Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Kurrikula

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 6 Mësimi 6: Lëvizjet revolucionare të rinisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 6 Mësimi 6

Lëvizjet revolucionare të rinisë

Revolucion “kulturor” për të forcuar regjimin komunist
Pas shkëputjes së lidhjeve me BS (1961), në Shqipëri gjendja ekonomike u përkeqësua dhe kjo u reflektua edhe në një rënie të nivelit të jetesës së popullsisë. Në disa shtresa të shoqërisë kishin filluar të shfaqeshin pakënaqësi ndaj regjimit; rinia dhe artistët kërkonin më shumë liri, vihej re një rënie e disiplinës brenda radhëve të partisë dhe të administratës shtetërore. Rreth mesit të viteve 1960, kjo gjendje vinte në pikëpyetje qëndrueshmërinë e regjimit komunist dhe pushtetin personal të Enver Hoxhës. Sipas gjykimit të udhëheqjes së lartë të partisë, këto dukuri të rrezikshme lidheshin me praninë e mëndësive mikroborgjeze në shoqërinë shqiptare dhe me trashëgiminë kulturore të traditave dhe zakoneve shqiptare. Për të frenuar këto dukuri “negative”, Enver Hoxha, u frymëzua nga përvoja kineze në këtë fushë sipas shembullit të Revolucionit Kulturor Kinez. Në vitin 1966 ai nisi një Revolucion “Kulturor” shqiptar, i cili ndryshonte nga ai kinez, sepse ai nuk u shoqërua me trazira dhe u bë nën kontrollin e rreptë të partisë dhe udhëheqësit të saj. Ky revolucion, i cili në thelb ishte politik, përfshiu gjithë shoqërinë dhe strukturat shtetërore e partiake, letërsinë dhe artin, kulturën dhe arsimin. Hoxha urdhëroi qarkullimin e shumë funksionarëve të lartë të Partisë dhe adminstratës shtetërore. Fuqizimi i burokracisë dhe mungesa e besnikërisë ndaj partisë kishte ngjallur shqetësim në udhëheqjen e lartë komuniste. Artistët dhe shkrimtarët morën detyrën të ishin në ballë të Revolucionit “Kulturor” si ndihmës besnikë të partisë. Letërsia e huaj, veprat artistike, veprat shkencore duhej të kalonin në sitën e ideologjisë marksiste leniniste. Në kuadrin e Revolucionit Kulturor u zhvilluan lëvizjet ideologjike me natyrë revolucionare si: lëvizja kundër “zakoneve prapanike e mbeturinave fetare”; lëvizja për emancipimin e gruas, lëvizja për revolucionarizimin e shkollës. Të gjitha këto aspekte të kësaj lëvizje radikale shoqërore kishin si qëllim një forcim më të madh të regjimin komunist në Shqipëri.

Lëvizja kundër fesë
Me Revolucion Kulturor shqiptar lidhet ngushtë dhe fushata kundër zakoneve të vjetra dhe besimeve fetare u nxit nga një fjalim i E. Hoxhës në 6 shkurt 1967, që mobilizoi organizatat e partisë në mbarë vendin, duke propaganduar se feja është opium për popullin. Fjalimi “nxiti” nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës, të cilët “vetëvetiu” u ngritën dhe shkatërruan të gjitha ndërtesat e kulteve fetare në qytet. Ky aksion shkaktoi një reaksion zinxhir në gjithë vendin. U bënë tubime kundër fesë, për të përgatitur sulmet për shkatërrimin e kishave dhe xhamive. Si mjet për të realizuar këto qëllime u përdor rinia shkollore dhe ajo puntore. Ata morën pjesë konkretisht për mbylljen ose dhe shkatërrimin e institucioneve fetare, me gjithë kundërshtimin e klerikëve. Si pasojë e kësaj veprimtarie u mbyllën ose u prishën rreth 2169 objekte kulti, si 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 530 teqe e tyrbe. Një pjesë e tyre u tjetërsuan nga funksioni fillestar dhe u kthyen në objekte kulturore. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitin 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronë shtetërore. Shqipëria më 1967 u bë shteti i parë ateist në botë, siç shpallte me krenari propaganda komuniste shqiptare. Kjo u sanksionua më pas dhe në Kushtetutën e vitit 1976. Drejtuesit komunistët shqiptarë kishin vepruar kundër “opiumit të popullit” në mënyrë më radikale se Kina maoiste. Në vend të fesë dhe kulturës fetare që u fshi nga jeta publike, filluan të rikujtohet me forcë e kaluara historike e shqiptarëve, ilirët, Skëndërbeu dhe kultura e Rilindjes kombëtare. Paralel me këto u forcua kulti personal i Enver Hoxhës, i cili u ngjit në pjedestalin e klasikëve të marksizëm-leninizmit. Më 1968 filloi botimi i plotë në seri veprave të tij.

