Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 4: Transformime të thella ekonomike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 4

Transformime të thella ekonomike në industri dhe pasojat e tyre

Synimet dhe karakteri i transformimeve ekonomike në industri
Deri në vitin ‘60 ekonomia shqiptare u kryesua nga bujqësia e degët e saj, blegtoria etj. Pas viteve ’60 ekonomia e Shqipërisë u udhëhoq nga industria, sidomos industria e rëndë, tipike për regjimet totalitare. Regjimi komunist kishte si pikësynim: kthimin e Shqipërisë nga një vend i prapambetur agrar në një vend me industri dhe bujqësi të përparuar. Industria e rëndë do të kishte përparësi në raport me industrinë e lehtë dhe me bujqësinë. Ky pikësynim ishte politik, sepse i shërbente regjimit në fuqi për të qenë sa më i pavarur në politikat e tij të brendshme dhe në marrëdhëniet me jashtë. Mbështetja në modelin ekonomik sovjetik tregonte se regjimi komunist synonte industrializimin socialist të vendit mbi bazën e investimeve të mëdha të realizuara nga shteti. Ndihmat ekonomike të huaja ishin një mjet jetik shumë i rëndësishëm për këto politika që ishin në funksion të mbijetesës së një vendi të vogël e të pazhvilluar si Shqipëria, por edhe me probleme me fqinjët. Jugosllavia në vitet 1944-48, BS në vitet 1949-1961 dhe Kina në vitet 1962-1978, u bënë protektorët e mëdhenj të Shqipërisë në ndërtimin ekonomik të vendit dhe në mbrojtjen e saj në arenën ndërkombëtare. Me ndihmën ekonomike jugosllave u ndërtuan disa fabrika të industrisë së lehtë ushqimore në Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Zhvillimi i industrisë së rëndë
Pas vitit 1949 e deri në rënien e regjimit, qeveria shqiptare, me ndihmë e BS dhe të Kinës i dha përparësi zhvillimit të industrisë së rëndë. Ajo u shndërrua në degë prioritare të ekonomisë. Industria nxjerrëse e mineraleve ishte dega kryesore e industrisë së rëndë. Në zbatim të modelit sovjetik, u hartuan planet e para ekonomike pesëvjeçare (1951-1955; 1955-1960). Planet parashikonin ritme të larta në degët e industrisë së rëndë. Prodhimi industrial në fund të viteve ‘50 u rrit, pavarësisht sistemit të centralizuar të ekonomisë. Kjo u arrit në saj të ndihmave të BS, punës së sforcuar të shqiptarëve e pagave të ulta që ata merrnin. Deri në vitin 1961 u ndërtuan veprat e para të industrisë energjitike si hidrocentrali i Selitës në Tiranë dhe ai mbi lumin Mat, Rafineria e Naftës në Cërrik dhe Uzina e Rafinerimit të Bakrit në Rubik etj. U ndërtua Kombinati i Tekstileve në Tiranë, Kombinati i Drurit në Elbasan etj. Industria minerare si ajo e nxjerrjes së bakrit, hekur-nikelit e kromit mori zhvillim. Një prej objektivave të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit ishte dhe elektrifikimi i vendit, që përfundoi në vitin 1970. Me ndihmën ekonomike të Kinës në vitet 1960-1980 u ngritën: 3 hidrocentrale mbi lumin Drin, i Vaut-Dejës, i Fierzës dhe ai i Komanit si dhe termocentrali në Fier. Ndërtimi i tyre “rriti oreksin” e regjimit për të ndërtuar vepra gjigande. Përparësi ju dhanë degëve të tjera të industrisë së rëndë si asaj metalurgjike, mekanike e atyre të nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve. Në këtë drejtim shquan ngritja e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, Kombinati i Autotraktorëve në Tiranë, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, uzina ushtarake etj. Kombinatit Metalurgjik ishte vepra më e madhe e industrisë së rëndë për të cilën u shpenzuan 5 miliardë dollarë dhe u përdor fuqi punëtore e madhe, mbi 12.000 punonjës. Transformimet e thella totalitare të rendit social që u bënë, pas vitit 1946 në Shqipëri u sanksionuan me ligj në Kushtetutën e re që u miratua në vitin 1976. Ajo e emërtoi Shqipërinë, Republikë Popullore Socialiste. Në aspektin ekonomik theksohej eliminimi tërësisht i pronës private, ku edhe toka u kthye plotësisht në pronë shtetërore. Shteti dhe partia, tashmë, vendosnin për gjithçka, çfarë dhe sa do të prodhohej, çfarë do mbillej, si do ishin çmimet e shitjes dhe sa do ishin të ardhurat për punonjësit.

