Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 8: Shqiptarët gjatë periudhës së Tanzimatit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 8

Shqiptarët gjatë periudhës së Tanzimatit

Reformat në Perandorinë Osmane
Në fillim të shek. XIX Perandoria Osmane kishte hyrë në periudhën e ajanëve (feudalëve vendas). Pavarësisht se i shtypi pashallëqet e mëdha shqiptare, ajo nuk mundi të ndalte humbjet e territoreve të saj. Shkak u bënë rebelimi i Mehmet Ali Pashës në Egjipt, por edhe për shkak të lëvizjeve të reja kombëtare që filluan kombësitë joturke në Ballkan. Sulltan Abdyl Mexhiti më 3 nëntor 1839 shpalli dekretin perandorak me emrin Fermani i Gjylhanesë, i pari ndër dekretet, i njohur si reformat e Tanzimatit. Sipas dekretit, Porta e Lartë synonte të drejtonte me parime të reja rreth të cilave të ribashkonte elementët përbërës të perandorisë dhe të ndërtonte një mekanizëm të ri dhe të fuqishëm centralizues të drejtimit shtetëror. Në zbatim të tij Porta e Lartë ndërmori disa reforma. Ligji i ri për Organizimin Administrativ synonte të vendoste një administratë të centralizuar me nëpunës të bindur ndaj Stambollit; reforma financiare të zbatonte një sistem taksimi që ishte i ngarkuar me taksa të rënda për fshatarësinë dhe krijoi barazi juridike dhe fiskale midis shtetasve të perandorisë. Një vend të veçantë zinte edhe riorganizimi i ushtrisë dhe vendosja e shërbimit të detyruar ushtarak. Periudha e dytë e reformave nisi në vitin 1856 me Fermanin e Reformës ku ligji më me rëndësi ishte Ligji për Tokën (Arazi Kannunamesi), që i jepte fund pronësisë feudale-ushtarake, sanksiononte pronën private dhe garantonte shitblerjen e lirë të saj. Në vitin 1864 Porta e Lartë në praktikë filloi zbatimin e reformës së re administrative, ku në vend të ejaleteve u krijuan vilajetet me në krye valiun. Vilajetet ndaheshin, në sanxhaqe, kaza dhe nahije. Viset shqiptare u ndanë në 4 vilajete:
të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Zbatimi i reformave në Shqipëri
Reformat e para në Shqipëri filluan ta zbatoheshin qysh në vitet 30’. Eliminimi i pashallëqeve i hapi rrugë kalimit përsëri të pushtetit nga duart e feudalëve shqiptarë, në ato të funksionarëve osmanë. Administratorët e huaj nuk e njihnin gjuhën shqipe, por as zakonet e popullit shqiptar. Në përputhje me reformën ushtarake, filloi rekrutimi i ushtarëve të rregullt (nizamë) nga mosha 15-30 vjeç. Të rinjtë shqiptarë duhej të bënin shërbimin e gjatë e të rëndë ushtarak larg vendit të tyre dhe në kushte të vështira. Mbi popullsinë rënduan edhe një varg taksash të jashtëzakonshme, që shërbenin për mbajtjen e ushtrisë. Veç kësaj me Tanzimatin, Porta e Lartë u njohu kombësive të ndryshme të Perandorisë Osmane të drejtën të shkolloheshin në gjuhën amtare ndërsa shqiptarëve jo. Shqiptarëve nuk ju njohën të drejtat e kombeve të tjera. Ata nuk kishin të drejtë të hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Përkatësia fetare u identifikua me përkatësinë kombëtare. Shqiptarët i identifikonte sipas fesë. Në regjistrat osmanë shqiptari mysliman shënohej turk, shqiptari ortodoks shënohej ortodoks ose vlleh dhe shqiptari katolik shënohej latin. Si rrjedhim shqiptarët u ndaluan të kishin shkolla shqipe dhe të përdornin gjuhën amtare. Ata u lejuan që të ndiqnin vetëm shkollat e huaja (turke, greke, italiane) të cilat pas reformave të Tanzimatit numri tyre u rrit.

 

Kryengritjet kundër Tanzimatit
Reformat e Tanzimatit u pritën me zemërim nga shqiptarët, të cilët u revoltuan sidomos nga rritja e peshës së taksave, shërbimi i gjatë i nizamëve etj. Zbatimi dhe rëndesa e tyre, u bënë shkak për shpërthimin e një vale kryengritjesh popullore antiosmane që filluan në vitet ’30 dhe vazhduan deri vitet ’70 të shek. XIX. Ndonëse në kohë të ndryshme këto kryengritje u shtrinë në të gjitha trevat shqiptare si në Shkodër, Berat, Skrapar, Vlorë, Tepelenë, Mirditë, Dibër, Mat dhe Kosovë. Udhëheqës të kryengritjeve ishin Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Hamza Kazazi, Dasho Shkreli, Dervish Cara etj.

 

FJALË KYC
Shpjegoni fjalët kyç: Mehmet Ali Pasha, Abdyl Mexhiti, Fermani i Gjylhanesë, Tanzimat, Fermani i Reformës, nizam, Porta e Lartë, ferman, vilajet.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin shkaqet për ndërmarrjen e reformave në Perandorinë Osmane?
2. Çfarë përmbajnë reformat e Tanzimatit?
3. Si u zbatuan reformat në Shqipëri?
4. Në ç’mënyrë u zbatuan reformat e Tanzimatit?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë shtrirjen e katër vilajeteve në të cilën u përfshinë territoret shqiptare nga organizimi administrativ i Portës së Lartë.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Porta e Lartë u njohu kombësive të ndryshme të Perandorisë Osmane të drejtën të shkolloheshin në gjuhën amtare, ndërsa shqiptarëve jo, me pretekstin se nuk formonin një kombësi më vete dhe i identifikonte sipas fesë, ku myslimanët i quante turq, ortodoksët grek dhe katolikët latinë. Si rrjedhim shqiptarët u ndaluan të kishin shkolla shqipe dhe të përdornin gjuhës amtare.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për udhëheqësit e kryengritjeve shqiptare kundër Tanzimatit. Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.