Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 7 Mësimi 1
Lëvizja studentore e dhjetorit dhe shpallja e pluralizmit politik
Fillesat e reformave liberalizuese
Lëvizjet demokratike në vende të ndryshme të Europës Lindore tronditën edhe regjimin aktual komunist në Shqipëri. Për të penguar përhapjen e këtyre ngjarjeve në Shqipëri, Ramiz Alia ndërmori disa reforma të pjesshme. Këto reforma nuk përputheshin me interesat dhe kërkesat e rinisë stundentore shqiptare. Ajo kërkonte transformime rrënjësore demokratike të shoqërisë shqiptare. Kriza e thellë ekonomike, politika izoluese për një kohë të gjatë, kishin rritur më gjerë revoltën dhe idenë e largimit nga vendi për të gjetur shpresa të reja. Rastet sporadike të kapërcimit të kufirit pas vdekjes së Enver Hoxhës kishin filluar të bëheshin më të shpeshta. Përballë këtyre zhvillimeve dhe keqësimit të gjendjes ekonomike, presionit ndërkombëtar, në gjysmën e parë të vitit 1990 nisi zbatimi i disa praktikave të reja me karakter ekonomik e shoqëror. Më 8 maj 1990, vetëm 3 ditë para vizitës në Shqipëri të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Havier Perez de Kuelar, u miratua nga Ramiz Alia paketa e reformave demokratike. U shfuqizuan ligjet që aplikonin luftën e klasave, internimin, dënimet për agjitacion e propagandë, dënimi me vdekje për arratisje. U lejua e drejta e besimit, liria e mendimit në shtyp, ngritja e institucionit të avokatisë, sigurimi i të drejtës së marrjes së pasaportës dhe vizave për jashtë shtetit, rivendosja e Ministrisë së Drejtësisë etj. Në fushën e ekonomisë u bë decentralizimi përmes zëvendësimit të ekonomisë së komanduar në ndërmarrje ekonomike vetëfinancuese. Filloi liberalizimi i tregut privat dhe bashkëpunimi me vendet e tjera. U rivendosën marrëdhëniet diplomatike me SHBA, BS, Tregun e Përbashkët Europian.
Manifestimet popullore si një përpjekje drejt ndryshimit të sistemit komunist
Hapat e ngadaltë për demokratizimin e jetës së vendit rritën më shumë revoltën e intelektualëve të ndryshëm të cilët po kërkonin transformime të thella në gjithë jetën e vendit dhe një pjesë më e guximshme e tyre, kërkonin përmbysjen e regjimit komunist dhe kalimin drejt pluralizmit politik. Grupe të caktuara të kundërshtarëve politikë publikonin parulla, si një formë të pakënaqësisë ndaj sistemit komunist dhe qeverisë. Këto u shoqëruan me manifestime të hapura kundër sistemit dhe partisë. Në qytetin e Kavajës më 26 mars 1990 u zhvillua demonstrata antikomuniste e cila u shtyp nga pushteti. Më 2 korrik 1990 revolta u shoqërua me sulmin ndaj rezidencave diplomatike në Tiranë dhe hyrjen me forcë nëpër ambasada të qytetarëve të ndryshëm që ishin lodhur nga skamja, varfëria, shtypja dhe terrori komunist. Ndërkohë udhëheqja komuniste vazhdonte përpjekjet për të mbajtur shpirtin e regjimit dhe ushqente shpresën e vazhdimësisë. Në dhjetor 1990 shpërthyen demonstratat e popullsisë në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Kavaja. Më 8 dhjetor studentët e Universitetit të Tiranës filluan një protestë të nxitur nga shkaqe ekonomike dhe që u përshkallëzuan me kërkesa politike. Ata kërkonin vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, më shumë demokraci, reforma, jo diktaturë, zgjedhje shumëpartiake. I ndodhur përballë revoltës popullore, lëvizjes studentore dhe presionit ndërkombëtar, Ramiz Alia kërkon organizimin e takimit me studentët. Në këtë takim ai u shpreh se ishte në përkrahje të demokratizimit të jetës së vendit dhe njohjes së pluralizmit politik.
