Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 10
Lëvizjet politike dhe shoqërore në Shqipëri gjatë viteve 1925-1939
Lëvizja antizogiste brenda dhe jashtë Shqipërisë
Emigrantët politikë që u larguan nga Shqipëria u vendosën në Itali dhe në vendet e tjera të Europës. Ata u grupuan në organizata politike që kishin si qëllim përmbysjen e regjimit të Zogut. Në vitin 1926, KONARE-ja ndryshoi emrin dhe u quajt “Komiteti i Çlirimit Nacional” (KÇN). Në Jugosllavi në 1925 u krijua grupimi i djathtë politik “Bashkimi Kombëtar” që ishte kundër Zogut, kundër reformës agrare dhe kundër ideve komuniste. Në vitet e krizës ekonomike pakënaqësia e popullit kundër qeverisë së Zogut u rrit. Pakënaqësinë e shprehën në forma të ndryshme, nëpërmjet protestave, mitingjeve organizuar në qytete të ndryshme të vendit, por edhe nëpërmjet shtypit dhe veprimtarinë e emigracionit politik që vepronte jashtë vendit. KÇN-ja e zhvendosi qendrën e saj në Paris dhe në faqet e gazetës “Liria Kombëtar” kritikonte ashpër sistemin qeverisës të mbretërisë shqiptare. KÇN-ja u lidh gjithnjë e më shumë me idetë e majta. Përfaqësuesit e “Bashkimit Kombëtar” me banim në Vjenë, organizuan në shkurt të 1931, një atentat kundër Zogut por nuk patën rezultat. Pas dështimit të këtij atentati në Shqipëri filloi të veprojë një “Organizata e fshehtë” me qendër në Vlorë (1931-1932). Plani për të organizuar një grusht shteti dhe për të përmbysur Zogun dështoi sepse u zbulua shpejt dhe veprimtarët e saj u dënuan nga gjyqi politik. Në vitin 1934 u krijua një organizatë tjetër e fshehtë me qendër në Tiranë dhe degë në disa qytete të Shqipërisë. Anëtarë të saj ishin përfaqësues të elitës politike shqiptare të kohës, oficerë, pronarë të mëdhenj tokash, tregtarë, nëpunës, mësues, që ishin të pakënaqur nga regjimi i Zogut. Drejtuesit e saj organizuan një kryengritje e cila shpërtheu më 14 gusht 1935, në qytetin e Fierit dhe që u shtyp brenda disa ditëve. Në gjyqin politik të organizuar ndaj organizatorëve u dhanë shumë dënime të rënda. Në këtë kohë u hodhën edhe hapat e parë për krijimin e një lëvizje sindikaliste në Korçë, Kuçovë ku u krijuan shoqëritë “Puna”. Nën ndikimin e lëvizjes komuniste të vendeve evropiane këto ide u përhapën edhe në Shqipëri. U krijuan grupet e para komuniste në Korçë, Shkodër etj.
