Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 2: Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Besëlidhja e Lezhës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 2

Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Besëlidhja e Lezhës

Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Gjergji ishte djali më i vogël i familjes së Gjon Kastriotit dhe lindi rreth vitit 1405. Gjon Kastrioti kishte 9 fëmijë: 4 djem dhe 5 vajza. Kur osmanët morën nën zotërim Krujën, Gjoni u detyrua të japë peng tek osmanët njërin prej djemve të tij, dhe më pas edhe Gjergjin në moshën 9 vjeçare. Këtë fakt e dëshmojnë burimet historike bashkëkohore vendase dhe të huaja. Gjergji, pasi u mor peng u dërgua në shkollën e iç-ogllanëve ku u dallua nga të tjerët. Zgjuarsia e bëri të zotëronte disa gjuhë të huaja. Përgatitja fizike, aftësitë luftarake e veçuan nga të tjerët duke u dalluar në mjeshtrinë e përdorimit të shpatës. Ishin këto cilësi që i shtynë osmanët t’i vendosin emrin Skënder (Aleksandër). Pasi mbaroi shkollën ushtarake dhe kishte fituar titullin bej, Skënderbeu hyri midis kuadrove ushtarake-osmane dhe filloi të ngjitej në karrierën shtetërore. Nga pozita e spahiut arriti deri në postin e sanxhakbeut. Për herë të parë, emri i Gjergj Kastriotit përmendet në vitet 1436-1437, si zotërues (spahi) i një timari në zotërimet e Kastriotëve. Gjatë kohës që qëndroi në atdhe, në vitin 1437- 1438 në postin e qeveritarit (subashit) të Krujës, Skënderbeu favorizoi elementin shqiptar në marrëdhëniet me administratën osmane dhe u kujdes për mbarëvajtjen e punëve në principatën e Kastriotëve. Në fund të viteve 30, kur në Ballkan nisën trazirat antiosmane, sulltan Murati II e transferoi atë duke e caktuar sanxhakbej në një krahinë të largët të perandorisë. Ndonëse u largua nga Shqipëria dhe vazhdonte të ishte në shërbim të sulltanit, Skënderbeu ruante në zemër dashurinë për atdheun si dhe lidhjet me vendin dhe bashkatdhetarët e tij. Gjatë kohës që ishte larg humbi të atin dhe dy vëllezërit, zotërimet e Kastriotëve mbetën pa zot prandaj ai priste rastin për t’u kthyer në krye të principatës së tij. Kthimi në Atdhe. Pas pushtimit të kështjellave në viset perëndimore osmanët vendosën në rajon administratën e tyre pushtuese që bazohej në sistemin e timarit. Pushtimi osman u shoqërua me kryengritje të shumta nga populli shqiptar. Në fillim të viteve 40 të shek. XV në Europë po gjallëroheshin shpresat për dëbimin e osmanëve nga Ballkani. Në këtë drejtim kishin ndikuar pozitivisht disfata e rëndë që pësoi ushtria osmane në shtator të vitit 1442 prej trupave të Mbretërisë së Polonisë dhe Hungarisë, të komanduara nga Janiosh Huniadi. Pas kësaj fitoreje Papa Eugjeni IV veproi aktivisht për të nxitur ballkanasit të ngriheshin kundër pushtuesve osmanë.

Në shtator të vitit 1443, Gjergj Arianiti filloi veprimet ushtarake në viset qendrore. Kurse në jug forcat e Gjin Zenebishtit kaluan rrethinat e Sarandës e të Gjirokastrës në drejtim të Kosturit ku u thyen prej turqve. Në tetor të vitit 1443 ushtria e Janosh Huniadit kaloi Danubin dhe iu drejtua viseve verilindore shqiptare ku forcave të tij iu bashkuan edhe shqiptarët. Në betejën që u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit kundër trupave osmane, Huniadi do të dilte fitimtar. Humbjen e forcave osmane në këtë betejë Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për kthimin në atdhe dhe fillimin e kryengritjes. Sipas planit të menduar më parë e braktisi ushtrinë osmane dhe u nis drejt vendit të tij i pasuar nga disa qindra bashkëluftëtarë shqiptarë së bashku me nipin e tij, Hamza Kastrioti. Më 28 Nëntor 1443, pasi mori postin e qeveritarit të Krujës në një fjalim mbajtur para popullit deklaroi shpalljen e kryengritjes së përgjithshme dhe çlirimin e vendit nga sundimi osman. Në fillim ai çliroi Krujën, e më pas kështjellën e Petrelës, të Gurit të Bardhë në Mat, të Stelushit e Sfetigradit në Dibër etj.

