Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 1 Mësimi 2: Ilirët, prejardhja dhe shtrirja e tyre

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mesimi 2

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Epoka e Eneolitit, Epoka e Bronzit, Epoka e Hekurit.

PËRGJIGJUNI
1. Pse epoka e bronzit ka rëndësi të veçantë për historinë tonë?
2. Cilat janë tezat e ndryshme që evidentojnë etnogjenezën e ilirëve?
3. Cilat janë dëshmitë kryesore për formimin e etnosit ilir nga popullsia vendase pellazge?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në Hartën e trojeve dhe fiseve ilire në Ballkan shtrirjen e fiseve kryesore ilire. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Listoni dy historian të huaj kryesorë ku njeri është pro prejardhjes së ilirëve nga pellazgët e tjetri kundër. Gjykoni mbi dëshmitë e tyre e nxirrni përfundimin tuaj.

KËRKONI INFORMACION
A ka gjurmë të epokës së bronxit dhe hekuriit në vendbanimin tuaj? Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.

Ilirët, prejardhja dhe shtrirja e tyre
Epoka e bronzit dhe etnogjeneza e ilirëve
Epoka e bronzit (2.5 deri 1.2 mijë vjet p.e.s.) përbën një prej epokave më të rëndësishme për trojet e hershme shqiptare. Vendbanimet kryesore të epokës së Bronzit janë zbuluar në Maliq, Tren (Korçë), Gajtan, shpella e Nezirit (Mat), shpella në Konispol, shpella e Bënjës (Përmet), tumat (kodërvarrimi) e Pazhokut (Elbasan), Shtoit dhe Shkrelit (Shkodër), Piskovës (Përmet) dhe Vodhinës (Gjirokastër). Në dallim nga epokat e mëparshme të Eneolitit dhe Neolitit në atë të Bronzit, kemi, krahas vendbanimeve të hapura (që përbëjnë shumicën), edhe daljen e vendbanimeve të fortifikuara (Karosi, Lleshani, Trajani-në territorin e Ilirisë së Jugut, Vercevo, Stipanic, Zagrovic në Glasinac dhe më në veri Budin, Oton, Dusar). Këto janë dëshmi e luftërave dhe rivaliteteve midis grupeve të caktuara fisnore. Nga pikëpamja e nivelit të jetesës shpikja e bronzit ishte një revolucion i vërtetë në përgatitjen e veglave, armëve dhe stolive. Epoka e Bronzit ka rëndësi të veçantë për historinë tonë pasi gjatë saj u formua etnosi ilir. Lidhur me krijimin e etnosit ilir ka dy pikëpamje të ndryshme:

– Pikëpamja e parë i trajton ilirët si një popullsi e ardhur gjatë dyndjes së popujve indoeuropianë gjatë mijëvjeçarit III p.e.s. nga rajone të ndryshme të Europës (vendet nordike, Gjermania, Polonia, Hungaria etj.). Një nga dukuritë kryesore të popullsisë së ardhur ishte varrimi me tuma, dëshmi e organizimit familjar dhe fisnor të tyre.

Pikëpamja e dytë, e cila gjen mbështetje më të gjerë është ajo që e trajton formimin e etnosit ilir si rezultat i përzierjes së popullsisë vendase, e njohur me emrin konvencional si popullsi pellazge me elementin indoeuropian të ardhur nga dyndja e sipërpërmendur. Si rezultat i bashkëjetesës dhe shkrirjes së popullsisë vendase (që përbënte shumicën) me popullsinë e ardhur rishtas krijohet populli ilir, i cili me të drejtë konsiderohet si një nga popujt më të hershëm të Ballkanit dhe të Europës.

Dëshmitë kryesore për formimin e etnosit ilir nga popullsia vendase, e njohur me emrin pellazge, vijnë nga vazhdimësia e jetës në një sërë vendbanimesh, që nga koha e neolitit deri në epokën e hekurit, kohë kur kishte marrë fund procesi i formimit të etnosit ilir. Nga ana tjetër, disa dukuri të reja si varrimi me tuma janë dëshmi se në këtë proces ka ndikuar edhe popullsia e ardhur gjatë dyndjes indoeuropiane. Procesi i formimit të etnosit ilir është zhvilluar gjatë një periudhe relativisht të gjatë kohore nga epoka e Eneolitit deri në mesin e epokës së Bronzit. Në fund të epokës së Bronzit, në Ballkan, vijnë popuj të tjerë midis të cilëve edhe helenët, të cilët u vendosën kryesisht në pjesën jugore të gadishullit.

