Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 5 Mësimi 1: Shqipëria nën pushtimin e Italisë së Musolinit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 5 Mësimi 1

Shqipëria nën pushtimin e Italisë së Musolinit

Agresioni fashist dhe vendosja e regjimit të pushtimit
Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Pushtimi italian i Shqipërisë (prill 7-12, 1939) ishte një fushatë e shkurtër ushtarake e Mbretërisë Italiane kundër Mbretërisë Shqiptare. Konflikti ishte rezultat i politikave imperialiste të diktatorit italian Benito Musolinit. Më 8 janar 1939 Benito Musolini miraton planin për pushtimin ushtarak të Shqipërisë të paraqitur prej ministrit të jashtëm Italian Galeacogut Ciano. Pas kësaj, më 25 Mars 1939, qeveria italiane, përmes përfaqësuesit të saj, kërkon zbatimin e një marrëveshje, e cila i jepte dorë të lirë Italisë në Shqipëri. Kërkesa u ripërsërit, në formë ultimatumi, më datë 6 prill. Edhe pse parlamenti shqiptar e hodhi poshtë, rreziku i sulmit ishte në derë. Duke e ndjerë rrezikun, populli shqiptar i kërkoi qeverisë të armatosej për të bërë rezistencën. Më 7 Prill 1939, trupat italiane sulmuan Shqipërinë në drejtime të ndryshme, nga deti, ajri dhe toka. Sulmet më të fuqishme ishin nga portet kryesore, në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë. Rezistenca e qytetarëve të Durrësit të udhëhequr nga Abaz Kupi e Mujo Ulqinaku i theu disa herë trupat italiane por nuk e ndalën dot pushtimin. Në këtë qëndresë ra heroikisht Mujo Ulqinaku. Rezistenca nuk ishte e organizuar. Për rrjedhojë, trupat fashiste italiane, në një kohë të shkurtër, depërtuan në brendësi të vendit. Pasi hynë në Tiranë më 8 prill, ato pushtuan gjithë Shqipërinë. Pushtimi i plotë i saj përfundoi më 12 prill. Pushtimi i Shqipërisë u shoqërua me vendosjen e administratës së pushtimit. Nën drejtimin e Xhafer Ypit, më 12 Prill, u thirr Asambleja Kushtetuese, e cila përbëhej nga 150 deputetë. Ajo shpalli të rrëzuar monarkinë zogiste dhe kushtetutën e saj. Asambleja deklaroi, bashkimin personal të kurorës shqiptare me atë italiane nën kurorën e mbretit Viktor Emanueli III. Ky bashkim, njëherazi, do të thoshte fundi i pavarësisë së Shqipërisë. Nga Asambleja doli një qeveri kukull, me kryeministër Shefqet Vërlacin. Qeveria varej dhe kontrollohej nga autoritetet italiane, pasi kryeministri dhe ministrat emëroheshin dhe shkarkoheshin nga mbreti dhe jo nga parlamenti. Madje pranë çdo ministrie kishte këshilltarë italianë. Më 16 Prill, një delegacion shqiptar, i kryesuar nga kryeministri, shkoi në Romë për t’i dorëzuar kurorën mbretit Viktor Emanueli III. Po në këtë ditë Musolini shpall edhe mbylljen e Ministrisë së Jashtme shqiptare. U miratua Statuti Themeltar i Mbretërisë, hartuar në Romë. Sipas statutit gjithë pushteti i takonte mbretit të Italisë. U krijua organi i Mëkëmbësisë së Përgjithshme me në krye Françesko Jakomonin, për të përfaqësuar mbretin. Ai ushtronte gjithë pushtetin në Shqipëri. Mëkëmbësi dekretoi formimin e Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, i cili kishte rolin e parlamentit dhe do të drejtohej nga Terenc Toçi. U krijua Drejtoria e Shtypit, Propagandës dhe Turizmit si formë e kontrollit të gjithë veprimtarisë kulturore dhe propagandistike në Shqipëri.

