Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 7 Mësimi 2: Shqipëria gjatë tranzicionit për në demokraci 1990-2013

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 7 Mësimi 2

Shqipëria gjatë tranzicionit për në demokraci (1990-2013)

Ndryshimi i regjimit
Zgjedhjet e reja të parakohshme, të lira, demokratike dhe pluraliste u mbajtën më 22 mars 1992. Gjatë fushatës elektorale partitë politike prezantuan programet e tyre elektorale. Partitë kishin rrugë të ndryshme drejt ndryshimeve. Partia demokratike, në ndryshim nga PS, parashikonte transformime të shpejta dhe radikale për vendosjen e demokracisë dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë. Zgjedhjet e 1992 u fituan nga Partia Demokratike. Pas dorëheqjes së Ramiz Alisë si president, parlamenti i ri votoi si president Sali Berishën, kryetarin e PD. Vendi karakterizohej nga mungesa e shtetit ligjor, pasiguria, mungesa e ushqimeve, ndërmarrje të mbyllura e të shkatërruara, papunësi, inflacion. Ndaj vitet 1992-1996 karakterizohen si një periudhë transformimesh dhe ndryshimesh të mëdha në fusha të ndryshme. Në vend filloi ngritja e institucioneve demokratike dhe procesi i dekomunistizimit. U spastrua administrata nga ish-udhëheqësit komunistë, veçanërisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Brendshme. Nga ana tjetër lufta politike në parlamentin shqiptar ishte shumë e ashpër. Këto tensione politike dhe shoqërore e bënin më të vështirë luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësive. Pushteti gjyqësor ishte nën ndikimin e ekzekutivit dhe legjislativit. Parlamenti kishte të drejtën të shkarkonte anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë, që për 15 vjet të periudhës komuniste nuk kishte ekzistuar, ishte e brishtë dhe pa eksperiencë. Mungesa e një Kushtetute dhe mos miratimi i saj përmes referendumit popullor të 4 nëntorit 1994, krijoi mundësi të mosrespektimit të parimeve demokratike. Organizata të ndryshme të shoqërisë civile filluan të vepronin dhe të kishin terren për të qenë aktive. Shoqëria shqiptare vuante nga padurimi dhe kompleksiteti. Ato prisnin ndryshime të menjëhershme, të cilat duhet të bëheshin përmes një shkopi magjik dhe jo nga kontributi dhe puna e secilit qytetar. Liberalizimi i ekonomisë krijoi hapësirën e investimeve në Shqipëri nga kapitali i huaj që solli gjallërimin e tregut shqiptar. Nevojat ushqimore dhe të mallrave të tjera të konsumit mbuloheshin kryesisht përmes importit. Prodhimi në vend ishte i ulët. Kjo çoi në rritjen e deficitit tregtar në vend. Për të përballuar këtë qeveria siguroi një sërë ndihmash nga vendet e Komunitetit Europian, SHBA dhe kredive të marra prej tyre. Një mbështetje e jashtëzakonshme familjeve shqiptare dhe ekonomisë iu vinte nga emigrantët shqiptarë. Qeveria demokratike ndërmori një sërë reformash për stabilizim makroekonomik dhe ulje të inflacionit dhe deficitit buxhetor. U bënë shkurtime në administratë, ushtri, ndërmarrje shtetërore. U vendos paga minimale. U hoqën subvencionet shtetërore për mallrat e konsumit. U rritën të ardhurat nga akcizat, taksat dhe sistemi i ri doganor. Këto reforma përmirësuan ndjeshëm deficitin buxhetor dhe, si rrjedhim, edhe inflacionin. Por qeveria hasi në vështirësi në kthimin e pronave ish-pronarëve të dikurshëm. Ky problem mbeti i pazgjidhur përfundimisht, gjë që u bë pengesë për thithjen e investimeve të huaja.

