Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 8: Marrëdhëniet e Shqipërisë me Vendet e Lindjes 1948-1978

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 8

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Vendet e Lindjes (1948-1978)

Marrëdhëniet e Shqipërisë me BS dhe vendet e tjera të bllokut sovjetik 1948-1961
BS ndihmon Shqipërinë të shkëputet nga Jugosllavia. Deri në vitin 1948, BS e ndihmonte Shqipërinë nëpërmjet Jugosllavisë. Prishja e marrëdhënieve mes Moskës e Beogradit si dhe përjashtimi i Jugosllavisë nga Byroja Informative (28.06.1948) e përmbysën situatën ndërkombëtare në Ballkan. Konflikti Tito-Stalin më 1948 ishte një rast i mirë për ta çliruar Shqipërinë nga dominimi jugosllav dhe Enver Hoxhën nga tutela e Beogradit. Kjo ishte dhe një garanci për qëndrimin e tij në pushtet dhe forcimin e diktaturës komuniste. Në këto rrethana të reja politike të dy vendet, BS dhe Shqipëria u lidhën drejtpërsëdrejti mes tyre. Aleanca e Tiranës me Moskën ngriti statusin e Shqipërisë. Prishja e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave e rriti vlerën Shqipërisë në sytë e BS. Hoxha përfitoi dhe Shqipëria bëri një kthesë të shpejtë në politikën e saj ndaj Jugosllavisë. Qeveria shqiptare shfuqizoi të gjitha marrëveshjet dypalëshe dhe filloi një fushatë propagandistike anti-jugosllave. Pas prishjes me Jugosllavinë, Shqipëria rifitoi pavarësi më të madhe në veprimet politike të brendshme, por nga ana tjetër ekonomia e vendit, deri atëherë e varur nga ndihmat jugosllave, ishte në gjendje shumë të keqe. Bashkimi Sovjetik dhe gjithë shteteve të bllokut lindor të varur prej tij ju duhej të ndihmonin ekonomikisht dhe ushtarakisht Shqipërinë. Këtë ata e bënë me dëshirë, sepse Shqipëria në atë kohë të acarimit të marrëdhënieve Lindje-Perëndim, zinte një pozicion tepër të rëndësishëm gjeo-strategjik. Në shkurt 1949 Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e Ndihmës të Ekonomike Reciproke (KNER). Ajo hyri në marrëveshje ekonomike me Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Bashkimin Sovjetik; tregtia e jashtme e Shqipërisë zhvillohej thuajse e tëra me vendet e KNER, ku më shumë se gjysmën e këtij vëllimi e zinte tregtia me BS. Deri në vitin 1961, BS i dha për ekonominë e Shqipërisë kredi me vlerë rreth 156 milion $, me kushte shumë të leverdishme (2% interes); madje në vitin 1957 qeveria shqiptare u çlirua detyrimi për shlyerjen e tyre. Shtetet e tjera të KNER-it, madje edhe Bullgaria e dobët ekonomikisht, u detyruan të ndjekin shembullin e BS. Ndihma e tyre ekonomike në kredi me interes fare të vogël po për këtë periudhë, llogaritet në 133 milion $. Varësia nga Bashkimi Sovjetik. Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, si në gjithë Bllokun lindor, ishin të pabarabarta dhe karakterizoheshin nga varësia e Shqipërisë nga BS jo vetën në fushën ekonomike, por dhe në atë ushtarake dhe të politikës së jashtme. Për BS rëndësi të madhe kishte pozita strategjike e Shqipërisë në Adriatik dhe bazat e saj detare (Orikum dhe Sazan në gjirin e Vlorës) me vlerë të rëndësishme për strategjinë ushtarake sovjetike në Ballkan dhe Mesdhe. Për këtë arsye në vitin 1955 Shqipëria u bë anëtare e Organizatës së Traktatit të Varshavës, e njohur ndryshe si Pakti i Varshavës. Shqipëria përfitoi nga anëtarësimi në këtë aleancë politike-ushtarake, pasi ushtria shqiptare gati tërësisht mbahej me financimet sovjetike, uniforma, ushqime, armatime, municione, dhe të gjitha falas. Ndihma shtesë që u dhanë për ushtrinë dhe teknikën vlerësohet në rreth 100 milion $; më tepër se 3000 këshilltarë sovjetikë në ushtri dhe ekonomi zëvendësuan këshilltarët e dëbuar jugosllavë. Shqipëria si anëtare e Traktatit të Varshavës, formalisht ndjehej e sigurt, por praktikisht e cenueshme për shkak të izolimit territorial me pjesëtarët e aleancës. Kjo veçori e pozitës së Shqipërisë e komplikonte dhënien e ndihmës ushtarake nga Pakti në rast nevoje.

