Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 1 Mësimi 7: Mbretëria Dardane

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 7

Mbretëria Dardane

Dardanët, shek.VII-IV p.e.s.
Dardanët që banonin kryesisht në truallin e Kosovës ishin një nga fiset më të mëdha ilire. Në kohën e krijimit të mbretërisë dardane shek. IV p.e.s. territori i saj shtrihej në veri deri tek lumenjtë Augrus (Ibar) dhe Margus (Morava) ndërkohë që në veri të tyre banonin Autariatët dhe Skordiskët. Nga lindja dhe veri-lindja fqinjë të dardanëve ishin Tribalët. Nga jugu mbretëria dardane shtrihej deri në rrjedhën e sipërme të lumit Aksios (Vardari) duke pasur si fqinjë Pajonët, Pelagonët dhe Penestët. Në lindje të dardanëve banonin Thrakët ndërsa në perëndim lugina e lumit Drilon (Drini) dhe mali i Sharit e ndanin nga shteti ilir. Vetë dardanët përbëheshin nga fise të ndryshme ku ndër më të rëndësishmit ishin Galabrët dhe Thunatët. Dardanët banonin një territor të përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe përpunimit të metaleve pasi ishte një rajon me burime të shumta minerale. Në rajonet fushore dhe rrafshinat si ajo e Dukagjinit bujqësia ishte dega kryesore e ekonomisë ndërsa në rajonet e brendshme blegtoria dhe shfrytëzimi i mineraleve merrnin përparësi. Duke filluar nga shek. VI p.e.s. shoqëria dardane hynë në një fazë të re zhvillimi e dëshmuar nga krijimi i qendrave të fortifikuara dhe një inventar i pasur në varre. Diferencimi pasuror ishte një realitet dhe konfliktet me fqinjët përbënin një kërcënim në rritje. Rreth 100 qendra të fortifikuara antike të njohura deri sot me emrin qytezë dëshmojnë për një proces urbanizimi me shtrirje të gjerë. Qytezat ishin ndërtuar pranë burimeve natyrore si fusha pjellore, burime minerale dhe përgjatë luginave të lumenjve duke marrë tiparet e qendrave të vogla qytetare. Përveç se vendbanim i një pjese të popullsisë dardane këto qyteza ishin qendra të zejtarisë dhe tregtisë. Megjithatë duhet të pranojmë se në krahasim me Ilirinë e Jugut në Dardani procesi i urbanizimit ishte më i vonuar dhe në përmasa më të vogla duke i dhënë shoqërisë dardane një përmasë më rurale dhe karakter më fisnor. Sipas burimeve antike një shtresë e ulët e shoqërisë e quajtur dalloi përbënte një nga burimet kryesore të të ardhurave tek dardanët. Kjo shtresë në kohë paqe punonte në pronat bujqësore, blegtorale apo minierat e dardanëve të pasur ndërsa në kohë lufte shërbente si forcë ushtarake nën komandën e pronarit. Kjo shtresë e shoqërisë dardane e përbërë kryesisht nga njerëz pa pronë dhe nga robër lufte i krijonte mundësinë një shtrese të aristokracisë dardane të jetonte në saj të shfrytëzimit të saj. Një aspekt i tillë ekonomik dhe shoqëror ndeshet tek spartanët, popull që luftën e kishte si mënyrë jetese, ç’ka na bënë të mendojmë se edhe tek dardanët lufta me plaçkën e fituar dhe robërit e zënë përbënte një nga burimet e rëndësishme të ekonomisë.

