Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 3: Shqipëria nën qeverisjen e princ Vilhelm Vidit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 3

Shqipëria nën qeverisjen e princ Vilhelm Vidit

Vendosja në Shqipëri e Princ Vilhelm Vidit
Pas vendimeve të 29 Korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Fuqitë e Mëdha pranuan përfundimisht në nëntor 1913, që princ i Shqipërisë të ishte gjermani Vilhelm Vid i propozuar nga Austro-Hungaria dhe Italia. Nga kandidatët ky u vlerësua më tepër për dy arsye: së pari ishte protestant dhe nuk ishte pjesë e asnjërës prej tri feve që ekzistonin në Shqipëri, së dyti ishte gjerman dhe Gjermania nuk ishte përzier drejtpërdrejti në punët e Shqipërisë. Ky vendim u mirëprit nga patriotët shqiptarë që shikonin tek princi gjerman simbolin e Shqipërisë së pavarur. Qeveria e Vlorës, me qëllim që në Shqipëri të ekzistonte një qeveri e vetme për të gjithë vendin, më 22 janar dha dorëheqjen dhe pushtetin ia kaloi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që kishte ardhur në Shqipëri në tetor 1913. Ky komision i kërkoi edhe Esat Toptanit që ta shpërndante Pleqësinë e Durrësit dhe t’i linte vendin një qeverie ndërkombëtare që do të formohej, porsa të vinte Princ Vidi. Esat Toptani u përpoq ta shfrytëzojë momentin për t’u bërë figurë kryesore politike pas princit, kështu ai u caktua kryetar i delegacionit që do t’i vinte kurorën mbretërore Vidit, duke shpresuar se mund të vihej në krye të qeverisë së Durrësit. Princ Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914. Vilhelm Vidin e njohën si princ të Shqipërisë të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike. Kryeqytet ai zgjodhi Durrësin ku kishte ndikimi të fortë Esat Toptani. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit një diplomat karriere i Perandorisë Osmane. Pavarësisht së Esat Toptani nuk mundi të vihej në krye të qeverisë, ai mori dy ministritë më të rëndësishme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Luftës. Përveç tij në qeverinë e formuar nga Vidi bënin pjesë edhe Hasan Prishtina, Mihal Turtulli dhe Prenk Bibë Doda.

 

Statuti Organik i Shqipërisë
Regjimi i Vidit u sanksionua nga statuti organik i Shqipërisë, ligji i parë themelor (kushtetuta) i shtetit shqiptar që u hartua dhe u miratua në Vlorë, nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit më 10 prill 1914. Ky statut përmbante vendimet kryesore të marra për Shqipërinë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Sipas këtij statuti, Shqipëria shpallej principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme, nën garancinë e Fuqive të Mëdha duke sanksionuar formën monarkike të qeverisjes. Fuqitë e Mëdha, garantonin tërësinë dhe paprekshmërinë e Shqipërisë me kufijtë e caktuar nga vetë ato, si dhe asnjanësinë e shtetit shqiptar. Në fronin e Shqipërisë njihej me të drejtë sovrane princi Vilhelm fon Vidi, i cili ishte kryetar i administratës civile dhe ushtarake dhe kishte të drejtë të emëronte Këshillin e Ministrave. Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja Kombëtare, e cila kontrollohej nga princi. Gjuha zyrtare dhe gjuha e detyruar në shkolla ishte gjuha shqipe. Nga ana administrative Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura), të cilat ndaheshin në kaza (nënprefektura) dhe në nahije (komuna). Statuti organik përcaktonte institucionet e larta të shtetit, përbërjen e forcave të armatosura, të administratës të financave, të drejtësisë, të arsimit etj. Ai njihte pronën private dhe garantonte ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomiko, shoqërore e politike. Me statutin organik, Shqipëria radhitej përfundimisht ndër shtetet e pavarura të Europës. Megjithëkëtë, sipas statutit, shteti shqiptar detyrohej të mbante në fuqi traktatet, konventat dhe rregullimet ndërkombëtare të Perandorisë Osmane në lidhje me koncesionet (privilegjet), që ajo u kishte njohur të huajve në tokat e Shqipërisë. Këto mund të ndryshoheshin vetëm me vendimin e Fuqive të Mëdha.

Gjendja e Shqipërisë nën regjimin e Vidit
Gjendja e Shqipërisë ishte e mjerueshme. Shumica e popullsisë jetonte në fshat. Një pjesë e tokave ishin moçalore dhe djerrë, rendimentet e prodhimit bujqësor ishin të pakta dhe në vend ende kishte mbeturina feudale. Popullsia e qyteteve ishte e vogël. Në të gjithë vendin kishte vetëm disa qindra ndërmarrje industriale me prodhim të kufizuar. Rrjeti rrugor ishte i paktë dhe në gjendje të keqe. Në këtë gjendje qeveria e Vidit hasi vështirësi të mëdha. Kriza financiare ishte e madhe. Nga huaja që iu premtua Vidit vetëm Austro-Hungaria dhe Italia dhanë një shumë të vogël. Nuk u realizua as projekti i Vidit për ngritjen e një banke shqiptare me kapitale të shteteve të fuqishme. Copëtimi i Shqipërisë dhe shkatërrimi i tregut shqiptar e dëmtuan së tepërmi ekonominë shqiptare. Gjendja rëndohej edhe nga mungesa e qetësisë dhe e ekuilibrit politik. Princ Vidi dhe qeveria e tij u ndodh shpejt përpara një gjendjeje politike mjaft të vështirë të brendshme e të jashtme. Brenda vendit ai u gjend përballë lëvizjes vorio-epirote dhe rebelimit që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme kurse në planin ndërkombëtar kontradiktat e Fuqive të Mëdha që e sollën Princ Vidin në Shqipëri, ishin shfaqur edhe në qeverinë e tij. Përveç këtyre faktorëve duhet të theksohet se Princ Vidi nuk kishte mjetet e duhura për ta nxjerrë vendin nga gjendja ku ndodhej. Në këto rrethana pasi kishte filluar edhe Lufta e parë Botërore Princ Vidi u detyrua të linte Shqipërinë, më 3 shtator 1914 pas gjashtë muaj qëndrimi.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Turhan Pashë Përmetit, statuti organik i Shqipërisë, Lëvizja Vorio-Epirote, statusi organik.

PËRGJIGJUNI
1. Kur u caktua Vilhelm Vidi, Princ i Shqipërisë?
2. Si u organizua qeveria e tij?
3. Çfarë përmbante statusi organik i Shqipërisë?
4. Cilat ishin shkaqet që çuan në qeverisjen e shkurtër të Vidit?
5. Në ç’gjendje ndodhej Shqipëria gjatë regjimit të Vidit?
6. Pse Princ Vidi u largua herët?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Brenda vendit ai u gjend përballë lëvizjes vorio-epirote dhe kryengritjes që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme kurse në planin ndërkombëtar kontradiktat e Fuqive të Mëdha që e sollën Princ Vidin në Shqipëri, ishin shfaqur edhe në qeverinë e tij.
3. Qëndrimi juaj. Pse Princ Vidi gjeti përkrahje ndërkombëtar për të ardhur si princi i Shqipërisë?

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Cilat ishin problemet që i shkaktoi vendit? Formuloni

 

qëndrimin tuaj dhe diskutojeni në klasë.