Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 5: Arsimi dhe kultura në Shqipëri në vitet 1945-1990

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 5

Arsimi dhe kultura në Shqipëri në vitet 1945-1990

Nxitja e arsimit “popullor”
Ashtu si gjithë jeta e vendit edhe arsimi u orientua sipas modelit sovjetik. Qeveria i dha përparësi jo vetëm rihapjes së shkollave dhe organizimit të të gjithë sistemit arsimor, por në bazë të Ligjit për Reformën Arsimore të vitit 1946 parashikohej, në mënyrë specifike, se parimet marksiste-leniniste do të përshkonin të gjitha tekstet shkollore. Objektivat e regjimit për sistemin e ri arsimor ishin: zhdukja e analfabetizmit; edukimi i fëmijëve të të gjitha klasave shoqërore në bazë të parimeve të ideologjisë marksiste-leniniste, për të krijuar njeriun e ri, në luftë me njeriun borgjez dhe revisionist. Para luftës më shumë se 80 % e shqiptarëve ishin analfabetë, ku përqindja e grave ishte shumë më e madhe se ajo e burrave. Në vitin 1938 në tërë Shqipërinë kishte 643 shkolla fillore me 52 000 nxënës dhe 13 shkolla të niveleve më të larta me afërsisht 3500 nxënës. Arsimi i lartë universitar mungonte. Nxënësit më të mirë e kryenin universitetin jashtë vendit, kryesisht në perëndim. Në shtator 1949, qeveria nxori ligjin që ju kërkonte të gjithë qytetarëve, midis moshës 12-40 vjeç, që nuk dinin të lexonin dhe të shkruanin të ndiqnin kurset kundër analfabetizmit. Në vitin 1946 arsimi fillor 4 vjeçar u bë i detyrueshëm, më 1963 arsimi 7-8 vjeçar. Në vitet 1950, sistemit shkollor ju dha orientimi i plotë në aspektin e propagandës ideologjike komuniste dhe kontrollit nga ana e qeverisë. Në vitin 1951 u krijuan tre institute të arsimit të lartë: Instituti i Lartë Pedagogjik, Instituti i Lartë Politeknik dhe Instituti i Lartë Bujqësor, të gjitha të modeluara sipas modelit sovjetik. Shumica e teksteve, veçanërisht ato që kishin të bënin me çështje shkencore dhe teknike, ishin përkthime sovjetike. U krijuan kurse për përgatitjen e mësuesve me metodat sovjetike, të pedagogjisë dhe psikologjisë marksiste-leniniste. Arsimi i mesëm u bë katërvjeçar dhe më 1968 u mbështet krijimi i një rrjeti të shkollave të mesme social-kulturore (pedagogjike, të gjuhëve të huaja) dhe tekniko-profesionale (ekonomike dhe teknike) për të përgatitur personelin teknikë dhe punëtorët e kualifikuar. Më 7 mars 1967, Enver Hoxha theksoi me forcë revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës. Kjo do të thoshte se shkolla tani duhej të bazohej në një trekëndësh revolucionar: mësim marksist-leninist – punë prodhuese dhe edukim fizik e ushtarak. Në planin mësimor kombëtar u fut lënda e njohuri të marksizëm-leninizmit, lënda edukim ushtarak dhe lënda punë prodhuese. Arsimi i mesëm duhej të lidhej ngushtësisht me industrinë në mënyrë që krahas mësimit, të përgatiste të rinjtë shqiptarë si punëtorë të kualifikuar. Kjo gjendje u sanksionua me nenin 32 të Kushtetutës së vitit 1976. Pas luftës studentët shqiptarë ishin të detyruar, fillimisht, të ndiqnin universitetet e huaja, në Jugosllavi, më pas në BS dhe në vendet e tjera socialiste. Një ekip me specialistë sovjetikë hodhi themelet strukturore, kurrikulare dhe ideologjike të Universitetit të Tiranës, i cili u themelua në vitin 1957. Krahas këtij institucioni të arsimit të lartë u krijuan edhe Shkolla të Larta Pedagogjike në Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër, të cilat sot janë kthyer në universitete. Në Shqipëri shkollimi në sistemin arsimor ka qenë falas deri në universitet. Në vitin 1972 u krijua Akademia e Shkencave, si një vatër e shquar e kërkimit shkencor. Kryetar i parë i saj ka qenë historiani Aleks Buda, që kishte studiuar para lufte në Vjenë. Rezultatet e politikave arsimore të ndjekura nga qeveria komuniste treguan se në infrastrukturën shkollore regjimi bëri përparim të konsiderueshëm; analfabetizmi në pjesën më të madhe u eliminua; numri i nxënësve në shkollë u rrit në më shumë se 750,000 deri në vitin 1987; numri i mësuesve ishte mbi 40,000; rreth 47 % e të gjithë studentëve ishin femra. Por arsimimi nuk kërkon vetëm infrastrukturë dhe zhvillim sasior, por dhe përmbajtje të lartë humaniste dhe edukimin qytetar të të rinjve, që dinë të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Këto elementë më shumë rëndësi i mungonin sistemit arsimor shqiptar në vitet 1945-1990.

