Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 1: Ardhja e osmanëve në Ballkan

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 1

Ardhja e osmanëve në Ballkan dhe qëndresa ballkano-arbërore (fundi i shek. XIV- fillimi i shek. XV)

Përhapja e osmanëve në Ballkan
Osmanët ishin pasardhës të fisit Kaji të turqve Oguzë, të cilët u shpërngulën nga Azia Qendrore dhe u vendosën në viset e Anadollit në fund të shek. XI. Ata hynë në histori kur prijësi i tyre Ertogruli, mori si shpërblim prej sulltanit selxhuk një zotërim të vogël në brigjet e lumit Sakaria. Shteti selxhuk ndërkohë u shpërnda në principata të vogla, pas disfatës që pësoi nga mongolët (1243).

I biri i Ertogrulit, Osmani I (1290-1323), pasi zgjeroi zotërimet duke pushtuar disa nga territoret bizantine formoi shtetin e pavarur me emrin Emirati Osman, që u bë bërthama e Perandorisë Osmane. Në vitin 1299 Osmani I mori titullin e sulltanit, ndërsa nënshtetasit e tij u quajtën turq-osmanë. Nën sundimin e djalit të Osmanit I, sulltan Orhanit, principata osmane i zgjeron më tej kufijtë e saj. Orhani u martua me vajzën e perandorit Bizantin. Pas lidhjes kësaj aleance sulltan Orhani do të ndihmonte Bizantin në luftë kundër princërve të Ballkanit dhe kundërshtarëve të tjerë. Në vitin 1352, osmanët krijojnë zotërimin e parë në Ballkan. Rreth dy vjet më vonë duke përfituar nga dobësia e perandorisë bizantine por edhe nga anarkia feudale që mbizotëronte në Ballkan, turqit osmanë pasi morën gadishullin e Galipolit, kalojnë ngushticën e Dardaneleve, për të vazhduar më tej me pushtime të tjera. Shteti osman i trashëguar nga djali i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389) pushtoi rajone e vise të tjera në Ballkan. Shtetet e Ballkanit duke qenë të përçara nuk ishin në gjendje që të pengonin të vetëm vërshimin e ushtrisë osmane, prandaj formuan një koalicion ushtarak antiosman. Por në betejën e lumit Marica që u zhvillua në vitin 1371 osmanët fituan. Kjo fitore rriti edhe më tepër përparimin e ushtrisë osmane drejt Ballkanit. Në këtë betejë anëtar i koalicionit ballkanik ishte edhe despoti i Vlorës, Aleksandri. Pas kësaj fitoreje, ushtritë osmane hynë lehtësisht në qytete dhe qendra administrative me rëndësi strategjike në Ballkan. Shumë sundimtarë të Ballkanit njohën sovranitetin osman dhe hynë në marrëdhënie të vasalitetit. Sundimtarët e territoreve vasale ishin të detyruar t’i dërgonin njësi ndihmëse luftarake ushtrisë osmane, t’i paguanin haraç dhe t’i dorëzonin peng bijtë e tyre në sarajet e sulltanit. Ballkani u bë një krahinë e rëndësishme për Perandorinë Osmane dhe mbeti në qendër të vëmendjes deri në shpërbërjen e saj.

Pushtimet osmane në Shqipëri dhe Ballkan qëndresa ballkano-arbërore ndaj tyre
Pas rënies së Sofjes në vitin 1385, ushtritë osmane u futën në Arbëri, dhe Ballkan dhe pushtuan qytetet e Nishit, Shtipit, Përlepit, Manastirit dhe Kosturit etj., të cilat i shndërruan në baza të fuqishme ushtarake për pushtimin e viseve të tjera shqiptare dhe Ballkanike. Më 18 shtator 1385 ushtritë osmane morën pjesë në betejën fushës së Savrës pranë Lushnjës kundër Balshës II. Në këtë betejë forcat ushtarake arbërore u thyen dhe vetë Balsha II mbeti i vrarë. Fitorja e osmanëve në këtë betejë i hapi rrugë depërtimit të tyre në brendësi të tokave shqiptare dhe pushtimin e disa prej qyteteve arbërore si Beratin, Krujën etj. Po ashtu osmanët i shtrinë pushtimet e tyre në Lezhë edhe në vise të tjera të Arbërisë së Poshtme. Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin dhe pas një viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht në duart e tyre deri në vitin 1403. Depërtimi i vrullshëm i ushtrive osmane si dhe zgjerimi i zotërimeve të tyre në Ballkan nxiti familjet fisnike shqiptare dhe ballkanase që të linin mënjanë grindjet dhe konfliktet dhe të bashkoheshin për të mbrojtur zotërimet e tyre. Në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ku merrnin pjesë sundimtarë dhe fisnikë nga Ballkani dhe Arbëria si: Gjergj II Balsha, Teodor Muzaka II, Dhimitër Jonima, Andrea Gropa etj. Në qershor të vitit 1389, ushtritë e koalicionit për t’i dalë përpara ushtrisë osmane, që synonte pushtimin e Ballkanit Qendror u mblodhën në Fushë-Dardani. Beteja e zhvilluar më 1 Qershor ndërmjet koalicionit Ballkanik dhe ushtrisë osmane të drejtuar nga Sulltan Murati I, ishte e përgjakshme. Pavarësisht disa fitoreve të para nga ana e ballkanasve, beteja përfundoi me fitoren e ushtrisë osmane. Të dyja palët patën humbje shumë të mëdha. Gjatë zhvillimit të kësaj beteje Millosh Kopiliqi vrau sulltan Muratin I. Në betejë mbetën të vrarë Teodor I Muzaka dhe shumë shqiptarë të tjerë. Kjo betejë pati pasoja të rënda për popujt e Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit të koalicioneve ballkanike kundër pushtuesve osmanë si dhe iu lehtësoi rrugën osmanëve të vendosnin sundimin e tyre në këtë gadishull. Pas disfatës që pësoi ushtria e Sulltan Bajazitit I në betejën e Ankarasë më 1402 prej trupave mongole të Timurlengut, përkohësisht zotërit shqiptarë i forcuan pozitat e tyre dhe në jetën politike të vendit filluan të dalin në plan të parë familje të mëdha shqiptare si: Balshajt, Dukagjinët, Kastriotët, Zahariajt, Spanët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gropajt, Zenebishët etj.