Besëlidhja shqiptare
Skënderbeut, pas kryengritjes së përgjithshme dhe fitores së madhe që arriti në vitin 1443, i duhej ta mbronte atë. Menjëherë filloi takimet me princër e fisnikë të tjerë shqiptarë për të gjetur rrugën e bashkimit. Për këtë qëllim më 2 Mars 1444, në katedralen e Shën Kollit në Lezhë u mbajt i pari Kuvend i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV. Pjesëmarrës të këtij kuvendi ishin figura të njohura të kohës së Skënderbeut si: Gjergj Arianiti, Andrea Topia (me të dy djemtë e tij), Gjergj Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu dhe disa pjesëtarë të kësaj familjeje), Lekë Zaharia, Pjetër Spani etj. Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes ku theksoi me forcë të veçantë nevojën e bashkimit të forcave në luftë kundër osmanëve. Kuvendi i Lezhës vendosi që bashkimi të bëhej në formën e një Besëlidhjeje, pra të një aleance, politike e ushtarake mes principatave, që njihet me emrin Lidhja e Princave Shqiptarë e Lezhës. Kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu. Vendim tjetër i rëndësishëm ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe Skënderbeu u zgjodh komandant i përgjithshëm i saj. Për të përballuar shpenzimet për ushtrinë, pajisjet ushtarake të Lidhjes etj. Kuvendi vendosi të krijohej një arkë e përbashkët. Vendimet e Kuvendit të Lezhës shënuan një hap të madh përpara drejt bashkimit politik të vendit. Çdo fisnik shqiptar anëtar i Lidhjes mund të largohej kur të donte, dhë të ruante pronat dhe ushtrinë. Në Besëlidhjen shqiptare të Lezhës të gjithë ishin të barabartë, ndërsa Skënderbeu ishte “i pari midis të barabartëve”.

Formimi i shtetit të bashkuar shqiptar
Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të gjerë politik e ushtarak në formën e një aleance të fisnikëve shqiptarë. Organi më i lartë qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i Princërve. Organe të përhershme të saj ishin Kryetari i Besëlidhjes, ushtria dhe arka e saj. Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët shqiptarë i ruanin plotësisht të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e tyre. Skënderbeu përdori të gjitha mënyrat për t’i afruar princërit shqiptarë me njëri-tjetrin edhe nëpërmjet aleancave të lidhura nga martesat. Organet qendrore drejtuese, vendimarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit ishin: Kryetari i shtetit, Kuvendi i Princave, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës. Kryetar i shtetit ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu i cili qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae) dhe gëzonte atributet e mbretit. Por akti i kurorëzimit nuk u krye, pasi Papa Piu II, që do t’i vendoste zyrtarisht kurorën e mbretit u nda nga jeta. Krahas institucioneve qendrore u krijuan edhe organe të tjera që mbulonin sektorë të ndryshëm në fushat ekonomiko-financiare, juridike, të politikës së jashtme, të kancelarisë, thesarit etj. Shteti i Skëndërbeut kishte simbolet e tij si: flamurin, stemën dhe vulën. Të drejtat si kryetar shteti Skënderbeu i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e shtetit që drejtonte me vendet e tjera. Ashtu si princat e tjerë të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete, si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore e të pasurive të tjera personave që dalloheshin në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor, regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalën kyç: Gjergj Kastrioti, spahi, sanxhakbej, timar, Murati II, Papa Eugjeni IV, Gjergj Arianiti, subash, Janosh Huniadi, Besëlidhje e Lezhës, Kuvendi i Princërve, Papa Piu II.

PËRGJIGJUNI
1. Përshkruani rininë dhe karrierën e Skënderbeut.
2. Në çfarë rrethanash Skënderbeu u kthye në atdhe?
3. Pse ishte e domosdoshme mbajtja e Kuvendit të Lezhës dhe ç’vendime mori ai?
4. Ku konsiston rëndësia e Kuvendit të Lezhës?
5. Cili është thelbi i krijimit të shtetit shqiptar të drejtuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë zotërimet e shtetit pas Lidhjes së Lezhës, shek. XV. Formuloni qëndrimin tuaj për të.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.

KËRKONI INFORMACION
Mblidhni të dhëna dhe përfundimet i diskutoni në klasë.
1. Si paraqitej situata politiko-ushtarake në kohën kur Skënderbeu u kthye në atdhe?
2. Cili ishte roli i Skënderbeut në formimin e shtetit të bashkuar shqiptar?