Shëndetësi
Gjendja e shëndetësisë pas çlirimit të vendit ishte e mjerueshme. Masat e para që qeveria mori ishin: trajtimet mjekësore, në të gjitha nivelet e shërbimit, ishte falas (por jo ilaçet); u tregua kujdes i veçantë për nënën dhe fëmijën e porsalindur, jepej pagesë shtesë në mbështetje për nënat që lindnin shumë fëmijë; kontroll të vazhdueshëm mjekësor për fëmijën e porsalindur. Një prej karakteristikave kyçe të politikave shëndetësore pas vitit 1950 dhe deri në vitin 1990, ishte përmirësimi dhe kujdesi i vazhdueshëm për shëndetin bazë të popullsisë. Rezultati i këtyre politikave masive shëndetësore ishte, sepse shëndetësia u vu plotësisht nën kontrollin e shtetit; planifikimi i saj ishte i centralizuar në aspektin e caktimit të personelit mjekësor dhe kualifikimin e tij, numrin e spitaleve, kapacitetet e tyre; menaxhimi i sistemit mjekësor i centralizuar, do të thoshte se nuk lejohej iniciativa private në shërbimin shëndetësor. Në vitet 60’-70’ u përmirësua ndjeshëm infrastruktura shëndetësore, u ndërtuan spitale në gjithë qytetet kryesore të vendit, ndërsa në fshatra u ngritën qendra të kujdesit shëndetësor. Sëmundjet ngjitëse si malaria dhe sifilizi u zhdukën plotësisht, ndërsa tuberkulozi u vu nën kontrollin e rreptë shëndetësor dhe numri i të sëmurëve u pakësua shumë. Në vitet 1980, me fillimin e krizës së regjimit u vu re rënia e buxhetit për shëndetësinë. Kjo u reflektua në mungesën e aparaturave moderne mjekësore që ndikonin në cilësinë e shërbimit shëndetësor, i cili u dobësua ndjeshëm.

