Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 5
Shteti Ilir
Mbretëritë e para tek ilirët gjatë shekujve VII-IV p.e.s.
Duke qenë një populli madh dhe i shtrirë në një sipërfaqe të konsiderueshme ilirët gjatë historisë së tyre krijuan disa mbretëri në rajone të ndryshme të Ballkanit. Kalimi nga organizimi politik mbi bazën e federatave fisnore në mbretëri i ilirëve përkon me lindjen dhe zhvillimin e qyteteve ilire pa të cilat organizimi politik i ilirëve do të mbetej në kuadrin e federatave fisnore. Në procesin e krijimit të federatave dhe mbretërive ilire rajonet e Ilirisë së Jugut ishin më të avancuara pasi në këto rajone pati dhe një urbanizim më të hershëm dhe më të zhvilluar. Si mbreti më i hershëm ilir në krye të një federate përmendet Galauri në shek. VII p.e.s. Duke qenë një popullsi e madhe ilirët në të njëjtën kohë ishin organizuar politikisht në mbretëri më të vogla dhe pak të fuqishme. Kështu në çerekun e fundit të shek. V p.e.s. mbreti i ilirëve Syras ishte aleat i mbretit të Lynkestëve, Arrabeu në luftën e tij kundër fqinjëve maqedonas të udhëhequr nga mbreti Arkelaos. Konfliktet me Maqedoninë duket se nxitën fuqizimin e shtetit ilir. Në vitin 393 p.e.s. mbretëria ilire ishte fuqizuar deri në atë masë sa ndërhyri në Maqedoni dhe rrëzoi nga froni mbretin Amyntas dhe vendosi në vend të tij Argaiosin. Ky fuqizim i mbretërisë ilire të kohës i dedikohet mbretit Bardhyl, i cili mund të konsiderohet edhe si mbreti që krijoi shtetin e parë ilir të kohës. Ardhja në krye të mbretërisë e Bardhylit me origjinë nga shtresa e komandantëve ushtarak, dëshmon se ai përmbysi nga froni mbretin e mëparshëm Syras. Shteti ilir nën qeverisjen e Bardhylit ishte shndërruar në një fuqi politike dhe ushtarake e rëndësishme në rajon. Një dëshmi e qartë e këtij roli ishte aleanca e tij e vitit 385 p.e.s. me tiranin e Sirakuzës Dionisin për rivendosjen në fronin e mbretërisë molosë të mbretit Alketa i rrëzuar nga froni. Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.s. kundërshtari kryesor i mbretërisë ilire ishte mbretëria maqedone e fuqizuar me ardhjen në krye të saj të Filipit II. Në luftën e vitit 359 p.e.s kundër Maqedonisë ushtria ilire e udhëhequr nga Bardhyli përbëhej nga 10 mijë këmbësorë dhe 500 kalorës. Pas kësaj beteje në skenë del një tjetër mbret ilir i quajtur Grabo si aleat me mbretërit e Pajonisë dhe Thrakisë kundër maqedonasve. Duket qartë se mbretërit ilirë të kësaj kohe ishin mjaft aktivë.
Mbretëria ilire gjatë shek.. IV-II p.e.s.
Pas vdekjes së Filipit II maqedonas, në vitin 335 p.e.s. shpërthen një revolt e ilirëve të udhëhequr nga mbreti Kleitos i biri i Bardhylit. Ndërkohë në betejën midis ilirëve dhe maqedonasve të udhëhequr nga Aleksandri merr pjesë në krah të ilirëve edhe mbreti i taulantëve Glaukia. Pas kësaj ngjarje Kleitos nuk përmendet më ndërkohë që mbreti Glaukia duket se tashmë është bërë mbret i ilirëve. Duke qenë një mbret i fuqishëm ai luan një rol të rëndësishëm duke marrë në mbrojtje Pirron, birin e mbretit të Epirit, Eakidi i rrëzuar nga froni prej mbretit maqedonas Kasandri. Në vitin 314 p. e.s. Kasandri erdhi deri në Apoloni dhe e pushtoi atë, por dy vjet më vonë apoloniatët në alenacë me Glaukin i dëbuan maqedonasit. Ndërkohë Glaukia shtriu pushtetin e tij mbi Dyrrahun dhe ndofta merrte një tribut nga Apolonia për ndihmën që i dha kundër maqedonasve. Lajmi i fundit për Glaukinë ka të bëjë me vendosjen në fronin e Epirit, të Pirros rreth vitit 309 p.e.s. Pas kësaj si mbret i ilirëve përmendet Monuni i cili njihet edhe nga monedhat e prera në emër të tij dhe më vonë Mytili nga i cili kemi pak të dhëna. Gjatë gjysmës së parë të shek. III p. e. s. situata në Iliri duket se ka qenë e qetë pasi dy fqinjët kryesor të ilirëve Maqedonia ishte dobësuar dhe po ashtu edhe Epiri pas vdekjes se Aleksandrit birit të Pirros. Në gjysmë e dytë të shek. III si mbret i ilirëve përmendet Agroni me qendër Shkodrën. Kësaj radhe rolin kryesor në drejtimin e mbretërisë po e luanin ardianët. Në vitin 231 p.e.s. trupat e mbretërisë ilire ndërmarrin një sulm kundër etolëve në ndihmë të Akarnanisë gjë që dëshmon për një mbretëri të fuqishme me shtrirje të gjerë. Pas vdekjes së mbretit Agron në rrethana jo të qarta vendin e tij e zuri e shoqja Teuta, e cila nuk hoqi dorë nga synimet për kontrollin e Epirit duke pushtuar edhe kryeqytetin e tij Foiniken në vitin 230 p.e.s. Kjo gjë që u bë shkas i luftërave romake kundër mbretërisë