Shqipëria në anarki
Në situatën e tensionuar politike, në gjendjen e vështirë ekonomike, në kontradiktën e brendshme brenda vetë së njëjtës parti politike, më 26 maj 1996 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Parregullsia në zhvillimin e zgjedhjeve, manipulimi i votave bëri që opozita të bojkotonte zgjedhjet që gjatë votimit të saj. Kjo i siguroi shumicën absolute PD në parlament. Opozita dhe institucionet ndërkombëtare nuk i njohën zgjedhjet në disa zona. Opozita realizoi një sërë manifestimesh, të cilat u shpërndanë nga qeveria me forcën e policisë. Të gjitha këto ngjarje tregonin se qeveria e dalë nga zgjedhjet e majit po humbte legjitimitetin e saj. Qeveria e re e drejtuar nga Aleksandër Meksi nuk mbajti asnjë qëndrim ndaj këtyre ngjarjeve. Kriza politike u pasqyrua edhe në zhvillimin ekonomik. Ekonomia po shfaqte shenja të mëdha dobësie. Në fund të vitit 1996 firmat piramidale, të përhapura në gjithë vendin dhe të pakontrolluara, shfaqën shenjat e para të falimentimit. Ato kishin grumbulluar në mënyrë të paligjshme kapitalin e shumicës së shqiptarëve dhe të emigrantëve. Qeveria ishte e papërgatitur për këtë situatë. Megjithëse ajo premtoi zhdëmtimin e shtetasve të prekur nga firmat piramidale, protestat popullore u përshkallëzuan dhe degjeneruan në dhunë. Këtë situatë e shfrytëzoi edhe opozita, e cila iu bashkua protestuesve. Kërkesa e saj për një qeveri të përkohshme u shtyp me dhunë nga qeveria. Grupet politike nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Institucionet shtetërore ishin drejt falimentimit. Gjendja u rëndua kur, më 2 mars 1997, presidenti Sali Berisha shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Pavarësisht kësaj situate, parlamenti rizgjedh Sali Berishën, President të Republikës. Kjo bëri që ai të humbte edhe mbështetjen ndërkombëtare. Revolta popullore u përshkallëzua dhe çoi në hapjen e depove të armëve të ushtrisë, komisariateve të policisë së shtetit. Vendi ishte në anarki. Në disa qytete, në vend të pushtetit qeveritar vepronin organe jolegjitime të quajtura Komitetet e Shpëtimit. Në vend mbërrin delegacioni europian i kryesuar nga Romano Prodi (kryeministër i Italisë), i cili ndërmjetësoi marrëveshjen për formimin e qeverisë së stabilitetit me kryeministër Bashkim Fino. Qeveria mori masa për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, vendosjen e rendit dhe stabilitetit. Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 29 qershor 1997. Ato nxorën fituese Partinë Socialiste dhe kryetar i qeverisë ishte Fatos Nano. Në këto zgjedhje përmes referendumit u votua edhe për formën e qeverisjes Republikë Parlamentare apo Mbretëri Kushtetuese. Referendumi shpalli fitues formën e regjimit Republikë Parlamentare dhe president u zgjodh Rexhep Mejdani. Edhe kjo periudhë nuk shënoi ndonjë arritje në drejtim të përmirësimit të klimës politike. Një vit më pas, më 12 shtator 1998, përmes një atentati u vra Azem Hajdari. Për vrasjen e tij Partia Demokratike bëri përgjegjëse pozitën dhe, më 14 shtator, ditën e varrimit të Hajdarit, përfaqësues të opozitës sulmuan institucionet qeveritare. Opozita kërkonte largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie të përkohshme. Në këto kushte tensioni, Fatos Nano jep dorëheqjen dhe në krye të ekzekutivit emërohet Pandeli Majko. Detyrat më të ngutshme të tij ishin vendosja e pajtimit kombëtar, miratimi i kushtetutës dhe vendosja e rendit publik. Ngjarje e rëndësishme për historinë kushtetuese të vendit ishte miratimi me referendum i Kushtetutës më 22 nëntor 1998. Kjo kushtetutë kufizonte pushtetin e presidentit të republikës dhe i jepte më shumë fuqi kryeministrit. Problemi tjetër dhe krejt i paparashikueshëm për qeverinë Majko ishte edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës. Me fillimin e luftës në Kosovë në pranverë të vitit 1999, në vendin tonë vërshuan mijëra kosovarë të dëbuar nga vatrat e tyre. Problemi i Kosovës u zgjidh me sukses. Tensionet politike u ulën. Opozita rikthehet në parlament. Për arsye të mosmarrëveshjeve brenda PS, Pandeli Majko jep dorëheqje. Më 28 tetor 1999, presidenti Mejdani emëron në krye të qeverisë Ilir Metën, i cili në programin e tij synonte të forconte shtetin ligjor, të luftonte kontrabandën, korrupsionin, të bashkëpunonte me opozitën.

