Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 5 Mësimi 3
Rezistenca shqiptare kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë
Programi dhe qëndrimet e grupimeve kryesore politike në Shqipëri
Bashkimi Sovjetik u sulmua befasisht nga Gjermania naziste më 22 qershor 1941. Kreu i Partisë Komuniste Jugosllave, Josip Broz Tito, nën direktivat Kominternit dërgoi në Shqipëri dy delegatë jugosllavë Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, që në bashkëpunim me komunistët shqiptar të formonin Partinë Komuniste. Të dy ndihmuan bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në vitin 1941 dhe formimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor. Në mesin e anëtarëve themelues ishin 13 anëtarë: Koço Tashko, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Gjin Marku, Vasil Shanto, Tuk Jakova, Kristo Themelko, Anastas Lulo, Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Kadri Hoxha dhe Sadik Premte. PKSH, nga themelimi dhe deri në vdekje në 1985 e kryesoi Enver Hoxha. Në programin e saj PKSH parashikonte bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine, ideje e bindje politike dhe merrte angazhimin të organizonte kryengritjen e përgjithshme të armatosur kundër pushtuesit fashist deri në vendosjen e një regjimi demokratik. Në radhët e saj në fillim u pranuan edhe elementë nacionalistë me qëllim rritjen e mbështetjes së saj në popull. Më 29 Shtator 1942 u krijua Partia e Ballit Kombëtar me kryetar Mithat Frashërin. Veprimtaria e saj kishte filluar që në shtator 1939, mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në këtë organizatë ftoheshin për të marrë pjesë të gjithë ata që ishin demokratë antikomunistë, antifashistë dhe antizogistë. Në programin e tyre të quajtur Dekalogu, BK shtronte tre detyra kryesore: rivendosja e pavarësisë së atdheut, vendosja e një regjimi demokratik dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Më 21 nëntor 1943, në Kongresin e tyre të mbajtur në Zall-Herr të Tiranës, zogistët shpallën krijimin e partisë Lëvizja e Legalitetit me në krye Abaz Kupin. Programi përmbante: luftë kundër pushtuesit për çlirimin e Shqipërisë, përpjekja për një Shqipëri etnike, reforma shoqërore, Mbretëri demokratike parlamentare me në krye Ahmet Zogun I.
Organizimi i luftës çlirimtare antifashiste
Pushtuesi fashist italian dhe ai gjerman kërkonte një organizim në një shkallë më të lartë të luftës së popullit shqiptar. Krijimi i Partisë Komuniste i dha një hov të ri rezistencës antifashiste në Shqipëri. Për këtë ajo shfrytëzoi edhe lidhjet me elementët nacionalistë për të mobilizuar dhe organizuar më tej lëvizjen. Fillimisht kjo lëvizje ishte e organizuar në formën e njësiteve guerile dhe çetave partizane si ajo e Myslim Pezës, Mustafa Xhani, Haxhi Lleshit, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit. Më 16 Shtator 1942 grupe të ndryshme politike thirrën Konferencën e Pezës. Këto grupe përfaqësoheshin nga Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiro, Nexhmije Xhuglini, Ndoc Çoba, i cili u zgjodh edhe Kryetar i Konferencës. Në Konferencë u vendos krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar me qëllim bashkimin e popullit shqiptar kundër pushtuesit, pavarësisht nga përkatësia shoqërore, fetare, krahinore apo bindjeje politike. Organi kryesor i bashkimit ishin Këshillat Nacionalçlirimtare që përfaqësoheshin nga të gjitha forcat politike. Organi drejtues i këshillave ishte Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar i kryesuar nga Kamber Qafmolla. Më 4 Korrik 1943 ky këshill u mblodh në Labinot dhe vendosi krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇSH me komandant Spiro Moisiun. Ky akt pasohet në 15 gusht 1943 me krijimin e Brigadës së Parë. Më herët, në 17-22 mars 1943, po në Labinot PKSH kishte mbajtur konferencën e parë, e cila diskutoi për vijën politike që do ndiqej në vazhdim. Theksi u vu tek intensifikimi i luftës kundër pushtuesit, zgjerimi i radhëve të Frontit edhe me anëtarë nacionalistë që ishin pro luftës së armatosur, krijimi i batalioneve