Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 9: Monarkia Shqiptare 1928-1939

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 9

Monarkia Shqiptare (1928-1939)

Shpallja e Monarkisë shqiptare
Kalimi nga republika në monarki ishte kalim në një sistem më afër tradicionales. Periudha e tranzicionit republikan, e konceptuar nga Zogu, ishte padyshim tregues i zgjuarsisë së tij politike. Nisur nga destabilizimi i shtetit në vitet 1921-1924, Zogu e kishte parë të arsyeshme ta ndryshonte formën e qeverisjes nga republikë në monarki. Ai e njihte elementin e vazhdimësisë historike lidhur me monarkinë në Shqipëri dhe ishte i gatshëm të kthehej përsëri në sistemin monarkik. Ai gjykonte se vetëm një mbret dhe një pushtet autoritar, eliminonte rivalitetin e brendshëm për pushtet në krahasim me një president që ishte vazhdimisht i ekspozuar ndaj rreziqeve për shtetin, apo nga lëvizje të paparashikuara. Në funksion të idesë së tij për t’u bërë mbret i Shqipërisë, siguroi mbështetjen e Italisë. Pasi siguroi mbështetjen nga të huajt Zogu e kërkoi atë edhe brenda vendit. Duke siguruar përkrahjen nga qeveria, u përpoq që ndryshimi qeverisës të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt. Për të arritur këtë duhej ndryshuar kuadri ligjor. Për këtë arsye parlamenti u shpërnda dhe më 17 gusht 1928 u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Asambleja u hap më 25 gusht 1928 dhe ndryshoi nenet përkatëse për t’i hapur rrugë ndërrimit të formës së regjimit. Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë, Mbretëri Demokratike Parlamentare e Trashëgueshme. Ahmet Zogu u quajt Mbret i shqiptarëve me emrin, Zogu I. Më 5 shtator u krijua qeveria e parë monarkiste me në krye Koço Kotën. Më 1 dhjetor 1928 u miratua Statusti Themeltar i Mbretërisë shqiptare dhe Asambleja u shndërrua në parlament

Statuti Themeltar i Mbretërisë
Për herë të parë më 11 prill 1929 u formua Këshilli i Shtetit me kryetar Mehdi Frashërin. Këshilli përbëhej nga 10 anëtarë me detyrë këshillimore në fushën e ligjshmërisë dhe fushën ekonomike. Në Statutin Themeltar të Mbretërisë sanksionohej parimi i ndarjes së tri pushteteve. Pushteti politik u përqendrua në duart e mbretit, i cili ishte kreu më i lartë i shtetit që ushtronte kolegjialisht pushtetin, së bashku me parlamentin. Statuti i jepte mbretit kompetenca të mëdha mbi Parlamentin, i cili mbeti institucioni formal në duart e tij. Mbreti, kishte pushtet të fortë ekzekutiv, emëronte dhe pushonte kryeministrin, ministrat e funksionarët e lartë shtetërorë, si dhe kontrollonte pushtetin gjyqësor. Zogu ishte komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, vendoste për të gjitha traktatet e shtetit shqiptar në lidhje me shtetet e huaja dhe kishte kompetenca të mëdha juridike. Mbreti ishte i plotfuqishëm kishte pushtet autoritar dhe përfaqësonte shtetin shqiptar kudo. Krahas Kushtetutës u hartua një reformë europianizuese me bazë të plotë dhe të gjerë ligjore për të ndërtuar një legjislacion modern shqiptar. Komisioni hartues i reformës përbëhej nga juristët: Thoma Orollagai, Agjah Libohova, Faik Shatku dhe Mehdi Frashëri. Ata do të punonin për të zëvendësuar ligjet e vjetra, disa prej të cilave i përkisnin periudhës osmane, me një legjislacion modern shqiptar, sipas modelit të vendeve perëndimore. Në vitin 1928 hyri në fuqi Kodi Penal, në prill 1929 hyri Kodi Civil i cili zëvendësoi Mexhelenë- Kodin Civil Osman.

