Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi11: Xhonturqit dhe shqiptarët 1908-1912

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 11

Xhonturqit dhe shqiptarët (1908-1912)

Revolucioni i Turqve të Rinj ndikimi në lëvizjen kulturore dhe arsimore në Shqipëri
Turqit e rinj ishin intelektualë përparimtarë turq, që njihen në histori me emrin xhonturq. Ata krijuan në Stamboll një komitet të fshehtë Bashkim dhe Përparim dhe ishin kundër regjimit absolutist të sulltanit. Xhonturqit iu vunë punës që të realizonin vendosjen e një regjimi të ri kushtetues, i cili do të forconte më shumë perandorinë. Turqit e rinj në interes të programit të tyre kishin premtuar se do të njihnin të drejtat kombëtare të popujve të shtypur dhe shqiptarët bashkëpunuan që në fillim me ta dhe brenda pak viteve ata e zgjeruan lëvizjen e tyre sidomos në krahinat shqiptare të vilajetit të Manastirit dhe Kosovës. Në vitin 1908, Revolucioni xhonturk nisi në Maqedoni dhe u mbështet nga shqiptarët. Në korrik të këtij viti rreth 20 mijë fshatarë shqiptarë të Kosovës të armatosur për të mbrojtur vendin e tyre u mblodhën në qytetin e Ferizajt dhe i dërguan një telegram sulltanit ku i kërkohej shpallja e kushtetutës. Sulltani më 23 korrik 1908 pranoi të shpallte kushtetutën-hyrriyetin veprim që i dha fitoren revolucionit xhonturk. Shqiptarët e pritën me gëzim shpalljen e kushtetutës, sepse shpresuan se do të fitonin liritë politike të premtuara. Në fillim xhonturqit bënë lëshime duke u njohur përkohësisht disa të drejta kombësive jo turke. Shqiptarët i shfrytëzuan me shkathtësi në favor të përhapjes së arsimit e të kulturës kombëtare si dhe bashkimin e popullit. Ata formuan në qytetet e vendit klube shqiptare, çelën shkolla shqipe, botuan gazeta e libra shqip, kudo në trojet shqiptare.

Kongresi i Manastirit dhe i Elbasanit
Lëvizja kulturore, shkollat dhe botimi i librave dhe gazetave shtroi nevojën për caktimin e një alfabeti të vetëm të shqipes dhe për këtë arsye u thirr një kongres i posaçëm. Kongresi u mblodh në Manastir më 14 -22 Nëntor 1908, ku morën pjesë rreth 50 delegatë nga klube dhe shoqëri shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri. Gjergj Fishta kërkoi që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin latin. Kongresi miratoi dy alfabete të gjuhës shqipe (alfabetin latin dhe atë të Stambollit). Me kohë i dyti u mënjanua dhe mbeti në përdorim alfabeti latin. Dom Ndre Mjeda, thuri këto vargje për gjuhën shqipe:

Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

Kongresi i Manastirit ishte një Kongres Kombëtar. Aty u miratua një program prej 18 pikash, që përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe kulturor, dhe i jepte shtysë të re lëvizjes kombëtare. U shtua numri i klubeve dhe i shkollave shqip u botuan gazeta dhe libra. Përhapja e mësimit dhe e shkollave shqipe shtronte nevojën e përgatitjes së mësuesve si dhe të botimit të teksteve shkollore. Për këtë qëllim u organizua Kongresi i Elbasanit (2-8 shtator 1909), me pjesëmarrjen e 35 delegatëve nga klubet dhe shoqëritë shqiptare. Kongresi vendosi të hapej një shkollë e mesme pedagogjike (normale) në Elbasan që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Më 1 dhjetor 1909 u hap në Elbasan Shkolla Normale Shqipe, e para shkollë e mesme kombëtare, me drejtor atdhetarin Luigj Gurakuqi dhe mësues Aleksandër Xhuvanin, Sotir Pecin etj.

 

Kryengritjet shqiptare 1910-1912
Pas Revolucionit xhonturk pritjet dhe shpresat e shqiptarëve, për të cilat ata i ishin bashkuar këtij revolucioni nuk u realizuan. Xhonturqit kaluan në veprime të hapura arbitrare dhune duke çarmatosur popullsinë, goditur klubet, shkollat shqipe dhe patriotët shqiptarë. Rritën taksat dhe vendosën shërbimin ushtarak të detyruar edhe për malësorët e krahinave autonome. Për shkak të këtyre masave pakënaqësia tek shqiptarët në vitet 1910-1912 u rrit, prandaj shpërthyen kryengritjet kundër Perandorisë Osmane. Më 23 qershor 1911 nën drejtimin e Ismail Qemalit shqiptarët u mblodhën në Gërç të Malit të Zi në një kuvend kombëtar ku u miratua një memorandum. Si rezultat i rrethanave të jashtme dhe të brendshme, krerët shqiptarë të rezistencës në Veri dhe në Jug pranuan dhënien fund të kryengritjes duke nënshkruar një marrëveshje në Podgoricë me qeverinë turke. Misioni për realizimin e autonomisë territoriale e administrative të Shqipërisë sipas Librit të Kuq dështoi. Kjo marrëveshje e çoi lëvizjen kombëtare shqiptare një fazë të re të fuqishme, e cila u rrit shumë deri në shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Kryengritja shpërtheu në muajin maj në Kosovë dhe u përhap në të gjithë viset shqiptare. U zhvilluan beteja të ashpra në Grykën e Kaçanikut dhe Carralevës. Më 9 gusht të vitit 1912 një delegacion osman zhvilloi bisedime me shqiptarët. Hasan Prishtina i paraqiti atij një memorandum me 14 kërkesa nga ana e kryengritësve në emër të gjithë Shqipërisë. Pavarësisht se drejtpërsëdrejti nuk u kërkua autonomia, në qoftë se këto kërkesa do të pranoheshin, de fakto shpallej autonomia e Shqipërisë. Qeveria osmane në fund të gushtit i pranoi kërkesat e shqiptarëve me disa korrigjime ky akt i dha fund kryengritjes. Kjo kryengritje e përgatiti vendin për shpalljen e pavarësisë.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: revolucion, xhonturq, Kongresi i Manastirit, Memorandumit i Gërçes.

PËRGJIGJUNI
1. Në ç’mënyrë Revolucioni i Turqve të Rinj ndikoi në lëvizjen kulturore dhe arsimore në Shqipëri?
2. Cila është rëndësia e Kongresit të Manastirit dhe atij të Elbasanit?
3. Cilat ishin masat që morën xhonturqit ndaj shqiptarëve?
4. Ç’ përfaqëson memorandumi i Greçës?
5. Cila ngjarje kulmoi lëvizjen kombëtare shqiptare kundër osmanëve?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimin dhe poezinë e Ndre Mjedës. Formuloni përfundimet tuaja dhe recitoni poezinë. Turqit e rinj në interes të programit të tyre kishin premtuar se do të njihnin të drejtat kombëtare të popujve të shtypur dhe shqiptarët bashkëpunuan që në fillim dhe brenda pak viteve e zgjeruan lëvizjen e tyre sidomos në krahinat shqiptare të vilajetit Manastirit dhe Kosovës. Pse xhonturqit kur erdhën në fuqi nuk i mbajtën premtimet ndaj shqiptarëve që kontribuan në ardhjen e tyre në pushtet?

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për:
1. Luigj Gurakuqin si drejtor i të parës shkollë kombëtare të mesme që u hap në Shqipëri.
2. Hasan Prishtinën si prijës i kryengritjes së 1912. Gjetjet tuaja i diskutoni në klasë.