Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 3
Marrëdhëniet e ilirëve me grekët
Themelimi i kolonive greke në bregdetin ilir. Roli i tyre.
Shek.VII p.e.s. përbën një fazë të rëndësishme për ilirët. Marrëdhëniet e tyre me grekët kalojnë në një fazë të re. Në fund të shek.VII p.e.s. themelohen kolonitë e para greke. Kolonistë të ardhur nga Kerkyra (Korfuzi) themeluan Epidamin rreth vitit 627 p.e.s. dhe kolonistë të ardhur nga Korinthi themeluan Apolloninë rreth viteve 620 p.e.s. Në shek. e VI p.e.s. kolonistë të ardhur nga Eubea themeluan Oriko dhe kolonistë abantë themeluan Thronion (Treporti -Vlorë).
Themelimi i kolonive greke ishte një proces paqësor me karakter ekonomik. Nga marrëdhëniet e mëparshme me ilirët, tregtarët helenë kishin marrë informacione mbi mundësinë e themelimit të qyteteve greke në territorin ilir. Krijimi i qyteteve helene bazohej në kushtet dhe mundësitë që ofronte territori ilir në afërsi të vendit ku do të themelohej kolonia. Kjo nënkuptonte se fiset ilire miratonin krijimin e tyre. Marrëdhëniet e tregtisë midis greke dhe ilirëve dhe përfitimi reciprok krijuan kushtet për themelimin e kolonive. Themelimi i kolonive dëshmon nivelin e zhvillimit ekonomik e shoqëror, relativisht të lartë, të ilirëve në këto zona. Kjo gjë i jepte garanci jo vetëm helenëve për themelimin e kolonive, por edhe për zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të vet ilirëve – siç edhe ndodhi sidomos me Epidamnin dhe Apolloninë. Në kohën e themelimit të kolonive, ilirët banonin, kryesisht, në fshatra dhe në qendra të vogla protourbane si fillesa të qyteteve ilire të ardhme. Themelimi i kolonive shërbeu si nxitje për lindjen e qyteteve të para ilire, të cilat kishin një model jo vetëm urbanistik, por qeverisës dhe kulturor tek kolonitë. Një rol të rëndësishëm për marrëdhëniet midis kolonive dhe ilirëve të prapatokës luajtën banorët me origjinë ilire që kishin marrë statusin e qytetarit në koloni.
Tiparet e shoqërisë ilire në shek.VII-V p.e.s.
Gjatë shek.VII-V p.e.s. në territorin e banuar nga ilirët ndodhën ndryshime të rëndësishme. Gjatë kësaj kohe shtohen dukshëm si vendbanimet e hapura, ashtu dhe ato të fortifikuara. Kjo ishte dëshmi e një zhvillimi ekonomik, por edhe e konflikteve midis fiseve. Lindja e vendbanimeve protourbane në Gajtan, Margëlliç, Mashkjezë, Klos, Amantia, Belsh, Buthrot etj., dëshmon se shoqëria ilire kishte hyrë në rrugën e qytetërimit. Vendbanimet proturbane që shërbenin si qendra për zona të caktuara dëshmonin se një shtresë e re aristokratësh dhe tregtarësh ilirë të pasuruar synonin një jetë më të mirë. Gjetja e objekteve të ardhura nga Greqia, sidomos e enëve, stolive, armëve etj., të një cilësie të lartë, dëshmojnë se shtresa të caktuara të shoqërisë ilire kishin krijuar burime të mjaftueshme për një jetë më të mirë se pjesa tjetër. Konstruksionet dhe inventari i varreve tregon qartë diferencimin pasuror që kishte përfshirë shoqërinë ilirë të kohës. Po ashtu, krijimi i këtyre vendbanimeve dëshmon shkallën e lartë të zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë, zejtarisë dhe rritjen e shkëmbimit të mallrave si brenda tregut ilir, ashtu dhe në marrëdhëniet me grekët. Ndryshime, në këtë kohë, vërehen edhe në mënyrën e jetesës, që reflektohet në ndërtimin e banesave më të mira, në prodhimin e enëve, armëve, stolive dhe veglave te punës më të avancuara. Përdorimi i çarkut i dha hov prodhimit të poçarisë dhe e bëri atë më cilësore. Nga pikëpamja e organizimit shoqëror, baza e organizimit ishte familja patriarkale, ndërsa bashkimi i disa familjeve të tilla përbënte një vëllazëri, ndërkohë që disa vëllazëri të bashkuara përbënin një fis. Nëse fshati ishte vendbanimi i një apo disa familjeve patriarkale vendbanimet e fortifikuara duket se shërbejnë edhe si qendra e një apo disa fiseve të afërta midis tyre. Një dëshmi e organizimit familje-vëllazëri-fis janë tumat (kodërvarre), të cilat përdoreshin si vendvarrimi për një familje ose edhe një vëllazëri.
Arti dhe kultura ilire, e kohës, dëshmohet kryesisht nga objektet arkeologjike si: enë të zbukuruara; stoli; afreske në shpella me skena gjuetie (Tren-Korçë, Lips-Mali i Zi); skulptura monumentale, në Istria dhe urnat (arka guri për mbajtjen e hirit të të vdekurit) me skena funebre tek japodët. Ende pa u njohur me panteonin helen të hyjnive ilirët e kësaj periudhe besonin në hyjninë e Diellit të trashëguar që nga epoka e bronzit. Po ashtu kulti i gjarprit ishte pjesë e besimit të tyre.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: koloni greke, qendra protourbane, familja patriarkale, tuma, urna.
PËRGJIGJUNI
1. Cili është roli që luajtën kolonitë greke në shkëmbimin kulturor ndërmjet dy qytetërimeve?
2. Cilat janë tiparet që evidentojnë qytetërimin ilir?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë shtrirjen e kolonive greke në territorin ilir. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Themelimi i kolonive greke ishte një proces paqësor me karakter ekonomik. Cili është mësimi që merrni nga ky pohim? Formuloni përfundimet tuaja.
4. Bylis e Apolloni janë dy qytete antike në trojet ilire. Gjeni, cilat janë të përbashkëtat dhe veçoritë midis tyre? Formuloni përfundimet tuaja në një raport me 500 karaktere.