Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 2 Mësimi 1: Mesjeta e hershme arbërore, vazhdimësia etno kulturore shek V X

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mësimi 1

Mesjeta e hershme arbërore, vazhdimësia etno-kulturore (shek. V-X)

Trojet ilire gjatë shek. IV-VI. Dyndjet barbare
Në dallim nga grekët, që cilësonin barbarë popujt që nuk flisnin greqisht, barbarët e shek. IV e në vazhdim përfaqësonin popuj të ndryshëm që filluan të dynden në Europë nga viti 375. Të parët ishin hunët të cilët detyruan popuj të tjerë barbarë si gotët, visigotët, frankët etj. të vendosur më parë në territoret e Europës Qendrore dhe Lindore që të dynden drejt Italisë dhe gadishullit ballkanik. Dyndjet barbare që përshkuan gjithë Europën dhe Afrikën e Veriut prekën edhe trojet ilire që në fund të shek. IV duke shkaktuar rrënime të ndjeshme. Perandoria Romake duke qenë nën presionin e barbarëve në kufirin gjerman nuk mund të siguronte më mbrojtjen e provincave romake në Ballkan. Në vitin 383 barbarët gotë arritën deri në Apolloni duke shkatërruar qytetin ndërsa në vitet 383-392 vizigotët dynden në Bylis duke shkatërruar dhe plaçkitur qytetin. Një valë tjetër shkatërrimi pësoi Bylisi gjatë viteve 547-551, pas të cilit u ndërtua dhe një mur i ri mbrojtës. Megjithatë duke qenë kalimtare dhe me synim grabitjen pasojat e tyre ishin të përkohshme.

Trojet shqiptare gjatë shekujve VI-IX, dyndjet sllave
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395 në dy pjesë ajo e Lindjes dhe e Perëndimit trojet ilire ishin në administrimin e Perandorisë Romake të Lindjes e njohur edhe si Perandoria Bizantine nga emri i kryeqytetit të saj Bizantit që më pas mori emrin Kostandinopojë për nder të perandorit Konstandin i Madh. Ky status i ri nuk solli ndonjë ndryshim të madh pasi edhe perandoria e re u përball me dyndjet barbare dhe sllave. Pas dyndjeve barbare që në Ballkan kishin karakter kalimtar duke filluar nga viti 548 janë popujt sllavë që fillojnë të dynden në Europë duke arritur deri në brigjet e detit Adriatik. Në dallim nga barbarët sllavët u dyndën për të gjetur troje për të banuar në to. Dyndjet sllave krijuan një realitet të ri në gadishullin ballkanik. Duke filluar nga shek. VI deri në shek. IX popuj të ndryshëm sllavë u vendosën kryesisht në rajonet veriore dhe lindore të gadishullit ballkanik duke prekur kështu trojet ilire të këtyre rajoneve. Trojet ilire në pjesën tjetër të Ballkanit u prekën më pak nga dyndjet sllave. Lidhur me dyndjet e sllavëve në gadishullin ballkanik ka dëshmi të shkruara, të cilat bëjnë fjalë për pushtimin sllav të Greqisë, Thesalisë, Epirit, por nuk bëjnë fjalë për pushtim të trojeve ilire, përjashto këtu inkursione të veçuara.

Vazhdimësia nga ilirët tek arbrit
Pavarësisht dyndjeve barbare dhe sllave dhe pasojave të tyre, të dhënat historike dhe arkeologjike dëshmojnë vazhdimësinë e jetës pandërprerje në trojet shqiptare edhe pas këtyre dyndjeve. Të dhëna për mënyrën e jetesës dëshmojnë se sllavët e vendosur në Ballkan u ndikuan jo pak nga kultura ilire. Kjo provon se popullsia ilire jo vetëm që i bëri ballë dyndjeve, por dhe vazhdoi të jetonte në trojet e veta pandërprerje. Dyndjet barbare dhe ato sllave patën ndikim edhe në strukturën urbane të viseve ilire. Fakt është se një pjesë e qyteteve pushuan së jetuari, ndërsa të tjerë u zvogëluan. Një pjesë e popullsisë qytetare i braktisi qytetet dhe u strehua në fshatra për t`i shpëtuar dhunës së barbarëve dhe sllavëve. Në këto kushte fshati mori një rol më të rëndësishëm dhe njëkohësisht shërbeu si mbrojtës jo vetëm për banorët e ardhur nga qytetet, por edhe si bartës dhe mbrojtës i traditave dhe kulturës. Ky rol i ri i fshatit duke filluar nga shek. VI do të ndikojë në lindjen e marrëdhënieve feudale.