Vendosja e pluralizmit politik dhe ndërrimi i pushteteve në Shqipëri (1991-1992)
Njohja e pluralizmit politik u prit me entuziazëm nga studentët dhe popullsia e Tiranës që ishin mbledhur në sheshin e qytetit Studenti. Ndaj menjëherë pas kësaj më 12 dhjetor 1990, u shpall themelimi i Partisë Demokratike Shqiptare si partia e parë opozitare në Shqipëri. Ajo shpalli programin e saj që parashikonte ngritjen e institucioneve për demokratizimin e jetë së vendit, hapjen e ekonomisë drejt tregut të lirë, pavarësinë e pushteteve, garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, bashkëpunimin me vendet europiane, SHBA dhe organizatat ndërkombëtare. Më pas u krijuan edhe Partia Republikane dhe Socialdemokrate. Më 21 dhjetor 1990 filloi procesi i destalinizimit të vendit me heqjen e të gjitha statujave dhe emërtimeve të rrugëve, institucioneve, qyteteve, ndërmarrjeve që mbanin emrin e tij. Zemërimi ndaj regjimit komunist u shpreh edhe me demonstratën e 20 shkurtit 1991ku rreth 100.000 protestues u mblodhën për të rrëzuar bustin e Enver Hoxhës, si një prej themeluesve të Shqipërisë Komuniste. Kjo u shoqërua edhe me shembjen e monumenteve të diktatorit edhe në qytete të tjera. Situata politike në vend tensionohet dhe si rrjedhim, qeveria e Adil Çarçanit jep dorëheqjen dhe më 22 shkurt krijohet qeveria e përkohshme, e kryesuar nga Fatos Nano, dhe këshilli presidencial i kryesuar nga Ramiz Alia. Më 31 mars 1991 u zhvilluan zgjedhjet për në Kuvendin Popullor. Koha për zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri nuk ishte e mjaftueshme. Partitë e reja nuk patën kohën e mjaftueshme për të prezantuar programin, për të bërë fushatë elektorale dhe për t’u forcuar. Si rrjedhim zgjedhjet u fituan nga Partia e Punës së Shqipërisë. Shumicën e votave ajo e mori nga popullsia rurale e cila përbënte edhe pjesën më të madhe të popullsisë. Në këto zona partitë opozitare nuk arritën dot ta shtrinin ndikimin e tyre për arsye të kohës. Fitorja e PPSH u prit me protesta ne disa qytete të vendit, sidomos nga rinia studentore e cila ishte në pritje të ndryshimit të madh. Një nga protestat më të mëdha ishte ajo e qytetit të Shkodrës, më 2 prill 1991. Pushteti u përpoq ta shtypte këtë lëvizje me armë dhe si rrjedhim, u vranë nga forcat policore 4 të rinj. Kështu qeveria e re dhe Shqipëria po kalonte një situatë të vështirë. Edhe vetë PPSH ishte në vështirësi, pasi ajo po përballej edhe me nevojat për ndryshime nga brenda saj. Si rrjedhim i tensioneve politike, gjendjes së vështirë ekonomike, qeveria e Fatos Nanos, edhe pse kishte vetëm disa muaj, jep dorëheqjen. Qeveria e re pluraliste u emërtua si Qeveri e Stabilitetit Kombëtar dhe do të drejtohej nga Ylli Bufi. Në përbërje të saj kishte përfaqësues nga të gjitha forcat politike në vend. Detyrat kryesore të saj ishin përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme në vend, të nxiste procesin e privatizimit, të tërhiqte investimet e huaja përmes reformave rrënjësore. Rezultatet e saj nuk ishin ato që priteshin. Përkundrazi, vendi u fut në një krizë edhe më të thellë ekonomike. Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj Sali Berisha akuzonin Partinë Socialiste për këtë situatë, edhe pse ishin pjesë e këtij koalicioni dhe kësaj qeverie të përkohshme. Si rrjedhim, Partia Demokratike del nga koalicioni qeverisës duke e lënë përgjegjësinë e kësaj gjendje te Partia Socialiste (Më 12 qershor PPSH kishte miratuar ndryshimin e emrit dhe të programit të saj.). Ky qëndrim i liderit Sali Berisha nuk u mirëprit as nga vetë anëtarë të PD dhe koalicionit të saj. Presidenti Ramiz Alia në këto kushte cakton si kryeministër për krijimin e qeverisë së re të përkohshme, Vilson Ahmetin. Ai kishte qenë ministër i Ushqimit në Qeverinë e Stabilitetit.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: pluralizëm politik, regjim demokratik
PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë ngjarjet më të rëndësishme të manifestimeve popullore që çuan deri në shembjen e diktaturës komuniste?
2. Cilat ishin reformat që u ndërmorën nga Ramiz Alia në vitet ’90 në Shqipëri?
3. Cilat ishin kërkesat e lëvizjes së dhjetorit?
4. Në ç’ kushte u shpall pluralizmi politik në Shqipëri ?A mund të hiqni vija paralele me ndonjë vend tjetër të Europës? Pse?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Punoni me burimin. Muzeun që na kushtoi 54 000 000 & dhe familjen e Hoxhës do ta mbrojmë me gjakun tonë,- thotë Ramiz Alia pas vitit ‘90. Cili është mësimi që merrni në përfundim?
2. Punoni me dëshmitarët okularë. Intervistoni të afërm ose individë të tjerë që kanë qenë pjesë e lëvizjeve popullore për përmbysjen e regjimit komunist. Çfarë mësimi përcjellin pohimet e tyre për ju?
3. Supozoni se jeni një student i vitit 1990. Shkruani një fletëpalosje (deri në 500 karaktere) ku të bindni popullin për pjesëmarrje në lëvizjen studentore të vitit 1990.
4. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni qëndrimin tuaj.
KËRKONI INFORMACION
1. Cilat ishin format e rezistencës ndaj regjimit komunist në fshatin, zonën ose qytetin tuaj?
2. A ka ndonjë vend përkujtimor sot në zonën tuaj që i përket trashëgimisë së regjimit komunist?