Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 5 Mësimi 2: Shqipëria nën pushtimin gjerman shtator 1943-nëntor 1944

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 5 Mësimi 2

Shqipëria nën pushtimin gjerman (shtator 1943-nëntor 1944)

Administrimi i Shqipërisë pas kapitullimit të Italisë
Kur akoma nuk kishte përfunduar largimi i trupave italiane nga Shqipëria, trupat gjermane zbarkuan duke marrë kontrollin e menjëhershëm të porteve, aerodromeve etj. Njësitë gjermane të Vermahtit, të ndihmuara edhe nga një pjesë e forcave italiane që kishin mbetur në Shqipëri, me gjithë rezistencën që iu bë nga forcat partizane, arritën që brenda dy ditëve të pushtonin Elbasanin, Vlorën Durrësin, Tiranën, Shkodrën, Kukësin, Korçën. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare organizoi njësitë dhe repartet partizane për t’ju kundërvënë vendosjes së trupave gjermane edhe në zona të tjera. Luftime të ashpra u zhvilluan në Xhyrë, Ura e Kardhiqit, Konispol, Delvinë, Sarandë, përgjatë rrugës Elbasan-Tiranë dhe Korçë-Janinë. Si rrjedhim para ardhjes së gjermanëve ishin çliruar qytetet Bilisht, Pogradec, Berat, Krujë, Burrel, Peshkopi, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë dhe Dibër. Që të pengonin rezistencën shqiptare, ushtria naziste deklaronte se vinin në Shqipëri si kalimtarë dhe do të respektonin dhe garantonin pavarësinë e saj. Por populli shqiptar e kuptoi se kjo ishe vetëm një mashtrim dhe vazhdoi qëndresën. Një pjesë e inteligjencës shqiptare mbajtën qëndrim pro gjerman pasi sipas tyre qëndrimi i Gjermanisë në Shqipëri ishte i përkohshëm. Nën mbështetjen e këtyre njerëzve, pushtuesit, krijuan Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm me në krye Ibrahim Biçakun i cili rishpalli edhe pavarësinë formale të Shqipërisë. Komiteti i merrte të gjitha vendimet nën drejtimin e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman për Juglindjen dhe për Shqipërinë Nojbaheri. Më 16 tetor 1943 me mbështetjen gjermane u thirr edhe Kuvendi Kombëtar, i cili u godit me top nga forcat partizane gjatë zhvillimit të punimeve të tij. Nga kjo Asamble u zgjodh Këshilli i Lartë i Regjencës ku bënin pjesë intelektualë si Mehdi Frashëri, Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra. Ata zgjodhën të bëhen pjesë e qeverisjes, me shpresën se kështu do të arrinin të siguronin diçka të dobishme për vendin. Më 5 nëntor Këshilli zgjodhi qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica. Në këtë mënyrë u vendos regjimi politik i pushtimit, i cili u shoqërua edhe me shfrytëzimin ekonomik të vendit. Ata vunë nën kontrollin e tyre rezervat e arit shqiptar dhe Bankën Kombëtare.

