Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 10: Kriza e regjimit komunist në vitet ‘80

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 10

Kriza e regjimit komunist në vitet ‘80

Kriza e përgjithshme e sistemit
Kriza e sistemit egzistonte brenda tij, pavarësisht periudhave kur ajo shfaqej hapur dhe me ashpërsi. Ajo kuptohej sidomos kur ashpërsohej Lufta e Klasave. Kjo e fundit ashpërsohej sa herë udhëheqja prishej me vendet aleate të lindjes e regjimi ndodhej në vështirësi ekonomike. Një ekonomi e planifikuar dhe e centralizuar, në një vend ku kapitalet e huaja ndaloheshin me Kushtetutë, dhe ku rrugët origjinale të zhvillimit duke u mbështetur në forcat e veta kishin shterur, sidomos pas prishjes me Kinën, natyrisht që do të çonte, në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80, në degjenerimin e situatës ekonomike të vendit. U regjistruan shifra të rënies me shpejtësi të niveleve të rritjes ekonomike, nga 5% në vitet ‘70, në 1% në vitet ‘80. Prishja e marrëdhënieve me Kinën e thelloi krizën e sistemit. Regjimi komunist nuk dorëzohej. Ai vazhdoi të kërkonte rrugë të reja, origjinale të zhvillimit të vendit, në aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik. Në aspektin politik, u përdor slogani do të ndërtojmë socializmin tërësisht të mbështetur në forcat tona, e sanksionuar kjo në kushtetutën e vitit 1976. Në mbështetje të kësaj, u përcaktua në Kushtetutë forcimi i shtetit të Diktaturës së Proletariatit dhe i Luftës së Klasave. Në këtë mënyrë shoqëria të mos kishte nga të lëvizte, por të punonte dhe të mos kundërshtonte. Në aspektin ekonomik, në bujqësi, u krijuan kooperativat e tipit të lartë. Kjo mënyrë nuk dha rezultate, më shumë shpenzohej, se fitohej. Atëherë u gjet një rrugë tjetër, u krijua sistemi i tufëzave e arëzave në fshat. Çdo kooperativë, edhe shkollat bujqësore, kishin tufëzën e vet apo arëzën, për të siguruar prodhime blegtorale dhe bujqësore. Këto rrugë të reja jo vetëm nuk e përmirësuan situatën, por e degjeneruan akoma më shumë. Në vitet 1985-1990 ekonomia shqiptare u fut në një krizë të përgjithshme dhe të thellë. Mungonin mallrat e konsumit të gjerë; prodhimet agroushqimore e blegtorale si në fshat, ashtu edhe në qytet u pakësuan; u vu në pikëpyetje buka, si në vitin 1944; në qytet u përdor sistemi i tollonit për të marrë 750 gr mish për 1 person në muaj etj.; eksportet u ulën ndërkohë që kërkesat për importe të nevojës së parë shtoheshin vazhdimisht. Deri në vitin ‘90 rritja ekonomike prej 1% që u shënua në vitin 1980 u bë negative dhe borxhi i jashtëm arriti mbi 30% të prodhimit të përgjithshëm bruto.

 

Izolimi e udhëhoqi Shqipërinë në krizën e regjimit totalitar
Pasqyra ekonomike dhe shoqërore e vërtetë e sistemit ishte pikërisht ajo e viteve ‘80. Kjo ishte pasojë e izolimit total të vendit, e zhvillimit të luftës së klasave. Shqiptarët u bënë kombi më i varfër në Europë. Rrënjët e këtij varfërimi të tejskajshëm i gjejmë tek orientimi politik i gabuar i Shqipërisë, që zuri fill, fatkeqësisht, në Luftën e Dytë Botërore, me krijimin e PKSH si vegël e sllavo-komunistëve të Europës Lindore dhe Juglindore. Pas vdekjes së Hoxhës në 1985, pasardhësi i tij i zgjedhur me kujdes prej vetë diktatorit, Ramiz Alia, u përpoq të ruajë sistemin komunist, duke bërë reforma graduale në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore. Alia zbuti kontrollet staliniste mbi popullatën dhe udhëzoi strukturën e Sigurimit për të përdorur mekanizma burokratike më pak autoritare nga ato të Enver Hoxhës; lejoi kontakte me botën e jashtme, duke përfshirë lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit. Më shumë u lejohej të huajve të vizitonin Shqipërinë në këto vite. Që të ringjallte ekonominë, e cila kishte rënë që nga ndërprerja e ndihmës nga ish-aleatët komunistë, Alia legalizoi disa investime nga firma të huaja në Shqipëri, me anë të zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike me Perëndimin.

