokut komunist, të tilla si: u përdor politika e grumbullimit të tepricave të prodhimit, ku dhe abuzohej me shqiptarët; njëkohësisht shqiptarëve iu morën pasuritë duke i akuzuar për bashkëpunëtorë të fashizmit. Si shtet që bazohej në ideologjinë marksiste, shqiptarëve të Kosovës ju shtetëzuan pronat, tokat, për t’u kthyer në pronë të përbashkët. Pas prishjes me BS, ekonomia ndoqi rrugën e zhvillimit jugosllav, duke zëvendësuar ekonominë e komanduar me atë të vetadministrimit jugosllav. Sipas kësaj rruge të zhvillimit ekonomik lejohej decentralizimi ekonomik, ku ndërmarrjet kishin një farë administrimi me anë të këshillave të administrimit nga punëtorët. Por Kosova mbeti provincë e prapambetur, pasi investimet në të ishin të papërfillshme. E veçanta ishte se në tokat e shqiptarëve vendosën kolonët serbë. Pasuritë natyrore të Kosovës janë shkaku kryesor, që ajo ka qenë e lakmueshme, sidomos prej serbëve. Ajo është e pasur me plumb, zink, në pjesën verilindore, kryesisht Mitrovicë, argjend, linjit, nikel, krom, bakër, magnez, bokside, hekur etj. Ekonomia në vitet ‘70, edhe pse pati ndryshime pozitive nga ana politike, përsëri nuk arriti në atë pikë sa të përbënte diferencë të konsiderueshme me periudhat e mëparshme. U zhvillua industria nxjerrëse, produktet e së cilës shiteshin lirë në tregjet e vendeve të Federatës. Papunësia zinte vendin e parë, krahasuar me ato të vendeve të tjera në Federatë, aq sa shqiptarët përbënin numrin më të madh të emigrantëve që largoheshin në vendet e Europës Perëndimore. Të njëjtën panoramë ekonomike mund të shohim edhe në viset e tjera shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Në fushën e arsimit dhe kulturës, në vitet 1945- 1948, shqiptarët i kishin të drejtat të kufizuara. Mësimi në gjuhën shqipe u lejua deri në vitin 1947 e më pas shkollat ishin vetëm në gjuhën serbe. Në vitet 70’ arsimi dhe kultura përbënë diferencë, po ta krahasojmë me vitet 1948-1960, ku gjuha shqipe pothuajse ishte problematike në shkolla. Në vitet ‘70 dhe ‘80 u lejuan mësimi në gjuhën shqipe derisa, më 15 shkurt 1970 u hap Universiteti i Prishtinës; u krijua Akademia e Shkencave më 19 mars 1978 etj.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Administratë Ushtarake, Tivar, Drenicë, internacionalizëm proletar, Alekasndër Rankoviç, vetadministrimi jugosllav, pronë e përbashkët, Sllobodan Millosheviç, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla.
PËRGJIGJUNI
1. Cila është gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi nën Administratën Ushtarake?
2. Si paraqitet situata e shqiptarëve nën regjimin serb dhe atij të Federatës Jugosllave?
3. Cili është statusi juridik, politik, ekonomik dhe shoqëror i Kosovës dhe i viseve e tjera shqiptare në Jugosllavi?
4. Si e vlerësoni Kushtetutën e vitit 1974 për Kosovën?
5. Në ç’ mënyrë u rivendos autoriteti serb në Kosovë pas Luftës II Botërore?
6. Cilat janë pasojat e rivendosjes së autoritetit serb në Kosovë në drejtim të pozitës së popullsisë shqiptare në Jugosllavi?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni qëndrimin tuaj mbi politikën:
a. ç’ kombëtarizuese të serbëve ndaj shqiptarëve. Shpjegoni pse kaq urrejtje dhe propozoni si mund të bëhet ndryshe.
b. e PKSH dhe regjimit stalinian të Enver Hoxhës, në ngjarje kthesë për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi dhe Republikën e Maqedonisë.
c. e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera për të fituar të drejtat e tyre kombëtare.
KËRKONI INFORMACION
Internacionalizmin proletar. Gjeni kuptimin e tij dhe vendoseni në situatën historike në Kosovë në fund të Luftës së Parë Botërore. Formuloni përfundimet tuaja. Gjeni të dhëna për masakrën e Drenicës dhe Tivarit, shkurt-mars 1945. Diskutoni gjetjet tuaja në klasë.