Qëndrimi i grupimeve të ndryshme politike jo fashiste ndaj pushtuesit gjerman
Premtimet e Gjermanisë se do të respektonte pavarësinë e Shqipërisë dhe qëndrimet e shpallura të saj për Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, riafirmimi i dekreteve të 1 shtatorit 1943, kishin ndikuar tek forcat politike shqiptare. Bashkimi i një pjese të intelektualëve shqiptarë me regjimin nazist ndërlikoi situatën politike në Shqipëri. Kjo gjendje mes forcave politike shqiptare ishte tensionuar edhe më shumë pas denoncimit të Mbledhjes së Mukjes nga Partia Komuniste. Në mbledhjen e Labinotit të mbajtur 4-8 shtator 1943, Fronti Nacionalçlirimtar shpalli hapur luftë kundër çdo organizimi nga Balli Kombëtar dhe deklaron se i vetmi pushtet politik në Shqipëri ishte ai i Këshillave Nacionalçlirimtare. Anëtarët politikë të BK u shpallën armiq njësoj si nazistët gjermanë. Edhe vetë Balli Kombëtar u përça në qëndrimet e tij. Një pjesë e tyre ishte për një qëndrim në pritmëri gjatë luftës, pasi sipas tyre populli shqiptar nuk mund të përballonte epërsinë e nazizmit dhe se ata ishin kalimtarë në Shqipëri dhe shumë shpejt do të largoheshin vetë nga Shqipëria. Një pjesë tjetër e tyre pranuan të hyjnë në administratën e krijuar prej tyre. Edhe ajo pjesë që qëndroi në pritmëri, shumë shpejt iu bashkuan komandës së ushtrisë gjermane dhe i përkrahën ato në luftë kundër forcave partizane. Në tetor 1943 kryetari i Ballit Kombëtar urdhëroi ndalimin e veprimeve të armatosura kundër ushtrisë naziste. Ndërsa Fronti Nacionalçlirimtar nuk u ndikua nga propaganda naziste dhe që në fillim mbajti një qëndrim të prerë ndaj okupacionit dhe regjimit gjerman dhe vazhdoi më tej për organizimin e lëvizjes së armatosur si ndaj pushtuesit edhe ndaj çdo bashkëpunëtori të tyre. Edhe anëtarët e Lëvizjes së Legalitetit e drejtuar nga Abaz Kupi nuk u pajtuan me qëndrimin e Partisë Komuniste në konferencën e Labinotit dhe si rrjedhim Zogistët deklaruan largimin përfundimisht nga Fronti Nacionalçlirimtar. Në fillim kjo parti pranoi të bashkëpunonte me Frontin, por Partia Komuniste që e shikonte këtë si një rrezik për pushtetin e saj, e shpalli atë si armike. Pas kësaj legalistët ishin të mendimit që lufta e drejtpërdrejtë me pushtuesin gjerman duhet shmangur, sepse Boshti Fashist do të kapitullojë nga lufta e aleatëve në fronte të ndryshme. Sipas tyre këto forca duhej të përdoreshin më vonë kundër komunistëve për të penguar ardhjen e tyre në pushtet. Kështu, në ndryshim nga pushtuesi italian që hasi në rezistencën e të gjitha palëve, pushtuesi nazist u përball kryesisht me rezistencën e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Këshilli i Lartë i Regjencës, Këshill Kombëtar, Rexhep Mitrovica.

PËRGJIGJUNI
1. Si i priti populli shqiptar nazistët gjermanë?
2. Si u administrua Shqipëria gjatë pushtimit gjerman?
3. Cili ishte qëndrimi i grupimeve të ndryshme politike jo fashiste ndaj pushtuesit gjerman?
4. Cilat janë veçoritë dhe të përbashkëtat e institucioneve italiane dhe gjermane të pushtimit?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
2. Lexoni pohimet.
a. Formuloni përfundimet tuaja lidhur me hapat që hodhi PKSH për krijimin e shtetit. Në mbledhjen e Labinotit të mbajtur 4-8 shtator 1943, Fronti Nacionalçlirimtar shpalli hapur luftë kundër çdo organizimi nga Balli Kombëtar dhe deklaron se i vetmi pushtet politik në Shqipëri ishte ai i Këshillave Nacionalçlirimtare.
b. Formuloni qëndrimin tuaj. Pse? Në ndryshim nga pushtuesi italian që hasi në rezistencën e të gjitha palëve, pushtuesi nazist u përball kryesisht me rezistencën e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna. Në ç’mënyrë qëndrimet e grupimeve politike dhe të shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore ndikojnë në proceset integruese rajonale dhe europiane sot? Formuloni qëndrimet tuaja dhe i diskutoni në klasë.