Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 1: Qeveria e Përkohshme e Vlorës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 1

Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (1912-1914)

Formimi i Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin
Kuvendi i Vlorës hodhi bazat e organizimit të shtetit të ri shqiptar, i cili përfaqësonte vullnetin e të gjithë kombit. Që më 28 nëntor 1912, ai vendosi për krijimin e qeverisë së parë kombëtare. Më 4 dhjetor 1912 kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të Qeverisë, Pleqësinë si dhe caktoi komisionin që do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Kryetari i qeverisë u zgjodh Ismail Qemali. Krahas tij në qeveri do të merrnin pjesë patriotë intelektualë të kohës si: Dom Nikoll Kaçorri (nënkryetar), Myfit Libohova, Abdi bej Toptani, Mehmet Pashë Dërralla Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Petro Poga, Pandeli Cale dhe Lef Nosi. Pleqësia përbëhej prej 18 vetësh me në krye myftiun Vehbi Dibra. Ajo do të zëvendësonte kuvendin, kur ky të shpërndahej dhe të bashkëpunonte me qeverinë. Pleqësia kishte të drejtë ta kontrollonte e ta këshillonte qeverinë kur të ishte e nevojshme, por jo ta rrëzonte atë. Qeveria e Vlorës në fillim e shtriu pushtetin e vet në një territor shumë të kufizuar që përfshinte Vlorën, Fierin Lushnjën, Beratin dhe Gjirokastrën, ku ndodheshin ende ushtri turke të tërhequra nga fronte të ndryshme. Ndonëse në kushte të vështira kjo qeveri iu vu punës për të zgjidhur detyrat e rëndësishme që i shtronte koha.

Qëndrimi i Qeverisë së Vlorës ndaj sfidave të kohës
Qeveria e Vlorës e filloi veprimtarinë e saj në rrethana tepër të vështira që i krijoi Lufta I Ballkanike. Meqenëse gati të gjitha krahinat ishin të pushtuara, fillimisht Qeveria e Vlorës e shtriu pushtetin e vet në një zonë të kufizuar. Menjëherë njoftoi shpalljen e pavarësisë krahinave të vendit të pushtuara nga trupat ballkanike dhe kërkoi nga popullsia të ruante bashkimin. Këtë ndryshim në jetën politike të Shqipërisë Ismail Qemali ua bëri të njohur Fuqive të Mëdha, qeverisë osmane si dhe vendeve ballkanike dhe kërkoi prej tyre njohjen e shtetit dhe qeverisë shqiptare. Ai shpalli qëndrimin neutral në Luftën I Ballkanike dhe u kërkoi forcave ndërluftuese të ndërprisnin luftimet në territoret shqiptare. Mirëpo as Fuqitë e Mëdha dhe as qeveritë ballkanike, jo vetëm nuk e njohën pavarësinë e Shqipërisë, por vazhduan luftimet e ushtrive të tyre në tokat shqiptare për t’i pushtuar dhe aneksuar ato. Ndonëse shpalli asnjanësinë në konfliktin ballkanik, Qeveria e Vlorës mori masa për të mbrojtur me armë në dorë tokat shqiptare dhe u kërkoi krahinave të Jugut të organizonin mbrojtjen kundër ushtrive greke që kishin pushtuar Korçën dhe po marshonin drejt viseve shqiptare. Po kështu i kërkoi në janar të vitit 1913 Esat Pashë Toptanit, që komandonte trupat rezerviste (redife) në Shkodër të vazhdonte qëndresën nën flamurin kombëtar, por ai nuk pranoi. Detyra e ngutshme e qeverisë së Vlorës ishte bashkimi i tokave shqiptare brenda kufijve të njohur dhe shtrirjen e autoritetit të saj mbi to. Ajo u detyrua ta afronte Esat Pashë Toptanin duke i dhënë postin e Ministrit të Brendshëm dhe në këtë mënyrë shtriu autoritetin e saj edhe mbi Shqipërinë e Mesme. Me qeverinë e Vlorës u lidh edhe Veriu i Shqipërisë më përjashtim të Shkodrës, ku u vendos një komision ushtarak ndërkombëtar.

Veprimtaria e qeverisë së Vlorës
Ismail Qemali, si kryetar i qeverisë së përkohshme i duhej të merrte masa për organizimin e administratës shtetërore. Ajo vuri në zbatim ligje të reja të mbështetura në centralizimin e pushtetit. Publikoi Kanunin e Përshtatshëm të Administratës Civile që ishte ligji themelor i shtetit. Vendi u nda në prefektura, nënprefektura e krahina. U krijua administrata gjyqësore, e cila ishte e pavarur nga pushteti civil. U morën masa që të fillonte viti shkollor 1913-1914. Në shtator 1913 u rihap në Elbasan shkolla normale. Për të plotësuar nevojat e shkollave që do të hapeshin, Ministria e Arsimit vendosi të ngrinte në çdo prefekturë një shkollë normale. Në fushën ekonomike qeveria përqendroi në duart e saja të gjitha të ardhurat që më parë i kalonin shtetit osman, si doganat, taksat etj. Në kohën kur bashkimi rreth qeverisë së Vlorës ishte aq i nevojshëm për ta konsoliduar shtetin e ri shqiptar dhe kur vendin po e kërcënonte përsëri rreziku i pushtimit serb, Esat Pashë Toptani doli hapur kundër qeverisë kombëtare dhe më 12 tetor 1913 shpalli në Durrës formimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme. Në krye të saj u vu vetë Esat Toptani, i cili filloi luftën e hapur kundër qeverisë kombëtare, duke e shkëputur territorin ku shtrihej ndikimi i tij nga administrimi i qeverisë. Pushteti i tij u shtri në zonën e Durrësit, Tiranës, Shijakut, Kavajës dhe Peqinit.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: qeveri kombëtare, prefekturë, pleqësi.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin vendimet e Kuvendit të Vlorës?
2. Cilat ishin detyrat e qeverisë dhe të Pleqësisë?
3. Cilat ishin detyrat emergjente që duhej të zgjidhte qeveria e Vlorës?
4. Çfarë masash mori qeveria në aspektin politik, ekonomik e arsimor?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Ajo u detyrua ta afronte Esat Pashë Toptanin duke i dhënë
postin e Ministrit të Brendshëm dhe në këtë mënyrë shtriu autoritetin e saj edhe mbi Shqipërinë e Mesme. Vendosni vija paralele, a bëjnë marrëveshje të tilla sot forcat politike?

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për Esat Pashë Toptanin. Krahasoni mendimet që jepen për figurën dhe karakterin e tij. Formuloni qëndrimin tuaj dhe diskutojeni në klasë.