Pasojat e transformimeve të thella në ekonomi
Krahas industrisë së rëndë u zhvilluan edhe degë të tjera të industrisë. Ato shtuan numrin e të punësuarve dhe të ardhurave për ekonominë si industria e drurit, e peshkut e tekstileve etj. Por u nënvlerësuan degët e tjera të ekonomisë si turizmi, tregtia, zejtaria etj. Ato pësuan goditje sistematike gjatë periudhës 1945-1990. Kooperimi socialist i tyre, krijoi kooperativat e artizanatit. Në vitin 1969-1970, ato u kthyen në ndërmarrje shtetërore. Kjo tregon se procesi i shtetëzimit të tyre zgjati. Shkak për këtë u bë edhe karakteri i tyre privat dhe familjar etj. Zejtaria u godit rëndë me shtetëzimin. U ul interesi i zejtarëve për punë, për rrjedhojë u ndje dukshëm mungesa e produkteve zejtare në treg. Turizmi u pa nga regjimi si sektor ideologjik, prandaj edhe numri i turistëve të huaj në vitet ’80 ishte i papërfillshëm. Edhe ata që lejoheshin të vinin ishin nga grupet marksiste-leniniste nëpër botë. Kjo politikë e regjimit totalitar komunist dëshmonte nënvlerësimin për begatinë dhe nivelin e jetesës së njerëzve. Kështu p.sh. pesha e sektorit të shërbimeve në ekonominë kombëtare (ku bënte pjesë turizmi, tregëtia, artizanati), në vitin 1980 zinte 8.2% të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB), ndërsa industria zinte 56% të tij. Me rënien e madhe që pësoi industria në vitin 1990, sektori i shërbimeve kontribuoi në ekonomi me 18.9%. Burimet njerëzore dhe mjetet financiare që u përdorën për zhvillimin e industrisë së rëndë, nuk justifikonin shpenzimet e mëdha në raport me efektivitetin e tyre. Prishja e marrëdhënieve të ngushta bashkëpunuese me Kinën, pas vitit 1978, e detyroi regjimin komunist të kërkonte rrugë radikale për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai doli me parullën ideologjike, të ndërtojmë socializmin të mbështetur në forcat tona; ndaloi marrjen e kredive për modernizmin ekonomik të industrisë; në bujqësi krijoi kooperativat e tipit të lartë, ku shteti u bë aktori kryesor edhe në prodhimin bujqësorblegtoral; shpiku sistemin e tufëzave dhe arëzave, ku fshatarit i merreshin bagëtitë personale dhe ajo pak tokë që i kish mbetur në përdorim vetjak. Këto politika ekstremiste nuk e përmirësuan, por e rënduan edhe më shumë gjendjen ekonomike të vendit. Në fund të viteve 1980 rendi shoqëror i ndërtuar sipas modelit sovjetik dështoi plotësisht në krijimin e një shoqërie me ekonomi të përparuar, të begatë dhe të barabartë përpara ligjit. Shqipëria ishte futur në krizë.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: pronë e përbashkët, industri e rëndë, industrializim socialist.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë masat e para ekonomike që ndërmori regjimi komunist?
2. Pse regjimi i dha përparësi zhvillimit të industrisë së rëndë?
2. Cilat janë pasojat e politikës ekonomike të regjimit komunist?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre? Formuloni opinionin tuaj.
2. Supozoni se jeni gazetar i kohës së regjimit komunist në Shqipëri. Shkruani një reportazh me 400 fjalë për kolektivizimin socialist të bujqësisë dhe zhvillimin e industrisë së rëndë në Shqipëri. Botojeni atë në shtypin e kohës, p.sh. në gazetën Zëri i Popullit apo Bashkimi.
3. Supozoni se jeni gazetar i një vendi perëndimor gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Shkruani një reportazh me 400 fjalë për kolektivizimin socialist të bujqësisë dhe zhvillimin e industrisë së rëndë në Shqipëri. Botojeni atë në shtypin e disa vendeve të Europës Perëndimore. Diskutoni në klasë reportazhet duke i krahasuar.

KËRKONI INFORMACION
Formuloni përfundimet tuaja. Intervistoni gjyshërit apo persona të tjerë që kanë jetuar në komunizëm dhe pyetini: Çfarë keni përjetuar gjatë kryerjes së kolektivizimit të detyruar të bujqësisë dhe industrializimit në vendbanimin tuaj?
I diskutoni në klasë përfundimet tuaja.