Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 2: Konferenca e Ambasadorëve të Londrës 1912

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 2

Konferenca e Ambasadorëve e Londrës (1912-1913)

Konferenca e Ambasadorëve në Londër
Më 17 dhjetor të vitit 1912, u mblodhën në Londër në një konferencë, ambasadorët 6 Fuqive të Mëdha (Britani, Francë, Rusi, Gjermani, Austro-Hungari, Itali). Konferenca e Ambasadorëve do të diskutonte tre çështje:
1. Statusin politik të Shqipërisë, përcaktimin e kufijëve të saj(shumica e territorit të Shqipërisë ishte i pushtuar nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia).
2. Statusin e Sanxhakut të Novi Pazarit, që ishte zyrtarisht është nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë që nga Traktati i Berlinit në 1878.
3. Statusi i territoreve të tjera si ai i Kosovës, Maqedonisë dhe Trakisë. Konferenca u drejtua nga ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Eduard Grei. Ajo u mblodh në kushtet kur Lidhja Ballkanike (Serbi, Bullgari, Mali i Zi dhe Greqi) filloi luftën me Perandorinë Osmane në vitin 1912. Austro-Hungaria e konsideroi veten të prekur drejtpërsëdrejti nga këto zhvillime në Ballkan. Ajo kuptoi se po i rrezikoheshin interesat për të dalë në detin Adriatik. Por njëkohësisht ajo e konsideronte rrezik daljen e Serbisë në Adriatik, prapa së cilës qëndronte Rusia, e cila më pas, përmes Serbisë mund të mbyllte krejtësisht daljet në Adriatik. Situata ishte shumë kërcënuese, pasi Rusia, e mbështeste Serbinë në synimet e saj. Ekzistonte rreziku i një konflikti europian. Ky rrezik dilte nga fakti se dy nga fuqitë e mëdha, Austro-Hungaria dhe Italia ishin të vendosura që Serbia, Greqia dhe Mali i Zi të mos lejoheshin të ndanin territoret shqiptare midis tyre, siç dëshironin. Në Shqipëri, një muaj më parë, pra në nëntor 1912, Ismail Qemali kishte ngritur flamurin në Vlorë, duke shpallur kështu pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e saj. Qeveria e Vlorës kish dërguar në Londër, delegacionin e saj që të kërkonte njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, ku të përfshiheshin të gjitha territoret e shqiptarëve në Ballkan.

Çështja shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve
Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fort krijimin e një Shqipërie të pavarur. Austria-Hungaria udhëhoqi opozitën në Konferencën e Ambasadorëve. Italia mbështeti Austro-Hungarinë për shkak të ambicieve italiane në Shqipëri dhe për të parandaluar kontrollin e bregdetit përballë Italisë nga shtete, të cilat në të ardhmen mund të ishin nën varësinë e Rusisë ose ndoshta të Austro-Hungarisë. Rusia dhe Franca mbështetën Serbinë dhe Malin e Zi. Gjermania dhe Britania mbetën neutrale. Lidhja Ballkanike kishte rënë dakord, që asnjë shtet shqiptarë nuk do të formohej dhe territori shqiptar do të ndahej midis tyre. Nën presionin e fuqishëm të Fuqive të Mëdha, më 21 janar delegatët serbë në Konferencën e Paqes në Londër paraqitën një memorandum, që deklaronin se ata do t’i përshtaten kërkesave të Fuqive të Mëdha për krijimin e një shteti të ri shqiptar, në se do t’i jepej Serbisë, Shkodra dhe vende të tjera. Më 22 Mars 1913 u mor vendimi për kufijtë veriorë dhe verilindor. Sipas këtij vendimi Shqipërisë ju shkëputën Kosova, Dibra, Gostivari, Kërçova, Struga dhe Tetova dhe vise të tjera, ndërsa Shkodra ju la shtetit të ri shqiptar. Gjatë kësaj kohe forcat e Malit të Zi po bënin përpjekje për të pushtuar Shkodrën dhe deklaruan se Shkodra do të kënaqte aspiratat e tyre politike. Më 21 prill 1913 shtetet e tjera aleate të Lidhjes Ballkanike pranuan ndërmjetësimin e Fuqive të Mëdha, mbi bazën e premtimit se nuk do të krijohej një shtet etnik shqiptar, por një Shqipëri autonome në një territor të vogël. Fuqitë e Mëdha të detyruara edhe nga opozita (Austro-Hungaria dhe Italia) e detyruan Malin e Zi të tërhiqej nga Shkodra. Më 30 maj 1913 u nënshkrua Traktati i Paqes midis aleatëve ballkanikë dhe Perandorisë Osmane. Ai trajtoi rregullimet territoriale që dilnin nga përfundimi i Luftës së Parë Ballkanike. Sipas Traktatit Perandoria Osmane do të hiqte dorë nga i gjithë territori në perëndim të linjës Enos-Midia. Vendimi përfundimtar për statusin politik të Shqipërisë dhe caktimin e kufijve të saj u mor më 29 korrik 1913. Pas shumë diskutimesh, ambasadorët arritën një vendim formal, për të krijuar Principatën autonome, sovrane dhe trashëgimore të Shqipërisë, si një shtet asnjanës nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ajo do të drejtohej nga një princ i caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Një komision ndërkombëtar do të kontrollonte jetën e vendit në aspektin politik e ekonomik për 10 vjet me pjesëmarrje edhe të një përfaqësuesi shqiptar. Më pas, një komision i posaçëm kufitar u dërgua për të ndarë kufirin greko-shqiptar. Duke mos qenë në gjendje të përcaktonin kufirin në baza etnografike, komisioni u udhëhoq nga parime ekonomike, strategjike dhe gjeografike, gjë që rezultoi me vendimin e Konferencës së Londrës për të lënë pjesën më të madhe të zonës së kontestuar në Shqipëri. Kjo kthesë e ngjarjes shkaktoi revolta në mesin e popullatës me kombësi greke të cilët deklaruan Republikën Autonome të Epirit të Veriut. Më 11 gusht 1913 u morën vendimet për kufirin jugor, ku Korça i kaloi Shqipërisë ndërsa Çamëria dhe Janina banuar nga shqiptarët, ju dha Greqisë. Si rezultat i vendimeve të marra dhe për shkak të presioneve nga Greqia dhe Serbia, gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të caktuar. Në veçanti, Kosova ju dha Serbisë. Protokolli i Firences, më 17 dhjetor 1913, formalizoi njohjen ndërkombëtare të vendimeve të marra për kufijtë jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë.