Sipas Kodit të ri civil u bënë ndryshime e përmirësime për martesën, shkurorëzimin, u njohën disa të drejta të barabarta para ligjit të gjithë shtetasve si burrit ashtu edhe gruas. U njoh zyrtarisht vetëm martesa civile, martesa e shtetasve me besime të ndryshme fetare. Nëpërmjet Kodit Civil hyri në fuqi edhe ligji për organizimin e drejtësisë, në të cilën parashikohej organizimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe i gjykatave duke përcaktuar kompetencat e gjykatave të ndryshme etj. Kodi Tregtar u miratua në prill 1932. Në fushën e tregtisë u vendosën parametra të njëjtë me Europën. Të tria besimet fetare të vendit u njohën dhe u morën në mbrojtje nga shteti. Me plotësimin e kuadrit ligjor u hodhën hapa për ndërtimin e një shteti modern sipas modeleve perëndimore për stabilitetin e jetës politikeshoqërore në vend.

Politika e jashtme e shtetit shqiptar gjatë monarkisë
Në politikën e jashtme të shtetit shqiptar gjatë monarkisë Italia zinte vendin kryesor. Në qershor të vitit 1931 u nënshkrua një marrëveshje italo-shqiptare, ku Italia zotohej t’i jepte Shqipërisë një hua prej 100 milion frangash ari e cila varej nga ecuria e bashkëpunimit teknik dhe politik ndërmjet dy qeverive. Mos ripërtëritja e paktit të Tiranës (1926) në nëntor të vitit 1931, hapi periudhën e “krizës shqiptaro-italiane” që zgjati deri në vitin 1935. Kjo ndodhi në një kohë me krizën ekonomike botërore. Roma ndërpreu kredinë e akorduar pak muaj më parë dhe SVEA kërkoi pagesat e huave të pashlyera ndaj saj, të cilat Tirana duhej t’i fillonte t’i paguante pas janarit të vitit 1933. Një konflikt tjetër ishte edhe ai i mbylljes së shkollave profesionale italiane në kuadrin e nacionalizimit të sistemit arsimor shqiptar në vitet 1932-1933. Italianët nga ana e tyre reaguan ndaj këtij vendimi, pasi më 23 qershor 1934, dërguan në ujërat territoriale shqiptare një pjesë nga flota ushtarake. Zogu mori masa duke kërkuar ndihmën e Fuqive të Mëdha që e detyruan flotën italiane të largohej. Mbreti Zog i ndodhur nën presionin italian u përpoq të afrohej me shtetet e Europës Perëndimore dhe vendet fqinje. Në fillim të viteve ’30 çështja e krijimit të një Pakti Ballkanik ngjalli interes edhe për Shqipërinë. Jugosllavia pasi u bind që mosmarrëveshjet shqiptaro-italiane ishin reale u përpoq që Shqipëria të ishte pjesë e kuadrit ballkanik. Në tetor të vitit 1933, ministrat e jashtëm të Greqisë, Rumanisë, Jugosllavisë dhe Turqisë u takuan në Ankara dhe përgatitën draftin e një Pakti të ri ballkanik, i cili do të çonte në krijimin e Antantës Ballkanike. Shqipëria nuk u pranua në Paktin Ballkanik. Në vitin 1933 u nënshkruan dy marrëveshje tregtare me Greqinë dhe Jugosllavinë. Në mars të vitit 1936 u nënshkrua një marrëveshje e re edhe me Italinë. Nëpërmjet saj gjendja ekonomike e Shqipërisë përmirësohej dhe qeveria fashiste e forcoi ndikimin e saj në ekonomi, në politikë dhe në ushtri.

FJALË KYÇE
Shpjegoni fjalët kyç: kod civil, kod tregtar, kod penal, autoritaritar, stabilitet.

PËRGJIGJUNI
1. Pse Zogu vendosi të shpallë si formë regjimi Monarkinë?
2. Përshkruani kompetencat e Mbretit, sipas statutit themeltar të mbretërisë?
3. Cilat ishin sfidat e Zogut si Mbret?
4. Si u ndërtua Politika e jashtme në Mbretërinë zogiste?
5. Çfarë përmbante Pakti Ballkanik?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Formuloni qëndrimin tuaj mbi qëndrimin e Italisë ndaj mbretërisë shqiptare.

KËRKONI INFORMACION
Formuluni përfundime mbi:
a. Kodin Civil të mbretërisë shqiptare.
b. Monedhën e përdorur gjatë mbretërisë.