Prishja e marrëdhënieve dhe largimi nga Moska. Pas vdekjes së Stalinit, udhëheqësi i ri sovjetik Nikita Hrushovi u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë. Afrimi sovjeto-jugosllav dhe afrimi mes Moskës dhe Beogradit, u perceptua nga udhëheqja shqiptare si një kërcënim serioz për pavarësinë e vendit. Vizita e Hrushovit në Beograd (1955), solli pajtimin e BS me Jugosllavinë, e cila shikohej nga qeveria shqiptare si armiku kryesor. Me këtë veprim BS injoroi interesat politike të Shqipërisë. Dominimi jugosllav në vitet 1944-1948, i kujtonte qeverisë shqiptare se afrimi Moskë-Beograd mund të bëhej jo vetëm në dëm të interesave të Shqipërisë, por edhe të vet regjimit të Hoxhës. Për politikën e jashtme sovjetike më shumë interes kishte Jugosllavia se sa Shqipëria. Kjo politikë nuk i pëlqeu dy drejtueseve kryesore të shtetit shqiptar, Hoxhës dhe Shehut. Ata nuk besonin në politikat e Nikita Hrushovit për “bashkëjetesën paqësore” me Perëndimin dhe “rrugë të ndryshme ndaj socializmit” që synonte të bashkëpunonin me Jugosllavinë e Titos. Kursi i ri në politikën e jashtme sovjetike ishte një kërcënim për pushtetin Hoxha-Shehu. Në vitin 1956, në “fjalimin e tij sekret”, Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit. Hoxha mbrojti Stalinin dhe fajësoi Hrushovin për dobësimin e kampit socialist, për problemet e ndërlikuara të komunizmit botëror, siç ishin trazirat në Poloni dhe në Hungari (në vjeshtën e vitit 1956). Duke mbrojtur Stalinin, Hoxha mbronte regjimin e tij dhe metodat diktatoriale të qeverisjes së vendit. Në vizitën e tij në Shqipëri në vitin 1959, Hrushovi u përpoq të bindte drejtuesit shqiptarë se nuk duhet të zhvillonin industrinë e rëndë, por bujqësinë. Pesha e faktorit jugosllav në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, bindën drejtuesit shqiptarë se për të mbrojtur sigurinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej më tek Bashkimi Sovjetik. Ndërkohë që sovjetikët prishnin marrëdhëniet me Shqipërinë, ata afroheshin me Jugosllavinë. Konflikti që shpërtheu për bazën ushtarake detare në Vlorë (mars-maj 1961), rezultoi në largimin e ushtarakëve sovjetikë nga baza dhe përjashtimin de facto të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Në 3 dhjetor 1961 Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe pezulloi të gjitha ndihmat ekonomike dhe ushtarake.

Bashkëpunimi me Kinën dhe formimi i një aleance të pabarabartë
Prishja e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare përkoi me konfliktin politik mes Kinës dhe BS. Në këtë konflikt, Shqipëria mbajti anën e Kinës për shkaqe politike dhe ideologjike. Drejtuesit shqiptarë dhe ata kinezë kishin pikëpamje të ngjashme lidhur me procesin e destalinizimit dhe qëndrim të përbashkët ndaj PK të BS, duke denoncuar revizionimin e kursit marksist-leniniste që u bë në Kongresin e XX-të saj. Edhe në lidhje me çështjet kryesore të politikës së jashtme të BS, Shqipëria dhe Kina kishin shprehur kundërshtitë e tyre si p.sh. ndaj politikës së BS për bashkëkzistencën paqësore me Perëndimin. Një detantë me Perëndimin dhe Jugosllavinë shihej nga E. Hoxha, si një kërcënim ndaj regjimit të tij dhe politikës së ashpër, pasi ato mund të justifikoheshin më mirë në rrethanat e tensioneve ndërkombëtare. Aleanca e pabarabartë. Shqipëria dhe Kina ishin dy vendet më të skajshme të Bllokut Lindor, si nga ana gjeografike, nga përmasat dhe fuqia. Aleanca mes tyre ishte e pabarabartë, por plotësonte kërkesat themelore për një lidhje të ngushtë mes dy vendeve. Kina i siguronte Shqipërisë mbështetje politike dhe për shkak të largësisë, ajo nuk rrezikonte pavarësinë e saj. Pekini ishte i interesuar kryesisht për solidaritetin ndërkombëtar me Shqipërinë. Kina vlerësonte aleancën miqësore me Shqipërinë dhe i përgjigjej kërkesave të saj ekonomike dhe ushtarake.

