Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 5
Shqiptarët e Kosovës, Çamërisë dhe viseve të tjera (1912-1918)
Shqiptarët në Kosovë gjatë Luftës së Parë Botërore
Menjëherë pas caktimit të kufijve veriorë të shtetit shqiptar, më 2 mars 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, popullsia shqiptare e Kosovës filloi të përjetonte pasojat e luftërave Ballkanike. Ajo u ndodh e pambrojtur përballë regjimit ushtarako-policor të Serbisë dhe Malit të Zi. Nën zgjedhën e Serbisë dhe Mali të Zi hynë rreth 900 mijë banorë shqiptarë dhe rreth 24 mijë km2 tokë. Në periudhën 1912-1915 grabitja e tokave dhe kolonizimi ishin tipari kryesor në politikën e pushtuesve. Në këtë fazë dukuri kryesore ishte shfaqja e dhunës, shkombëtarizimit dhe gjenocidit të popullsisë shqiptare që ngeli padrejtësisht jashtë Shqipërisë. Politika e gjenocidit, shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi dhe në shtetin e ri shqiptar, ndikuan në shkatërrimin e jetës ekonomike të këtyre rajoneve. Në një pjesë të tokave të pushtuara u vendosën kolonë serbë. Copëtimi i rëndë i trojeve etnike shqiptare pati pasoja negative. Një prej formave më të egër të dhunës dhe politikës së shkombëtarizimit ishte konvertimi i fesë me dhunë ku popullsinë myslimane dhe katolike e detyruan të kthehet në fenë ortodokse serbe. Pavarësisht gjendjes së rëndë shqiptarët e vazhduan qëndresën dhe zhvilluan një kryengritje në shtator të vitit 1913 në Dibër dhe Kosovë. Pas shumë betejash ushtria serbe i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin dhe mori masa të egra, duke masakruar popullsinë dhe djegur fshatra të tërë si dhe duke shpërngulur mijëra vetë. Me fillimin e Luftës I Botërore, gjendja përkeqësohet, kur Austro-Hungaria dhe Bullgaria i shpallën luftë Serbisë. Ushtritë e tyre hynë në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare përreth vetëm në janar të vitit 1916. Sipas marrëveshjes ndërmjet dy komandave ushtarake (austro-hungareze dhe bullgare), zona e pushtimit austro-hungarez përfshinte Mitrovicën, Vuçiternën, Drenicën e Poshtme, Pejën, Istogun, Gjakovën, Gucinë, Tivarin dhe Ulqinin. Kurse zona e pushtimit bullgar shtrihej në Podujevë, Prishtinë, Drenicë e Epërme, Ferizaj, Prizren, Preshevë, Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë dhe Prespë. Pozita e shqiptarëve në këtë zonë pushtimi ishte më e favorshme se në dy vite më parë. Pavarësisht se komanda e lartë ushtarake austro-hungareze ndërmori disa ekspedita ndëshkuese ndaj atyre që prishnin rendin ajo u lejoi shqiptarëve një formë vetëadministrimi të kufizuar vendor. Gjuha shqipe u bë gjuhë e administratës. U hapën shkolla dhe u krijuan gjykata, veprime që u pritën me mirëkuptim nga shumë shqiptarë. Ndryshe ishte gjendja e shqiptarëve në zonën e pushtimit bullgar. Komanda ushtarake bullgare sillej në mënyrë brutale me shqiptarët. Ajo nuk i përfillte të drejtat e tyre kombëtare dhe njerëzore. Që në fillim u arrestuan shumë patriotë, ndërmjet të cilëve edhe Hasan Prishtina. Gjendja ekonomike e popullsisë, mobilizimi i ushtarëve vullnetarë shqiptarë, rekuizimi i ushqimeve dhe i bagëtive për nevojat ushtarake shkaktoi në disa krahina zinë e bukës. Si rrjedhim në vitet 1916-1918 në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare përreth vepruan çetat kryengritëse me luftëtarë shqiptarë të udhëhequra nga Azem dhe Shote Galica, Idriz Seferi etj.
