Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 2 Mësimi 5: Organizmi politik në Arbërinë e shek XIV XV

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mësimi 5

Organizmi politik në Arbërinë e shek. XIV-XV

Shkaqet dhe rrethanat e krijimit të Principatave arbërore
Sistemi feudal që kishte filluar të shfaqej në trojet arbërore që nga shek.VI arriti kulmin në shek. XII-XV. Shprehja më e lartë e këtij zhvillimi ishte krijimi i principatave feudale arbërore duke filluar nga shek. XII me krijimin e Despotatit të Epirit dhe Principatës së Arbrit ndërsa gjatë shek. XIII-XV ky proces përfshiu gjithë trojet e banuara nga arbrit. Krijimi i principatave shënoi një etapë të re në organizimin politiko-shoqëror të arbërve pasi ato shënojnë kalimin në organizimin shtetëror të tyre. Krijimi i principatave reflekton edhe raportet midis arbërve dhe Perandorisë Bizantine duke dëshmuar faktin se këto raporte kishin më shumë karakterin e aleancës midis feudalëve vendas me pushtetin bizantin. Fakti që pushteti bizantin i trajtonte feudalët arbëror si aleat si dhe situata e paqëndrueshme në Ballkan gjatë kësaj periudhe ishin nxitës në procesin e krijimit të principatave arbërore. Ana pozitive e krijimit të principatave zbehej nga njëra anë nga copëtimi i trojeve arbërore në disa principata dhe nga ana tjetër edhe nga konfliktet midis tyre për zgjerimin e territorit. Këto bënin që principatat arbërore të mos kishin kufij të qëndrueshëm dhe njëkohësisht të mos ishin jetëgjata. Baza kryesore ekonomike e principatave ishte ekonomia bujqësore në trajtën e pronave mbi tokën, pyjet, bagëtitë etj. Një burim tjetër të ardhurash ishte tregtia si dhe zejtaria në qendrat qytetare që bënin pjesë në një principatë të caktuar. Principatat qeverisen kryesisht mbi bazë familjare por kishin administratën e tyre si dhe forca të armatosura. Përveç këtyre principatat ishin aktive në politikën e jashtëm duke synuar shfrytëzimin e  rrethanave për forcimin e tyre duke krijuar edhe aleanca sipas situatave të krijuara në një Ballkan të trazuar ku plekseshin interesa të fuqive të ndryshme të kohës. Të gjitha këto aspekte u jepnin principatave arbërore tipare të shtetit. Në shtrirjen territoriale dhe jetëgjatësinë e principatave ndikonin fuqishëm faktorë të tjerë si marrëdhëniet më pushtetin bizantin, me fuqi të tjera si Republikat e Venedikut, Gjenovës, Raguzës apo Mbretërinë e Napolit si dhe fqinjësia me mbretëritë serbe dhe bullgare. Principatat kryesore arbërore gjatë shek. XIV-XV. I filluar që në shek. XII procesi i krijimit të principatave në territoret arbërore mori hov gjatë shek. XIII-XIV. Pas rënies së principatës së Arbrit gjatë shek. XIV-XV u krijuan një sërë principatash të tjera arbërore ku ndër më kryesoret ishin: Principata e Balshajve (rreth 1340-1421) Pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II krijuan një nga principatat më të mëdha arbërore me shtrirje në kulmin e vet nga Ulqini në veri (duke përfshirë edhe një pjesë të territorit të Kosovës) deri pranë Vlorës në jug dhe nga liqeni Ohrit në lindje deri në brigjet e Adriatikut në perëndim. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Kulmin principata e balshajve e arriti në vitin 1383 duke vënë nën zotërimin e tyre edhe qytetin kryesor arbëror Durrësin. Në vjeshtë të vitit 1385, një ushtri osmane, nën komandën e Hajredin Pashës, depërtoi në zotërimet jugore të Balshajve dhe iu drejtua Vlorës. Në Savër forcat e mbledhura me ngut nga Balsha II u ndeshën me osmanët, duke pësuar një humbje katastrofale. Vetë Balsha II ra në fushën e betejës. Në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve të tjerë shqiptarë e ballkanas. Principata e Dukagjinit (1387-1444), u krijua nga vëllezërit Pal dhe Leka I Dukagjini me shtrirje në rrafshin e Dukagjinit. Në krahasim me Balshajt kjo ishte një principatë e vogël, por në një pozicion strategjik. Principata e Gjirokastrës (1386–1418) ishte një nga principatat jugore e krijuar nga Gjin Zebenishti në vitin 1386, që përfshin zonën përreth Gjirokastrës. Principata e Muzakajve. Krijuesi i Principatës së Muzakajve ishte despot Andrea II Muzaka (1335-1372). Fillimisht ai udhëhoqi kryengritjen antibizantine të viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore. Edhe në kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin në krye të qëndresës antiserbe. Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në Myzeqe duke i dhënë emrin Muzakia kësaj pjese të ultësirës perëndimore që më parë quhej fusha ilirike sipas Ana Komnenës. Vdekja e princit Andrea II Muzaka pas marrjes së Kosturit ndikoi në dobësimin e zotërimit të Muzakajve, që u nda midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. Principata e Topiajve (1359-1412). Principata e Topiajve u krijua nga princi Andrea Topia dhe shtrihej midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbrit. Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që trashëgoi drejtimin e principatës në vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën e Arbrit. Në vitin 1368 nën pushtetin e topiajve u vu edhe Durrësi për një periudhë të shkurtër kohe, deri në vitin 1384 kur qyteti bie nën sundimin e balshajve. Principata e Arianitëve (shek.XV). Ishte ndër principatat më të vona arbërore dhe shtrihej përgjatë luginës së Shkumbinit, në lindje në rajonin pranë liqenit të Ohrit duke përfshirë Manastirin, Follorinën, në jug deri në luginën e Devollit ndërsa në perëndim me dalje në detin Adriatik. Ndër princërit më të njohur të kësaj principate ishte Gjergj Arianiti i njohur si nja nga bashkëluftëtarët më të ngushtë të Skënderbeut krahas princërve të tjerë si Karl Topia, Andre Muzaka, Lekë Dukagjini etj. Principata e Kastriotëve (shek.XV). Edhe kjo principatë u krijua në fund të shek. XIV nga Gjon Kastrioti. Principata e Kastriotëve shtrihej në perëndim në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës, në perëndim deri në brigjet e detit Adriatik pranë Lezhës, në jug deri në grykëderdhjen e lumit Mat. etj. Në jug zotërimet e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët, përveç Shkupit, zotëronin në perëndim të tij kështjellën e Tetovës. Ashtu si dhe princërit e tjerë arbëror, Gjon Kastrioti kishte lidhje të shumta familjare e martesore me sundimtarë të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt, Muzakajt, Balshajt etj. Principata zotëronte një potencial të ndjeshëm ekonomik dhe ushtarak. Rrethanat historike bënë që Principata e Kastriotëve, ashtu si dhe principatat e tjera arbërore të kohës, nuk mund të përballonin vërshimin e osmanëve, të cilët në vitin 1415 morën qytetin e Krujës.

 

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Familja Balsha, ushtri osmane, Savër, Fushë-Dardanisë, Pal dhe Leka I Dukagjini, Gjin Zebenishti, Andrea II Muzaka, Andrea Topia, Gjergj Arianiti, Gjon Kastrioti.

PËRGJIGJUNI
1. Cilët janë faktorët që ndikonin në shtrirjen territoriale dhe jetëgjatësinë e principatave?
2. Cilat janë principatat kryesore arbërore gjatë shek. XIV-XV? Përshkruajini ato duke nxjerrë veçoritë dhe të përbashkëtat midis tyre.

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë pozicionin gjeografik të principatave. Në cilën prej tyre bënë pjesë sot vendbanimi juaj? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimet. a. Krijimi i principatave shënoi një etapë të re në organizimin politiko-shoqëror të arbërve pasi ato shënojnë kalimin në organizimin shtetëror të tyre. b. Fakti që pushteti bizantin i trajtonte feudalët arbëror si aleat si dhe situata e paqëndrueshme në Ballkan gjatë kësaj periudhe ishin nxitës në procesin e krijimit të principatave arbërore.c. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare

 

Argumentoni dhe formuloni përfundimet tuaja.