Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 10
Përpjekjet e shqiptarëve për gjuhë, arsim e kulturë, përgjatë shek. XIX
Arsimi dhe kultura
Që nga fillimi veprimtaria e rilindësve të parë nuk mbeti e veçuar, por u vazhdua më tej. Thimi Mitkoja u përpoq të çelte në Korçë një shkollë shqipe. Ai u bë anëtar i një shoqërie në Stamboll që po përpiqej të njësonin alfabetin e gjuhës shqipe. Anëtar të tjerë ishin Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemali Sami Frashëri, Jani Vreto etj. Më 1867, duke vazhduar përpjekjet për arsim dhe gjuhë shqipe, Kostandin Kristoforidhi botoi në Stamboll një abetare të re, e cila u përhap shpejt në Shqipëri. Formimi i Lidhjes së Prizrenit i dha hov të ri përhapjes së arsimit dhe kulturës shqipe. Patriotët ishin të bindur se arsimi dhe kultura do të ndihmonin në rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Po kaq i rëndësishëm ishte edhe ruajtja e identitetit kombëtar përballë shteteve të huaja, si një komb, i cili flet, shkruan dhe kultivon gjuhën dhe kulturën e tij. Kërkesat për gjuhën dhe kulturën shqipe ishin po ashtu pjesë e programit kombëtar të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Në të kërkohej njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe përdorimi i saj në administratë dhe në shkolla.
Alfabeti shqip i Stambollit
Komiteti i Stambollit ngarkoi në vitin 1879 një grup intelektualësh patriot të hartonin një alfabet të përbashkët për shqiptarët. Para komisionit u paraqitën katër projekte. Pas diskutimeve me karakter shkencor, politik, nisur dhe nga prakticiteti, u miratua alfabeti i Stambollit, i cili bazohej në alfabetin latin dhe qe ndërtuar sipas parimit fonetik çdo tingull një shkronjë. Alfabeti u mirëprit në qarqet patriotike dhe pati përhapje të gjerë. Pas caktimit të këtij alfabeti u botua në Stamboll Alfabetarja e gjuhës shqipe, ku jepej alfabeti i ri dhe shkrime të Sami Frashërit, Pashko Vasës dhe të Jani Vretos. Miratimi i këtij alfabeti pati rëndësi, sepse ishte alfabeti i parë i miratuar në mënyrë kolegjiale dhe shënonte në të njëjtën kohë një zhvillim të dukshëm të lëvizjes kulturore. Atdhetarët shqiptarë i vazhduan përpjekjet për formimin e një shoqërie kulturore kombëtare, prandaj organizuan në Stamboll në 12 tetor 1879 një takim. Qëllimi ishte themelimi i “Shoqërisë së Stambollit” me kryetar ideologun dhe gjuhëtarin e madh Sami Frashëri. Shoqëria do të krijonte degët e saj në të gjithë vendin dhe në kolonitë shqiptare, do të hapte shkolla shqipe, botonte tekste shkollore, gazeta dhe revista shqipe.
Shkollat e para shqipe
Me rritjen e qëndresës kombëtare Porta e Lartë dhe Patrikana e Stambollit nuk pranonin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e tyre dhe hezitonin të jepnin lejen e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë pas shumë përpjekjesh u kurorëzuan me sukses. Më 7 mars 1887, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, u çel për herë të parë në Korçë Mësonjëtorja e parë shqipe. Ajo ishte e para shkollë shqipe me karakter kombëtar e laik ku mësimi jepej në gjuhën shqipe. Për hapjen e saj u formua në Korçë një komitet i fshehtë. Ndërkohë shoqëria e Bukureshtit kishte botuar disa tekste shkollore të hartuara nga Sami Frashri dhe i kishte dërguar në Shqipëri. Hapja e shkollës shqipe kishte një rëndësi të veçantë. Ajo shënonte një fitore të rëndësishme për arsimin shqiptar dhe u mirëprit në të gjitha viset shqiptare. Më pas u hapën shkolla të tjera edhe në Pogradec, Ersekë, Elbasan etj. Në Korçë u formua shoqëria kulturore “Shoqëria e Mësimit shqip” dhe në tetor 1891 u çel edhe shkolla shqipe për vajza nën drejtimin e Sevasti Qiriazit.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: shkolla kombëtare, alfabeti i Stambollit, mësonjëtorja e parë shqipe.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë përpjekjet e rilindësve për shkrimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e saj?
2. Si u quajt abetarja e parë në gjuhën shqipe?
3. Pse ishte e rëndësishme për kombin shqiptar përhapja e dijes dhe arsimit?
4. Kur u hap shkolla e parë kombëtare shqipe?
5. Si e organizuan Rilindësit punën e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Qëndrimi juaj. Përse Porta e Lartë dhe Patrikana e Stambollit nuk e lejonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe?
KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për jetën dhe veprën e Pandeli Sotirin, Sevasti Qiriazin, Petro Nini Luarasin. Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.