Arti dhe kultura
Jeta kulturore në Shqipërinë socialiste karakterizohej nga përpjekjet e udhëheqjes së partisë-shtet për të mos lejuar futjen në vend të mendimit “dekadent borgjez”. Në vitin 1945, u krijua Lidhja e Shkrimtarëve, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u krijua si një organizatë, që përmblidhte shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar të kohës. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse etj. Në vitin 1949 Lidhja shpalli të detyrueshëm metodën e realizmit socialist. Shkrimtarëve iu kërkua të pasqyronin në veprat e tyre me përparësi luftën nacional-çlirimtare dhe ndërtimin e socializmit. Krijimtaria letrare e artistike i nënshtrohej një censure të rreptë, pa përjashtuar këtu edhe shkrimtarë si Ismail Kadare, edhe pse ai kishte privilegjin për t’i ripunuar veprat e tij. Ai ishte i vetmi shkrimtar i njohur shqiptar që fitoi famë jashtë vendit. Veprat e tij u botuan në Francë dhe më pas u përkthyen edhe në shumë gjuhë europiane. Sidoqoftë Kadare mbetet një përjashtim ndër letrarët shqiptarë, pasi ai shihej me një lloj simpatie nga vetë diktatori Hoxha për shkak të romanit Dimri i Madh, ku roli i tij në roman spikat pozitivisht. Kjo i dha mundësi Kadaresë që në veprimtarinë e tij letrare të jetë më i lirë, për të cilën shkrimtarë të tjerë përfundonin në burg. Shumica e shkrimtarëve shqiptarë ju përshtat kursit të ideologjisë sunduese. Të paktë ishin ata që guxonin të kundërshtojnë politikën kulturore zyrtare. Ndër ta mund të përmendim Kasëm Trebeshinën, i cili ishte shprehur kundër realizmit socialist dhe për këtë u burgos. Si në të gjitha fushat e jetës shoqërore, edhe në letërsi dhe art drejtimi i zhvillimit përcaktohej nga partia dhe udhëheqësi i saj i plotfuqishëm, Enver Hoxha. Në pikturë dhe skulpturë ngriheshin lart lufta nacional-çlirimtare, roli i partisë komuniste dhe udhëheqësi i saj. Pas viteve 1960 filloi të zërë vend më shumë në veprat artistike figura e Skënderbeut dhe Lidhja e Prizrenit. Përmendoret dhe bustet e shumta të Enver Hoxhës u vunë krejtësisht në shërbim të kultit të individit të udhëheqësit komunist shqiptar. Veprat e artistëve që shmangeshin nga vija e partisë dhe përpiqeshin të provonin forma dhe mënyra të reja arti, shkatërroheshin dhe artistët dënoheshin. Kështu ndodhi: në vitin 1977, me 32 punime nudo të cilësuara si moderniste të Janaq Paços (1914-1991), një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë të shek. XX dhe autor i monumentit të Skënderbeut në Krujë. kështu ndodhi me Bilal Xhaferrin që u përjashtua nga Lidhja dhe u internua në kampe përqendrimi; me Genc Lekën, Vilson Blloshmin, Avzi Nelën që u dënuan me vdekje etj. Në muzikë, organizoheshin festivale të muzikës së lehtë e popullore, me përmbajte të glorifikimit të veprave të partisë e veçanërisht të shokut Enver. Por festivali i 11-të i Këngës në RTSH, që u zhvillua në dhjetor 1972 u dënua nga udhëheqësi Enver Hoxha. Ai u cilësua si një festival me frymë borgjeze, prandaj u dënuan këngëtarë dhe organizatorë me burgime e punë të detyruar.

 

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: arsimi i detyrueshëm, arsimi parauniversitar, arsim falas, statusi i shëndetit të popullsisë.

PËRGJIGJUNI
1. Cilat janë zhvillimet arsimore nga 1944-1990?
2. Cili është thelbi i tyre?
3. Cilat janë karakteristikat e shëndetësisë?
4. Cilat janë karakteristikat e artit, letërsisë në regjimin komunist në Shqipëri?
5. Pse u dënuan artistë e shkrimtarë të shumtë?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre?
2. Lexoni pohimin dhe dokumentin. Formuloni qëndrimet tuaja.
Një shkollë mund të ndërtohet, por shpëlarja e trurit, vështirë të riparohet.

KËRKONI INFORMACION
Kërkoni të dhëna për: 1. Veprimtarinë e shkrimtarit Ismail Kadare. Cili është roli i tij në shoqërinë shqiptare gjatë dhe pas rënies së komunizmit? Formuloni përfundimet tuaja dhe i diskutoni në klasë. 2. Për dokumentin e dhënë.