Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 3: Shteti totalitar merr në dorë drejtimin e ekonomisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 3

Shteti totalitar merr në dorë drejtimin e ekonomisë. Transformimet në bujqësi

Masat e para me karakter ekonomik e pasojat e tyre
Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas mbarimit të Luftës II Botërore zgjodhi modelin sovjetik të ekonomisë për zhvillimin e vendit. Ky model kishte në qendër ekonominë e centralizuar, pra drejtimin e ekonomisë tërësisht nga shteti; zhdukjen graduale të pronës private dhe të iniciativës së lirë sipërmarrëse. Shqipëria doli nga lufta e dëmtuar rëndë nga ana materiale dhe ekonomike. Detyrë urgjente për qeverinë e përkohshme ishte sigurimi i bukës, riparimi i shtëpive, rindërtimi i urave dhe i rrugëve, vënia në punë e spitaleve dhe shkollave. Në këto kushte të vështira për një vend të varfër si Shqipëria, qeveria u tregua e vendosur dhe ndërmori masa të rrepta për ta nxjerrë vendin nga prapambetja të tilla si: shtetëzoi kapitalin e huaj dhe vendas (në vitin 1946, Shqipëria kishte shtetëzuar 89% të industrisë kombëtare duke zënë kështu vendin e parë në Europën Lindore); shtetëzoi bankën, vulosi kartëmonedhat, monopolin mbi tregtinë e jashtme dhe drithin; shpronësoi ndërmarrjet e “armiqve të popullit”. Në janar të vitit 1945 miratoi “Ligjin e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Përveç qëllimit politik që kishte për uljen e fuqisë financiare të klasave të pasura, si tregtarë e industrialistë, ligji i ri do të siguronte edhe të ardhura të rëndësishme për arkën e shtetit, në një kohë kur financat ishin të zbrazura. Të ardhurat nga kjo taksë e posaçme, përbënin në vitin 1945 më shumë se gjysmën e të ardhurave të shtetit. Prona e sipërmarrësve, që nuk mund të paguanin, konfiskohej. Të gjitha këto masa siguruan vlera të mëdha monetare të domosdoshme për rindërtimin e vendit dhe ndërtimin e socializmit, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, shkelën të drejtën themelore të njeriut për të gëzuar pronën private. Kjo tregoi sa formale ishte miratimi i Deklaratës për të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e Beratit, tetor 1944.

Reforma agrare
Një ndër masat kryesore në fushën e ekonomisë, që regjimi komunist ndërmori ishte transformimi rrënjësor në bujqësi. Ai filloi me reformën agrare, në shtator 1945 dhe përfundoi në nëntor 1946. Sipas reformës u shpronësuan pa shpërblim, pronat e mëparshme shtetërore, pronat e çifligarëve dhe ato të institucioneve fetare. Pjesa më e madhe e tokës së shpronësuar iu shpërnda falas fshatarësisë sipas parimit: “Toka i përket atij që e punon”. Pjesa tjetër e tokës u shpall tokë shtetërorë dhe, mbi bazën e saj, u krijuan ndërmarrje shtetërore. Pronë shtetërore u bënë, gjithashtu, pyjet, kullotat, ujërat dhe pasuritë e nëntokës. Me punë të detyruar u bonifikuan kënetat dhe u përfituan 17 000 ha tokë bujqësore, për krijimin e ndërmarjeve bujqësore të shtetit. Qeveria zbatoi masa ligjore, që ndalonin shitblerjen, dhënien me qira, tjetërsimin, lënien trashëgim të tokës, si dhe përdorimin e saj për qëllime shfrytëzimi. Reforma agrare pati rrjedhojat e saj. Nga reforma përfituan familjet fshatare të varfra dhe pa tokë, të cilat morën 5 ha dhe 3 ha shtesë për çdo kurorë brenda saj. Qeveria rishpërndau rreth gjysmën e tokës së punueshme të Shqipërisë, duke goditur rëndë pronarët e mëdhenj dhe të mesëm të tokave, pasi ajo u bë pa shpërblim. Reforma agrare e viteve 1945-46 ishte reforma më e gjerë e zbatuar ndonjëherë në Shqipëri. Ajo synonte të spastronte rendin e ri shoqëror që po ndërtohej në Shqipëri nga normat e marrëdhënieve të vjetra feudale të sistemit të çifliqeve të trashëguar nga sundimi osman. Copëzimi i tokës në shumë pronarë të vegjël dhe pa mjete financiare pengonte modernizimin e bujqësisë dhe ngritjen e nivelit të jetës në fshat. Reforma agrare i hapi rrugën metodave socialiste të zhvillimit të bujqësisë, kolektivizimit të saj dhe jo zhvillimit kapitalist të bujqësisë, mbështetur në pronën private mbi tokën.