si njësi më të mëdha të ushtrisë dhe shndrimi e qëndresës në një kryengritje të përgjithshme të armatosur. Si rrjedhim i këtyre organizmave, gjatë vitit 1942-1943, u kryen aksione të shumta luftarake në zona të ndryshme të vendit si në Gramsh, Patos, Libohovë, Shënmëri (Kukës), Selenicë, Postribë,Tiranë, Leskovik, Burrel, Berat, Teplenë etj. Natyrisht, kjo u shoqërua edhe me kundërpërgjigje nga forcat italiane dhe gjermane më vonë, ku si rrjedhim ranë heroikisht dëshmorët: Vojo Kushi, Xhoxhi Martini, Sadik Stavaleci, Qazim Koculi, Jashar Cakrani, Asim Zeneli etj. Si hakmarrje italianët dhe gjermanët terrorizuan popullsinë civile, dogjën fshatra dhe vranë njerëz të pafajshëm. Shembull mund të sjellim fshatin Borovë ku pushkatuan 107 vetë, midis tyre edhe gra dhe fëmijë dhe më pas iu vu edhe zjarri. Mbledhja e Mukjes Mbledhjes së Mukjes i parapriu takimi i mbajtur në fshatin Tapiz. Më datat 1-3 gusht 1943 përfaqësues nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli kombëtar zhvilluan në Mukje mbledhjen e përbashkët. Palët u përfaqësuan aty nga personalitete me numër të barabartë anëtarësh. Delegatët vinin në mbledhje jo si individë, por si përfaqësues të partive. Pas diskutimesh dhe debatesh mbledhja përfundoi me disa vendime të rëndësishme.
1. Luftë e përbashkët dhe e menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve deri në krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur, demokratike.
2. Zbatimin e parimit bazë të Kartës së Atlantikut për të drejtën e vetëvendosjes së popujve.
3. Krijimi i një Shqipërie etnike.
4. Forma e regjimit do të përcaktohej pas lufte.
5. Krijimi i një organi të përbashkët me emrin Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të drejtonte luftën dhe vendin deri në krijimin e një qeverie, që do të dilte pas zgjedhjeve të përgjithshme pas lufte. Ky Komitet do të përfaqësohej me numër të barabartë anëtarësh nga 6 secili grup. Kjo marrëveshje u prish shumë shpejt. Më 4 Shtator 1943, në Labinot, u mbajt Konferenca e Dytë e Nacionalçlirimtare e cila miratoi vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për anulimin e marrëveshjes së arritur në Mukje, pasi ajo mbinte ndesh me programin e Frontit. Konferenca mori masa edhe për forcimin e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare si pushteti i vetëm i ligjshëm sipas tyre në Shqipëri. Anulimi i Marrëveshjes së Mukjes hapi rrugën e pakënaqësisë edhe për zogistët, të cilët kishin qenë pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar të krijuar në Konferencën e Pezës. Në shënjestër të zemërimit komunist u vendosën të gjithë ata që dilnin kundër ideve komuniste. Klasifikoheshin si armiq të popullit forcat naziste dhe patriotët shqiptarë të Ballit dhe Legalitetit.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Dekalogu, Konferenca e Mukjes, Front Nacionalçlirimtar, Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizje Nacionalçlrimtare.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin grupimet kryesore politike në Shqipëri gjatë luftës?
2. Cilat ishin organet që u ngritën për organizimin e rezistencës në Shqipëri?
3. Cilat janë vendimet e Konferencës së Pezës dhe Konferencës së Mukjes ?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Punoni me dokumentin dhe formuloni përfundimet tuaja.
2. Mendoni se jeni drejtues i Ballit Kombëtar. Shkruani një thirrje drejtuar popullit shqiptar pas anulimit të Marrëveshjes së Mukjes (deri në 600 karaktere) ku të informoni popullin shqiptar se Shqipëria është në rrezik të fillimit të luftës civile.
3. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
KËRKONI INFORMACION
1. Gjeni burime të tjera që kundërshtojnë njëra –tjetrën lidhur me qëndrimin e forcave politike në Shqipëri gjatë luftës. Formuloni përfundimet tuaja dhe diskutoni ato në klasë.
2. A ishin koherente partitë politike në Shqipëri në programet që parashtronin? A duhet të ishte shmangur konflikti i brendshëm mes tyre? Pse ? Hiqni vija paralele me situatën e sotme politike në Shqipëri. Kërkoni informacion për të dhënë përgjigje.