Lëvizja për emancipimin e gruas
Modernizimi i shoqërisë shqiptare ka qënë një prej çështjeve më të mprehta për t’u zgjidhur nga të gjitha qeveritë e shtetit shqiptar. Sikundër mbreti Zog edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte ambicien për progres shoqëror dhe modernizim të shoqërisë. Por shumë shpejt edhe regjimi komunist u ndesh me kufizime që lidheshin me mëndësinë tradicionale ballkanike të ngulitura thellë në shoqëri. Edhe në fushën e emancipimit të gruas shqiptare, aq shumë i lëvduar nga propaganda komuniste, ky proces mbeti më shumë një përpjekje progresive, por i parealizuar plotësisht. Përpara luftës, gruaja shqiptare, kryesisht në zonat rurale, ka pasur një pozitë të nënshtruar. Në Shqipërinë socialiste u njoh me ligj barazia e gruas me burrin. Lëvizja për emancipimin e gruas u zhvillua nën moton gruaja forcë e madhe për ndërtimin e socializmit. U propagandua se gruaja duhet të jetë e barabartë me burrin dhe duhet të ketë të drejtën të punojë. Ajo u përfshi në kudo në procesin e punës si një forcë aktive, që kontribuonte fort në prodhimin shoqëror. Në bujqësi gratë përbënin shumicën e forcave të punës rreth 52%. Por kjo nuk ishte aspak element barazie, sepse edhe më parë gratë kishin mbajtur peshën kryesore të punëve bujqësore. Punët që i liheshin gruas ishin, në më të shumtën e rasteve nga më të rëndomtat. Për këtë ka shkruar edhe Çajupi në poezitë e tij. Jo vetëm kaq, por gratë si, Shote Galica, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima etj., luftuan për lirinë e vendit përkrah burrave dhe u bënë heroina në historinë e Shqipërisë. Pas vitit 1967, shohim më tepër përfaqësuese të grave në politikë. Në fund të viteve 1980 ato zinin deri në 34% të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe rreth 30% të anëtarëve të PPSh ishin gra. Në pozicione drejtuese gratë i gjeje më rrallë. Ato pak gra që luanin rol në jetën politike, ishin kryesisht bashkëshortet e poltikanëve kryesorë të shtetit, si p.sh. Nexhmije Hoxha, gruaja e udhëheqësit partiak shqiptar, e cila ka qenë aktive për mbi 40 vjet në jetën poltike, si anëtare e KQ të PPSH, deputete në Kuvend, kryetare e Frontit Demokratik dhe drejtore e Institutit të Studime Marksiste-Leniniste. Pavarësisht nga propaganda zyrtare marksiste, perceptimet patriarkale për rolin e gruas në shoqëri vazhduan të jetojnë për një kohë të gjatë në shoqërinë shqiptare.

Lëvizja për “revolucionarizimin” e shkollës
Kur tensionet me BS arritën në pikën më të lartë, për ta vënë shkollën në një kontroll të rreptë marksistleninist, E. Hoxha kërkoi, me fjalën e tij, më 7 mars 1967, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës. Direktivat që u dhanë në këtë fjalim nxitën të rinjtë të luftonin kundër shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste, për të krijuar Njeriun e Ri, me idetë dhe parimet e komunizmit, siç interpretoheshin nga partia. Partia kërkonte që shkolla të përshkohej fund e krye nga boshti marksist-leninist. Qëllimi i vërtetë i rezolutës ishte të pastronte shkollat nga ndikimi sovjetik dhe të rishkruante tekstet shkollore. Një formë e demaskimit të shfaqjeve të huaja ishte Fletë-rrufeja (në Kinë quhej Daci-Bao) (Shih foto). Fletë-rrufeja e parë u vendos në shkollën e mesme “Naim Frashri”, Durrës. Ky ishte një paralajmërim për të gjithë, që të “rrinë urtë” se ndryshe do të digjen me zjarr e me hekur në flakët e Revolucionit Kulturor. Gjithçka që erdhi më pas si futja e trekëndëshit revolucionar, edukim marksist leninistpunë prodhuese dhe edukim fizik e ushtarak nuk kërkonin gjë tjetër veçse t’u shpëlahej truri shqiptarëve nga vlerat qytetare perëndimore. Reforma e vitit 1967 kërkoi që programet shkollore t’i pajisnin nxënësit me elementet e edukimit ideologjik, politik, moral, estetik, fizik dhe ushtarak. U vendos që arsimi i mesëm të integrohej më ngushtë me industrinë në mënyrë që të përgatiste të rinjtë shqiptarë për të zëvendësuar specialistët sovjetikë, nëse këta të fundit do të tërhiqeshin.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Revolucion Kulturor, Fletë-rrufe, boshti marksist-leninist, trekëndëshit revolucionar.

PËRGJIGJUNI
1. Cili është thelbi i Revolucionit Kulturor?
2. Cilat janë lëvizjet ideologjike të vitit 1967?
3. Pse u zhvilluan ato?
4. Cilat janë rezultatet dhe pasojat e lëvizjeve revolucionare?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Shpjegoni, çfarë mësimi nxirrni prej tyre? Formuloni qëndrimin tuaj.
2. Lexoni pohimet dhe formuloni qëndrimet tuaja.
a. Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë. Shqipëria ateiste u sanksionua në Kushtetutën e vitit 1976.
b. Gruaja duhej të dilte në punë, të punonte në çdo front të jetës.
3. Supozoni se jeni gazetar i kohës së regjimit komunist në Shqipëri. Shkruani një reportazh me 400 fjalë Shqipëria shteti i parë ateist në botë dhe botojeni të gazeta Zëri i Popullit apo Bashkimi.
4. Supozoni se jeni gazetar i një vendi perëndimor gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Shkruani një reportazh me 400 fjalë për Shqipëria shteti i parë ateist në botë. Botojeni atë në shtypin e disa vendeve të Europës Perëndimore. Diskutoni në klasë duke i krahasuar reportazhet.

KËRKONI INFORMACION
Formuloni përfundimet tuaja. Intervistoni gjyshërit apo persona të tjerë që kanë jetuar në komunizëm dhe pyetini: Çfarë keni përjetuar gjatë kryerjes së lëvizjeve ideologjike revolucionare në vendbanimin tuaj? I diskutoni në klasë përfundimet tuaja.