Kolektivizimi i bujqësisë
Për të kapërcyer prapambetjen në bujqësi, me të cilën merrej 85 % e popullsisë, PK shqiptare në përputhje me programin e saj ideologjik, zgjodhi rrugën e kolektivizimit të bujqësisë, duke detyruar me forcë fshatarët të bashkohen në kooperativa. Ata bashkuan kapitale të ndryshme (tokë, bagëti e mjete) për t’i shpërndarë të ardhurat nga prodhimi bujqësor në mënyrë të barabartë. Më pas bujqësia u transformua mbi baza socialiste duke krijuar si model ndërmarrje të mëdha shtetërore. Në këtë mënyrë ajo realizonte parimin bazë ekonomik të një shteti totalitar, një ekonomi të centralizuar dhe të planifikuar në çdo përbërës të saj mbi bazën e planeve afat-gjatë të zhvillimit. Kështu, në 11 nëntor të vitit 1946 u ngrit kooperativa e parë bujqësore në Krutje të Lushnjës. Kolektivizimi me dhunë u krye në disa faza. Deri në vitin 1959 u kolektivizua rreth 83% e tokës së punueshme. Në vitin 1967 ai përfundoi krejt edhe në zonat malore. Sektori kooperativist i ekonomisë bujqësore tani zinte 75.8% të tokave bujqësore, ndërsa ndërmarrjet bujqësore shtetërore 20.7% të saj. Pjesën tjetër e zinin kopshtet vetjake. Pas kësaj faze vihet re një rritje e konsiderueshme e prodhimit bujqësor, si pasojë e mekanizimit të bujqësisë, përdorimit masiv me plehra kimike, një sistemi funksional të ujitjes etj. Ky përparim u sigurua nga ndihmat e mëdha ekonomike të dhëna nga Kina, si p.sh në ndërtimin e Uzinës së plehrave kimike në Fier dhe të superfosfatit në Laç. Detyra kryesore në fushën e bujqësisë ishte sigurimi i bukës në vend, prandaj dhe roli i bujqësisë u rrit sidomos pas vitit 1955. Drithërat morën përparësi ndaj kulturave të tjera bujqësore. Bujqësia përjetoi një zhvillim intensiv sidomos në zonat fushore, në perëndim, dhe në fushëgropat në lindje të vendit. Kulturat industriale, pas viteve ’60, morën rëndësi në zhvillimin bujqësor, sidomos, pambuku, luledielli, soja, duhani, panxhari i sheqerit etj. Kjo lidhej me prioritetin që regjimi i dha zhvillimit të industrisë. Bimët industriale shërbenin si lëndë e parë për industrinë ushqimore. Rënia e sistemit, privatizimi e ngastërzimi i tokës bujqësore solli humbjen e kulturave industriale. Kolektivizimi i bujqësisë dhe politikat ekonomike të regjimit komunist kishin në vete-vete dhe një aspekt të theksuar social. Ato kishin të bënin me mendësitë tradicionale të fshatarit të lidhur pas tokës, me të drejtën e pronës, ku shumë fshatarë vetëm pse nuk pranonin të futeshin në kooperativë, pra të hiqnin dorë nga toka e tyre, cilësoheshin si reaksionarë ose kulakë (fshatarë të pasur që kundërshtonin politikat kolektiviste të regjimit në BS); ato lidheshin edhe me paragjykimet dhe mentalitete të vjetra, si p.sh. ato që pengonin gruan shqiptare të merrte pjesë aktive në jetën shoqërore dhe ekonomike etj. Në nxitje të frymës kolektiviste në shoqëri shërbenin edhe parulla të ndryshme mobilizuese si p.sh. t’u qepemi kodrave dhe maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: model sovjetik, shtetëzim, tatim i jashtëzakonshëm, reformë agrare, kolektivizim i bujqësisë, kulak.

PËRGJIGJUNI
1. Pse Shqipëria zgjodhi modelin sovjetik të zhvillimit ekonomik?
2. Cili është thelbi i masave të para ekonomike? Po pasojat?
3. Cili është thelbi i reformës agrare?
4. Cilat janë pasojat e reformës agrare?
5. Cili është thelbi i kolektivizimit të detyruar të bujqësisë?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Lexoni pohimin dhe formuloni qëndrimet tuaja. Me kolektivizimin e prodhuesve të vegjël dhe krijimin e ndërmarrjeve të mëdha shtetërore regjimi komunist kërkonte të realizonte parimin bazë ekonomik të një shteti komunist, planifikimin e centralizuar dhe shndërrimin e pronës (tokës dhe mjeteve të prodhimit bujqësor) në pronë shtetërore.
3. Supozoni se jeni gazetar i kohës së regjimit komunist në Shqipëri. Shkruani një reportazh me 400 fjalë për reformën agrare dhe kolektivizimin e bujqësisë. Botojeni atë në shtypin e kohës, p.sh. në gazetën Zëri i Popullit apo Bashkimi.
4. Supozoni se jeni gazetar i një vendi perëndimor, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Shkruani një reportazh me 400 fjalë për reformën agrare dhe kolektivizimin e bujqësisë. Botojeni atë në shtypin e disa vendeve të Europës Perëndimore. Diskutoni në klasë reportazhet duke i krahasuar.
5. “Toka i përket atij që e punon”. Si e kuptoni?

KËRKONI INFORMACION
Formuloni përfundimet tuaja. Intervistoni gjyshërit apo persona të tjerë që kanë jetuar në komunizëm dhe pyetini: Çfarë keni përjetuar gjatë kryerjes së shtetëzimeve, reformës agrare dhe kolektivizimit të bujqësisë në vendbanimin tuaj? I diskutoni në klasë përfundimet tuaja.