 

Me të ardhur në pushtet, sulltan Mehmeti I (1413-1421) mori masa për rivendosjen dhe zgjerimin e pushtimit osman. Gjatë vitit 1415 me instalimin e disa garnizove të para osmane në disa qendra të Shqipërisë iu dha fund periudhës së vasalitetit. Më pas osmanët kaluan në fazën e zbatimit të sistemit të timarit nëpërmjet regjistrimit zyrtar të territoreve shqiptare. Pas gjithë këtyre masave ushtarake u kalua në krijimin e njësive të para administrative (sanxhaqe) në rajon. Sanxhaqet, të cilat kishin si titullar sanxhakbeun, u bashkuan dhe formuan vilajetin. Trojet shqiptare u përfshinë katër vilajete. Të gjitha këto ndryshime regjistroheshin zyrtarisht në regjistra. Si shembull mund të sjellim defterin e tokave shqiptare të vitit 1431-1432. Në këtë defter që i përket Sanxhakut shqiptar (Sanxhak-i Arvanid) kryeqendër ishte Gjirokastra. Ai ishte i përbërë nga vilajete të cilat ndaheshin në nahije. Defteri përmbante të dhëna mbi regjistrimin e popullsisë, pronave dhe taksave për të gjitha viset e sanxhakut shqiptar. Pavarësisht se shteti osman shumë shpejt mundi dhe vuri nën sundim një pjesë të mirë të tokave shqiptare veçanërisht viset jugore të saj, nga radhët e parisë vendase dolën elementë që e kundërshtuan ashpër dhe nisën kryengritjen kundër saj. Ndër ta u shqua Gjon Kastrioti në vitin 1429-1430 dhe më pas Gjergj Arianiti në vitet 1432-1435 kryengritjet shpërthejnë anembanë Shqipërisë. Të dyja këto kryengritje megjithëse të fuqishme u shtypën nga osmanët, por ato ndikuan pozitivisht në rritjen e frymës së lirisë në radhët e gjithë popullsisë shqiptare të kohës.

 

FJALË KYÇ
Shkruani një fjali ku të shpjegoni rëndësinë e: Bejlerbej, haraç, sanxhak, vilajet, nahije.

PËRGJIGJUNI
1. Cila është prejardhja e turqve osmanë?
2. Cilat ishin karakteristikat që pati pushtimi osman në Shqipëri dhe Ballkan?
3. Cilët ishin përpjekjet për qëndresë të shqiptarëve dhe ballkanasve ndaj sulmeve të para osmane?
4. Cilat janë disa nga momentet kyçe të ardhjes së osmanëve në Ballkan?
5. Cilat ishin familjet e mëdha shqiptare në shek. XV?
6. Si u zhvillua beteja e Fushë-Kosovës (Dardanisë) dhe çfarë rëndësie pati zhvillimi i saj?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Beteja Fushë-Kosovës pati rrjedhime të rënda për popujt e Ballkanit.Cilat janë? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.

KËRKONI INFORMACION
1. Beteja në Fushë-Dardani (Kosovë), 1389. Formuloni qëndrimin tuaj.
2. Familjet e mëdha shqiptare të shek. XV. Zgjidhni njërën prej tyre e formuloni qëndrimin tuaj për të.