Pasojat e vendimeve të marra në Londër
Vendimet e marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër e përgjysmuan Shqipërinë etnike. Ato u bënë një faktor i fuqishëm për fillimin e një Lufte të Dytë Ballkanike. Me krijimin e një Shqipërie të pavarur, Serbia u privua nga avantazhet e pritshme për të cilat ajo besonte se i takonin nisur nga sakrificat dhe suksesi i saj në Luftën I Ballkanike. Zgjidhja, nga pikëpamja e Fuqive të Mëdha, që u shpjegua në Dhomën e Komuneve, nga Sir Eduard Grey, ndihmoi në parandalimin e një lufte europiane në kurriz të tokave shqiptare. Për më tepër Eduard Grei deklaroi të pavërtetat për shqiptarët kur tha: – ne e bëmë këtë me vullnet të plotë pasi që shqiptarët janë të ndarë në racë, në gjuhë dhe, në një masë të madhe edhe në fe. Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të shpallej Principatë autonome nën kontrollin e KNK. Ky vendim binte ndesh me aspiratën e vet shqiptarëve të cilët në Kuvendin e Vlorës e kishin shpallur Shqipërinë të pavarur e tashmë duhej të ishte nën kontrollin e 6 fuqive të mëdha. Gjithashtu konferenca e ambasadorëve në Londër duke lënë jashtë territorit të Shqipërisë gjysmën e territoreve të saj binte në kundërshtim përsëri me vendimet e kuvendit të Vlorës i cili kërkonte një shtet shqiptar në trojet etnike të tij. Në 10 tetor të vitit 1913 erdhi në Shqipëri Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), i cili u vendos në Vlorë pranë qeverisë së Ismail Qemalit. Si dhe u mor vendimi në Londër më 29 korrik, në përbërjen e tij mori pjesë edhe një përfaqësues shqiptar, fillimisht Ahmet Myfit Libohova dhe më pas Mehdi Abdyl Frashëri. Komisioni propozoi krijimi e një banke me kapital të secilit shtet përfaqësues gjë të cilën në kushtet e gjendura e aprovoi edhe ismail Qemali. Por marrëdhëniet e këtij të fundit me KNK nuk ishin fort të mira pasi secili shtet pjesëmarrës në KNK, kërkonte koncesione nga qeveria e Vlorës. Nga ana tjetër kundërshtarët e Ismail Qemalit si Esat Pashë Toptani punonin kundër qeverisë së tij për privilegje. Në 22 Janar 1914 Ismail Qemali jep dorëheqjen dhe KNK qeverisë deri në ardhjen e Princ Vidit. Veprimet dhe mosveprimet që ndodhën në këtë kohë lanë pas pasoja të mëdha për shqiptarët. Ato vijnë në ditët tona si pengesë në rrugën e integrimit rajonal e europian.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Konferenca e Ambasadorëve Londër, Principatë Autonome, Eduard Grei, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës?
2. Çfarë qëndrimi mbajti Konferenca e Londrës për kufijtë e shtetit shqiptar?
3. Cilat ishin vendimet e Fuqive të Mëdha për statutin politik të Shqipërisë?
4. Cilat janë pasojat e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në lidhje me kombin shqiptar?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Qëndrimi juaj. Pse Konferenca e Ambasadorëve la jashtë shtetit shqiptar gjysmën e territoreve të tij? Diskutoni në klasë.
3. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Ne e bëmë këtë me vullnet të plotë pasi që shqiptarët janë të ndarë në racë, në gjuhë dhe në një masë të madhe edhe në fe… . Eduard Grei
4. Vëreni hartën. Cilat janë përfundimet tuaja? Diskutoni në klasë.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për projektet e Austro-Hungarisë dhe Rusisë për çështjen shqiptare, krahasojini dhe formuloni përfundimet tuaja. I diskutoni në klasë ato.