Zhvillimi i arsimit dhe kulturës
Deri në fillim të viteve 30 ‘ në Shqipëri kishte, gjithsej, 548 shkolla fillore në qytete dhe fshatra. Në Korçë funksiononte Liceu Francez, me mësues francezë, financuar nga qeveria shqiptare. U rihap Normalja e Elbasanit që përgatiste mësues për të gjithë Shqipërinë. Në Tiranë vazhdonte të ekzistonte liceu privat femëror “Qiriazi-Dako”, në Shkodër gjimnazet katolike. Që në vitin 1923 në Tiranë filloi mësimin shkolla teknike sipas modelit amerikan drejtuar nga Harri Fullc. Për plotësimin e nevojave të vendit u krijua një fond shtetëror për t’u dhënë 100 bursa studentëve shqiptarë për të studiuar jashtë vendit në universitetet europiane. Rol të rëndësishëm për laicitetin e shkollës dhe zhvillimin e saj mbi baza kombëtare e përparimtare rol luajtën kongreset arsimore që u zhvilluan gjatë viteve 1922-1924. Në kongreset e zhvilluara u shtruan çështje të rëndësishme për zhvillimin e arsimit si: përmirësimi i formimit kulturor të arsimtarëve, sigurimi i arsimit të detyrueshëm për femra e meshkuj, ngritja e gjimnazeve në qytete të tjera etj. Në 1928, Zogu e shpalli arsimin fillor të detyrueshëm nga mosha 6 deri 13 vjeç. U rrit numri i shkollave të mesme si Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” etj. U përgatitën dhe u hartuan tekste dhe libra shkollorë shumë të mirë nga pikëpamja pedagogjike dhe shkencore. Rol në këtë drejtim luajti Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Justin Rrota etj. Në këtë periudhë patën zhvillim edhe letërsia, arti, muzika, teatri dhe shoqëritë kulturore. Një letërsi e re me tipare origjinale u zhvillua. Krahas veprimtarëve të njohur si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Ndre Mjeda, u shquan edhe Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli etj. E gjithë literatura perëndimore qarkullonte lirisht në Shqipëri. Në libraritë ishin të pranishme kryeveprat e letërsisë botërore, një pjesë prej tyre të përkthyera. U botuan gazeta dhe revista, politike, fetare, kulturore. U krijuan shoqëri kulturore si: “Shoqëria e Arteve të Bukura” (Korçë), “Bogdani” dhe “Rozafa” (Shkodër), “Përparimi” në Elbasan etj. U ngrit Biblioteka Kombëtare në vitin 1922. Filloi puna për çeljen e Muzeut Kombëtar. U shquan artistët piktorë në të cilën u përqendruan peizazhet dhe autoportretet e Vangjush Mios dhe Zef Kolombit, Kolë Idromenos, skulpturat e Odise Paskalit etj. Vend të rëndësishëm zë edhe lëvizja teatrale dhe muzika qytetare në qytetet e Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Tiranës etj. U shquan për intrepretim në artin muzikor skenik Tefta Tashko, Marije Kraja (Paluca), Kristaq Antoniu etj.
Aspekte të jetës së përditshme
Pas viteve 20’ shumë intelektualë shqiptarë atdhetarë u kthyen nga mërgimi. Me ardhjen e tyre ata sollën me vete kulturën, gjuhën, mënyrën e jetesë që kishin fituar në vendet ku kishin studiuar dhe jetuar. Me formimin e tyre, ndikuan në mënyrën e jetesës, modernizimin e veshjeve, sjelljen dhe përdorimin e pajisjeve të reja shtëpiake, mënyrën e të ushqyerit, higjienës. Në qytetet e mëdha filluan të përdoreshin rrobat e sjella nga Evropa dhe përdoreshin kostume sipas modeleve evropiane. Me rritjen e institucioneve publike u gjallërua edhe jeta qytetare. Filloi të ndryshonte pamja e qyteteve dhe jeta e popullsisë. Ndërtimet u larguan nga tradita orientale dhe filluan banesa të reja, dyqane me dy-tre kate, me hyrje të zbukuruara, kapitele të gdhendura sipas një plani urbanistik. U hapën lokale të tregtisë dhe të artizanatit, u ngritën hotele, restorante, kafene. U krijuan edhe lulishte publike. Nisi ndërtimi i centraleve të para elektrike dhe u çelën kinematë e para. Në vitet 30’ hyri në përdorim gramafoni e më vonë radioja. Në vitin 1938 u hap Stacioni Radiofonik Kombëtar ngjarje me rëndësi në jetën kulturore politike shoqërore te vendit.
FJALË KYÇE
Shpjegoni fjalët kyç: lëvizje antizogiste, grupimet opozitare, sindikata, emigracioni.
PËRGJIGJUNI
1. Si u organizua lëvizja antizogiste?
2. Cilat janë zhvillimet e arsimit në këtë periudhë?
3. Përshkruani zhvillimet e artit, letërsisë, kulturës dhe tregoni figurat kryesore?
4. Tregoni si u zhvillua jeta qytetare?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Formuloni opinionin tuaj për arritjet në fushën e letërsisë gjatë mbretërimit të mbretit Zog I.
KËRKONI INFORMACION
Formuloni përfundime për jetën dhe veprën e Tefta Tashko Koço-s.