Shqipëria nxori përfitime të mëdha nga ndihma ekonomike kineze, transferimi i armëve, specializimi i kuadrove, në këmbim të lidhjeve të solidaritetit me Kinën. Gjithsej shuma e kredive që Kina i dhe Shqipërisë deri në vitin 1975, llogaritet në 838 milion $; nga viti 1962 Shqipëria realizonte me Kinën rreth 65 % të importeve dhe 29 % të eksporteve të veta; numri i këshilltarëve dhe specialistëve kinezë që zunë vendin e atyre sovjetikë dhe europiano-lindorë që u larguan, mendohet se ka qenë rreth 6000 vetë. Programi shqiptar i industrializimit mundi të përparonte pa pengesa. Me ndihmën kineze u ndërtuan hidrocentrale, furrnalta, uzina të ndryshme për industrinë mekanike, kimike dhe tekstilet. Kina dha kështu një ndihmë të madha që ekonomia shqiptare të mos falimentonte, siç kishin shpresuar sovjetikët.

Kina synon të bëhet fuqi e madhe. Kina vetë ishte një vend në zhvillim dhe nuk mund të financonte pafundësisht ekonominë shqiptare. Ajo kishte planet e saj ambicioze për një zhvillim afat-gjatë për të modernizuar vendin dhe për t’u bërë një fuqi e madhe. Në vitin 1975 Kina i kërkoi Shqipërisë që të fillonte shlyerjen e kësteve të kredive që kishte marrë. Kjo shënoi dhe fillimin e fundit të bashkëpunimit shqiptaro-kinez, pasi Shqipëria nuk mundte dhe nuk donte të paguante. Ndihmat kineze u pakësuan dhe në vitin 1978 u ndërprenë krejt. Në vitet 1970 politika e jashtme kineze pësoi ndryshime të thella. Duke nxjerrë mësime nga izolimi ndërkombëtar i viteve ’60, Kina përfundimisht u orientua nga një politikë me prioritet modernizimin e vendit, që u shoqërua edhe me një hapje me botën e jashtme. Kina u angazhua në një proces normalizimi marrëdhëniesh me SHBA, Japoninë dhe Komunitetin Europian. Në këto rrethana objektivat politike në Tiranë dhe në Pekin u rivlerësuan, gjë që ndikoi në shfaqjen e divergjencave ideologjike dhe mosmarrëveshjeve politike mes tyre. Kjo shënon dhe fazën e dobësimit dhe tendosjes së lidhjeve shqiptaro-kineze. Prishja e aleancës me Kinën krijoi për Shqipërinë një situatë krejt të pazakontë. Ishte hera e parë në historinë e tij të shkurtër që shteti shqiptar mbetej pa një protektor të huaj dhe pa mbështetje ekonomike.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Këshilli për Ndihmë të Ndërsjellë Ekonomike (KNER), bashkëjetesë paqësore, Traktati i Varshavës, destalinizimi, detantë.

PËRGJIGJUNI
1. Në cilat fusha regjimi komunist bashkëpunoi me BS dhe Kinën?
2. Cilët janë faktorët që çuan në prishjen e marrëdhënieve me BS dhe Kinën?
3. Në ç’mënyrë Shqipëria i zgjidhi krizat pas prishjes së marrëdhënieve me BS dhe Kinën?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Formuloni refleksionet tuaja.
a. Në ç’mënyrë shprehej varësia e Shqipërisë nga BS?
b. Në ç’mënyrë përfitoi ndihma Shqipëria nga BS dhe Kina?
Argumentoni me shembuj e diskutoni në klasë.

KËRKONI INFORMACION
Formuloni qëndrimin tuaj. Intervistoni qytetarë që kanë jetuar në komunizëm nga vendbanimi juaj. Pyetini ata si i kanë përjetuar prishjet e marrëdhënieve me jugosllavët, sovjetikët, kinezët në vendbanimin e tyre.