Pakënaqësia popullore kundër diktaturës komuniste
Në fund të viteve ‘80, burime zyrtare pranuan se disiplina komuniste, veçanërisht në mesin e të rinjve shqiptarë, po “shkatërrohej”. Rinia e vendit gjithnjë e më shumë refuzoi të pranonte dhe madje haptas hodhi poshtë “vlerat e përparuara” nën ideologjinë zyrtare komuniste. Për më tepër, rebelimet në shkallë të vogël, u raportuan më shpesh, pas vdekjes së Hoxhës. Megjithatë, këto zhvillime nuk e ndryshuan qëndrimin ekskluziv të regjimit mbi pushtetin politik pas viteve 1980. Rënia dramatike e sundimit komunist në Europën Lindore në vitin 1989 me sa duket pati një efekt shkatërrues në situatën e brendshme sociale dhe politike në Shqipëri, përkundër përpjekjeve të Alias për ta mbajtur atë. Por, me rënien e komunizmit në Europën Lindore në vitin 1989, segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare u bënë politikisht më aktivë dhe filluan të ngrenë zërin kundër qeverisë. Grupet më të tjetërsuara ishin intelektualët dhe punëtorët, tradicionalisht, pararojë të lëvizjeve apo krijimit të organizatave e partive, si dhe të rinjtë e Shqipërisë, të cilët kishin qenë të ndrydhur nga vitet e izolimit dhe kufizimit. Demonstrimet masive kundër sundimit komunist, të ndjekur nga liberalizimi dhe demokratizimi në Europën Lindore, filluan të ndikojnë Shqipërinë në vitin 1990. Fuqia e Sigurimit të Shtetit u sfidua me sukses nga një numër masiv i madh demonstruesish të paorganizuar që kërkonin reforma dhe zgjedhje demokratike. Trazirat filluan me demonstrata në Shkodër, në janar të vitit 1990, të cilat detyruan autoritetet të deklarojnë një gjendje të jashtëzakonshme për të shuar protestat. Punëtorët e Beratit u organizuan në greva që protestonin për paga të ulëta, në maj. Gjatë muajit korrik 1990, afërsisht 5000 shqiptarë u strehuan në ambasadat e huaja në një përpjekje për të ikur nga Shqipëria. Forcat e sigurimit vranë kufijëve të Shqipërisë qindra azilkërkues, por edhe masat e tilla ekstreme nuk i bënë të qëndrueshme trazirat. Në shtator të vitit 1990, Alia u pajtua me kërkesat e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, duke e angazhuar Shqipërinë që të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë politike të mishëruara në Marrëveshjet e Helsinkit të vitit 1975. Kur studentët në Tiranë organizuan demonstrata, dhjetor 1990, të drejtuara nga studenti i degës juridike, Azem Hajdari, përpjekjet e policisë së trazuar për të thyer demonstratat dështuan. Megjithatë, forcat e sigurisë u përpoqën të ruanin kontrollin, duke i detyruar autoritetet t’ia japin kontrollin Ushtrisë Popullore mbi portet e Vlorës, Durrësit, Shëngjinit dhe Sarandës. Ushtria u urdhërua të krijonte një bllokadë rreth porteve ku mund të grumbulloheshin shqiptarët.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: krizë e regjimit, kooperativë e tipit të lartë, tollon, tufëza, arëza.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë veçoritë e politikës së qeverisë komuniste shqiptare, të cilat çuan në izolimin e plotë ndërkombëtar të vendit?
2. Pse Shqipëria u përfshi në një krizë ekonomike dhe politike në gjysmën e dytë të viteve ’80?
3. Cilat janë tiparet e krizës ekomomike dhe përpjekjet e drejtuesve komunistë për të lehtësuar gjendjen e vendit?
4. Në ç’mënyrë u shpreh pakënaqësia popullore kundër diktaturës komuniste në fund të viteve ‘80?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Formuloni refleksionet tuaja. Shqiptarët u bënë kombi më i varfër në Europë, në fund të viteve ‘80. A u realizuan pritshmëritë e shqiptarëve të premtuara nga PKSH dhe regjimi enverian? Argumentoni me shembuj e diskutoni në klasë.

KËRKONI INFORMACION
Pyesni qytetarë që kanë jetuar në komunizëm: Si e keni përjetuar krizën e regjimit komunist pas ndërprerjes së ndihmave të huaja në 1978? Formuloni përfundime me të dhënat e grumbulluara dhe i diskutoni në klasë.