Shqiptarët në Çamëri, gjatë Luftës së Parë Botërore
Më 11 gusht 1913, në kuadrin e vendimeve të Konferencës së Londrës për kufirin jugor të Shqipërisë u vendos që vetëm 7 fshatra të krahinës së Çamërisë me qendër Konispolin të përfshiheshin në shtetin e pavarur shqiptar. Ndërsa pjesa më e madhe e këtij territori si Filati, Janina, Gumenica, Margëlliçi, Paramithia, Parga, Preveza, Arta mbeteshin nën shtetin grek. Në këtë kohë në Çamëri jetonin rreth 50 mijë shqiptarë të besimit mysliman dhe 14 mijë shqiptarë të besimit ortodoks. Regjimi ushtarako-policor i vendosur nga ushtria dhe shteti grek në Çamëri gjatë luftërave Ballkanike dhe pas vendimeve të Konferencës së Londrës u shoqërua me një egërsi të paparë. Kjo ushtri nisi gjenocidin, shpërnguljen e dhunshme, arrestimet, vrasjet dhe djegiet masive të fshatrave duke i detyruar banorët e pambrojtur të largoheshin nga trojet e tyre në drejtim të territoreve që administroheshin nga qeveria e Vlorës, veçanërisht në Elbasan, Berat dhe Vlorë ku ata gjetën strehë. Gjatë Luftës I Botërore përsëri popullsia çame vazhdonte të vuante sundimin e njësive vullnetare të ushtrisë greke. Në këtë periudhë nis edhe faza e emigrimit masiv të popullsisë çame jo vetëm drejt Shqipërisë, por edhe në Turqi të imponuara nga situatat e tmerrit dhe të agresionit masiv. Edhe në fillimin të vitit 1916 politika e qeverisë greke ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë vazhdonte të ishte e dhunshme. Ndërkohë situata ndryshoi, kur në qershor të vitit 1917, në Çamëri hynë trupat italiane, të cilët i detyruan njësitë ushtarake greke të tërhiqeshin pa bërë qëndresë. Komanda italiane emëroi një Komisar të Përgjithshëm për çështjet civile në këtë zonë. Ai e ndau Çamërinë në 7 rrethe dhe në çdo krahinë emëroi komisarët krahinorë si dhe u ngritën këshillat si organe këshilluese të përbërë nga civilë dhe klerikë vendas. Në Filat, Paramithi, Gumenicë dhe në rrethinat e tyre u lejua të ngrihej flamuri shqiptar. Gjithashtu u ngrit një komision këshillimor pranë komisarit të përgjithshëm italian. Nëpërmjet një qarkoreje të veçantë, në gusht të vitit 1917 u ligjërua hapja e shkollave shqipe në Çamëri. Çamët e Filatit dhe të fshatit Galbaq hapën shkolla shqipe. Një manifestim popullor u organizua ditën e parë të hapjes së shkollës në gjuhën shqipe. Megjithatë ky gëzim nuk vazhdoi gjatë. Radhitja e Greqisë përkrah ushtrive të Antantës bëri që forcat italiane të tërhiqen nga Çamëria për t’ia lënë vendin përsëri forcave greke. Shqiptarët e Çamërisë pavarësisht ngjarjeve dërguan shumë peticione dhe memorandume pranë kancelarive europiane ku kërkonin mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare si dhe bashkimin me shtetin shqiptar të pasluftës.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: shpërngulje, genocid, kolonizim, shkombëtarizim, vetëadministrim, konvertimi i fesë.
PËRGJIGJUNI
1. Cilat ishin forcat ndërluftuese që pushtuan Kosovën gjatë luftës së parë botërore?
2. Çfarë karakteristikash kishin zonat e pushtimit në Kosovë?
3. Pse nuk u përfillën të drejtat njerëzore nga komanda bullgare e pushtimit?
4. A ishte e njëjtë politika e pushtuesve ndaj Çamëve me atë në Kosovë? Pse?
5. Cilat janë pasojat e Luftës I Botërore tek shqiptarët në Çamëri dhe Kosovë?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Tregoni në hartë kufijtë veriorë dhe jugorë të Shqipërisë para vitit 1913.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni qëndrimin tuaj.
3. Formuloni përfundimet tuaja për masakrat masive në Kosovë dhe Çamëri.
KËRKONI INFORMACION
Formuloni qëndrimin tuaj. Shote Galica, jeta dhe vepra. Diskutoni në qëndrimet tuaja