 

 

Shqipëria në rrugën e vështirë të reformave
Gjatë kësaj periudhe pati një përmirësim të klimës politike, në rendin dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Megjithatë tranzicioni akoma nuk kishte kaluar. Në zgjedhjet e qershorit 2001 fiton përsëri koalicioni i majtë. Organizimi i zgjedhjeve shënoi një hap para në standardet në krahasim me të shkuarën, megjithatë opozita e djathtë përsëri nuk e njohu rezultatin e saj dhe filloi bojkotin e parlamentit. Në programin e saj qeveria synonte reforma që të çonin Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Konfliktet brenda vetë PS shkaktuan ndërrimin e shpeshtë të drejtimit të qeverisë së majtë, e cila ishte një alternim midis Pandeli Majkos, Ilir Metës dhe Fatos Nanos. Gjatë kësaj periudhe reputacioni i të majtës ra për shkak të përfshirjes në afera korrupsioni dhe luftës brenda llojit në PS. Si rrjedhim i kësaj përçarje të brendshme, nga Partia Socialiste shkëputet një fraksion i të rinjve socialistë që krijojnë Partinë Socialiste për Integrim, me kryetar Ilir Metën. Gjatë kësaj periudhe, bashkëpunimi mes forcave politike prodhoi një president konsensual, Alfred Moisiun. Standardet e vendosura nga BE,kërkonin më shumë vullnet dhe zbatim reformash në drejtim të luftës kundër korrupsionit, trafikut të organizuar, prostitucionit. Këto reforma ishin më shumë propagandë për të ardhur në pushtet sesa realizime konkrete. Këto fenomene filluan të kapnin sistemin politik duke krijuar mosbesim dhe paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike. Investimet në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si arsimi, shëndetësia, energjetika, infrastruktura, bujqësia ishin minimale. Nga viti 2005-2013 Shqipëria qeveriset nga koalicioni i djathtë i kryesuar nga Sali Berisha. Në reformat e kryera nga qeveria ishin investimet në infrastrukturë, ndërtimi i Rrugës së Kombit. Në mars 2008 shpërthen fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 vetë. Në aspektin politik, tensionet midis palëve ishin prezente me akuza të ndërsjella ndaj njëra-tjetrës, madje dhe vetë kryeministrit me presidentin dhe kryeprokurorin. Në zgjedhjet e vitit 2013 koalicioni i djathtë humb me një diferencë të thellë me koalicionin e majtë.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: tranzicion, fushatë elektorale, barazi para ligjit.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë ngjarjet me pasoja më të mëdha në rrugën drejt kapërcimit të tranzicionit në Shqipëri?
2. Cilat ishin reformat që u ndërmorën nga qeveritë e djathta dhe të majta pas vitit 1992 në rrugën drejt
demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri?
3. Cilat janë arsyet e tensioneve politike në Shqipëri nga 1992-2013?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Punoni me dëshmitarët okularë. Intervistoni të afërm ose individë të tjerë që kanë qenë pjesë e ngjarjeve të vitit ‘97. Bëni një reportazh ku të përcillni arsyet e kësaj gjendje në vend?
3. Supozoni se klasa juaj është parlamenti i Shqipërisë. Një nxënës është kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Organizoni lojë me role. Drejtoni një seancë parlamentare me një rend të caktuar dite.

KËRKONI INFORMACION
Sfidat e tranzicionit në Shqipëri. A e ka kaluar Shqipëria tranzicionin? Pse?