Krijimi i mbretërisë dardane, shek. IV-III p.e.s. 
Gjatë shek. VI-IV p.e.s. shoqëria dardane kishte marrë tiparet e një shoqërie të diferencuar, e cila kishte nevojë për një organizim më të avancuar shoqëror. Luftërat e vazhdueshme, sidomos me fqinjët maqedonë, synimet për zgjerim territorial, numri madh i dalloi të cilët duheshin mbajtur të nënshtruar si dhe faktorë të tjerë bënë të nevojshme dhe të mundur lindjen e mbretërisë dardane. Që në gjysmën e parë të shek. IV p.e.s. mbretëria e fuqishme maqedone kërcënonte seriozisht dardanët të cilët nuk u pajtuan me këtë situatë dhe në vitin 335 p.e.s.ngritën krye kundër maqedonasve. Një kryengritje e tillë nuk mund të organizohej pa ekzistencën e një organizimi politik mbi bazën e një federate fisnore ose mbretërie dardane pasi kërkonte mobilizimin e forcave të shumta ushtarake po të kemi parasysh se mbretëria maqedone e kësaj kohe ishte një fuqi ushtarake në ekspansion. Të dhënat për mbretërinë dardane janë të pakta dhe lidhen kryesisht me konfliktet e vazhdueshme të saj me maqedonasit. Në fillim të shek. III p.e.s. mbretëria dardane ishte fuqizuar në atë masë sa që në vitin 279 p.e.s. jo vetëm i bëri ballë një invazioni të keltëve që vinin pas plaçkitjes së Greqisë por i ofroi ndihmë me një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh edhe Maqedonisë së kërcënuar nga keltët. Ofrimi i një ushtrie të tillë dëshmon qartë se mbretëria dardane tashmë ishte një shtet i konsoliduar dhe më një ushtri të madhe dhe të fuqishme. Sipas Polienit, që prej vitit 284 p.e.s. dardanët ishin krejtësisht të bashkuar dhe përbënin një fuqi të konsiderueshme në rajonin ku banonin. Kjo presupozon një mbretëri dardane të konsoliduar me pushtet mbretëror mbi bazën e një dinastie të trashëgueshme. Mbreti i parë i kësaj dinastie ishte Longari të cilin e njohim nga ngjarjet e vitit 231 p.e.s. kur dardanët luftojnë kundër mbretërisë maqedone të udhëhequr nga Demetri II. Dy vjet më vonë mbretëria dardane zgjeron kufijtë e saj drejt lindjes në territorin e banuar nga Tribalët. Po në këtë vit dardanët ndërhyjnë kundër shtetit ilir të drejtuar nga Teuta dhe shkëpusin fisin e penestëve nga sundimi i shtetit ilir. Duke e ndjerë veten të fortë dhe duke shfrytëzuar konjukturat dardanët po gjatë vitit 229 p.e.s. sulmojnë Maqedoninë të cilës i shkaktojnë humbje të mëdha që u finalizuan me vrasjen e mbretit maqedonas Demetri II. Me ardhjen në fronin maqedon të Antigon Dosonit, i cili hyri në aleancë me shtetin ilir dhe synonte zgjidhjen e konfliktit me dardanët në prag të luftërave me Romën situata u vështirësua për dardanët. Edhe mbreti Filipi i V i Maqedonisë rindezi konfliktin me dardanët me avancim herë të njërës palë dhe herë të tjetrës derisa në vitn 208 p.e.s. dardanët rrezikojnë mbretërinë maqedone. Si gjithnjë konflikti zhvillohej për kontrollin e Pajonisë ilire e cila ndante maqedonët nga dardanët. Në vitin 219 p.e.s. dardanët çlirojnë nga sundimi maqedon një pjesë të Pajonisë. Në vitin 208 p. e.s. dardanët në aleancë me fisin ilir të dasaretëve sulmojnë Maqedoninë duke hyrë në territorin e saj dhe duke marrë robër rreth 20 mijë maqedonas (sipas Justinit). Duke mos u pajtuar me këtë situatë Filipi V ndërmori dy sulme kundër dardanëve në vitet 208 dhe 206 p.e.s. 

