Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 1
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri
Komunistët marrin pushtetin
Lufta Antifashiste nacional-çlirimtare bëri të mundur që në nëntor të vitit 1944 Shqipëria të ishte një vend i çliruar nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Populli shqiptar në luftën për çlirim kombëtar u motivua nga ndjenja patriotike për ta parë vendin të lirë. Kjo luftë u bë në kuadrin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar “për një Shqipëri të lirë e demokratike, pa dallim klase, besimi, prejardhje dhe bindjeje politike”. Qëndrimi i tij ishte në një linjë me popujt e tjerë europianë në luftën e tyre për tu çliruar nga sundimi nazi-fashist. Lufta u bë nga populli shqiptar, i organizuar në Frontin nacional-çlirimtar, por që drejtohej nga PKSH. Por pas çlirimit të vendit, PK shqiptare e orientoi zhvillimin e vendit drejt një modeli qeverisje bazuar në parime totalitare, ndryshe nga ato që ishin shpallur nga Fronti. Ndërtohet aparati i ri shtetëror. Ngritja e aparatit të ri shtetëror kishte filluar që gjatë luftës. Nga Kongresi i Përmetit, që u mbajt më 24 maj 1944, doli Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ) i përbërë nga 121 anëtarë, me atributet e një parlamenti, si dhe Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar, i zgjedhur nga Këshilli, me atributet e një qeverie të përkohshme. Enver Hoxha, në këtë kongres, u caktua kryetar i Komitetit Antifashist dhe Komandanti Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kongresi i Përmetit ishte kurorëzimi i përpjekjeve të PKSH për të marrë pushtetin, i cili më pas u emërtua “demokraci popullore”. Ai ishte rrënjësisht i ndryshëm nga ai i regjimit mbretëror të Zogut. Kongresi i Përmetit dhe krijimi më 1946 i një republike popullore të drejtuar vetëm nga PKSH me në krye Enver Hoxhën, hodhën themelet e një qeverisje dikatatoriale. Kongresi i Përmetit u konsiderua nga PKSH si pikënisja e krijimit të një shteti të ri shqiptar dhe këtë e tregon edhe stema e Republikës Popullore të Shqipërisë ku u vendos data 24 maj 1944 si themelim i saj. Ndërkohë që shteti shqiptar ishte krijuar që në vitin 1912-13.
Një Qeveri e re vendos pushtetin në Tiranë
Komiteti Antifashist i zgjedhur në Kongresin e Përmetit, u rikonfirmua edhe njëherë në Mbledhjen II të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në Berat (më 20-23 tetor 1944), në rolin e një qeverie të përkohshme. Ajo u emërtua si qeveri demokratike, ku Enver Hoxha u caktua në postin e kryeministrit. Në 17 nëntor, Tirana u çlirua dhe gjermanët u tërheqin drejt veriut të Shqipërisë. Qeveria e re hyri në Tiranë për të ushtruar funksionet e saj në përputhje me orientimet e Frontit dhe të PKSH. Këshillat Nacionalçlirimtare të ngritura gjatë luftës u përdorën si organe të pushtetit të ri popullor. Qeveria e përkohshme krijoi: armën e Sigurimit të Shtetit (ose policinë sekrete), si garanci për forcimin dhe mbrojtjen e pushtetit të ri; gjykatat ishin tërësisht nën kontrollin politik të qeverisë dhe partisë komuniste. Shqipëria pas Luftës II Botërore ishte në një pozitë të vështirë ndërkombëtare. Shqipëria e drejtuar me një dorë të hekurt nga Partia Komuniste, e cila kishte lidhje të forta me Partinë komuniste jugosllave, ishte nën ndikimin e fuqishëm politik të Jugosllavisë dhe të BS që fshihej pas saj.
Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe shpallja e Republikës
Në 2 dhjetor 1945, u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Propozimi për zgjedhjen e organeve të reja kushtetuese u bë nga Kongresi I i Frontit Nacionalçlirimtar në gusht të vitit 1945, i cili tani u emërtua Fronti Demokratik. Ato u zhvilluan në bazë të ligjit mbi zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, i cili theksonte se zgjedhjet duhej të ishin të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të fshehta. Në zgjedhje morën pjesë vetëm kandidatët e Frontit Demokratik të zgjedhur nga PKSH. Në mbledhjen e dytë të KANÇ në Berat, u miratua Deklarata për të Drejtat e Qytetarëve, sipas së cilës garantoheshin të gjitha të Drejtat Themelore të Njeriut, edhe ajo e formimit të partive apo organizatave politike. Balli Kombëtar dhe Legaliteti u cilësuan organizata profashiste, prandaj ato nuk kishin të drejtë të kandidonin në zgjedhjet e pasluftës. Bazuar në këtë deklaratë, përfaqësues të Frontit Demokratik, si Gjergj Kokoshi, Shefqet Beja edhe pse mendonin ndryshe u përpoqën, i pari jashtë Frontit dhe tjetri brenda tij, të krijonin organizata opozitare për të marrë pjesë në zgjedhje, krahas kandidatëve komunistë. Të drejtën për të votuar e kishin zgjedhësit mbi 18 vjeç. Në votim morën pjesë 92% e zgjedhësve dhe 93 për qind e tyre votuan për kandidatët e Frontit Demokratik. Nga zgjedhjet dolën 82 deputetë që formuan Asamblenë Kushtetuese në 10 janar të vitit 1946. Ajo anuloi formën monarkike të regjimit dhe më 11 janar e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore. Në 12 janar u zgjodh Presidiumi i Asamblesë me kryetar dr. Omer Nishanin. Pas disa muaj debatesh, më 14 mars 1946, Asambleja miratoi Kushtetutën ose Statutin e Shtetit. Në formë Kushtetuta përmbante parime të formuluara sipas modelit sovjetik, ku sundonte dhe qeveriste vetëm një parti në pushtet, e cila pretendonte se shprehte interesat e gjithë popullit. Kështu, në Nenin 1 kushtetuta shpallte se Shqipëria është Republikë Popullore ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit. Me miratimin e Kushtetutës, Asambleja u shndërrua në parlament – Kuvendi Popullor. Në mbledhjen e 18 marsit, Kuvendi Popullor e ngarkoi Enver Hoxhën të krijonte qeverinë. Ai i paraqiti kuvendit programin e qeverisë që synonte ndërtimin e regjimit komunist në Shqipëri. Në qeverinë e re, Enver Hoxha, drejtuesi kryesor i PK të Shqipërisë, u caktua kryeministër, ministër i jashtëm, ministër i mbrojtjes dhe komandanti i ushtrisë. Koçi Xoxe, Nako Spiru dhe drejtues të tjerë të lartë komunistë zunë poste të rëndësishme në qeveri. PK praktikisht kishte marrë në dorë të gjitha institucionet qeverisëse të vendit. U krijua kështu një shtet një partiak, që drejtohej vetëm nga partia komuniste. Pas zgjedhjeve, duke filluar nga pranvera e 1946, PK shqiptare forcoi përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të Qeverisë së përkohshme në të gjithë territorin e vendit. Këto përpjekje çuan në konflikte të armatosura ose jo me popullsinë, në të gjithë vendin. Kundërshtimi ndaj pushtetit të ri erdhi si rezultat i valës së arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve, internimeve masive, sekuestrimeve të pasurisë dhe pronës private, dhunimit të besimit fetar, diskriminimit krahinor dhe luftës së klasave (kjo e fundit kishte filluar që gjatë luftës midis grupimeve kryesore partizanëve dhe ballistëve). E gjithë kjo dhunë ishte e paligjshme, pasi binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare të vitit 1923 ku Shqipëria bënte pjesë dhe Deklaratën për të Drejtat e Qytetarëve, miratuar nga KANÇ, tetor 1944. Nga ana tjetër malësorët, në veri të Shqipërisë dhe ata në jug, kishin tradita të larta patriotike në luftë për liri nga pushtuesit e huaj. Ata ishin mësuar tradicionalisht të vetëqeveriseshin dhe ishin në parim kundër çdo pushteti të fort qendror, i cili vinte në rrezik privilegjet e tyre historike. Fryma antikomuniste e malësorëve të veriut u favorizua edhe nga politika pro-jugosllave e PK shqiptare, sepse ata nuk mund të pranonin që Kosova të mbetej nën pushtetin e armikut të tyre shekullor – sllavëve. Në qëndrimin antikomunist të një pjese të popullsisë së krahinave të veriut ndikonte dhe Kisha katolike, e cila ishte kundërshtare e rreptë e komunizmit dhe e orientimit të qeverisë shqiptare nga Lindja sovjetike. Kjo e vuri Kishën katolike nën goditjet e ashpra të regjimit komunist, ku si pasojë kleri katolik u persekutua egërsisht nga shteti totalitar. Por jo më pak u persekutua kleri dhe në jug të vendit.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: regjimi komunist, Fronti Demokratik, nomenklatura komuniste, Kuvendi Popullor, Kushtetuta, shteti njëpartiak.
PËRGJIGJUNI
1. Në ç’mënyrë u vendos regjimi komunist në Shqipëri? Përshkruani etapat dhe karakteristikat e tij.
2. Cili është roli i komunistëve jugosllavë në vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri?
3. Pse themi se në Shqipëri rrënjët e diktaturës komuniste i gjejmë, që gjatë Luftës antifashiste?
4. Si u prit vendosja e regjimit komunist në Shqipëri? Argumentoni me shembuj.
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni hartën. Çfarë mësimi përcjell për ju? Formuloni qëndrimin tuaj.
2. Analizoni qëndrimet e dy historianëve shqiptar apo të huaj, të cilët kanë mendime të kundërta për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Gjykoni mbi qëndrimet e tyre e formuloni përfundimet tuaja.
KËRKONI INFORMACION
1. Formuloni përfundimet tuaja. Intervistoni gjyshërit apo persona të tjerë që kanë jetuar në komunizëm dhe pyetini: Si e keni përjetuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri? 2. Lexoni, art. 94.95.96 te Kushtetuta e vitit 1946. Formuloni përfundime.