Tiparet e regjimit fashist në Shqipëri
Për të konsoliduar regjimin fashist u morën masa për fashistizimin e gjithë jetës së vendit në aspekte të ndryshme si ekonomi, ushtri, art, kulturë, arsim. Më 22 prill 1939 u realizua bashkimi doganor midis dy vendeve. Anuloheshin të gjitha marrëveshjet e lidhura më parë me vendet e tjera. Vendosja e kolonëve italianë në Shqipëri me të drejta dhe privilegje në krahasim me popullsinë shqiptare ishte një përpjekje tjetër për rritjen e kontrollit fashist italian në Shqipëri. Përveç forcave të shumta ushtarake në Shqipëri u vendosën mijëra kolonë italianë si bujq, punëtorë, specialist, tregtarë, sipërmarrës, nëpunës. U shpall çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë dhe u ndaluan organizimet e ndryshme në formën e grevave dhe demonstratave. Përhapja e ideologjisë fashiste ishte forma tjetër për fashistizimin e jetës së vendit. Si rrjedhim organet e informimit si shtypi, radio, arti, u vendosën nën censurën e pushtuesit. Shtypi përfaqësohej nga e vetmja gazetë e ditës “Fashizmi” dhe më pas “Tomorri” që ishin organe të shtypit fashist. Në prill 1939 krijohet Partia Fashiste si degë e partisë fashiste italiane. Regjistrimi në partinë fashiste ishte i detyruar për të gjithë nëpunësit e shtetit. U krijuan organizatat fashiste si ajo e rinisë, grave, studentëve, shoqata kulturore me qëllim përhapjen sa më të gjerë të ideve dhe bindjeve fashiste. Në fushën e arsimit masat u shoqëruan me mbylljen e disa shkollave dhe ndryshime në programet dhe në tekstet shkollore. Gjuha italiane u bë e detyrueshme. Për zhvillimin e albanologjisë, në prill 1940, u ngrit Instituti i Studimeve Shqiptare, ku bënin pjesë intelektualë shqiptarë dhe italianë të fushave të ndryshme.

Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit Italian
Populli shqiptar nuk e ndërpreu qëndresën ndaj pushtuesit fashist. Format e rezistencës ishin nga ato spontanet, deri në ato më të organizuarat si: manifestime, protesta, greva, demonstrate, mos bindje ndaj urdhrave fashiste, bojkotim, aksione etj. Pjesëmarrës në protesta ishin shtresa të ndryshme të popullsisë si nxënës, student, mësues atdhetarë, punëtorë, fshatarë, nëpunës, ushtarakë. Më 28 Nëntor 1939 në ditën e festës kombëtare demonstrata antifashiste u zhvilluan në qytetet kryesore të vendit si në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, të cilat shprehnin mospajtim me regjimin e pushtimit. Shkollat e mesme u bënë qendra të rëndësishme të rezistencës, të cilët kundërshtonin përpjekjet për fashistizimin e shkollës në forma të ndryshme. Përmasat e këtyre lëvizjeve u rritën aq shumë sa detyruan regjimin të merrte masa të rrepta. Një numër nxënësish dhe mësuesish u përjashtuan nga shkolla dhe mjaft prej tyre u internuan në Itali. Më 18 Maj 1941, i riu antifashist, Vasil Laçi, qëlloi me armë në një nga rrugët e Tiranës, mbretin e Italisë, Viktor Emanuelin III, gjatë një vizite të tij në Shqipëri. Mjaft e gjallë ishte edhe lëvizja punëtore edhe pse numri i tyre ishte i vogël. Punëtorët protestonin kundër shfrytëzimit nga pronarët italianë, për ngritjen e pagave, përmirësimit të kushteve të punës. Lëvizje të tilla u bënë në qytetin e Gjirokastrës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Rubikut etj. Të ndryshme ishin edhe format e rezistencës nga fshatarësia, e cila si rrjedhim i gjendjes së vështirë ekonomike proteston kundër shpronësimit me forcë dhe pa shpërblim të tokave të bonifikuara, kundër pagesës së taksave, grabitjes së prodhimeve bujqësore. Një hov dhe nxitje lëvizjes antifashiste i dha diaspora shqiptare, në vende të ndryshme të Europës, Ballkanit, dhe SHBA-së. Format e tyre të rezistencës ishin të ndryshme. Lëvizja popullore kundërfashiste erdhi duke u zgjeruar dhe si rrjedhim ajo kërkonte më shumë organizim. Indiferenca, që treguan grupimet nacionaliste dhe zogiste i dha mundësi komunistëve shqiptarë të fitonin terren.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Bashkim personal, fashistizim, Asamble Kushtetuese, rezistencë, administratë pushtimi.

PËRGJIGJUNI
1. Si u organizua pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste?
2. Cilat ishin institucionet që u ngritën për vendosjen e regjimit të pushtimit fashist në Shqipëri?
3. Në ç’ forma u realizua rezistenca shqiptare kundër pushtuesit fashist ?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën: Qendrat e rezistencës antifashiste të popullit shqiptar. Gjeni në hartë zonat e rezistencës fashiste në qytete të ndryshme në Shqipëri. Cili është mësimi që merrni në përfundim?
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Supozoni se jeni një gjimnazist i vitit 1939. Shkruani një fletëpalosje (deri në 600 karaktere) ku të informoni popullin shqiptar se Shqipëria është në rrezik të fashistizohet. Evidentoni fakte të propagandës fashiste, në shkolla e kudo.

KËRKONI INFORMACION
1. Cilat ishin format e rezistencës ndaj pushtuesit fashist, në fshatin, zonën ose qytetin tuaj?
2. A ka ndonjë vend përkujtimor sot në zonën tuaj që ipërket kësaj rezistence?