Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 7: Rilindja Kombëtare Shqiptare

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 7

Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe tiparet e programit politik të saj

Rilindja Kombëtare një epokë e re
Rilindja Kombëtare shqiptare ishte një lëvizje e gjerë me përmbajtje politikekulturore, e cila fillon në vitet 30-40 të shek.XIX dhe përfundon me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë më 1912. Synimi kryesor i saj ishte çlirimi dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, e të pavarur. Revolucioni Francez (1789) me idetë e tij u ndje fuqishëm edhe në Ballkan. Këto ide ndikuan edhe tek intelektualët shqiptarë, që nisën punën për të shpëtuar Shqipërinë, nga sundimi osman.

Rilindësit përpunuan një program kombëtar për të arritur shpëtimin e Shqipërisë. Thelbin e programit e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Program përmbante: në fushën politike çlirimin e tokave shqiptare nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit të ri shqiptar, mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi; në fushën ekonomike ta fuste vendin në rrugën e zhvillimit kapitalist; në fushën shoqërore ta çlironte shoqërinë shqiptare nga marrëdhëniet e vjetra feudale dhe prapambetja drejt modeleve të shoqërive perëndimore; në fushën kulturore kërkonte përhapjen e arsimit, kulturës dhe gjuhës shqipe. Lëvizja Kombëtare e rilindësve ndryshonte nga lëvizjet çlirimtare të mëparshme. Në këtë stad të situatës kombëtare kërkoheshin të kombinoheshin si ndërgjegjësimi i popullit shqiptar me anë të zhvillimit të arsimit ashtu dhe lufta me armë në dorë.

Rilindësit e parë
Përhapja e ideve të reja dhe zhvillimi i kulturës kombëtare pengohej nga Porta e Lartë. Intelektualët shqiptarë që jetonin dhe punonin jashtë atdheut, si në Stamboll, Bukuresht etj. filluan të mendonin për fatet e vendit të tyre. Pjesë e kësaj elite intelektuale ishin Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Zef Jubani etj. Në vendet ku jetonin ata u njohën me idetë e reja iluministe të shek. XVIII që u përdorën më së miri në veprat e tyre si ideologë të lëvizjes për çlirim kombëtar, ideshkrues nëzhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe të përhapjes së gjuhës shqipe. Naum Veqilharxhi që jetonte në Rumani ishte i pari që përgatiti një alfabet shqip dhe në vitin 1844 botoi Evëtarin abetaren e parë të gjuhës shqipe Ai u përpoq dhe punoi për të hapur një shkollë shqipe me përmbajtje kombëtare, e cila ishte e domosdoshme për shqiptarët në kushtet kur ishte e ndaluar nga shteti osman. Në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë dhe Sicilisë, në Itali, kishte filluar atë kohë lëvizja për çështjen kombëtare në gjirin e së cilës shquhej Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda etj. Nëpërmjet penës së tyre, rilindësit u përpoqën të evokonin të kaluarën historike të shqiptarëve, të mbronin gjuhën dhe folklorin duke dashur të rrisnin para opinionit publik të drejtat e popullit shqiptar. De Rada në vitin 1848, në qytetin e Napolit botoi gazetën e parë shqiptare në gjuhën shqipe. Më pas do të botonte edhe revistën Flamuri shqiptar, krahas veprave letrare si Këngët e Milosaos (1836), Serafina Topia (1843) etj., të cilat u mirëpritën dhe mbetën nismëtare të zgjimit kombëtar.

Shkaqet që çuan në lindjen e çështjes shqiptare
Reformat centralizuese që u zbatuan nga Perandoria Osmane nuk i dhanë rezultatet që priteshin. Si rrjedhim në vitet 70 të shek. XIX gjendja ekonomike dhe politike e saj u keqësua më tej. Shumë prej popujve të Ballkanit të nxitur nga Rusia nisën kryengritjet çlirimtare dhe i shpallën luftë Perandorisë Osmane.
Fillimi i Krizës Lindore krijoi një gjendje të re politike të rrezikshme për shqiptarët. Nga njëra anë shqiptarët nuk gëzonin asnjë të drejtë kombëtare dhe kishin marrëdhënie tepër të acaruara me Portën e Lartë, dhe në anën tjetër qëndronin planet e shteteve fqinje Ballkanike që nëpërmjet platformave të tyre politike si Megal Idea (Greqi), Naçertania (Serbi) të cilat synonin copëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët pasi i kuptuan rreziqet që ju kanoseshin vendosën të ndiqnin zhvillimin e ngjarjeve politike. Shpërthimi i luftës Ruso-Turke (1877-1878) shtoi edhe më tepër rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare prandaj atdhetarët shqiptarë hodhën idenë të organizonin kryengritjen e armatosur antiosmane për të shkuar drejt pavarësisë. Ky qëllim mendohej të realizohej me ndihmën e aleatëve të jashtme si p.sh. Britanisë së Madhe. Fillimisht në krye të përpjekjeve dolën komitetet ndërkrahinore themeluar gjatë vitit 1877 me qendër në Shkodër dhe Janinë. Po atë vit u formua në Stamboll një komitet kombëtar, i cili quhej Komiteti i Stambollit, me kryetar Abdyl Frashërin dhe anëtarë, Pashko Vasën, Sami Frashërin, Zija Prishtinën, Jani Vreton etj.

 

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Rilindja Kombëtare shqiptare, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Evëtari, Dhimitër Kamarda, Kriza Lindore, Megali Idea, Naçertania, Komiteti i Stambollit, Abdyl Frashëri.

PËRGJIGJUNI
1. Në cilat kushte historike lindi lëvizje politike-kulturore ose Rilindja Kombëtare?
2. Në ç’mënyrë kërkonin Rilindësit të shpëtonin Shqipërinë?
3. Cilat janë tiparet e programit të Rilindjes ?
4. Cilat ishin sfidat që përballuan?
5. Pse lindi çështja shqiptare?
6. Cili është thelbi i çështjes shqiptare?
7. Çfarë kërkonin të arrinin platformat politike të Megal Idesë dhe ajo e Naçertanies? Pse?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Nëpërmjet penës së tyre, rilindësit u përpoqën të evokonin të kaluarën historike të shqiptarëve, të mbronin gjuhën dhe folklorin duke dashur të rrisnin para opinionit publik të drejtat e popullit shqiptar.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për:
1. Jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit.
2. Komitetin e Stambollit. Shpjegoni pse u krijua ai? Gjetjet tuaja diskutojini në klasë.