ilire. Ardhja e Teutës në krye të mbretërisë ilire dhe veprimtaria aktive e saj është një dëshmi e qartë e rolit të rëndësishëm të gruas në shoqërinë ilire. Organizimi politik i ilirëve në mbretëri dhe krijimi i shteteve ilire ndikuan pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë ilire pavarësisht shkallës së organizimit të tyre. Ndikimet kryesore kanë të bëjnë me nxitjen e urbanizimit të shoqërisë ilire të kohës e shprehur kjo në rritjen e ndjeshme të qyteteve ilire sidomos gjatë shekujve IV-III p.e.s. Një ndikim tjetër lidhet me faktin se krijohen dhe konsolidohen kategori të caktuara shoqërore që lidhen me funksione të ndryshme të mbarëvajtjes së mbretërive dhe shteteve ilire. Të tilla ishin krijimi i një kaste ushtarake, aparati i mbledhjes së taksave, mbajtja e rendit dhe qetësisë si dhe menaxhimi i të ardhurave nga luftërat e fituara por edhe rikuperimi i dëmeve pas luftërave të humbura. Aktiviteti luftarak ishte para së gjithash një aktivitet ekonomik gjë që stimulonte prodhimin e armëve, veshjeve, furnizimeve të ushtrisë etj. Një rol i rëndësishëm i krijimit të mbretërive dhe shteteve ilire kishte të bënte me faktin se ilirët e ndjenin veten të barabartë me fqinjët e tyre të cilët gjithashtu kishin krijuar mbretëritë dhe shtetet e tyre. Banorët ilirë në kufi me fqinjët tashmë e ndjenin veten më të sigurt pasi kishin një mbretëri apo shtet që i mbronte nga rreziku i fqinjëve agresivë. Veprimtaria e dendur ushtarake dhe politike e mbretërive dhe shteteve ilire dëshmojnë për një klasë politike ilire e aftë të ndërmerrte veprimet e duhura në varësi të rrethanave të krijuara. Aleancat e shumta jo vetëm midis mbretërive të ndryshme ilire por edhe me mbretëri fqinje apo dhe përtej Adriatikut si në rastin e tiranit të Sirakuzës si dhe martesat me karakter politik dëshmojnë për një politikë të jashtme aktive të ilirëve gjatë kësaj kohe. Gjatë një periudhe prej gati 5 shekujsh mbretëritë dhe shtetet ilire ishin një faktorë i rëndësishëm në Ballkan dhe Mesdhe.
Luftërat romake kundër Mbretërisë Ilire, rënia e saj
Republika romake prej kohësh synonte vënien nën kontroll të gadishullit ballkanik si për arsye ekonomike ashtu dhe politike. Në kushtet kur Greqia ishte e copëtuar, Epiri i dobësuar dhe Maqedonia një fuqi më larg brigjeve të Adriatikut mbretëria ilire mbetej kundërshtari kryesor i Romës. Në këto kushte duke i’u përgjigjur kërkesës për ndihmë të Korkyrës të pushtuar nga ushtria ilire romakët dërguan në vitin 229 p.s.e. trupa në ndihmë të saj ç’ka shënon dhe fillimin e luftërave të Romës kundër mbretërisë ilire.
Një pjesë e trupave romake morën Korkyrën duke u ndihmuar edhe nga tradhtia e komandantit ilir Demetër Fari ndërkohë që një tjetër ushtri romake zbarkoi pranë Apollonisë e cila u bë aleati i tyre. Në këto kushte mbretëresha ilire Teuta u detyrua të bënte paqe me romakët të cilët për të qeverisur viset ilire emëruan Demetër Farin si mëkëmbës të tyre. Por me kalimin e kohës Demetër Fari nuk e njohu pushtetin e Romës gjë që i detyroi romakët të dërgojnë ushtri kundër tij në vitin 219 p.e.s. duke e detyruar të arratiset dhe vendosën në vend të tij Skerdilajdin komandant i ushtrisë ilire që pushtoi Foiniken. Pas kësaj nuk kemi të dhëna për mbretërinë ilire deri në vitin 168 p.e.s. kur në krye të saj kishte ardhur Genti nipi i Skerdilajdit. Duke mos u pajtuar me hegjemoninë romake Genti hyri në marrëveshje me armikun tradicional të ilirëve Maqedoninë dhe i shpalli luftë romakëve. Në betejën e zhvilluar pranë Skutarit ushtria ilire u mund gjë që shënon dhe fundin e Mbretërisë Ilire.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Mbretëri, Galauri, Arrabeu, Arkelaos, Bardhyl, Syras, Grabo, Kleitos, Glaukia, Pirro, Monuni, Agron, Teuta, Demetër Fari.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë mbretëritë e para tek ilirët, gjatë shekujve VII-IV p.e.s.?
2. Cila është jeta politike e mbretërisë ilire gjatë shekujve IV-II p.e.s.?
3. Pse Perandoria Romake sulmoi mbretërinë ilire?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë mbretëritë kryesore ilire. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet. a. Banorët ilirë në kufi me fqinjët tashmë e ndjenin veten më të sigurt pasi kishin një mbretëri apo shtet që i mbronte nga rreziku i fqinjëve agresivë. b. Gjatë një periudhe prej gati 5 shekujsh mbretëritë dhe shtetet ilire ishin një faktorë i rëndësishëm në Ballkan dhe Mesdhe. Formuloni përfundimet tuaja.