Banorët e trevave ilire vazhdojnë të quhen ilirë deri në shek. VI. Një dokument i vitit 584 që bënë fjalë për luftën e Bizantit kundër avarëve është dokumenti i fundit ku përmenden ilirët. Kalimi i emrit nga ilirë në arbër ndodh në shek. XI kur kronistët bizantinë përdorin emrat Albanoi, Arbanitoi. Por zanafillën emri arbër e ka që në shek. II. Gjeografi Ptoleme i kësaj kohe përmend praninë e një fisi ilir me këtë emër në afërsi të Krujës (Geographia, III, 20, 12, është vendi që zë Maqedonia, në tokën e albanëve, Albanopolis, koordinatat gjeografike 46o dhe 41o 5`). Më pas emri arbër mori kuptim më të gjerë duke përfshirë territore të gjera të banuara nga ilirët. Përveç të dhënave historike, edhe zbulime arkeologjike si ato në Koman (Kukës) dëshmojnë vazhdimësinë nga ilirët tek arbrit. Kultura e arbërve dëshmohet si vazhduese e asaj ilire në kushte të reja dhe me ndikimet e trashëguara greke, latine dhe më vonë bizantine dhe sllave. Krahas vazhdimësisë së një numri vendbanimesh që ruajtën emrat e hershëm, si Ulqini, Shkodra, Durrësi, Ballshi (nga Byllis-Ballis) Lezha, Amantia, etj., lindin qendra të reja qytetare, si Aulona, Pogradeci, Berati, Kanina, Kruja, Danja, Sarda, Ulqini, Tivari, Prizreni etj. Dëshmi e vazhdimësisë iliro-shqiptare janë bazilikat paleokristiane të shumta, të cilat u bënë në disa raste dhe bërthama të qyteteve të reja. Disa qytete ishin qendra peshkopale si Skodra, Lissus, Dyrrahu, Skampini, Apollonia, Bylisi, Amantia, Buthroti, Foinike, Onhesmi (Saranda), Adrianopolis (Teqea e Melanit-Gjirokastër) etj.

 

Përhapja e krishterimit, që në shek. IV-V në trevat ilire shërbeu si një element i rëndësishëm në vazhdimësinë e jetës shpirtërore nga ilirët tek arbrit. Inventarët e varreve të datuara në periudhën shek. V-XI sjellin dëshmi për vijimësinë iliroarbërore. Në këto varre janë gjetur objekte të shumta arkeologjike, si armë, vegla, stoli, etj., prej ari, argjendi dhe hekuri, të cilat kanë elemente ilire, ndikime romake dhe ndikime bizantine të cilat dëshmojnë për vazhdimësi jetese të popullsisë që përdorte këto varre. Edhe riti ilir i thyerjes së enëve prej balte gjatë ceremonive mortore është dëshmuar edhe në varret e kësaj kohe. Varre të kësaj periudhe janë zbuluar në pjesë të ndryshme të vendit tonë si në Koman, që i ka dhënë edhe emrin kësaj kulture, në Krujë, në Lezhë, në Shurdhah, tumat e ripërdorura në Prodan dhe Rehovë (Kolonjë), Piskovë dhe Rapckë (Përmet), Dukat (Vlorë) dhe Patos. Ripërdorimi i tumave në këtë periudhë si një traditë e hershme ilire është një tjetër dëshmi e vazhdimësisë iliro-arbërore. Sigurisht element i rëndësishëm i vazhdimësisë iliro-arbërore është gjuha e folur. Pavarësisht ndikimeve të gjuhës greke, fillimisht dhe asaj latine më pas, kryesisht si gjuhë zyrtare dhe më e përdorur në qytete banorët ilirë të fshatrave që përbënin dhe shumicën e popullsisë vijonin të përdornin gjuhën ilire të folur dhe më pas atë arbërore me transformimet e njohura sipas logjikës linguistike. Në mungesë të të dhënave të shkruara ekzistojnë një sërë të dhënash të tjera si: vijimësia e banimit në të njëjtin territor, vazhdimësia e jetës në një sërë qytetesh, vijimësia e fesë kristiane, vijimësia e gjuhës së folur, vijimësia e kulturës materiale nëpërmjet enëve, armëve, stolive, veglave etj., ripërdorimi i tumave dhe ruajtja e riteve të varrimit, pra të gjitha këto dëshmi janë të mjaftueshme për të provuar vazhdimësinë iliro-arbërore.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: barbarë, Perandoria Bizantine, arbër, bazilikat paleokristiane.

PËRGJIGJUNI
1. Në cilën perandori u përfshinë trojet arbërore pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë?
2. Ku u vendosën kryesisht sllavët në Ballkan pas shek.VI?
3. Cila ishte pasoja e dyndjeve barbare në strukturën urbane të popullsisë vendase?
4. Kur ndodhi kalimi i emrit nga ilirë në arbër? Pse? Argumentoni.

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë barbarët që u dyndën në trojet arbërore në shek. IV-VI. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni foton. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet. a. Pavarësisht dyndjeve barbare dhe sllave dhe pasojave të tyre të dhënat historike dhe arkeologjike dëshmojnë vazhdimësinë e jetës pandërprerje në trojet shqiptare edhe pas këtyre dyndjeve. b. Kultura e arbërve dëshmohet si vazhduese e asaj ilire në kushte të reja dhe me ndikimet e trashëguara greke, latine dhe më vonë bizantine dhe sllave.
c. Përhapja e krishterimit, që në shek. IV-V në trevat ilire shërbeu si një element i rëndësishëm në vazhdimësinë e jetës shpirtërore nga ilirët tek arbrit. d. Ripërdorimi i tumave në këtë periudhë si një traditë e hershme ilire është një tjetër dëshmi e vazhdimësisë iliro-arbërore. Argumentoni dhe formuloni përfundimet tuaja.