Epoka e hekurit (1200 deri 700 vjet p.e.s.). Fiset kryesore ilire 
Rreth viteve 1200 p.e.s. një metal i ri, hekuri, fillon të përdoret nga banorët ilirë. Ky metal i ri, më i fortë se bronzi, ndikoi ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së veglave dhe armëve. Rrjedhimisht, ndikoi edhe në rritjen e nivelit të jetesë, sidomos me zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë. Vendbanime të periudhës së hekurit janë dëshmuar në pjesë të ndryshme të territorit të banuar nga ilirët, si: në fushën e Korçës (ku jeta vazhdon pa ndërprerje nga epoka e bronzit), në luginën e Matit, më në veri, në Romajë, Rogovë, Shirokë (Kosovë) dhe akoma më në veri, në gadishullin e Istrias. Sigurisht që në këtë epokë, ashtu si dhe në ato paraardhëse, njësia kryesore e banimit ishte fshati i banuar nga një familje e madhe ose nga një grup familjesh patriarkale që i përkisnin një vëllazërie.

Fiset ilire shtriheshin në pjesën më të madhe të Ballkanit. Burimet antike të mëvonshme na japin këto të dhëna për vendndodhjen e fiseve kryesore ilire. Duke filluar nga veriu i gadishullit Ballkanik Japodët banonin midis gjirit të Istrias dhe lumit Todanius (Zemanje) dhe në brendësi deri tek lumi Oeneus (Una). Në jug të Japodëve banonin Liburnët, nga bregu i detit deri pranë lumit Titius (Krka). Në hapësirën midis lumenjve Krka dhe Neretva banonin Dalmatët. Përgjatë lumit Sava banonin një sërë fisesh ilire, si: Versiatët, Agrianët, Drionët, Breukët, Aesidiatët dhe Autaraitët. Midis lumit Neretva dhe Drilon banonte fisi i madh i Ardianëve në të cilin bënin pjesë fise më të vogla, si: Daorsët, Pleureit, Docleatët (Mali i Zi) dhe Labeatët (Liqeni i Shkodrës). Më në jug nga lumi Ardaksanus deri në lumin Aoos banonte fisi tjetër i madh ilir Taulantët ku bënin pjesë fise më të vogla, si: Abrejt (grykëderdhja e lumit Mat), Parthinët në hapësirën midis lumenjve Ishëm dhe Apsos (Seman), Albanët (zona Krujë – Tiranë). Në anën e djathtë të lumit Vjosa banonin Bylinët dhe në lindje të tyre Atintanët, ndërsa në bregun e majtë banonin Amantët. Në veri-lindje (Kukës, Dibër) banonin Pirustët, ndërsa Penestët banonin në hapësirën Mat-Mirditë. Në luginën e Genusit (Shkumbini) banonin Sesaretët, në Çermenikë banonin Kandavët që kufizoheshin me Enkelejtë në perëndim të liqenit Lyknid (Liqeni Pogradecit), ndërsa në lindje të këtij liqeni banonin Lynkestët. Fusha e Korçës banohej nga Desaretët. Në brendësi të gadishullit Ballkanik banonin disa fise të mëdha ilire, si: Paionët përgjatë luginës së lumit Aksios (Vardar), Dardanët në fushën e Kosovës dhe në veri deri pranë lumit Margos (Morava). Në jug të lumit Vjosa përgjatë bregdetit banonin fiset epirote të Kaonëve, në jug të tyre Thesprotët, në fushën e Hellopisë (Janina) banonin Mollosët, ndërsa Athamanët banonin në rrëzë të malit Pind. Në shek.IX p.e.s. banorë të fiseve ilire mesape dhe japige emigrojnë në Italinë e Jugut çka dëshmon se ata e njihnin këtë rajon para emigrimit.