Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 9: Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe veprimtaria e saj

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 9

Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe veprimtaria e saj

Traktati i Shën Stefanit
Më 3 Mars 1878 pas humbjes së luftës me Rusinë, osmanët u detyruan të nënshkruanin paqe në Shën Stefan, afër Stambollit. Sipas këtij traktati paqeje viset shqiptare u copëtuan. Gati gjysma e tyre u jepeshin shteteve sllave të Ballkanit. Bullgaria fitonte autonominë, zgjerohej dhe do të merrte krahinat e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, dhe të Kumanovës. Serbia merrte viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Malit të Zi i jepeshin Ulqini, Kraja, Anamali, Hoti, Gruda, Kelmendi, Plava, Gucia dhe Rugova, pjesa e Shqipërisë, që mbetej ishte nën sundimin Osman. Si rrjedhim ky traktat u kundërshtua jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga Fuqitë e Mëdha që e kundërshtuan dhe kërkuan rishikimin e tij në një kongres ndërkombëtar.

Kongresi i Berlinit, i nisi punimet më 13 qershor 1878. Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe si objekt copëtimi në favor të shteteve Ballkanike, duke cenuar rëndë interesat kombëtare të popullit shqiptar. Sipas vendimeve që u morën tokat shqiptare që i ishin dhënë Bullgarisë, mbeteshin nën sundimin osman kurse Serbisë iu dhanë krahinat e Pirotit, Trenit, Vranjës dhe Nishit. Ndërsa Malit i Zi iu dhanë të gjitha trojet shqiptare të përcaktuara në Traktatin e Shën Stefanit. Në kongres u vendos, gjithashtu, që Greqisë t’i jepeshin Thesalia dhe Çamëria, dhe si kufi kishin lumenjtë Kallamas dhe Selenvri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Patriotët shqiptarë nisur nga pezullimi i Traktatit të Shën Stefanit fituan kohë dhe organizuan mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar para se të mblidhej Kongresi i Berlinit. Kuvendi do të përfaqësonte gjithë shqiptarët e çdo krahine, feje apo gjendjeje shoqërore. Punimet nisën më 10 qershor 1878 në qytetin e Prizrenit. Kuvendi vendosi formimin e një lidhjeje me karakter politiko-ushtarak, e cila u quajt Lidhja e Prizrenit. Patriotët e njoftuan Kongresin e Berlinit për vendosmërinë e popullit shqiptar për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare dhe gatishmërinë për mbrojtjen e tyre. Lidhja e Prizrenit zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me në krye Iljaz pashë Dibrën, me funksione ligjvënëse dhe Komitetin Qendror (Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin etj.) me detyra qeverisëse zbatuese. Kuvendi i Përgjithshëm hartoi programin e Lidhjes me karakter mbarëkombëtar dhe më 1 korrik 1878 miratoi Kanunin e Ri, që përcaktonte se Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe do të shtrihej vetëm në trojet shqiptare. Kanuni i Ri rriste forcën e Lidhjes nëpërmjet degëve të saj në të gjithë vendin, shpallte mobilizimin ushtarak të burrave të aftë, mblidhte për nevojat e saj taksa të ndryshme, madje kishte edhe gjyqe të veçanta etj. Kështu Lidhja e Prizrenit merrte funksione shtetërore të veçanta, duke krijuar mundësinë për të formuar shtetin e ri autonom shqiptar.

 

 

Lufta e Lidhjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare
Pas vendimeve për copëtimin e trojeve amtare, shqiptarët u mobilizuan për t’i kundërshtuar këto dhe për të mos lejuar asnjë pëllëmbë tokë që të shkëputej nga vendi. Fuqitë e Mëdha kishin vendosur në Kongres që Plava dhe Gucia duhej të shkëputeshin nga Shqipëria dhe t’i kalonin Malit të Zi. Meqenëse vendimi nuk po zbatohej, Mali i Zi vendosi t’i pushtojë këto dy krahina. Ushtria malazeze, u ndesh më 4 dhjetor 1879 me ushtrinë e Lidhjes, e cila përbëhej nga rreth 3 mijë vullnetarë shqiptarë të drejtuar nga Ali Pashë Gucia. Pas luftimesh të ashpra forcat malazeze pësuan disfatë, megjithatë Mali i Zi, nuk hoqi dorë nga synimet pushtuese. Duke u njohur me qëndresën e shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha vendosën që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit i Zi të merrte Hotin dhe Grudën së bashku me një pjesë të Kelmendit të cilat banoheshin nga popullsia shqiptare. Ky vendim e rriti zemërimin përsëri tek shqiptarët që nisën protestat si ndaj Portës së Lartë ashtu edhe ndaj Fuqive të Mëdha. Lidhja shqiptare filloi përgatitjet për luftë. Beteja mes ushtrisë së Lidhjes dhe asaj malazeze për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës përfundoi përsëri më fitoren e forcave të Lidhjes. Mali i Zi pas kësaj disfate protestoi përsëri pranë Fuqive të Mëdha.

 

FJALË KYC
Shpjegoni fjalët kyç: Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Iljaz Dibra, Kanuni i Ri, Ali Pashë Gucia.

PËRGJIGJUNI
1. Çfarë vendimesh u morën në dëm të shqiptarëve në Shën Stefan?
2. Pse u mblodh Kongresi i Berlinit?
3. Në ç’ mënyrë i trajtoi territoret shqiptare Kongresi?
4. Në ç’ mënyrë u organizuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare?
5. Pse u thirr Kuvendi i Përgjithshëm shqiptar i Prizrenit?
6. Cilat janë vendimet e Kuvendit të Prizrenit?
7. Cila është veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit në mbrojtje të territoreve kombëtare shqiptare?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni territoret që Kongresi Berlinit caktoi për t’jua dhënë fqinjëve.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Lidhja e Prizrenit merrte funksione pushtetore të veçanta, duke krijuar mundësinë për të formuar shtetin e ri autonom shqiptar.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për jetën dhe veprën e Ali Pashë Gucisë. Formuloni përfundimet tuaja dhe diskutojini në klasë.