Mbretëria dardane gjatë shek. II-I p.e.s.
Në vitin 200 p.e.s. romakët që kishin pushtuar Dasaretinë synonin krijimin e një aleance në luftën kundër maqedonasve.  Për këtë qëllim, ata i bënë ftesë mbretit ilir Pleuratit, i biri i Skerdilajdit dhe mbretit të dardanëve Bato, i biri i Longarit.
Një aleancë e tillë i vinte për shtat dardanëve pasi u jepej mundësia të çlironin Pajoninë dhe të dobësonin mbretërinë maqedone, por nga ana tjetër i bëntë përsëri armiqtë kryesor të Maqedonisë. Pas fitores së romakëve kundër maqedonëve në vitin 197 p.e.s. dardanët nuk përfituan asgjë, megjithëse luftuan përkrah romakëve. Kjo bëri që ata të shkëputeshin nga aleanca antimaqedone. Në këto kushte Filipi V sulmoi përsëri dhe mundi ushtrinë dardane në betejën pranë qytetit Stobi. Më pas duke ditur forcën e mbretërisë dardane Filipi V u mundua ta shkatërronte atë duke nxitur fisin barbar të bastarnëve të sulmonte Dardaninë. Në vitin 179 p.e.s. bastarnët në aleancë me thrakët dhe skordiskët (fqinjë të dardanëve) me nxitjen tashmë të mbretit maqedon Perseu sulmuan dhe hynë në Dardani duke krijuar rrezikun e zhdukjes së dardanëve. Në këto kushte dardanët kërkuan ndihmë tek romakët por ata refuzuan t`i ndihmonin gjë që i detyroi dardanët t`i bëjnë ballë të vetëm këtij rreziku dhe dëbuan nga territori i tyre bastarnët në dimrin e viteve 176/75 p.e.s. Edhe pas këtyre ngjarjeve mbreti maqedon Perseu e konsideronte mbretërinë dardane si një rrezik serioz dhe vijoi sulmet ushtarake kundër saj. Në kohën që shteti ilir qeverisej nga Genti dardanët qeveriseshin nga Monuni i cili lidhi miqësi me Gentin duke i dhënë për grua të bijën e tij princeshën Teuta por tashmë shteti ilir ishte bërë aleat me atë maqedonas në luftën kundër romakëve. Pas rënies së mbretërive maqedone dhe ilire në vitin 167 p.e.s. deri në vitin 97 p.e.s. mbretëria dardane duket se kalon një periudhë relativisht të qetë megjithëse tani në Maqedoni dhe Pajoni ndodheshin trupat romake. Në këto kushte dhe duke parë synimet ekspansioniste të romakëve dardanët bënë aleancë me medët në luftë kundër romakëve të cilët nuk e patën të lehtë të nënshtronin një popull luftarak si dardanët. Jehona e rezistencës dardane ndaj romakëve kishte mbërritur deri në Romë. Për këtë dëshmon fakti se kur 5 legjione romake zbarkuan në Dyrrah për të luftuar kundër dardanëve njëri prej legjioneve u rebelua pasi nuk dëshironte të shkonte në një luftë të rrezikshme kundër dardanëve. Pas një rezistence për gati një shekulli në vitin 76 p.e.s. Dardania u pushtua nga romakët.

 

 

Mbretëria dardane dhe shteti ilir i kohës
Krijimi dhe ekzistenca gati 3 shekullore e mbretërisë dardane pati ndikime në shoqërinë ilire. Së pari duke qenë një kundërshtar i përhershëm dhe serioz i maqedonëve mbretëria dardane lehtësonte presionin maqedon ndaj shtetit ilir dhe përgjithësisht ngadalësonte dhe dobësonte synimet hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Po kështu fiset ilire fqinje me Maqedoninë shikonin tek dardanët një aleat dhe mbrojtës të tyre. Edhe ekspansioni romak në Ballkan u ngadalësua në saj të rezistencës së mbretërisë dardane për gati një shekull. Krijimi i mbretërisë dardane ndikoi pozitivisht në zhvillimin ekonomik duke nxitur marrëdhëniet e tregtisë me rajone të tjera ilire dhe duke furnizuar sidomos tregun ilir me minerale aq të domosdoshme për prodhimin e veglave, armëve, stolive etj. Me përjashtim të ngjarjeve të vitit 229 p.e.s. marrëdhëniet midis mbretërisë dardane dhe shtetit ilir kanë qenë paqësore ç’ka sillte përfitime reciproke.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Longari, Antigon Dosoni, Skerdilajdi, Bato, Monuni

PËRGJIGJUNI
1. Cilët janë dardanët?
2. Cili ishte zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i dardanëve? 
3. Cili ishte organizimi politik i tyre?
4. Pse Mbretëria Dardane bënte luftëra të vazhdueshme me maqedonët?
5. Cili ishte roli i Mbretërisë Dardane në luftërat iliroromake?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë territorin e mbretërisë dardane. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin. Kur 5 legjione romake zbarkuan në Dyrrah për të luftuar kundër dardanëve, njëri prej legjioneve u rebelua pasi nuk dëshironte të shkonte në një luftë të rrezikshme kundër dardanëve. Formuloni përfundimet tuaja.